Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ka ringjarë e vjetra

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 11 vite më parë

Aleksandër Çipa
Ka ringjarë e vjetra

E drejta pronësore e Kishës Ortodokse për truallin në të cilin gjendet godina e rrënuar e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet, nuk është më vetëm e tillë! Ka ngjarë e vjetra. Një ringjarje e cila e ka bërë edhe më komplekse shpjegimin dhe ndarjen mes atyre që kanë të drejtë dhe atyre që predikojnë të drejtën. Paradoksalisht është rikthyer reminishenca sjellëse e vitit 1967, sikundër thotë kreu i kësaj Kishe, Hirësia e Tij, Janullatos, dhe po kaq paradoksalisht klerikët dhe vetë kreu i tyre, kanë kryer dhe kanë frymëzuar një akt të pastër vetëgjyqësie. Për të logjikshmit dhe ligjdashësit, klerikët e urdhëruar nga Kryepeshkopi kanë shkuar me bindje drejt vetëgjyqësisë duke imituar turpësisht partitë politike.

Ata kanë transportuar besimtarë, njëlloj sikur të ishin militantë partiakë, me autobusë, nga një zonë në një qytet tjetër!!! Klerikët e sjellë me autobusë bënin shenja mësymëse mbi llamarinat penguese në hyrje të godinës së bllokuar. Pas këtij episodi, kabaja e usta Laverit, nuk vlen më për Pallatin e humbur të Kulturës, por fatkeqësisht edhe për moralin e zhbërë të predikimit kishtar për vetëgjyqësinë.

Kryepeshkopi Janullatos ka përgjegjësinë e autoritetit urdhërues ndaj këtij aksioni vetëgjyqësie që kryen klerikët dhe disa besimtarë vendas e të ardhur enkas në Përmet. Në këtë sjellje, ai është në reminishencën e kulturës informale dhe parashoqërore që demonstrojnë shpesh qytetarët periferikë dhe grabitqarë të zonave ekstraurbane të vendit. Duke mbetur në dyzimin e respektimit të së drejtës së një prone që e ka pasur dikur Kisha Ortodokse dhe nevojës për një Qendër multikulturore në këtë qytet të periferisë shqiptare, pas episodeve të ngjara, solla në mendje pasazhin e Platonit te “Republika”, në të cilin bashkëbisedues të rinj iu drejtuan Sokratit: “Ç’na ke rrëfyer mbi politikën është shumë e mirë, por e pamundur…. Dhe Sokrati iu gjegj atyre: Po, në Qytezën ku kemi lindur është ndoshta e pamundur. Por do të jetë ndoshta e mundshme në një qytezë të huaj…”. Në rastin e Përmetit, do të ishte e vlershme që Hirësia e tij të sillej si i huaj dhe as si shqiptar e as si grek!

Nuk dua të mbetem më gjatë në këtë episod, i cili nuk është më i tillë, por tashmë një histori me vijime komplekse dhe me reagime ndoshta edhe më komplekse në të ardhmen e afërt. Por ajo që është më shumë se brengosëse ka lidhje me një antagonizëm të fuqishëm, i cili ndoshta jo për herë të parë, merr përshkallëzime deri në ndeshje fizike dhe dhunë. Është simbolikisht dhe përmbajtësisht një ndeshje me pasoja mes institucionalizmit kulturor e shtetëror dhe Kishës zyrtare në vend. Një përplasje e tillë është padyshim pa precedentë. Të gjithë përgjegjësit, regjisorët dhe aktorët që e luajtën atë janë mëkatarë dhe natyrisht me ndërgjegje të papastër. Një papastërti që nuk lidhet vetëm me semantikën e shpjegimit dhe paragjykimit nacionalist, por që ka lidhje me brendinë e kësaj dhune dhe kësaj kacafytjeje.

Kjo e vjetër ka ngjarë në Përmet. Një qytet me kronikën më të gjatë të qetësisë dhe modelit bashkëjetues mes religjioneve vendore, racave dhe sidomos komuniteteve e fqinjëve me kombësi të ndryshme. Por tashmë, për shkak të godinës së lënë në mëshirë të kalvarit të një gjyqi tipik shqiptar mes Bashkisë, që nuk shpërndan dot pagat e nëpunësve të saj dhe Kishës, që ka të drejtën legjitime të kërkojë pronat, por ka edhe arsyen e paarsyeshme të shtojë edhe një kishë në qytetin ku gjenden tri apo katër kisha të tjera, historisë së sotme të qytetit i shtohet edhe një incident i tillë unik. Protagonistët dhe sidomos frymëzuesit e të dy palëve të konfliktit meritojnë një ndëshkim të fuqishëm publik moral. Mirëpo ndëshkim të tillë zakonisht realizojnë modelet e shoqërive me skrupuj dhe sisteme të qëndrueshme morale dhe kombëtare. Ne e kemi pranuar dhe dëshmuar se jemi larg modelit të kësi shoqërive. Në Përmet ngjarja e dhunës fizike mes klerikëve dhe disa rojeve private, na dëshmon se ende mbesim parashoqëri, se ia dalim në këtë vend e këtë shtet ta shtyjmë kishën në mëkatësinë e vetëgjyqësisë, sikundër e banalizojmë vetë ligjin në mënyrën më të pariparueshme.

Ngjarja e Përmetit natyrisht që do të tejkalohet, por pleksja e shtetit, kishës, ligjzbatuesve dhe forcave të rendit e sigurisë si në mjedisin e rrënuar të ish-Pallatit të Kulturës që nuk bëhet dot as kishë, ekspozon një mendje diabolikësh, si pa edhe nën raso. Një ndërhyrje shtetdashëse nuk duhet vonuar, jo për t’i dhënë të drejtë cinikut Kryepeshkop, por për të paraqitur qoftë edhe formalisht në sytë e opinionit ndërkombëtar se Kisha Autoqefale Shqiptare është pasuri dhe institucion fetar e shpirtëror shqiptar. Ajo nuk duhet konsideruar siç rreket ta përdorë dhe ia ka dalë Kryepeshkopi aktual, si apendiks i ortodoksizmit grek dhe aq më tepër, nën mbrojtjen e Qeverisë greke. Në emër të “Atit e të Birit” të kombit shqiptar, i cili trashëgiminë e bashkëjetesës ndërfetare e ka të tillë dhe jo shtirje, ikjen prej këtij konflikti në Përmet duhet ta bëjë e para drejtësia e munguar dhe ajo e penguar. Në këtë betejë nuk mund të futen tani të tjerë. Kjo është e vlefshme për autoritetin dhe vlerat e kulturës pluri-religjionare të kombit shqiptar.

Por kjo ngjarje e ringjarë në kësi rrethanash dhe me kësi protagonizmash në periferi të tilla si Përmeti, përveç nënteksteve dhe konteksteve të tjera, mbartin edhe dëshminë e një kulture politike që jeton si papërgjegjshmëri, në ndërgjegjen reale të qeverisësve dhe politikëbërësve tanë.

Një kryeministër që bën mbledhje qeverie në ditët e fundit për koncesione, më shpesh se në pikun e mandatit të vet, duhet të kishte reaguar me kohë për parandalimin e asaj maskarade imazh-rrënuese për autoritetin e ligjit dhe shtetit shqiptar. Ajo e vjetër që ngjau në Përmet nuk mund ta mbajë të heshtur kryeministrin e Shqipërisë! Ky kryeministër, ende në detyrë, sikurse e vetëthekson sa herë ka mundësi, bën sehirxhiun, duke pranuar të heshtë edhe pas reagimit të padrejtë të qeverisë së Greqisë. Një reagim i cili në një kohë të re si kjo, të rikujton kohët e vjetra kur Greqia bënte kujdestaren e papenguar në Jug të vendit.

Ngjarja kaq komplekse në Përmet zbulon farën e konflikteve që ka për t’u shumëshfaqur në kohën e ardhme politike dhe shoqërore të vendit. Këtë regji të keqe politike duhet ta shporrim nga skena e këtij vendi dhe nga jeta e ardhme e shoqërisë sonë, pasi ajo shkakton kosto, por edhe të ardhme problematike jo mes fqinjëve, por brenda përbrenda hapësirës së shtetit institucional shqiptar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama