Ferra shqu(p) dhe lepuri i urrejtjes

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 7 vite më parë

Artan Hoxha
Ferra shqu(p) dhe lepuri i urrejtjes

SHQU-P ia doli të (Ri)marketizohet në nisje të Rilindjes. Ajo “P”-ja në fund e bën qesharak emërtimin Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore. Mund të ishte edhe Streha e Huqeve dhe Qejfeve me Ushqim Pikant. Nuk e ka fajin godina. Koha, e pamëshirshme, si me shumë gjëra të tjera, e la pas bashkë me nostalgjikët.

Por, godina me emër qesharak na doli si ferra që nxjerr lepurin e madh, atë të urrejtjes – politike, klasore, breznore – që u shfaq përmes pretendimeve në çdo lëndë a frymë të mundshme: ligjore, pasurore, tejpamore, simbolike, urbanistike….


SHKELJA E LIGJIT


Vetë Edi Rama akuzoi për shkelje të ligjit e po kështu plot të tjerë para dhe pas tij, por gjithnjë rreth e rrotull tij.


Emëruesi minimal i përbashkët i çdo shoqërie është ligji. Shkelja e tij nuk duhet toleruar. Shkelja duhet korrigjuar dhe pasojat duhen riparuar. Por akuzuesit s’morën mundimin të jepnin një arsyetim ligjor, përveçse një firme të munguar të shefit të Shtabit, që e bëka nul kompetencën e Presidentit të Republikës e njëherazi komandant i Përgjithshëm.


Meqë lapangjozët s’kanë ndër mend të marrin mundimin, po u sugjeroj esnafeve të lexojnë vetë ligjin nr. 8671 në www.ligjet.org, ku i gjejnë të qarta kompetencat e gjithë zinxhirit të komandimit të Forcave të Armatosura dhe kompetencën e padyshimtë të Presidentit në këtë rast.


KONFLIKTI I INTERESIT


Sipas zakonit, pas çdo veprimi duhet të këtë një interes, ndaj edhe në këtë rast u akuzua Presidenti se kujdeset për pronat e së shoqes.


Edhe Presidenti, edhe Zonja e Parë ruajtën qetësinë sa kohë që akuza mbeti një thashethem mediatik, si plot të tilla që rëndom gëlojnë në mediat tona e, për të cilat, prej tetë vitesh, sipas premtimit të Sali Berishës, nuk ka ndërmarrë ndokush akuzë gjyqësore, por, çifti presidencial reagoi qartë e bindshëm kur thashethemet u përdorën pa ngurrim nga eksponentë të politikës.
Zonja e Parë iu hodhi dorashkën. “Verifikojini, – iu tha, – sapo të vini në pushtet pas dy javësh”.


Lapangjozët mund ta bënin edhe më parë, mund ta bëjnë edhe pa pritur dy javë, por duket se s’kanë ndër mend. Thashethemet duhen mbajtur gjallë. T’i hajë kush t’i hajë.


TEJPAMORE


Ndryshe e quajtur transparencë. Zhurmë e madhe për transparencë, ndërsa s’mbeti kush pa e marrë vesh, përmes medias dhe Facebook-ut, me numër shkrese e datë, në fare pak ditë, para dhe pas marrjes së vendimeve nga Presidenti, qeveria, ministri i Mbrojtjes, shefi i Shtabit dhe hallka të tjera të zinxhirit komandues, përfshirë edhe diskutimet mes tyre. Shtet më transparent se ky i yni vështirë të gjesh në këtë botë. Po vure syrin te goja i shesh, këtij shteti, ç’ka mes shalëve.


Ndaj, kërkesa ngulmuese për transparencë nga Presidenti më tingëllon si ajo kërkesa e atëhershme “…tregoja partisë tradhtinë tënde…”. S’ka të bëjë me transparencën, por me ngulmimin për të pohuar përdhunshëm gabimin a krimin që është bërë me patjetër sipas lapangjozëve.


SIMBOLIKA


Ish-ushtarakët protestuan për cenimin e simbolit të Ushtrisë ende Popullore në mendjen dhe zemrat e tyre. Me gjasa edhe plot ushtarakë në shërbim do kenë ndier cimbisje, por heshtën. Shefi i Shtabit nuk e shkelmoi simbolin gjithsesi.


Ndaj, duket se reformimi i ushtrisë nuk ka përfunduar. Sukseset dhe heroizmat e ushtarakëve në frontet e NATO-s ndërsa janë frytet e reformimit qenkan edhe mbulesa e pjesës së pareformuar.
Nga Ushtri Popullore në Ushtri e NATO-s mbetet shumë punë e, zor se kjo do të kryhet me Kryeministrin e zgjedhur nga fryma e rilindur dhe ministrin e (Ri)Mbrojtjes së zgjedhur nga (Ri)Kryeministri. Rilindja e tyre rilind simbolet e vjetra.


URBANISTIKA


Edhe ky rast s’mund të mos shërbente për të rikujtuar gjëmat dhe bëmat me ndërtimet në Tiranë. Shkeljet ligjore, interesat pasurore dhe dhunimet e simboleve të bëra fshehtas lidhen lehtas me një plan gjigant e të paturp grabitjeje të pronës publike nga banda që ikën, dhe natyrshëm vjen lutja që banda që vjen, të paktën, nuk duhet ta lejojë bandën që ikën të realizojë planin, e kështu, banda që vjen, dëshmon se e ka seriozisht rilindjen.


DEMOKRATET NUK MERITOJNE SELI PARTIE


“Demokratët shumë e kanë edhe atë që kanë. I dërrmuam. Ia përmbysëm modelin 22-vjeçar, me Saliun në krye, që na e solli në majë të hundës me gënjeshtra, vjedhje e vrasje. Ç’turp! Grabisin në ikje Shtëpinë e Ushtrisë për seli vetjake. Ne, populli 1 milion, triumfuam. Iu dhamë 1 milion shuplaka. Ata, populli 700 mijë, duhet të ulin kokën. Jemi 300 mijë shuplaka avantazh. Së shpejti do të kemi edhe ushtrinë me vete, atë aktive se atë në rezervë gjithnjë me vete e kemi pasur. Policinë në xhep e kemi që tani. Gjykatat i marrim, por duhet të heqim Presidentin……”.


S’do shumë mund për të përmbledhur gjithë ç’thuhet e shkruhet, me emër – përfshirë ato të Edi Ramës – dhe pa emër, në gazeta, TV dhe internet.


ÇESHTJE PA ÇESHTJE


Godina në fjalë gradualisht humbi funksionin si shumë objekte të tjera të ushtrisë së tejmadhe, të tejmbushur dhe të tejfryrë nga koha kur ishte popullore. Për aq sa ç’ka nevojë, për disa funksione të qenësishme apo simbolike, po modernizohet një tjetër godinë në qendër të Tiranës, e njohur si Hoteli i Oficereve. Mjedise të bollshme ka edhe Ministria e Mbrojtjes, apo edhe mjediset e gjera të dy ish-shkollave ushtarake, të mesme dhe të lartë, të kohës së Ushtrisë gërdallë Popullore, që janë në dispozicion të Ushtrisë Shqiptare, të vogël dhe efektive sot, por dhe e NATO-s. Presidenti vendosi.


Shteti ka nevoja konkurruese për godina. Gjykatat janë në nevojë, ndonëse po ndërtohen të këtilla, të reja dhe moderne, e ka projekte për të tjera. Qeveria, po ashtu, aq me shumë me ministritë e shtuara të (Ri)Qeverisë. Edhe Partia Demokratike ka nevoje për godinë, ndërsa aktualja është edhe e ngushtë edhe nën pretendimet e ligjshme të pronarëve. Nevojat e shumta, mundësitë e pakta. Dikush do marrë sot e dikush do presë. Këshilli i Ministrave vendosi.


Partitë, për më tepër e konkretisht PD e PS, janë gur themeli i shtetit. T’u vësh në përdorim një godinë të përshtatshme, PD-së në këtë rast, nuk është kalim prone nga shteti te privati, por nga shteti në shtet, e me këtë s’bëhet gjë tjetër veçse shlyhet një detyrim ligjor i pashlyer më parë dhe eliminohet një pabarazi në raport me partinë tjetër. Të mos kuptosh kaq gjë e ta bësh çështje, nëse nuk është injorancë, mbetet të jetë urrejtje për kundërshtarin.


E vërtetë që demokratët u kujdesën për partinë e tyre në ditët e fundit të qeverisjes, por gjithë çka ndodhi mbështet veprimin e tyre. Mirë që u kujtuan vetë se (Ri)Qeveria as që do kujtohej.
Ç’DO BEJE QEVERIA E RILINDUR?


Jo vetëm që s’do kujtohej, por, siç ka deklaruar, do zhbëjë ç’u bë. Pyetja është: si do ta zhbëjë?


Mundet përmes rrugës së gjatë: ankimit në gjykatë për vendimet e Presidentit, Këshillit të Ministrave, ministrit të Mbrojtjes e të Brendshëm. Kjo është rruga e duhur. Na pëlqen a s’na pëlqen, vendimi i gjykatës qëndron mbi këdo.


Mundet përmes rrugës së shkurtër: ministri i (Ri)Brendshëm, me vendim të Këshillit të (Ri)Ministrave, prish njëanshmërisht kontratën e përdorimit me Partinë Demokratike. Le të ankohen demokratët në gjykatë paskëtaj. Demokratët s’dalin nga godina. Për të çuar deri në fund njëanshmërinë rilindëse, demokratët duhen nxjerrë jashtë. Si? Do çojnë në këmbë popullin 1 milion apo do urdhërojnë (Ri)Policinë dhe (Ri)Ushtrinë të nxjerrë jashtë demokratët?
T’i bien shkurt, t’i bien gjatë, apo ta lënë me kaq? Kjo është çështja.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama