Daullet

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 7 vite më parë

Artan Hoxha
Daullet

PERSERITJE

Sado që ua kam thënë, thënë e prapë thënë, ende nuk iu kanë hyrë mirë gjërat në mendje. Ua thashë ç’do të thotë Rilindje që në tetor 2011. Pak para Rilindjes nxora Kurbanin. E blenë librin. E rrëmbyen. S’mbeti celulë partie, bashki, komunë e ndërtues pa e blerë. Jo me copë, por me arka. Këtë zanat e dinë mirë që nga koha e Enverit. Ia blinin librat dhe ia lexonin në kolektiv. Më pas zbukuronin raftet.

Kurbanin tim mirë që ua lexonin mediat çdo ditë, se sot nuk e ka më mendjen njeri te librat. As titujt e gazetave nuk lexojnë. Janë mësuar keq. E shumta, i dëgjojnë në mëngjes nga ekranet. Më pas, përmbajtjen e sajojnë secili sipas mendjes dhe e qarkullojnë duke gjerbur kafene a me SMS.

Kurbani paratha Rilindjen, e kjo plotëson Kurbanin. Pra mua më bënë Kurban. Unë Rilinda. “Kurban t’u bëfshin”, do thoshte ime ëmë. Kaq e thjeshtë. E megjithatë, ende nuk e kanë kuptuar, ndaj ua mora shpirtin një ditë të tërë në Konventë duke ua thënë e rithënë këtë gjë kaq të thjeshtë. Mua më bënë Kurban. Gjithçka do ta bëj Kurban. Unë Rilinda. Gjithçka do të Rilindë. Dum, dum, dum, dum, dum, dum, dum….

ALEATET

I lashë jashtë Parlamentit më 2009-n. Në rrugë i lashë e në rrugë i gjeta kur në rrugë vendosa të dal edhe vetë. Kishin mbetur pa Zot. Ndaj më njohën si Zot. Menduan se bashkë në rrugë me mua, më në fund fatin do ta kishim të përbashkët. Duruan katër vite. Shpresuan se do t’i merrja me vete në Parlament. Unë bëra sikur ua premtova. Ata duket se më besuan. Ky s’është faji im, por i tyre që duan të gënjehen. Kë nuk futa në listë, deri edhe Spartakun e Ilirit. Veç ata jo. Ata janë më mirë atje në rrugë. Ndoshta do më duhen përsëri nëse do më duhet, larg qoftë, të kthehem prapë në rrugë. Larg qoftë! Dum, dum, dum, dum, dum, dum…

Megjithëse i lashë në rrugë, prapë për Zot më njohin. Një e nga një u ngjitën në podium. Me siguri secili ka kujtuar ditët e lavdishme kur flisnin në protestat në bulevard. I mbaja lidhur pas vetes ato kohë. E dija se sa maraz kishin që nuk ishin bërë deputetë, por iu mjaftonte që të mitë nuk i lejoja të shkonin në Parlament.

Qëndronin grushtbashkuar rreth meje. S’donin askënd tjetër të më afrohej. Urrenin këdo që mund të më afrohej. Veçanërisht Ilirin. Edhe tani, ndonëse i lashë në rrugë, më shumë inatin e kanë me Ilirin ndaj, ndonëse nuk më duan, secili, për inat të Ilirit, më thërret Kryeministër. Dum, dum, dum, dum, dum, dum…
Skënderi nuk më do mua, por urren Ilirin. Po ta vije përpara zgjedhjes, Ilirin apo Saliun, Saliun do zgjidhte. Meqë në mes jam unë, s’ka ç’bën e më zgjedh mua. Dum, dum, dum, dum, dum…

Paskali urren më shumë Skënderin, e meqë Skënderi zgjedh Saliun në vend të Ilirit, ai zgjedh Ilirin në vend të Saliut, por në mes jam unë, ndaj s’ka ç’bën e tek unë vjen. Dum, dum, dum, dum, dum, dum…

Petro është i urtë. Rri ku e lënë. Dhe nëse thotë ndonjë fjalë, nuk e ka kush mendjen tek ai. Dum, dum, dum, dum, dum, dum…
Spartaku mendon se na jep mend edhe mua, edhe Ilirit. Ne ia bëjmë qejfin. Kur po fliste Spartaku, seç i thashë Ilirit dhe ai qeshi siç di të qeshë ai. E kam përshkruar qeshjen e Ilirit edhe te Kurbani. Stafi më tha se na kishin kapur kamerat duke qeshur ndërsa fliste Spartaku e kishin merak se mos zemërohej ai, por Spartaku ka një të mirë, se nuk e sheh asnjëherë veten në ekran. Është i sigurt te vetja dhe i mjafton imagjinata që ka për veten, imagjinatë së cilës s’ka ekran që i afrohet. Dum, dum, dum, dum, dum, dum…

Vangjeli veç tek unë mund të mbijetojë. Kot bënte sikur e kishte me Kreshnikun, se e dinte fare mirë që Kreshnikut unë i dhashë flatra e po unë ia shkula. As me çamët s’kishte gjë, se edhe Saliu dhe unë e kemi nga një parti çame. Vangjeli gati ishte të shkonte te Saliu, por atje ia kishin zënë vendin grekët që donin e duan ta lënë edhe pa mandat, edhe pa parti. Vangjeli pa mandat rri, por pa parti jo. Ndaj nuk m’u desh as ta fusja në listën time. Grekët që kam unë në listë duan mandat e nuk duan parti. Ndaj ka vend tek unë për ta dhe për Vangjelin. Dum, dum, dum, dum, dum, dum, dum…

HANXHIU

Veç Iliri s’po më njeh për Kryeministër. Të fortët kur flasin për të thonë në tironçe “Iliri osht lojtar që lun rond”. E dija me kohë këtë,m por s’kisha ç’bëja. Pa Ilirin do më duhej të shkruaja volumin e dytë të Kurbanit. Iliri më Rilindi. Iu përgjërova siç di veç unë të bëj. Tek Iliri do mbështetem. A nuk ishte ai paterica e Saliu prej kaq kohësh? E pse të mos jetë karrigia me rrota e imja për ca kohë? I sapo Rilindur s’mundem ende të ngrihem në këmbë e të eci vetë. Kam nevojë për ca kohë të lëviz ulur. Di unë ç’bëj me karrigen sa të ngrihem në këmbë. Mall për skrap. Dum, dum, dum, dum, dum, dum, dum…
Rëndë-rëndë e hedh hapin Iliri. E di mirë se treçereku i sallës e urrejnë. As që e prish terezinë. Ka flamurtarët e vet në çerekun e sallës. Brohorasin për të aq sa s’po dëgjohen më as daullet e mia. Nuk tha që nuk tha që unë do jem Kryeministri.

Hesapet s’bëhen pa hanxhiun dhe unë e di që hanxhiu është Iliri. Edhe ai e di. Nëse pranon që hani do jetë Parlamenti, ia hodha, se Iliri do jetë Kryehanxhiu. Por nëse han me dy porta, do të dojë të bëjë qeverinë, si t’ia bëj? Jepuni një pushim kafeje daullexhinjve.

E mbajta inatin. Kur dolëm të tërë në podium mendova me kënaqësi hakmarrëse se sa i shkurtër do të dukej Iliri krah meje. Ma këshilloi konsulenti im anglez ta mbaj në krah që të duket i shkurtër. Por nuk e hëngri ai. Duket se këshilltari i vet amerikan i ka thënë mos qëndro në krah të Edit, dhe Iliri vuri mes nesh kryetarin e një prej dy partive të romëve që është me mua. Tjetra është me Saliun.

TRADHTARET

I demaskova me Kaç e me Maç. Tradhtarë. Ma bëri të lehtë Saliu. I mori. Tashmë ia kujtoj sa herë Saliut se siç më tradhtuan mua, do ta tradhtojnë edhe atë. Tradhtar është ai që të del kundër dhe ikën te kundërshtari. Derisa nuk janë rikthyer. Se kthehen prapë një ditë. E kur kthehen, nuk janë më tradhtarë, por heronj legjendarë. Mjerë kush është në mes të ciklit. Lum kush e ka plotësuar ciklin. Ka ndodhur edhe më parë. Na tradhtuan. Ikën nga ne. Shkuan tek ai. Erdhën prapë tek ne. Edhe anasjelltas. Mund të numëroj më shumë se një duzinë. Thirrini daullexhinjtë. Dum, dum, dum, dum, dum, dum, dum…
Të punosh kundër liderit, ta rrëzosh për t’i zënë vendin, është përtej tradhtisë. Zgjuarsi. Akt sublim. Siç bëra vetë kundër Fatosit. Unë tradhtova, por nuk ika. Ja ku jam sot. Gati daullet… prit… prit. Stop…. Po ky dreq Fatosi pse nuk ikën, po rri në Asamble? Po këta të shumtët që i hoqa nga lista pse nuk ikin? Mërmërisin. Flasin kundër. Sabotojnë. Por s’ikin. Mos duan të bëjnë atë që bëra unë? Tjetër pushim kafeje për daullexhinjtë.

SALIU

Ku e kapi që ato anijet në Vlorë, që desha t’ua shisja vlonjatëve si fakt për Vlorën e qëmoçme të zhvilluar, ishin anijet luftarake të Luftës së Parë me topat drejtuar nga Vlora? Edhe ky Lamja koleksionon fotografitë e librave të historisë së kohës së Enverit, ua heq diçiturën, e mi shet për gjetje të mëdha nga arkivat britanike.

VLONJATET

Megjithatë, për inat të Saliut, i preka vlonjatët kur iu tregova kujtimet e fëmijërisë ndërsa pllaquritesha lakuriq në det. Ku kishte rroba banje për kalamajtë ato kohë! O do laheshe me brekët e përditshme, o lakuriq. Po të laheshe me brekë do kruheshe gjithë ditën nga kripa. Rroftë deti i Vlorës! Dum, dum, dum, dum, dum…
Le pastaj sa brohoritën kur përmenda se mbaja mend edhe djemtë e Skelës. Unë e di në fakt se ç’kam hequr prej tyre. S’linin rast pa më ngacmuar. Duroja. S’ma mbante të kruhesha me ta. Një ditë u ngrita në këmbë. Isha rritur. Ata kujtuan se po bëhesha gati të ndeshesha me ta. “Më në fund u bë burrë” – menduan. Rastin prisnin të ma zbusnin kurrizin. Unë, heshtur, mora detin më këmbë. Edhe sot më jehon në vesh shpotia që më ndiqte nga pas. “Na moreee tiiiiii, që më qenkërke si oxhaku i sodës, …merr ndonjë kamerdare zetori. Mos të të gënjejë mendjaaa. Mos e merr në këmbë deri në Sazan se të mbuloooon…..”.
Kështu janë vlonjatët. Duan të të shohin kokulur. I këtillë iu shfaqa. Rroftë Vlora! Dum, dum, dum, dum, dum, dum…

QENTE

Ua tregova përsëri historinë e asaj nonës demokrate dhe qenit të saj. Kur më pyeti se “ç’do knej nga katuni jon se na votojm Salën?” i thashë: “O none, meqë votën ia jep Saliut, m’jep qenin t’paktën”. U gajasën të mitë në sallë. Edhe pse historinë ua kisha treguar me dhjetëra herë, prapë qeshën. S’ma kalon kush. Kam talent për ta bërë sallën të qeshë. Jam mjeshtër i batutave. Kot lodhen të më imitojnë. Nuk mund t’ia kalojë kopja origjinalit.
Të bien daullet. Dum, dum,…. stop. Po sikur me gjithë mend të më japin qentë? Ç’t’i bëj kaq shumë? Plot e kam sallën. Edhe selinë. Edhe koalicionin. Me kaq shumë qen s’del për t’i mbajtur as thesari i Zvicrës, jo më ky i yni që do e gjej bosh. Edhe mijtë do thyejnë kokën, jo më qentë.
Hem…. Megjithatë, s’ka problem, janë plot kazanët e plehrave. Nuk janë privatizuar ende. Le të bien daullet. Dum, dum, dum, dum, dum, dum….

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama