Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur vete sistemi eshte pa leje

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Kur vete sistemi eshte pa leje

Kisha nisur tjetër shkrim për këtë javë, por një ndodhi më prishi fillimisht mëngjesin, më pas gjithë ditën, e tani më bën ta ndiej në shpinë si gur.

Më kontaktojnë në telefon dy të panjohur dhe kërkojnë të më takojnë. U them të takohemi në studion time, por të frikësuar thonë jo dhe më propozojnë një bar diku në krye të Rrugës së Elbasanit. Tashmë jam mësuar me lloj-lloj kërkesash dhe denoncimesh nga qytetarë, por kjo më bezdisi, pasi më duhej të shkoja në një vend të panjohur. Nejse, i takova. Ishin banorë periferie, të zbritur nga Puka dhe të vendosur diku në zonën poshtë Varrezave të Dëshmorëve. Nuk po jap më tej hollësi, pasi edhe kaq besoj se do t’i tmerrojë. Halli i tyre. Midis lagjes po ju ndërtoheshin nja dy pallate të mëdha, shumë të mëdha, pa leje, fare pa leje. U ishin futur midis lagjes, u kishin zënë rrugën, u kishin marrë tokë, u kishin plasaritur muret nga shkarjet. U bënin presion, i shanin, i kërcënonin të mos hapnin gojë.

Pallatet i financonte një … gjykatëse. Edhe ajo nga Veriu si ata vetë. Natyrisht, tani gjykatëse në Tiranë. Atje në objekt vinin nja dy fuoristrada të zeza e me xhama të zinj, që ju bënin presion. Me to lëviznin dy djem të fortë nga ata që s’është mençuri t’u zësh rrugën. Edhe ata nga Veriu. Po sa dreqin qenka ky Veriu ynë!? Paret janë të gjykatëses ndërsa ata të fortët e xhamave të zinj janë linku midis parave dhe ndërtimit. Natyrisht që sigurojnë edhe qetësinë. Firma e ndërtimit është e dikujt tjetër, që edhe ai duket rrallë sa për të parë se si shkojnë punët. Aty punojnë një tufë punëtorësh, hallexhinj të periferive, gati skllevër, pa sigurime, në kushte mizerabël. Ankesave të banorëve, u përgjigjen me frikë: aman mos na ngatërroni neve, ne punën bëjmë, flisni me shefat.

Ishin ankuar e kishin bërë letra sa ishin lodhur. Në Bashki, në Ministri të Ndërtimit, në Policinë e Shtetit, në Inspektoratin e Ndërtimit, i kishin bërë telegram Sali Berishës, pastaj i kishin bërë edhe mesazh në celular. Asnjë përgjigje, nga asnjë institucion. Qoftë edhe sa për gjasme. Kishin bërë edhe fotografi të pallateve. Me celular, foto të shtrembra të bëra fshehuriçkazi e gjithë frikë.

Folën e folën pukjanët dhe e shfrynë dufin e tyre. Kërkonin që unë të shkruaja për këtë punë e ta denoncoja publikisht. U premtova ashtu nëpër tym dhe u ndava me ta. Ndihesha i poshtëruar.

Të ulesha e të bëja një shkrim në gazetë, ku të denoncoja me emër e mbiemër gjykatësen. Ç’vlerë do të kishte. Sot do të shkruaja, të nesërmen do të më vinte fletëthirrja për në gjyq për shpifje prej saj. Si ta provoja që pallati ishte i saji? Me fotografitë e celularit? Dhe do më duhej të zija avokat, të ndiqja poshtë e lart nëpër gjykata. Në vend që ta kaloja kohën me librat e mi, do më duhej të prishja gjakun nëpër gjyqe. Në fund do e humbja pa derman dhe do paguaja edhe trillet e gjykatëses që do ndihej e lënduar nga shpifja. A si humbi dy gjyqe Saimir Tahiri bash për këtë punë? Ke thënë që filani është hajdut, prokuroria nuk hap çështje për hajdutin, por për qefin e prishur të hajdutit. Dhe e dënuan.

Që do përfundoja në gjyq s’diskutohet, por ta zëmë se krahas gjyqit, prokuroria do hapte dosje për çështjen. Natyrisht që gjyqtarja nuk figuronte si investitore gjëkundi, se këto punë nuk bëhen me letra. Le që për ç’investitor flas, kur pallati ishte fare pa leje! Pra, në fund prokuroria do mbyllte çështjen e saj për mungesë provash dhe unë do mbetesha në dhëmbët e gjykatëses me akuzën për shpifje. Para disa vjetësh, kur Saliu i dha Leka Zogut pa asnjë dokument Pallatin e Pionierëve, u ula dhe nxora një dosje me nja 50 faqe me dokumente origjinale që vërtetonin që godina ishte pronë e shtetit, e ndërtuar me fonde të shtetit, si rezidencë qeveritare. Harxhova disa javë me atë dosje, e puthita mirë, e bëra 4 kopje dhe e nisa me emër dhe firmë në prokurori, në Kontrollin e Shtetit, në Komisionin e Kthimit të Pronave dhe tek Avokati i Shtetit. Humbi pa nam e pa nishan. Askush nuk mori as mundimin të më bënte qoftë edhe një telefonatë. Dhe kur ndodhi kështu para disa vjetësh me 4 institucione, pse duhej të ndodhë tani ndryshe me prokurorinë!?

Po mirë belaja e gjyqit me gjykatësen për shpifje, po hesapi me ata të fortët me fuoristrada të zeza, si i bëhet? Kur të më vinin në derë dhe të haja një dru pas qafe, kush do më dilte zot? Apo policët e trembur që rrinë rrugëve me pantallona si thes dhe që kthehen nga ana tjetër kur shohin ndonjë të fortë? Dhe, me mendjen e tyre prej të forti, do ta ndienin veten në anën e të drejtës: kemi fut në këtë punë paret tona, po zihemi me gjithë lagjen, dhe vjen ti e na bën numra? Ç’t’u thoja, t’u tregoja nenin e ligjit për ndërtimet pa leje?

Po ata pukjanët, kaq naivë të ishin që prisnin që të tilla ndërmarrje ku hidhen miliona dollarë të ndalen se ata i bënë një SMS bashkëpatriotit të tyre verior Kryeministër, i cili është në atë karrige thjesht falë faktit që një ditë në katër vjet i përdor të fortët e vet dhe pastaj i lë për katër vjet të livadhisin në shpinën tonë. Po policia bashkiake ç’do t’u bënte furoistradave të zeza. Në rastin më të mirë, bashkia sa ka parë adresën, e ka hedhur letrën në kosh, ose, nëse nuk ka kuptuar gjë nga adresa, mund të ketë çuar ndonjë makinë për inspektim, e cila pastaj do ia ketë mbathur duke xhiruar gomat. Nuk është puna se kryetari Basha ka pjesë në këtë pisllëk. Jo për ta justifikuar, por kam filluar të besoj se më tepër sesa kryetar i kësaj kategorie bandash, ai është tashmë rob i tyre dhe nuk kontrollon më asgjë. I pëlqeu kur e ndihën të fitonte zgjedhjet duke trembur njerëzit, por tani duhet t’u lajë borxhin.

Atëherë ç’mund të bëja unë për ata pukjanët e gjorë? Kur ata, 15 a 20 vjet të shkuara, kishin zbritur në Tiranë e kishin zënë tokën e shtetit a të tjetërkujt, kishin qenë më të fortë sesa i zoti i tokës apo se shteti dhe ia kishin dalë. Tani po vinte dikush tjetër, më i forte se ta, më i fuqishëm se ta, më mizor sesa ata dhe po i shtynte tutje. Tani që rolet ishin këmbyer, ata po kërkonin ndihmën e shtetit. Ndërsa unë kisha qenë i pësuar në të dy valët, edhe në kohën e valës së parë, edhe tani në kohën e valës së dytë. E megjithatë, ata vinin tek unë për të kërkuar ndihmë. Që unë nuk ua jap dot pa rrezikuar jo vetëm kohë, stres dhe veten time, por edhe familjen. E për çfarë? Librat janë plot me heronj që kanë lënë kokën kur të tjerët shihnin punën e tyre. Apo lërë pastaj sa është vlera e heronjve në këtë vend, ku edhe bust bronzi sikur të më bënin, ky do përfundonte i shitur për skrap nga kushërinjtë e po atyre të fortëve që të heqin qafe.

Sistemi është kalbur keq. Jo se nuk ekziston, është kalbur dhe nuk bie përdhe thjesht, sepse ne vazhdojmë ta paguajmë. Madje më keq, është edhe i gjithi pa leje. Sepse si puna e këtyre pallateve të periferisë, ka me dhjetëra nëpër Tiranë e me qindra nëpër qytete, nëpër bregdet, nëpër Shqipëri. Nuk përmbyset me një denoncim në gazetë. Pa e kuptuar të gjithë këtë dhe pa bërë secili të vetën, do vazhdojmë të lusim Zotin të mos na bjerë e keqja në kokën tonë, ose të lusim ndokënd të na i heqë në na pastë rënë sakaq.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama