Ndryshim matanë rilindjes pa rilindës

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 10 vite më parë

Aleksandër Çipa
Ndryshim matanë rilindjes pa rilindës

Si do të jenë ditët e qeverisjes së dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në Shqipëri? Sa do të ndryshojnë ato nga ditët e deritanishme? A do të kemi një përmbajtje të re qeverisjeje, apo vendi do të përpëlitet në një krizë të shpallur ekonomike dhe të papranuar deri tani?

Këto janë disa prej pyetjeve që lidhen me realitetin postelektoral, në të cilin do të gjendet vendi për tre muaj. Politika ka realizuar lëvizjet e veta, për të transferuar sipas gjasave, qeverisjen nga pozita e deritanishme tek opozita dhe aleati i rikthyer nga e djathta tek e majta, pra LSI. Nuk ka qenë sentenca e dikurshme e zotit Rama “matanë së majtës dhe së djathtës” që e ka orientuar partinë e zotit Meta të rikthehet në partneritetin me familjen politike të origjinës së vet.

Është një arsye shumë herë më e madhe dhe më e leverdishme. Kjo arsye nuk mund të zbardhet kurrsesi përgjatë fushatës elektorale dhe as gjatë shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të pritshme. Natyrisht ajo është një arsye, e cila në planin formal dhe atë propagandistik po kurohet falë edhe artikulimeve dhe vizitave të majtistëve europianë në Tiranë, si një bekim prej eurofamiljarësh politikë për zotin Rama dhe zotin Meta. Ky akt i ngjarë, ka për të prodhuar një histori të re qëndrimesh, reagimesh, zhvillimesh dhe lëvizjesh në spektrin partiak të së majtës shqiptare në periudhën pas 23 qershorit.

Por para se të nisë ky kapitull i ri në jetën e së majtës politike bilaterale (PS-LSI), le të mbesim te sfidat që ofron realiteti kompleks i qeverisjes së re të pretenduar.

Si do të jetë ajo, nëse opozita e bashkuar do të arrijë fitoren? Çdo të ndodhë me krizën e besimit të shpërndarë e riprovuar kohë pas kohe në këtë realitet? A do të fitohet beteja e pretenduar me “diktaturën e korrupsionit” dhe si mund të arrihet kjo, kur “një gjymtyrë apo qoftë edhe pjesë organi” e kësaj diktature të deritanishme, do të marrë funksion të ri qeverisës?

Ekspertët e ekonomisë dhe vëzhgues të ndryshëm shprehen e përflasin një faturë të lartë vështirësie financiare për qeverisësit (e rinj apo të vjetër qofshin), pas 23 qershorit. Është fjala për një krizë, e cila do të pranohet dhe bilancohet padyshim më realisht nga sa mund të ketë ndodhur deri tani e sidomos deri në datën 23 qershor të këtij viti. Palët në ditët e kësaj fushate nuk do t’ia dalin ta kryejnë transparencën e besueshme për gjendjen reale.

Pozita e mbetur pa aleatin e deritanishëm të së majtës, vijon të mbetet në propagandën e arritjeve dhe rezultateve fantastike, ndonëse në zyrat dhe mjediset e administratës publike po merr përmasë të plotë shfaqjeje varfëria financiare. Në fushën e investimeve publike, në të gjitha anët e vendit, lehtësisht konstaton “zhdukjen e parasë”, rrugët e rikthyera në gjendjen mjerane të tyre, segmente të lëna në gropësi dhe kompani sipërmarrëse që nuk shfaqen në veprat e tenderëve apo objekteve të fituara për t’u realizuar. Mjafton t’i referohesh kronikës së javës që lamë pas, kur në zonën elektorale të ministrit aktual të Financave, zotit Bode, banorët e brigjeve të lumit të Devollit, gjenden në një gjendje primitive, për shkak të një ure e një rruge, duke përdorur traktorë si ura lëvizëse nëpër rrjedhën e lumit. Mjafton ky pasazh për të zbuluar një pamje jo të plotë të realitetit të varfër social dhe të infrastrukturës së braktisur në zona dhe periferi të vendit.

Por mjafton të kthejmë sytë sidomos, pas dramës së re të ricikluar të përmbytjeve që po zhysin edhe më thellë ultësirën e Nënshkodrës, fatura e të cilave, jo vetëm ende nuk është përllogaritur, por ka për të mbetur si fatura e pashlyer e dy apo tri viteve të shkuara. Në selitë e dhjetëra bashkive dhe komunave vendore nëpër atdhe, vijojnë apelet ankuese të të zgjedhurve dhe denoncimet për mospërfitime fondesh prej vitesh, muajsh dhe kohësh. Kontingjentet e grupeve sociale, shtojnë ankesat, sikundër partitë shumojnë spotet dhe afishet e tyre elektorale. Mes realitetit të prekshëm dhe atij virtual, po dimensionohet kontrasti si midis reales dhe imagjinares. Në këtë betejë mes së premtuarës dhe së paprekshmes, aktorët e mëdhenj të politikës partiake në vend, do të ngrenë mjegullnajë të re e po shumëfishojnë zhvlerësim të mëtejshëm të besimit.

Pretenduesit e bashkuar për qeverisje të përbashkët pas 23 qershorit, pra të majtët PS-LSI, ende nuk kanë konstruktuar një platformë dhe program përbashkues të administrimit të qeverisjes së pretenduar. Kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë e shumëfishon atë skepticizëm të shfaqur së pari prej aktit të papritur bashkues të tyre dhe që u konsiderua një sfidë e injorimit të vlerës dhe përmbajtjes morale prej PS-së. Beteja e tyre për të fituar krizën e humbur morale, ka nevojë për prova të forta e të shumta, të cilat së pari do të duhej të formësoheshin si paketë e posaçme elektorale. Besimi që pretendohet të lindë prej këtyre kandidatëve për qeverisje është bërë edhe më i vështirë. Është tejet potencial dhe veprues mekanizmi mosbesues. Provat që e shtyjnë në veprim këtë mekanizëm, jepen prej vetë aktorëve të protagonizmit për një qeverisje të re. Në këtë mënyrë, rilindësit mungojnë dhe propagandistët betohen se do të ketë rilindje. Por ndryshimi është nevojë imediate.

Rilindja ngjet, kur mbi mosbesimin triumfon protagonizmi dhe fryma e re, lëvizja dhe transformimi. Në ditët e kësaj fushate, e vonuar po shfaqet si veprim dhe përmbajtje, lëvizja ndryshuese. Një takim dhe pohimi i ripërsëritur i bashkimit Rama-Meta nuk mjafton për t’u quajtur nisje e lëvizjes për ndryshimin e qeverisjes nesër. Aktorët e kësaj lëvizjeje nuk kanë shumë kohë në dispozicion për të krijuar një imazh të plotë të programit të ri dhe paketës së re që do të ndryshojë qeverisjen e vendit. Ata gjenden në pozitën e protagonistëve që kanë marrëdhënie problemore me besueshmërinë e elektoratit dhe sidomos të votave masive që dalin prej tij. Ky problem nuk mund të zgjidhet me stilin e vjetër të një daljeje të përbashkët nëpër tribunat elektorale. As mund të mjaftojnë me grupet e punës të deleguara nga kryesitë partiake për përgatitjen e marrëveshjes për qeverisjen e re.

Atë platformë të pritshme, të cilën kundërshtari i tyre elektoral dhe politik Berisha e njeh si kopje të marrëveshjes së vet dikur, mund ta sulmojë e injorojë propagandistikisht, më shumë nga sa mund ta ketë ironizuar zoti Rama në ditët e vështira të skandaleve qeverisëse zotin Berisha. Kjo përballje e re e zotërinjve Rama-Meta me zotin Berisha, përbën subjektin e ri kompleks të marrëdhënieve politike në skenën e elektorale. Kapërcimi i saj dhe kontrastimi me ditët e derisotme, kërkojnë lëvizje dhe akte të reja ndryshuese.

Nevojitet një subjekt i ri besues, të cilin protagonistët e sapobashkuar politikë nuk e gjenerojnë dot me formën e vjetër, por vetëm me lëvizje dhe ofertë të re elektorale. A e kanë ata aftësinë dhe kreativitetin e duhur politik për ta lindur atë? Në perceptimin e deritanishëm publik, aftësia rilindëse e dy udhëheqësve të së majtës është e dyshuar, ndërsa ajo e kapërcimit është dëshmuar, madje më tronditëse sesa divorci që kanë provuar mes vedi. Le t’i japin shpresë kësaj aftësie, pasi gjenden të zhytur në përballjen me skepticizmin dhe mosbesimin e deritanishëm. Ata duhet të prodhojnë provat për të dalë së paku mbi zhgënjimet e së shkuarës. Le t’i ndjekim në provën e pendimit si vetëkorrigjim, këta majtistë që zotërojnë fetarinë e punës, por jo të përkatësisë, këta ndryshues që pretendojnë rilindjen pa qenë kurrë rilindës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama