Manekinë dhe njerëz

Shkruar nga: Artan Fuga  
Botuar më: 7 vite më parë

Artan Fuga
Manekinë dhe njerëz

Sapo e pashë nga automobili që ma kishte huazuar një mik këtë pamje në një qytet   shqiptar në Ballkan (janë të gjithë njësoj), bërtita: “Ndal! Ja e vërteta! Ma shfaqi Zoti në formë imazhi të gatshëm! Stop!”. Nxora celularin nga xhepi dhe e shkrepa.

Hierarkia e imazhit ndarë në tri pjesë nga lart poshtë, sikurse janë shumica e fotove dhe imazheve shqiptare. Lart, objektet pa shpirt, në këtë rast xhaketat pa trup njeriu brenda, më poshtë, si ndërmjetës, trupa veshur me xhaketa, xhaketa veshur me trup, por pa shpirt, dhe poshtë, në rrugë, duke ecur kuturu pa ditur se ku shkon, në punë të tij, një shpirt pa xhaketë dhe pa trup pothuajse.

Në fakt, edhe xhaketat nuk ekspozohen veçse përgjysmë, xhaketat gjysmën e nxjerrin në dritë, gjysmën tjetër e mbajnë fshehur, njërin xhep tregojnë, xhepin tjetër e mbajnë fshehur.

Objektet janë mbi njerëzit në këtë foto. Njerëzit, ose ata që duken si njerëz, në fakt janë në shërbim të objekteve, vlejnë sa për të ekspozuar objektet, mallin e ekspozuar.
Kurse moda është e ngrirë, jo për klientin e thjeshtë, për rrugëtarin e shkretë, që nuk është aspak rrugaç. Modat u kalojnë njerëzve anash, sipër, por asnjëherë nuk preken tamam prej tyre, as “vishen” dot prej tyre, modat që vijnë dhe shkojnë duan standarde të gatshme që të jenë të ngrirë, sepse njeriut të kërrusur nga jeta nuk i shkojnë. Ato janë vitrinat e një shoqërie që nuk e gjen veten atje, sikurse restorantet luksoze të aeroporteve nuk kanë asgjë të përbashkët me qoftexhinjtë e lokaleve të “Tymit” ku pi birrën e vet populli thjeshtë.

Dyqani s’e thërret dot klientin e vet. Kjo është drama e klientit, por edhe e vetë dyqanit pa blerës që në darkë i duhet të mbledhë mostrat e veta të ftohta dhe të ngrira për të mbyllur qepenat, derisa shitësi të lodhet e një mëngjes të mos vijë fare në punë.

Manekinët janë të fuqishëm, shtatlartë, i përkasin një race të fortësh, por janë zbathur, duket se janë bashkë, por s’kanë pikë solidariteti mes tyre, janë indiferentë karshi grupit, hidheni në tokë njërin prej tyre dhe të tjerët as gishtin nuk do të lëvizin për t’u dalë në krah të ngjashmëve të tyre. Duken të rruar, por në fakt nuk kanë mjekër fare; duken të qethur, por në fakt flokët nuk u rriten. Manekini nuk ka flokë, ka paruke.

Kurse robi i Zotit, i lodhur, i kërrusur, gati me zhele, ka këpucë, ama, ecën, ashtu i përhumbur, nuk shkon andej nga e thërresin sirenat, sheh para, nuk dihet se ku i mbaron pantollja dhe ku i fillojnë galloshet që ka veshur, një Lul i vocërr i rritur që la Lula të mëdhenj – të vegjël për të rritur.

Dy rrugë të ndara brenda një fotoje, njeriu sheh djathtas fotos, kurse manekinët na shohin përballë. Ndajnë të njëjtin trotuar, dy gisht vend, por në fakt jetojnë në universe të ndryshme, pa lidhje me njëri-tjetrin.

Ecën njeriu i dobët me mjekër, flokëpakrehur, galloshelodhur, xhinsefundshqepur kuturu, po ecën për diku, nuk dihet se ku, nxiton për askund, kurse manekinët duken se e sulmojnë nga xhelozia, qindra përmendore të ngrira që i shërbejnë si monumente, si kufij ndarës mes dy botëve, si kontekst jete, por edhe si kërcënim…

Manekinët janë të gjithë njësoj, rreshtuar si robotë, shohin si grup në një drejtim, ecin me një hap, kërkojnë t’i thonë rrugëtarit bëju si ne, por ky i fundit është i zhytur përfundimisht në rrugën e tij që s’e çon askund.

(Marre nga faqja ne Facebook me lejen e autorit) Panorama

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama