Pas furtunës

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 7 vite më parë

Fatos Lubonja
Pas furtunës

Para disa ditësh u botua në  “Mapo” një intervistë e imja dhënë Aleksandra Bogdanit, me titull “Protesta si tragjeditë greke, ku pesha e gjëmës tronditi thellë të keqen brenda nesh” dhe me titull on line: “Protesta, fillimi i luftës për të ndryshuar Rama: mallkime në vend të ndjesës”. Më la shije të keqe fakti që ndonjë media online e mori dhe e sintetizoi duke i vënë titullin/lajm: “Lubonja e krahason fjalimin e Ramës me atë të Hitlerit”. Dhe u shqetësova jo pse mendova se për qëllime sensacioni po nxirrej nga konteksti dhe deformohej një thënie, por sepse ndjeva erën e gazetarisë së llogoreve që nuk synon as t’i shërbejë informimit të publikut dhe as thellimit të analizës së një ngjarjeje, por ruajtjes së statukuosë së rreshtimit të njerëzve në llogoret e Ramës dhe të Berishës, duke skualifikuar këdo që kërkon diçka përtej tyre  e në radhë të parë shoqërinë civile e gazetarët e pavarur. Ndërkohë më duket se ajo që ndodhi ishte pikërisht e kundërta e rreshtimit në llogore. Nuk e mohoj se duke komentuar fjalimin e Ramës them edhe se: “Nga pikëpamja e gjendjes së tij psikologjike (fatmirësisht jo e pasojave), më kujtoi Hitlerin, që, kur po humbte luftën për fajin e tij, mallkoi popullin gjerman që nuk e meritonte një lider si ai”.

 

Për hir të së vërtetës, nuk kam lexuar (dhe as flas për) ndonjë fjalim kësisoj të Hitlerit, madje nuk di të them se në ç’libër fiction, dokumentar apo eseistik e kam gjetur këtë pohim. Por thelbi është se i referohem  “gjendjes psikologjie” të një lideri, i cili nuk është në gjendje të shohë humbjen si pasojë e gabimeve të veta, pasi është i zhytur në paranojën e tij dhe që, edhe kur detyrohet t’i nënshtrohet një humbjeje, fajëson të tjerët, gjithë të tjerët, përveç vetes. Nuk e mohoj, po ashtu, se asosacioni më ka ardhur ngaqë idenë e sjelljes së armëve kimike në Shqipëri e kam përjetuar si një çmenduri të madhe në luajtjen me fatet e një populli të tërë. Megjithatë, ndoshta e kam ekzagjeruar. U kërkoj ndjesë mbështetësve të Ramës. Mund të kisha thënë: Më kujtoi Sali Berishën, i cili, kur humbi zgjedhjet, ua vuri fajin mashtrimeve të opozitës dhe budallallëkut të popullit shqiptar që nuk ditën të vlerësojnë arritjet e  tij. E di që edhe kjo do t’u duket e tepruar, por s’kam ç’u bëj.


A nuk qe kështu? Në 29 minuta, nga 30 minutat që foli, Rama, në vend se të shihte një realitet të ri, pa, apo deshi të shihte, politikën e llogoreve dhe i ndau njerëzit që protestuan në dy pjesë: në një pjesë që veproi “me poshtërsi” ku hynte opozita dhe “grupe mediatike”, dhe në një pjesë të madhe budallenjsh, që ishte mashtruar nga këta maskarenj që arritën deri atje sa të mërzitnin edhe partnerin amerikan. Akuza ndaj “të poshtërve” ishte se gënjenim, pasi nuk kishte ndonjë vendim, dhe mashtronim kur thoshim se Shqipëria do të kishte keq dhe jo mirë nga ajo punë.


Le ta fillojmë nga e para. Besoj se u pa qartë se sikur njerëzit të mos kishin dalë në protesta ditën e premte “the decision” (siç e quajti Walker në Al Jaseera, që përkthehet në shqip “vendimi”), do të bëhej publik botërisht me miratimin e axhendës së Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Pra mu atë ditë Shqipëria do të ishte shpallur vendi ku do të depozitoheshin armët kimike. Pjesa tjetër e punës do të ishte thjesht procedurë ligjore për ta kthyer këtë fjalë të dhënë në një vendim të qeverisë të aprovuar nga Parlamenti shqiptar dhe për të përcaktuar pastaj procedurat e mëtejshme. Për këtë kishte punuar edhe ambasadori amerikan, i cili, siç tha edhe vetë, përveç “po”-së së Ramës, kishte marrë fjalën e opozitës shqiptare, që nuk do të thoshte jo. E kjo shpjegon se pse deri të enjten në mëngjes, kur u pa se zemërimi i njerëzve ishte i papërmbajtshëm, opozita ankohej vetëm për mungesë transparence, por nuk fliste kundër sjelljes së armëve kimike. Dimë gjithashtu – nga burime të pakonfirmuara zyrtarisht, por të besueshme – se shteti kishte marrë edhe disa masa për mirëpritjen e këtyre armëve. Atëherë, kush gënjen lidhur me atë nëse kishte apo nuk kishte marrëveshje apo vendim apo fjalë të dhënë, quajeni si të doni?


Pjesa e dytë e “mashtrimit” gjithë sipas Ramës, ka të bëjë me atë se ne “jo ekspertët” ia paraqitëm publikut një punë të mirë pastruese si një zezonë helmimi. Mjerisht kjo fushatë vazhdon edhe pas fjalimit të Ramës. Fakti është se ne, pa dallim midis njërëzve publikë dhe jopublikë, u mbështetëm sa te bon sensi që merrte parasysh vogëlsinë e territorit shqiptar apo përvojën e të tjerëve, aq edhe te ligji, si ai shqiptar i aprovuar nga Berisha dhe i abroguar krejtësisht nga Rama, ashtu edhe te ligjet mbi ndalimin e importimit të substancave kimike toksike në vendet e botës, duke përfshirë edhe SHBA. Mirëpo, sipas ekspertizës së mosekspertizës së Kryeministrit pa ekspertë, shqiptarët duhet të besonin se ne do të kishim dalë më të pastër. Së pari, një pyetje më lind duke parë edhe vështirësinë e gjetjes në botë të një Kryeministri të dytë si ky i yni: Pasi ato 1300 tonët të shndërroheshin në 13 000 tonë kontejnerë të ndotur e më the e të thashë, siç tha eksperti Walker, në cilin vend do të çoheshin? Unë nuk pashë të dilte ndonjë emër në axhendën e së premtes për këtë. Së dyti, unë e pranoj se dikush mund të ketë mendimin e tij të kundërt, por tjetër gjë është mendimi i sinqertë kundër dhe tjetër është të servirësh gënjeshtra si ato me 13 miliardë dollarët apo heqje vizash amerikane e hyrje në Europë, që u vunë në qarkullim, për t’u thënë budallenj e të manipuluar gjithë të tjerëve. Së treti, është gënjeshtër e madhe të thuash se popullit iu drejtua vetëm opozita dhe disa grupe mediatike “të poshtër” e “me borxhe”. A e ka parë Kryeministri një video të bërë nga intelektualë e artistë që jetojnë jashtë Shqipërisë (shih videon: http://mapo.al/2013/11/15/artistet-kunder-rita-ora-dhe-elsa-lila-jo-armeve-kimike-video/.) Po shqiptaro-amerikanin Van Christo, veteran i Luftës së Dytë, kush e nxiti që i ka shkruar, që me 9 nëntor, atë letër emocionuese John Kerry-t (http://frosina.org/van-christos-letter-to-secretary-kerry/) ku e quan “deplorable action” atë që donte të bënte qeveria amerikane? “Tmerrësisht i keq, që meriton dënim të fortë” – është një nga shpjegimet që jep fjalori për një veprim që meriton epitetin “deplorable”.


Është e vërtetë se “jo”-ja e njëminutëshit të fundit të Ramës ishte çliruese për të gjithë. Është po ashtu e papranueshme që Berisha kërkon ta interpretojë “po-jo”-në e tij si “pavendosmëri” apo si thyerje e besës kanunore shqiptare që na paska prishur punë me amerikanët. Ne e dimë mirë se si “vendosmëria” dhe “besa” e tij në raste të tilla veçse ua ka thelluar tragjedinë shqiptarëve: le të kujtojmë ‘97-n apo 21 janarin. Berisha, po të kishte reflektuar qoftë edhe një minutë me sinqeritet mbi këtë ngjarje, do duhej të kishte thënë se ka edhe ai përgjegjësi për këtë që ndodhi me servilizmin hipokrit që ka treguar ndaj amerikanëve kur i ka thënë “po” çdo propozimi të kësaj natyre dhe duhej të dilte nga llogorja përfundimisht. Por ama fjalimi i Ramës nuk na çliroi nga problemet që kemi pasur me Berishën, përkundrazi. Për mua, jo vetëm, siç e thashë, ai i ngjante si dy pika uji fjalimit të dorëheqjes së Berishës kur humbi zgjedhjet, por edhe reagimi i militantëve të Ramës, që filluan të glorifikojnë njeriun që dëgjuaka, medemek, zërin e popullit e të demonizojnë ata që kritikojnë fjalimin e tij të “dorëheqjes” nga armët kimike, ishte një kopje e reagimeve të militantëve të Berishës, që u mallëngjyen aq shumë nga dorëheqja e liderit të tyre “historik”, saqë nuk duronin askënd që u thoshte se kjo dorëheqje ishte hipokrite.


Dhe kjo na mban te politika e vjetër e personalizimit të institucionit nga lideri, te politika e luftës për pushtet dhe para të dy llogoreve, që kërkojnë të bëjnë aleat për këtë ambasadorin amerikan. Për mua nuk ishte normale, p.sh., që njerëzit po prisnin me ankth se çfarë do të vendoste Kryeministri në orën e fundit pas protestave të tyre, ndërkohë që do të duhej të kishin ditur me kohë se Këshilli i Ministrave, pas konsulencës me këshilltarë dhe ekspertë të fushës, me ekspertë ligjorë, të ambientit, të politikës, të Europës së Bashkuar etj., i kishte thënë “jo” një kërkese të SHBA për sjelljen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Ishte e papranueshme që Kryeministri na mbajti edhe 29 minutat e fundit në ankth, dhe ç’është më e keqja, tha: “Unë u thashë atyre dhe tani po ju them edhe juve…”. Edhe Enver Hoxha, ndonëse vendoste vetë, kurrë nuk thoshte “unë”, por “Partia”, “Byroja Politike”, “Kuvendi Popullor”.


Deri më sot, siç tregoi edhe kjo ngjarje dramatike, personalizimi i institucionit ka bërë që vendimet arbitrare të “shefit” t’i imponohen ligjit, procedurave, institucioneve. Pastaj, për të justifikuar këto vendime që më së shumti kanë rezultuar të gabuara apo të dëmshme për shumicën, sepse në favor të vetes, mikut, sekserit, djalit, vajzës, klanit… është përdorur politika e llogoreve “jeni me ne apo kundër nesh?” Çdo kundërshti është justifikuar me atë se ata që kundërshtojnë janë të llogores së armikut dhe e bëjnë këtë se janë armiqtë tanë, prandaj dhe të Shqipërisë, prandaj dhe të amerikanëve, dhe broçkulla si këto.


Kësaj i thanë “jo” shqiptarët me forcë kësaj here. Ata thanë se në demokracinë që po ndërtojmë ne presim që vendime apo marrëveshje të tilla, kushdo qofshin ato, të jenë në interes të shqiptarëve, dhe jo të pushtetit apo parasë së llogoreve, e për këtë ato duhet të merren pas konsultimesh e ekspertizash nga institucionet dhe jo nga “shefi” i llogores personalisht, dhe të kthehen në vendim duke u votuar në Parlament vetëm pas konsultimesh me popullin e tërë apo me popullsinë e një zone të interesuar kur e do rasti.


Ata që nuk e kanë nxjerrë këtë mësim edhe nga kjo ngjarje, vështirë se hyjnë në kategorinë e njerëzve që mund të mësojnë diçka të re në këtë jetë, që të mund të bëhen, kësisoj, edhe më të ditur e më të mirë për të tjerët.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama