Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mëdyshja për armët kimike siriane

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 11 vite më parë

Artan Hoxha
Mëdyshja për armët kimike siriane

RRUFE NE QIELL TE PASTER

Si për të vërtetuar se sikleti vjen papritur e pakujtuar – si rrufe në qiell të pastër një ditë të bukur vjeshte – u përhap lajmi se Shqipërisë i ishte kërkuar të merrej me asgjësimin e armëve kimike siriane.


Loja diplomatike mes superfuqisë në shkëlqim, SHBA, që tregoi forcën dhe asaj të venitur e me ambicie për rishkëlqim, ish-BRSS, sot Rusi, që përdori dinakërinë, shmangu një luftë me përfshirje të gjerë në Lindjen e Mesme. Paqja ka koston e saj e një nga këto është asgjësimi i armëve kimike siriane nga e në vende të treta, larg dy superfuqive e sa më larg Sirisë së përgjakur, të ndarë e në kaos.


Në apel u thirr edhe Shqipëria. Fillimisht u duk si një ngjarje e pamundur, si një barcaletë a shaka me kamerat e fshehta. Por, në pak ditë, u konfirmua serioziteti i çështjes.


Pikëpyetjet ia lanë vendin dilemës dhe kjo ndarjes më dysh të opinionit, shoqërisë, politikës, shumicës parlamentare, pakicës së saj.


JO-ja duket se ka mbështetje të gjerë, por PO-ja nuk e ka humbur shansin.


DILEME E FORTE PER NJE PËRGJIGJE NE PAK DITE


Thuhet se ka veç një javë kohë për përgjigjen. Secila prej të dyja përgjigjeve të mundshme ka plot e njësoj andralla. Ndaj, cilado qoftë përgjigjja, mënyra se si arrihet tek ajo ka rëndësi më shumë se vetë përgjigjja, pasi përgjigjja e duhur është e duhet të jetë produkt i procesit të duhur.


ARROGANCE DHE MENDJELEHTESI


Ndërsa mediat shqiptare kishin ditë që gëlonin mbi lajmin e marrë nga burimet jashtë vendit a pëshpërimat e ndrojtura nga zyrat qeveritare në Tiranë, qeveria rilindëse heshti dhe foli për herë të parë vetëm pas pyetjes së një gazetari francez gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm në Francë.


Të mos komunikosh me popullin tënd përmes mediave shqiptare është arrogancë. Të komunikosh përmes mediave të huaja, franceze në këtë rast, është dobësi deri në nivelin e pafuqisë së pafajshme të çilimiut kur thuhet a lihet të kuptohet se këtë po na e kërkojnë amerikanet dhe pra, s’kemi ç’iu bëjmë atyre.


Një sjellje e këtillë jo vetëm që nuk qetëson e bind, por shton dyshimet, si tek ata kundër edhe tek ata pro asgjësimit të këtyre armëve, se qeveria rilindëse po e trajton çështjen në mënyrën më të keqe, në mos, e ka marrë me kohë vendimin dhe veç po luan teatër.


Në fakt, për një vendim kaq të rëndësishëm, një qeveri e kryeministër serioz do të ishin gdhirë e ngrysur në zyrë, në konsulta të shumta me faktorë shqiptarë e ndërkombëtarë; ekspertë të ushtrisë, diplomacisë e deri me ata të mjekësisë apo psikologjisë shoqërore, e jo të merreshin me zgjedhjet e Korçës, kanalet vaditëse të Fierit apo vizitat e mirësjelljes diplomatike, qoftë edhe për herë të parë, si ajo në Serbi.


Ndaj s’ka se si të mos ngrejë krye dyshimi se, ose vendimi është marrë, ose do të merret me mendjelehtësi dhe pa transparencë.


JO-ja POPULISTE


Populizmi i është kthyer qeverisë si bumerang. Rilindësi e kultivoi popullzimin si për qëllimet politike të mbijetesës pas humbjes më 2009-n, ashtu edhe për ato të fitores më 2013-n.


“Ç’e keqe vjen nëse rihapen kutitë; ç’e keqe vjen nëse sulmohen institucionet nga turmat e revoltuara; ç’e keqe vjen nëse taksohen progresivisht ata të 5-përqindëshit për hir të atyre të 95-përqindëshit; ç’e keqe vjen nëse hiqen sigurimet shëndetësore; ç’e keqe vjen nëse ndalohet importi i mbetjeve të parrezikshme qoftë edhe për riciklim; ç’e keqe vjen nëse shemben ndërtimet, qoftë edhe me leje, pa vendim gjykate; përveçse mirë?”.


Kështu, filizat e popullzimit i vaditi e prashiti derisa tashmë janë pyll me ferra ku ka ngecur edhe vetë e nga ku nuk del dot pa gërvishtje e të çara.


Nga njëra anë i druhet revoltës së turmave që pak kohë më parë i pati pro. Rilindësi e njeh rrezikshmërinë e protestave shoqërore me “teza shkencore” që mbështjellin besëtytnitë popullore, aq më shumë që këtë radhë populistët mjedisorë kanë të drejtë kur kërkojnë ndalimin e ardhjes së armëve kimike, rreziqet e të cilave janë të qenësishme, kur këtë e krahasojnë me ndalimin e  importit edhe të atyre 25 llojeve, nga mbi 500, të mbetjeve të parrezikshme për riciklim.


Situatë absurde, e përmbysur si përmbysja e shprehjes me supë e kos: “Pasi je ruajtur se mos digjesh nga kosi, s’ka se si të mos ruhesh prej djegies nga supa”.


Nga ana tjetër, nëse vendos për një JO populiste – nëse ende nuk e ka vendosur – do t’i rrënohet profili prej burri shteti në sytë e kujtdo që pret nga ai të sillet i këtillë në rrethanat kur arsyet shtetërore e kërkojnë këtë.


Njëherazi e di që popullariteti te populistët as që do t’i shtohet qoftë edhe me pak gramë nga një JO e këtillë. Përkundrazi, populistët do ta shohin se tashmë, si ai kultivuesi i hashashit që fillon, herët a vonë, varësinë nga tymi i bimës çudibërëse, edhe Rilindësi do të jetë gjithnjë e më shumë nën varësinë e populizmit që do ta shtyjë gjithnjë e më shumë drejt marrëzisë së turmave, e cila, një ditë, merr para edhe vetë udhëheqësin.


PO-ja ARRIVISTE


Tundimi që Rilindësi të vendosë për PO-në arriviste duket ashiqare. Dëshira për t’u bërë i rëndësishëm në shkallë botërore mes gjigantëve, duket se ia trazon shpirtin po aq fort sa frika se, nëse thotë JO, gjigantët e përbuzin.


Një dyzim i këtillë ndoshta e ka bërë ta ketë thënë apo ta thotë pas pak ditësh PO-në pa i menduar e pa i kërkuar kushtet e domosdoshme teknike, teknologjike, logjistike, ekonomike e shoqërore. Në fakt, ç’mund të sqarohet a kërkohet më shumë nga një bisedë telefonike me sekretarin e Shtetit a një kafe me ambasadorin, përveçse ca raporteve e interesave politike?


JO DINJITOZE, PO BINDESE


Edhe përgjigjja JO, edhe përgjigjja PO kanë të njëjtin bazament – një analizë të plotë të të gjitha rreziqeve të qenësishme, bazament që kërkon punë ngulmuese dhe përgjegjësi të lartë.


Nëse rezulton se rreziqet janë të pashmangshme, JO-ja është dinjitoze, në të kundërt, PO-ja është bindëse. Pjesa me tru e popullit do ta kuptonte. Për atë pa tru nuk ia vlen të lodhesh.


Rreziqet nuk janë vetëm ato teknologjike e logjistike. Tek e fundit, armët kimike janë prodhuar diku, ruajtur nga prodhuesit, transportuar për në destinacion, ruhen nga blerësit, një pjesë janë asgjësuar prej tyre dhe secili nga këto procese ka rreziqet, por edhe protokollet e veta të sigurisë, dhe mund të njihen në thellësi të gjitha rastet kur ka ndodhur ndonjë aksident, shkaqet dhe pasojat e tij dhe kundërmasat e vlefshme. Ndaj, këto lloje rreziqesh janë edhe më të lehtat për t’u analizuar.


Çështja është më e komplikuar lidhur me rreziqe të tjera dhe ia vlen të shtrohen edhe pyetje të këtilla si: “A është i gjithë zinxhiri i institucioneve shqiptare të sigurisë, qoftë edhe i përforcuar me ato të aleatëve, i aftë të parandalojë goditje të mundshme të grupeve terroriste?”. Apo: “A mund të kryhet me sukses një operacion që kërkon siguri e kujdes maksimal në një vend, shtet e popullsi ku, paradoksalisht, nga një anë shkaktohet panik publik nga rreziqe inekzistente si në rastin e importit të mbetjeve e, nga ana tjetër, sillet shkujdesshëm kundrejt rreziqeve të qenësishme si në rastin e hapjes së depove ushtarake, mbajtjes së armëve në shtëpinë plot me fëmijë, ngritjes së shtëpive pranë bazave ushtarake ku demontohen armatime apo demontimi i tyre pranë banesave civile, harresës sistematike për masat kundër zjarrit në çdo banesë, biznes a zyrë e deri te kuturisja në thellësi të minierave të braktisura apo pirja e duhanit mbështetur te pompa e benzinës?”. Apo”: “Ç’efekt mund të kishte mbi turizmin shqiptar dhe/ose produktet bujqësore shqiptare vetëm ideja se në Shqipëri po demontohen e asgjësohen armë e lëndë kimike luftarake?”; edhe pyetje të tjera të vlefshme, për të cilat duhet të vlerësohen rreziqet dhe efektet, si dhe efektiviteti i masave parandaluese.


Për rrjedhojë, vendimmarrja nuk është aspak e lehtë. Përgjigjja e duhur kërkon sjellje të përgjegjshme, edhe larg populizmit, edhe larg arrivizmit, analizë të thelluar e të gjerë të rreziqeve dhe peshimin e kujdesshëm të tyre. Vetëm kështu mund të ketë qoftë një JO dinjitoze a qoftë një PO bindëse. I gjithë ky proces është, në radhë të parë, në shërbim të vetvetes dhe pasjes së një shteti serioz e, më pas, edhe në shërbim të paqes në botë.


Se fundmi, në raport me vendet e tjera, Shqipëria nuk mund t’u shmanget me mendjelehtësi detyrave e rolit të saj proporcional. Siç kemi përfituar e do përfitojmë siguri prej tyre, ashtu edhe duhet të kontribuojmë për sigurinë kolektive të bashkësisë së vendeve partnere në NATO, si dhe në sigurinë globale. Bishtnimi nga kjo përgjegjësi është sa karagjoz, aq edhe i dëmshëm për ne vetë.
Por, nëse ndodh që të gjitha vendet e tjera luajnë me diplomaci hileqare – rast ky që nuk përjashtohet tërësisht – me shpresën se po gjejnë budallain a hallexhiun e radhës që t’ia lënë barrën në derë, sebepet e tyre për JO mund t’i përdorim edhe ne me të njëjtin stil diplomatik.


Ndaj, pyetja “Pse Shqipëria dhe jo vende të tjera?” mbetet e vlefshme dhe arsyeja e dhënë deri tani se qenkemi vendi i vetëm që kemi demontuar armët kimike të regjimit komunist, dhe pra, paskemi eksperiencë unike, është veçse krehje bishti.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama