Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rasti Zogaj dhe prezantimet e Ramës

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 12 vite më parë

Aleksandër Çipa
Rasti Zogaj dhe prezantimet e Ramës

Në diskutimin dhe debatin e ditëve të fundit për atë çka ndodh në fushatën zgjedhore, më në vëmendje, po mbahet procesi i afishimit të kandidatëve për deputetë. Nga sa duket deri tani, opozita është një hap para pozitës. Prej disa kohësh kryetari i PS-së po paraqet padiskutueshëm disa kandidatë të cilët nuk vijnë nga një përvojë dhe promovim i spikatur politik, por prej një përzgjedhjeje për kriteret e së cilës, vetë socialistët jo vetëm që nuk guxojnë të kërkojnë shpjegime, por edhe janë në një pritmëni, ndoshta hileqare. Sidoqoftë, paraqitja e kolegut tashmë të larguar nga profesioni ynë, Fred Peza, e ish-kryetarit të KQZ-së Ilirjan Çelibashi, pedagoges Evis Kushi apo dikujt tjetër, janë grupi i parë që mesa duket, mbartin vlerën e së drejtës së kryetarit të opozitës për të promovuar në grupin e përfaqësimit të ardhshëm parlamentar, emra të rinj politikëbërësish. Në këtë këndvështrim, diskutimet e heshtura dhe të lira brenda opozitës e bëjnë edhe më prezent këtë fakt ose pjesë të procesit të nisur nga opozita.

Përkundër këtij fragmenti promovues dhe selektimi të ndërmarrë nga kreu i opozitës, pozita e kryesuar nga zoti Berisha po ndjek një praktikë më klasike. Mesa duket do të ngjasë si zakonisht, lista është monopol i kryetarit-kryeministër dhe i vetmi akt i shpallur duket pranimi publik i ofertës së mbyllur me aleatin demokristian Nard Ndoka.

Koha e mbetur si distancë deri më 23 qershor, natyrisht është e mjaftueshme për të pritur subjektet e ankimeve, protestave, reagimeve, lëvizjeve dhe rebelimeve inatçore prej të privuarve dhe sidomos prej atyre që do të skualifikohen nga të dy palët. Por edhe në këtë aspekt, duket se opozita problemin po e shpall para pozitës.

Intervistat dhe disa shkrime të fundit të opozitarit të deritanishëm Preç Zogaj, po lënë shenjën apo qoftë edhe paralajmërojnë një problem të mundshëm të brendshëm të opozitës për sa i përket përjashtimit apo cenimit të së drejtës meritokratike për listën e fundme të kandidimeve për deputetë të opozitës.

Në rastin Zogaj, ky problem duket se po zbulohet në mënyrë të shpejtë dhe natyrisht edhe me kompleksitet ndikues. Preç Zogaj ka qenë zëdhënësi zyrtar i koalicionit të deritanishëm opozitar dhe artikulant spikatës i qëndrimeve dhe sidomos tezave opozitare. Ai ka ditur të artikulojë, falë edhe talentit oratorik, vendimet apo diskutimet e spektrit fluid dhe me përkatësi heterogjene politike, të partive opozitare, ndaj të cilave kreu i PS-së ka krijuar dhe po mishëron një realitet amorf bashkëpunimesh dhe qëndrimesh. Kjo ka krijuar përshtypjen se në këto vite të gjata të opozitarizmit të kryesuar nga Edi Rama, më së shumti ka spikatur profili i tij si politikan që çdo rezistencë e ka konsumuar për të fituar asgjë dhe i vetmi aleat i pashmangshëm i tij ka qenë koha e cila mbetet deri më 23 qershor plotësisht në dispozicion të tij.

Natyrisht kulmi i solidaritetit solid të opozitarëve me ardhje dhe ikje të ndryshme politike, por që gjatë katër viteve të fundit mbeten në një front me Ramën, shënohet në periudhën e reagimit të menjëhershëm për skandalin e bujshëm dhe trazues të video-skandalit “Meta-Prifti” dhe më pas me ngjarjet e 21 janarit dhe sidomos denoncimet e vrasjeve të ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në periudhën pasuese, kuptohet që PS u investua më shumë për një itinerar dhe dialog të fuqishëm diplomatik, për përcjelljen pranë kancelarive të huaja dhe sidomos pranë institucioneve në Bruksel dhe Uashington të një raporti “më realist”, sipas saj, për gjendjen mjerane të demokracisë, institucionalizmin, korrupsionin dhe defektet e shtetit të së drejtës si dhe për abuzivizmin dhe gjendjen e manipuluar të propagandës qeveritare për një rritje dhe sukses ekonomik në republikën tonë të informalitetit. Për të mbërritur deri këtu, natyrisht u desh një kohë e gjatë dhe disa publikime raportesh kritike ndërkombëtare, u desh një axhendë më intensive kontaktesh mes krerëve politikëbërës të Brukselit dhe BE-së si dhe diplomatëve amerikanë, ndër të cilët vizitat pasuese të zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit dhe kurorëzimi i vizitës me një fjalim thellësisht përmbajtësor dhe të adresuar të sekretares së Shtetit zonjës, Hillari Klinton dhe paskëtaj, sërish vizita e zv.ndihmëssekretarit amerikan, zotit Philip Richker.

Në këtë betejë të gjatë dhe me subjekt shumë herë më kompleks nga sa e paraqesim shkurtimisht ne, natyrisht që opozitarëve iu desh një investim i fuqishëm dialogimi dhe kontaktesh. Por ky aksion opozitar, natyrisht që duhej bazuar mbi një frymë të fortë dhe në rritje kritike për situatën dhe keqqeverisjen e brendshme në vend. Zoti Zogaj është një ndër politikanët aktivë që për shkak edhe të njohjes së politikanit Berisha dhe formacionit që ai drejton në qeverisje, përcaktoi politologjikisht një qëndrim të ri të opozitës, i cili natyrisht që po implementohet zgjuarsisht prej zotit Rama; atë të tejkalimit. Kjo ishte një tezë e formuluar në një cikël shkrimesh dhe interpretimesh nëpër debatet mediatike dhe forumet e diskutimit dhe komunikimit politik prej zotit Zogaj dhe që në përmbajtjen e vet rezulton si një gjetje efektive për të mos rënë opozita në kurthin e riciklimit të konfliktit politik dhe atij elektoral. Por në kuadër të procesit të vetënisur të kreut të opozitës Rama për selektimin në fazë të parë të disa emrave për kandidatë për deputetë, zoti Zogaj është i pari që afishoi nervozizmin dhe paralajmërimin mospërjashtues prej kësaj së drejte.

Nisur nga intervista e publikuar në “Panorama” dhe në disa shkrime të tij të përditshme, përmes nëntekstit, gjithkush merr vesh një marrëdhënie të tensionuar mes tij dhe kreut të opozitës, e cila në ndodhinë e pazbardhur dhe në nëntekstin e afishuar na le të kuptojmë se një fazë e re debatesh dhe përplasjesh të brendshme do të ketë për çështjen e listës së deputetëve aleatë dhe atyre brenda PS-së në gjirin e opozitës. Rasti Zogaj dhe procesi i deklarimeve të selektuara nga kryetari i PS-së Rama, janë një aspekt i parë përmbajtësor i procesit autorial të kryesocialistit për ndryshimin e filluar të elitës së përfaqësimit të ri parlamentar prej së majtës dhe spektrit të deritanishëm opozitar. Ky është një proces i saponisur dhe për të cilin ende nuk kemi spazma apo diversitete të shpallura politike brendapartiake dhe në kuadër koalicioni. Mirëpo gjasat janë që në ditët e afërta, këto të jenë të pashmangshme.

Administrimi i kësaj problematike politike, ka lidhje të drejtpërdrejtë me suksesin dhe kapacitetin konkurrues elektoral. Nëse injorohen efektet që vijnë prej keqadministrimit të kësi pakënaqësish apo reagimesh rebeluese, atëherë, opozita e tanishme do të përballet me koston e fragmentarizmit, i cili vijon të mbetet një sëmundje me pasoja mbi organizmin dhe strukturat e veprimit dhe kapacitetit politik të saj. Në këtë këndvështrim, rasti Zogaj, mund të jetë një paralajmërim i parë për miradministrim të së drejtës së përfaqësimit, por është edhe një shenjë e fortë orientuese për të mos ta kthyer procesin e paraqitjes selektive të kandidatëve, në një akt vetëndëshkues. Rilindja ngjet kur krijon një organizëm me gjithë gjymtyrët eficentë dhe me një frymë që vetëm shpërndan dhe shumëfishon gjallimin, në të kundërt, një rilindje e selektuar, sjell vetëm monstra të ndryshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama