Qeveria matane nje karabinaje

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 9 vite më parë

Aleksandër Çipa
Qeveria matane nje karabinaje

Fadromat e qeverisë kundër ndërtimeve të paligjshme këtë javë po përgatitin mësymjen drejt Vlorës. Ky është një njoftim i shumëpërcjellë në mediat tona këtë javë. Në qendër të raportimit është vënë përgatitja xheniere për shembjen e një godine shtatëkatëshe në lagjen Skelë të qytetit bregdetar, i cili tashmë është vënë nën kujdestari të Kryeministrit Rama. Ky aksion, ende i panisur, me sa duket do të fokusohet sikundër edhe godina që u shemb dhe u diskutua me aq zhurmë për cilësinë “e keqe” të profesionalizmit të xhenierëve që u morën me “shpërthimin amator”. Fjala është për ndërtesën pranë godinës së Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, kundër së cilës u protestua prej ditësh nga studentët dhe pedagogët e këtij fakulteti.

Godina në Vlorë ka një histori “qëndrese” ndaj disa qeverive. Vite më parë, kur në këtë qytet kryente detyrën e komisarit të policisë Mithat Havari, kërcënimi për shembjen e godinës së privatizuar të ish-Turizmit u shndërrua në një kazus debatesh dhe polemikash rreth ndërhyrjeve selektive që nisën të bëheshin me urdhër qeveritar ndaj ndërtimeve të paligjshme në zonën e bregdetit të Jugut.

Historia më shumë se 10-vjeçare e kësaj godine të pambaruar nuk ka përfunduar. Mesa duket ajo ka mbërritur në epilogun e vet, në ditët e qeverisjes Rama. Natyrisht që kjo nisje është e rëndësishme, se shënon hyrjen në kapitullin më të vështirë të aksionit qeveritar antibeton. Një kapitull që mbart vështirësi jo për shkak të tepricës së betonit dhe sipërfaqes së betonizuar, por për arsye se pronarët që ia kanë dalë të ngrenë këto ndërtesa, në shumicën e rasteve kanë nisur procesin e plotësimit të procedurave legalizuese dhe të akteve pronësore përmes rrugës në gjyqësor. Për këtë arsye, ky proces i komplikuar, në brendinë e tij krijon edhe një situatë përballje të qeverisë me ligjin dhe sidomos legjislacionin që mbron të drejtën pronësore të dhjetëra e qindra qytetarëve. Natyrisht kur poseduesit e këtyre godinave e kanë nisur investimin e marrëzishëm për ngritjen e godinave shumëkatëshe dhe në sipërfaqe tejet të gjera, nuk janë konsultuar, madje as nuk kanë dëgjuar sugjerimet që strukturat e planifikimit dhe mbrojtjes së planeve të studimit në zonat bregdetare, qofshin ato pranë bashkive apo komunave, apo edhe më tej në prefektura, u kanë bërë paraprakisht. Por logjika e shtimit të subjektit dhe panoramës së barbarisë urbane në territorin e uzurpimeve ka qenë dhe mbetet mbretëruese. Për këtë shkak, nisma e thyerjes së kësaj tabuje, edhe pse është ricikluar kohë pas kohe, kësaj here duket se nuk ka vetëm fillim. Fillimi është i shumëpërsëritur për shembje të tilla në praktikat e fillimqeverisjeve. Një ripërsëritje e tillë nuk paraqet vetëm rrezikun e qesharakëzimit të ndërhyrjes ligjore të qeverisë së re, por përfundimisht mbart sfidën pësuese për çdo nismë apo aksion të ngjashëm në kohët e ardhme. Për këtë arsye, aksioni i trumbetuar dhe i paraqitur si akti më me kredo në programin elektoral të koalicionit të majtë dhe sidomos të Kryeministrit Rama gjendet tashmë në provën finale. Ky aksion nuk mund të banalizohet apo të devijohet përmes listimeve të selektuara apo qoftë edhe për arsye të autoritetit ndërhyrës, i cili lehtësisht mund të provohet në 40-ditëshin e parë të kësaj qeverisjeje, kur bëhet fjalë për emërime apo respektim të formulës ndarëse të hisesë së përfaqësimit në administratë dhe institucione. Në aksionin antibeton, qeveria Rama nuk duhet të bëjë lëshime, pasi kërcënon së pari integritetin e besueshmërisë publike dhe në mënyrë të veçantë është shumë pranë mundësisë së komprometimit të ndërgjegjes së pretenduar për një “rilindje” të urbanizmit dhe administrimit të territorit të Republikës.

Në këtë kontekst, aksioni për shembjen e shtatëkatëshit të lënë “shkretë” në Skelë të Vlorës është i pamjaftueshëm për t’u konsideruar një fillim i mbarë apo një hap i rëndësishëm. Është vetëm një hap i pamjaftueshëm për një fillim. Prona dhe investimi privat janë gjithherë të dhimbshme. Por në projektin e Edi Ramës lufta antibeton dhe antindërtimeve barbare të paligjshme, qëndron më shumë se në çdo sipërmarrje qeverisjeje, si sfidë për të lënë në fuqi besimin ndaj ligjit dhe shtetit ose do të shënojë humbjen përfundimtare të tij. Në Vlorë natyrisht që bën bujë çdo kurajë ndërhyrëse në mbështetje dhe zbatim të ligjit, por më shumë se kaq, bujë dhe inkurajim qytetar mbart barazia dhe trajtimi joselektiv i ndërhyrjeve e shembjeve të tilla. Për këtë arsye, aksioni i pritshëm në Vlorë është nën syçeltësinë e opinionit vendor dhe atij kombëtar. Shembja e paralajmëruar lidhet me një godinë të mbetur në karabina më shumë se një dekadë. Ndërhyrjet e tjera janë shumë e shumë herë më të rëndësishme për mbjelljen dhe krijimin e besimit. Tashmë Vlora nuk është vetëm një qytet nën kujdestarinë zhvilluese të Kryeministrit, por edhe në provën e dhimbshme të ndëshkimit pa dallime dhe pa kapërcime për shkaqe nepotike apo aq më keq, politike. Kryeministri Rama në Vlorë ka kazusin e fitores së ligjshmërisë. Nëse ia del, atëherë ka gjetur “pikën e lidhjes” me subjektin e pretenduar të “rilindjes”, në të kundërt?… Çajupi thoshte: “Do të vejë siç ka vajtë…”

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama