Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kulti i humbur i se majtes

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Kulti i humbur i se majtes

Të majtët e kanë humbur kultin e asaj që i bashkon. Tashmë kanë shkelur ditët limit të antagonizmit të tyre të brendshëm. Në tre vjet të të qenit opozitë e fragmentuar e këtij vendi, të majtët, ndër të tjera, kanë dhënë prova dobësimi dhe hallakatjeje. Koha ka rrjedhur më shpejt nga sa kanë planifikuar ata zënkë dhe sherre. Nuk kanë strategji, ndonëse deklarohen se gjendja rrokulluese e cilësisë qeverisëse të zotit Berisha është orteku shpëtues për ta. Natyrisht kjo është metaforë dhe aritmetikë diletantësh. Opozita udhëton verbtazi në një udhë pa kalendar dhe pa prova përgjegjshmërie. Kjo opozitë me dy krena nuk është një alternativë suksesi në përballje me Sali Berishën. Nuk është fjala se pengon vetëm rivaliteti i pakrahasueshëm mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Absolutisht jo.

E keqja në kësi rasti jeton më shumë se inati mes tyre. Qysh nga momenti i humbjes së kultit të asaj që i bashkon, është në fuqi kulti i ndarjes. Ky kult dasues nuk lidhet vetëm me një çështje por me disa. Të ndarë në këtë mënyrë, të majtët janë shumë pak për t‘u klasifikuar si fitues të afërt. Më mirë se kushdo këtë e di jo vetëm Sali Berisha, por më së shumti edhe Fatmir Mediu. Ky leksion i rëndomtë, natyrisht që dihet mirë si prej Edi Ramës, ashtu edhe prej Ilir Metës. Mirëpo hileqarisht ndaj njëri-tjetrit, ata kërkojnë të fitojnë në marrëdhënie me të tretin, me atë të keqmashtruarin dhe të herë-herë-përdorurin, - popullin. Në marrëdhënien me këtë komunitet të përcaktuar që nga koha e Platonit si "Sovran", udhëheqësia e së majtës ka kohë që përjeton krizë. U luajt me besimin dhe idealizmin e tyre për një kohë shumë të gjatë.

Qysh se kur lindi konflikti Nano-Meta, votuesit e së majtës gjenden në një marrëdhënie masakruese. Është i papagueshëm ndëshkimi psikologjik dhe mashtrimi i ndërgjegjshëm që ndodhi mes tyre dhe udhëheqësisë së majtë. Kjo udhëheqësi prishi të gjithë armaturën e besimit dhe të ndërgjegjes politike mes saj, qytetarëve dhe projektit shtetndërtues të së majtës. Qysh prej këtij konflikti elita e konsideruar e së majtës dhunoi shumë besim, shkatërroi një imazh të sendërtuar në rritje dhe zhvillim civil, shembi profilin e saj të investuar si pararendëse në zhvillimet politike dhe pse jo edhe risuese të jetës dhe poliarkisë politike të vendit. Kjo ndodhi madje me akte të riciklueshme protagonizmi, përgjatë pjesës më të madhe të vjetëve të tranzicionit. Filozofia e autoritetkërkimit, e strategji pengimit dhe jo ajo e konkurrimit, egoja dhe injorimi i ideve, janë kontributi dominues në marrëdhënien e brendshme të së majtës së parcializuar.

Në këtë periudhë të fundit pesëvjeçare, brenda së majtës nuk ka besnikë të ideve, por vetëm besnikë kryetarësh dhe protagonistësh. Në strukturën partiake të kësaj të majte vërejmë vetëm ndryshime të paparashikuara interesash, konjukturash, shitblerjesh, humoresh etj. Mund të rishkruhet një monografi ekskluzive me kontradiktat, mohimet dhe pohimet që shpesh edhe pse kundërthënëse, nxirren me lavdi dhe me mburrje si pragmatizëm, largpamësi dhe kreativitet politik. Kjo telenovelë ka për të zgjatur shumë, edhe pse kundër-regjisori i sotëm deklaron se serialet e telenovelave socialiste kanë marrë fund. Producentët e këtyre telenovelave janë sa në njërën logo, aq edhe në tjetrën. Kjo është arsye themelore që po e mban të majtën realisht në një epokë tranzicioni politik vetjak. Janë disa dilema që mbetën pa përgjigje në Partinë Socialiste dhe që mund të lexohen sot si një arsye e mjaftueshme, apo edhe si pretekste të fuqishme për analizën e divergjencave të brendshme të saj.

Një dilemë e tillë është sot e lexuar në diskutimet që bëhen në shtresat vertikale dhe ato paralele të së majtës se: Çfarë do të humbiste dhe çfarë do të fitonte PS-ja, (pse jo krejt e majta) nga Fatos Nano President i Republikës? Apo dilema në fuqi se kontradikta mes Edi Ramës dhe Ilir Metës mund të ketë kosto më të madhe se ajo e dikurshmja mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës?!. Natyrisht arsyetime të tilla i referohen leximit të përditshëm dhe të përorshëm të gjendjes dhe kontradiktave që përjeton e majta e fragmentuar. Mirëpo ato janë në vetvete edhe sinopsuse për zhvillimet e paralajmëruara në politikën e vendit, në kontekstin e përafrueshëm elektoral. Për shkak të paindoktrinimit ideologjik të udhëheqësisë së sotme të konfliktuar, kjo e majtë ka shanse për ta gjetur shtegun e hyrjes në një autostradë bashkudhëtimi dhe që do të imponojë unifikimin e kahlëvizjes dhe shpejtësisë. Kohën e mbërritjes deri atje, kjo udhëheqësi synon ta konsumojë për interesa nominale, për rritje të kapacitetit vetjak të autoritetit dhe kontrollit partiak. Në këtë pikë llogaritja e kohës është mjaft e gabuar.

Ndoshta kjo buron prej mentalitetit të trashëguar autoritarist, sipas të cilit siç do të thoshte një politikan francez: "Politikani duhet ta dijë kur vjen dhe kur perëndon". Ky cikël natyral i jetesës në politikë prej udhëheqësisë sonë vështirë se pranohet. Mungesa e kësaj koshience, shpesh i ka çuar ata në automit, në iluzionin fatalist të pavdekësisë apo të jetëmbylljes së papërcaktuar si kryepolitikanë. Kjo kategori e merr si të jetësuar besimin e "sovranit" ndaj tij. Në këtë delir aktualisht duket se qëndron Kryeministri i sotëm Berisha. Por në këtë sindromë duket se po rrëshqasin edhe më të rinjtë. Antagonistët e sotëm të së majtës, Edi Rama dhe Ilir Meta, po lëvizin politikisht në shinat paralele. Njëri ka ndërmarrë disi maturisht "Dialog me Shqipërinë" dhe tjetri po përvijon strategjinë e reagimit populist "Të rikthejmë Republikën Parlamentare!". Këto janë lëvizje përballëse dhe jo itinerare politike opozitare. Shumëkush i lexon këto itinerare si "inat sivëllezërish" politikë. Si të tilla përkthehen ato në shumicën e individëve të kësaj shoqërie që përbëjnë "sovranin".

Kjo ndarje po tradhton qëllimin real. Vini re. Asnjë e përditshme e vendit nuk botoi nen për nen ndryshimet kushtetuese që u votuan përpos marrëveshjes PD-PS së fundi në Parlament. Shumë pak konstitucionalistë kanë folur për këto ndryshime dhe debati mes ekspertësh për thelbin e ndryshimeve nuk u pa i nevojshëm. Ish- bashkëkryetari i Komisionit që hartoi Kushtetutën e sotme, politikani aktiv në pension Sabri Godo, më tepër u shpreh për kontekstin politik të amendimeve dhe jo për efektet konkrete të tyre. Po kaq i munguar është në këtë tur të dyfishtë të udhëheqësve të majtë, interpretimi i formulës së sanksionuar në nenet për reformën zgjedhore. Pse ndodh kjo shmangie? Kujt i intereson dhe pse e tradhton antagonizmin e tyre kjo shmangie? Këto janë pyetje që hasen te çdo qytetar dhe te shumica e anëtarëve të partive të majta. Përgjigjet ndaj tyre, ndoshta janë lënë për një kohë të dytë, më të afërt me datën e zgjedhjeve të reja. Por "sovrani" është në hallin e moskomunikimit të sinqertë, në hallin e mungesës së transparencës dhe në atë të gjendjes para një skeme të re të të bërit të opozitës. Opozitarizmi në këtë rrethanë gjendjeje dhe marrëdhënieje mes udhëheqësisë së majtë dhe pozitës, po shfaqet krejt ndryshe.

Kjo s‘ka lidhje me profilin klasik të opozitarizmit që afirmoi tranzicioni postkomunist deri në vitin 2006. Këtë imazh të ri Edi Rama dhe Ilir Meta duhet t‘ia sqarojnë pa humbur kohë qytetarit shqiptar, pra "sovranit" të papërfillur të tyre. Nëse do të mendojnë se opozitarizmi i tyre mund të lexohet vetëm përmes patetizmit dhe deklaratave inflacioniste nëpër tubime apo mediume të porositura, atëherë do të verifikojnë shumë shpejt gabimin e tyre me kosto. Sovrani ka talentin natyral të ndarjes së aktrimit nga misioni opozitarist i udhëheqësve. Mesa duket kjo udhëheqësi me përvojë të re dhe të vjetër dhe në moshë të re, po e ndien sëmbimin e deritanishëm të "sovranit" prandaj në turet e tyre nëpër vend, po lëvizin si nën shprehjen: "Sovran" të lutem! Sinqeritetin e tyre, ky sovran e lexon jo përmes syve dhe fjalëve, por përmes zemrës dhe ndërgjegjes pragmatiste. Kultin e humbur të majtët s‘mund ta rikthejnë në këtë mënyrë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama