Fajet e Saliut

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 7 vite më parë

Artan Hoxha
Fajet e Saliut

KEQKUPTIMET E 1 PRILLIT

Më 1 prill Sali Berisha  nuk i kërkoi Ilir Metës që ky të zgjidhte çështjen e anëtarit ish-LSI-st, por të pavarur, të KQZ-së. Në fakt, në atë takim gjithçka ishte nën e mirë kuptuar. Do të largoheshin ministrat, zëvendësministrat, drejtorët politikë, prefektët. Sipas Metës, lista mbaronte këtu. Të tjerët, nëpunës civilë në shtetin modern, s’mund të largoheshin. Atij i ishte dukur që edhe Berisha kishte të njëjtin botëkuptim me të, ndaj Berisha nuk ia kishte kërkuar as largimin e politikëve – kjo s’kishte diskutim – edhe ai nuk i kishte kërkuar mbajtjen e civilëve – as kjo s’kishte kuptim – ndërsa ish-LSI-sti i KQZ-së ishte më shumë se nëpunës civil, më shumë se i pavarur, më shumë se i paanshëm. Ishte betuar mbi Kushtetutë.

Të nesërmen Edi i dërgoi ftesën pasi e lexoi para kamerave. “Iliri na jep edhe vota, edhe mbrojtje nga Saliu”. Të pasnesërmen, Berisha Ilirit dhe Saliu Edit u kujtoi ribalancimin. Një ditë më pas Iliri iu përgjigj Edit. Meta, ama, nuk ia ktheu për fare shpinën Berishës. Por ribalancim s’mund të kishte. Avantazhi i krijuar nga zhbalancimi i komisioneve zgjedhore ishte kapitali i çmuar i ribashkimit me Edin.

“Berisha nuk është modern si unë. Vazhdon me të vjetrën. Politizon gjithçka. Atë ish-LSI-stin politik e konsideron ai. Edhe mijërat e nëpunësve që i futa në administratë nga dera e lëvizjes integruese. Berisha do t’i largojë pa mëdyshje. Ka të drejtë Edi që e thërret Saliu. Po t’m’a kishte kërkuar Berisha, edhe mund t’ia kisha mbushur mendjen të pavarurit të tërhiqej. Faji i Saliut që nuk ma kërkoi. S’mund ta lejoj Saliun t’m’a rrëmbejë”.
SHPRESA TE LUFTA ME AMERIKEN

Ndonëse e njihnin mirë Saliun, Edi&Iliri e kishin ende një fije shpresë se ai mund edhe ta pranonte gjendjen. Ëndrra, më e shumta për të komanduar zgjedhjet e më e pakta për ta tërhequr Saliun për hunde, ishte ndjellëse.

“Këtyre katundarëve që na votojnë kaq u duhet dhe e kuptojnë vetë se kush është i forti e kush i dobëti. Ndërrojnë votën. Disa dhjetëra mijëra mjaftojnë”.

Kjo do mjaftonte edhe për t’iu mbyllur gojën luftëtarëve moralistë të celulave partiake, kafeneve a të internetit, që s’kishin lënë gjë pa kujtuar e sharje pa bërë ato ditët e para të prillit. Edhe këta i njihnin mirë. “Më të shumtët e kanë me gjoja. Këtyre mjafton ose t’u hedhim një kockë, ose t’i kërcënojmë se mund t’ua marrim kockën që mbajnë ndër dhëmbë. Më të paktit janë idealistë të pandreqshëm, por naivë. Me këta edhe më e lehtë. Pa kosto. Mjafton t’u kujtojmë të keqen më të madhe, Saliun”.
Gjunjëzimi i Saliut premtonte shumë avantazhe. Por Saliu, siç edhe e prisnin, sulmoi. Ndërkombëtarët, si rrallëherë, po i mbështesnin qartazi. “Edhe këta si katundarët tanë qenkan, shkojnë me erën”. KQZ-ja dukej se konsiderohej e pavarur edhe për ta. Ribalancim s’mund të kërkohej më. Këta flisnin edhe për 89 komisionet e dyta në të cilat komisionerët e Ilirit bashkë me ata të Edit kontrollonin 4:3 gjysmën e tyre dhe 5:2 gjysmën tjetër.

“Le të flasin ndërkombëtarët për këto komisionet e tjera. Ne s’ka pse hapim gojë. Vëmendja veç te KQZ. Saliu po të godet ty Ilir, pra edhe mua, pra opozitën. Kjo shuan zhurmat e korit kundër bashkimit tonë. Konsolidohet bashkimi. Saliu rishfaqet si manipulatori i rrezikshëm. Fronti i bashkuar kundër tij – domosdoshmëri. Saliu e ka fajin edhe për unifikimin tonë”.

Iu dukej se po e preknin me dorë fitoren kur atë të hënë ambasadori tha se “s’besonte se kishte ndonjë shqiptar që do të donte përplasjen me Amerikën”.
“Ambasadori nuk e njeh Saliun. Kujtoi se kishte të bënte me burrë shteti kur ai u tërhoq nga mitingu. Ç’i ka Saliu mitingjet. I bën kur të dojë, i anulon kur të dojë. Si burrë shteti që i duket, ambasadori mendon se Saliu do tërhiqet. Ai nuk do ta bëjë – e njohim mirë – dhe pra lufta me Amerikën e pashmangshme. Ne e shtyjmë, ai përplaset, ata e mundin, ne fitojmë. Saliu e ka fajin. Ia bën vetë vetes. Veç Saliu e mund Saliun”.

SALIU ÇUDIT DYNJANE

Saliu i la gojëhapur. Magjistar. Kur thuajse besuan se po i binte murit me kokë, ai kërceu me shkopin magjik matanë. Argument ligjor i kërkuan ndërkombëtarët. Jo ribalancim. Saliu e gjeti zgjidhjen. Cenin në karrierë të ish-LSI-stit. Ky nuk ishte rrëfyer me zemër në dorë në komisionin parlamentar. Ofendim.
“Më shumë se gjetje ishte fat. Ku qëlloi për dreq ky cen pikërisht te ky!? Kot s’thonë se fati ndihmon fitimtarët. Pra Saliun. Rrëqethëse kjo thënie. Mos e thuaj më, Edi. As ndër mend mos e ço më, Ilir”.

Ceni i anëtarit u fut në lojë hap pas hapi. I duhej kohë e gjatë të përshkonte gjysmën e rruzullit, të përtypej andej matanë e të rikthehej gjysmë i pranuar. Balanca u rivendos. Saliu nuk i shpalli luftë Amerikës. As ajo atij. Me lobimin e duhur gjendet gjithnjë zgjidhja.

HUTIM. GABIME. FTILLIM. SULM

Ndërsa nuk u duk gjithë ditën në Kuvend, Saliu u shfaq i lodhur, por i qetë në darkë vonë. Foli. Vendosi. Vulosi. Ambasadori shihte nga lozha shfaqjen, libretin e së cilës e kishte dëgjuar gjysmë ore më parë nga vetë ai.

Hutim. “S’paska luftë me Amerikën sonte. Ndoshta nesër. Do kohën e vet edhe mobilizimi amerikan”. Një SMS e ambasadorit në OPINION u rindezi shpresën për të nesërmen. Por atë natë s’kish më luftë. S’kishin ç’ta mbanin ushtrinë në fushëbetejë. Dhanë urdhrin e tërheqjes. Në largim e sipër e zbrazën inatin mbi treshen ish-socialiste. Nën vëzhgimin e ambasadorit. Harruan që Amerika i do edhe këta renegatë partiakë. Askënd nuk çon dëm.

E nesërmja zbardhi. Zbrazëtirë. Lodhje.

“Duhet lëvizur. Nuk iu kujtohet më nëse i pavaruri i pyeti apo ia kërkuan. Kjo s’kish më rëndësi. I pari nga të pavarurit e KQZ-së e dha dorëheqjen. U ndoq nga i dyti. I treti, greku – sa i di b… këtyre – shpalli vetëngrirjen. Shkrin më 23 prill nëse shkon djathtas – rri ngrirë nëse mbetet majtas. Duhen mbajtur grekët. Me çdo çmim. Edhe gjysmë-sorra e gjysmë-shqiponja. Aq më mirë që i kanë rënë fare pendët. Nuk e tremb më as grekun. Mobilizim. Opozita e unifikuar. E koordinuar. E motivuar. Sulm për marrjen e këshillave. Fillon me Tiranën. Ta shohë tani Saliu se si e sa mirë do ta përdorim ne ndihmën ekonomike. Poshtë mercenarët. Një dorë militantësh mjaftojnë tek oborri i Kaçit të Zi. Nisuni. Edhe një herë, kujdes se mos na ikën greku”.

AMERIKANI ZHGENJEN

Pritën me ankth se ç’do thoshte amerikani me mbiemrin e asaj artistes së famshme. Foli. “Dyshime ligjore për ribalancimin, por gjykatën aty e keni. Plotësoni vendet bosh në KQZ. Tek e fundit, ajo edhe me 5 veta funksionon. Kush flet për tensione kërkon tension, e nga tensioni do ta gjejë belanë. Po kështu edhe nëse shkelni oborrin e Kaçit. Meqë rezultatin e zgjedhjeve nuk e parashikoni dot, na jepni fjalën se do ta njihni, cilido qoftë ai”.
Premtuan se do e njohin. Se mos është hera e parë që premtojnë. Sa për KQZ-në, rroftë greku se me vetëngrirjen e tij në KQZ janë më shumë se 4, por më pak se 5, ndaj kësmet deri më 23 prill.

FAJI VEÇ I SALIUT

Rinis aty ku e si duhej filluar, por tashmë me disa viktima. Ribalancimi do ndodhë. Do rikthehet në raportet që ishte para 1 prillit. Me ndryshimin e vetëm që pas përplasjes ribalancimin do ta bëjë vetë Saliu. Pa përplasjen, ribalancimin do t’iu duhej ta bënin bashkë. Të uleshin dyshe-dyshe e ndoshta të tre.
“Nuk është koha për kësi takimesh e mirëkuptimesh. Përplasja e dobishme në çdo rast. Nëse do ta bënin me mirëkuptim, s’do kishte viktima, por aleanca nuk do ngjiste. Aleanca e re kërkon kurbanin e vet. Ku ka më mirë që kurbanin ta bëjë Saliu me dorën e tij. Ne nuk i gjakosim duart. Po të dojë edhe votat t’i numërojë në shtëpinë e tij. Nëse nuk na votojnë, fajin e ka Saliu që na i vodhi. Nëse na votojnë, faji prapë Saliut i mbetet që nuk na i vodhi”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama