Heroikja dhe komikja e referendumit te plehrave

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 7 vite më parë

Artan Hoxha
Heroikja dhe komikja e referendumit te plehrave

I. MIRATOHET KERKESA PER REFERENDUM

1. Ligji nr. 10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” (ligji i mbetjeve), pas kthimit për rishqyrtim nga Presidenti Bamir Topi në shtator 2011, ndezi debate të ashpra politike dhe shoqërore lidhur me ndalimin e plotë të importit të mbetjeve edhe të parrezikshme për çfarëdolloj qëllimi, apo lejimin e importit për qëllime riciklimi të një numri të kufizuar llojesh rreth 55, nga një listë prej rreth 550 syresh e njohur ndërkombëtarisht si lista e mbetjeve jo të rrezikshme. Ndërsa në Kuvend fitoi opsioni i dytë, një grup nismëtar i vetëquajtur “Aleanca Kundër Importit të Plehrave” (AKIP) ndërmori nismën për një referendum mbi këtë çështje.

2. AKIP, me mbështetjen edhe të Partisë Socialiste, arriti të mbledhë me sukses mbi 60 mijë firma nga qytetarët mbështetës të nismës referendare në janar-mars 2012; i gjithë dokumentacioni kaloi filtrin e rreptë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në qershor 2012 dhe ky ia kaloi për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese (GJK) në janar 2013, e cila, pas dëgjimit të argumenteve pro e kundër referendumit, para pak ditësh u shpreh se nisma është në përputhje me Kushtetutën. I mbetet Presidentit Bujar Nishani të caktojë datën e referendumit, që sipas rregullave kushtetuese, mund të mbahet duke filluar nga mesi i dhjetorit 2013 e më vonë.

II. NISME SHOQERORE E PERMASAVE HEROIKE

3. Pavarësisht se çështja ishte politike – s’kish si të ndodhte ndryshe – e pavarësisht se ndoshta rreth 50 mijë firma nga 60 mijë mund të jenë mbledhur nga strukturat organizative të Partisë Socialiste, këto nuk e ulin vlerën e mobilizimit shoqëror të grupit nismëtar AKIP dhe të strukturave të tjera shoqërore mbështetëse të kësaj nisme, e cila, si për nga volumi i madh i punëve për t’u kryer, ashtu edhe për nga këmbëngulja për t’i shkuar deri në fund, meriton të konsiderohet heroike. Ky shembull e plot të tjerë, të njohur gjerësisht apo të tjerë të panjohur, akte të vogla e të shpërndara në komunitete të ndryshme, flasin jo vetëm për ekzistencën e një dimensioni civil shoqëror, por edhe për rritjen e fuqizimin e tij, ndryshe nga ç’thuhet në raporte standarde burokratike lidhur me këtë temë. Zhvillimi ekonomik dhe rritja e mirëqenies, hapja ekonomike e kulturore e vendit, proceset e integrimit euroatlantik, rritja ekspotenciale e mundësive për informim e komunikim dhe plot faktorë të tjerë s’ka se si të mos mbështesin fuqizimin e dimensionit civil. Gjithsesi, kjo është një tjetër temë që meriton analizë më vete, ndaj nuk po zgjatem.

III. ÇUDIA E PYETJES REFERENDARE

4. Pyetjen referendare pata mundësi ta shoh veç në janar 2013, pak ditë para shqyrtimit të saj nga Gjykata Kushtetuese. Me ta lexuar, mbeta i çuditur. Kisha menduar se nismëtarët e referendumit do t’i drejtoheshin popullit me një pyetje të thjeshtë “A duhet ndaluar importi i çdo lloj mbetjeje, qoftë edhe e parrezikshme e pavarësisht nga qëllimi?” apo një formë tjetër e ngjashme. Një pyetje e këtillë, e drejtpërdrejtë dhe e padyshimtë, do të merrte përgjigjen PO apo JO nga çdo qytetar i interesuar dhe rezultati referendar do të ishte i qartë dhe urdhërues për Kuvendin dhe qeverinë. Unë e kam deklaruar dhe e rideklaroj që do t’i përgjigjesha me një JO, siç edhe jam shprehur në shkrimin “Plehrllëqe e gomarllëqe” në gazetën “Panorama” në tetor 2011 dhe jam i gatshëm të debatoj për këtë me këdo e kurdo, qoftë edhe i vetëm përballë të gjithëve.

5. Por, pyetja referendare “A duhet shfuqizuar neni 22, pika 3 dhe neni 49 të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’?” është tërësisht tjetër gjë. Çudia nuk më erdhi aq shumë nga vetë natyra e pyetjes dhe teknika shfuqizuese referendare, por nga efekti juridik që vjen nëse asaj i përgjigjemi me PO.  Efekti juridik është i kundërt me qëllimet e shprehura publikisht nga referendarët. Nëse nga një anë ata kërkojnë ndalimin e importit të çdo lloj mbetjeje, nga ana tjetër shfuqizimet e kërkuara, nëse ndodhin, shkaktojnë që: i) jo vetëm të vazhdojë importi për qëllime riciklimi i 55 llojeve të lejuara mbetjesh jo të rrezikshme – listë e reduktuar muaj më parë nga Këshilli i Ministrave në vetëm 25 lloje – por hapet mundësia për importimin e çdo lloj mbetjeje nga lista e gjatë prej 550 llojesh; ii) jo vetëm që importi i 25 llojeve s’do të kërkojë më autorizim për sasi të caktuara e çdo vit bazuar në plotësimin e kritereve të rrepta të nenit 49 dhe 22.3, por importi i 550 llojeve do të mundësohet me një regjim më të butë e të hapur rregullash.

6. Duke mos dashur të arrij menjëherë në këtë përfundim e duke menduar se mund të ishte një gabim i imi, u konsultova me shumë ekspertë e juristë sa nga krahu qeveritar, ashtu edhe nga krahu referendar dhe/ose opozitar. Cilitdo që i shtroja çështjen dhe i ngrija pyetjen se ç’ndodh nëse shfuqizohen dy nenet, arrinte në të njëjtin përfundim si edhe unë. Pas krijimit të bindjes mbi efektin e mundshëm juridik të shfuqizimit mbetej pyetja nëse do të ishte kushtetues apo jo një referendum në të cilin pyetja ishte në kundërshtim me qëllimin dhe mund të krijonte situata të pamenaxhueshme. Në këtë çështje shumë të diskutueshme Gjykata Kushtetuese mori vendim në favor të mbajtjes së referendumit, vendim i cili, bashkë me arsyetimin pro dhe kundër, pasurojnë jurisprudencën shqiptare lidhur me një tematikë shumë të varfër, siç është ajo e referendumeve.

IV. TESTIMI I DY HIPOTEZAVE

7. Unë nuk do të rrekem këtu të vërtetoj tezën se shfuqizimi i nenit 49 (njësoj edhe për atë 22.3) sjell liberalizimin e importeve dhe jo ndalimin e tyre, por do përpiqem që t’i krijoj mundësinë lexuesit të zellshëm ta bëjë vetë analizën e të dalë vetë në përfundime. Pikënisja është Kushtetuta, neni 11.3 i saj. Lexojeni me vëmendje dhe shtroni pyetjen: A kufizohet ndonjë aspekt i lirisë ekonomike nëse ky kufizim nuk është i përcaktuar nga ligji? Hapi i dytë i arsyetimit bazohet te neni 48.3 i ligjit për mbetjet. Lexojeni me vëmendje dhe shtroni pyetjen: A ndalohet importi i secilës nga 550 llojet e mbetjeve jo të rrezikshme për qëllime të ndryshme nga asgjësimi dhe ruajtja (p.sh. riciklimi)? Hapi i tretë i arsyetimit është neni 49 i ligjit për mbetjet. Lexojeni me vëmendje këtë nen nga fillimi në fund e nga fundi në fillim. Përpiquni të dalloni se sa shumë instrumente të dobishme eliminohen duke filluar që nga pamundësia për ta reduktuar listën prej 550 lloje të importueshme në 25, siç ka bërë deri më sot Këshilli i Ministrave sipas pikës 8 të nenit 49 e po ashtu edhe instrumentet e tjera.

8. Tashmë bëni edhe hapin e katërt, lexoni tekstin e Konventës së Bazelit (Konventa) në adresën e dhënë të internetit që po e përmbledh si vijon: i) Sipas Konventës, autoriteti kompetent i shtetit përkatës importues, në rastin tonë ministri i Mjedisit, duhet të lëshojë autorizim për çdo sasi importi për secilin nga llojet e mbetjeve që lejohen të importohen e po kështu bën edhe autoriteti kompetent i vendit eksportues; ii) llojet që lejohen të importohen/eksportohen janë ato për të cilat shprehet Konventa ose më pak nëse një vend i caktuar vendos ta ngushtojë listën siç ka bërë Shqipëria; iii) kriteret e dhënies se autorizimit për eksportuesin dhe importuesin janë të përcaktuara në Konventë dhe përsëriten e mund të rreptësohen nga legjislacioni vendas, siç bën edhe neni 49 i ligjit për mbetjet. Tashmë shtroni pyetjen: A i ndalohet ministrit të Mjedisit të lëshojë autorizim për import në mungesë të nenit 49?

V. SI MUND TE IMPORTOHEN 550 LLOJE MBETJESH

9. Ndërsa me nenin 49 në fuqi; mund të importohen vetëm 25 lloje mbetjesh jo të rrezikshme për qëllime riciklimi, rikuperimi e rigjenerimi, e që paraprakisht importuesi duhet të kënaqë kërkesat specifike të nenit 49 që përfshijnë si ato të Konventës, ashtu edhe disa kërkesa të tjera shtesë, si kryerja e konsultimeve paraprake publike dhe monitorimi nga shoqëria civile për çdo rast kur kërkohet importim, pas shfuqizimit të këtij neni (nëse nuk ndërmerren plotësime ligjore); ndërsa kriteret për lëshimin e autorizimit do të jenë vetëm ato të Konventës; kriteret dhe procedurat shtesë do të eliminohen bashkë me mundësinë që Këshilli i Ministrave të reduktojë listën e importueshme e, për pasojë, importi jo vetëm do të jetë i mundur për 550 lloje sipas nenit 48.3, por dhe me më pak vështirësi administrative, pa vëzhgim nga shoqëria civile dhe me autorizim të lëshuar drejtpërdrejt nga ministri i Mjedisit, si autoriteti kompetent i Shqipërisë lidhur me Konventën.

10. Rasti në fjalë është ai më i miri, kur ministri vepron korrekt me ligjin, pasi nëse do të imagjinonim një rast ekstrem me një ministër dhjaks apo dogmatik, ai s’do lëshojë autorizim në kundërshtim me nenin 48.3 dhe autorizimin do t’ia marrin me vendim gjykate e nëse në ekstremin e kundërt do imagjinojmë një ministër pehlivan, ky ka për ta mjelë mirë kompetencën ekskluzive, që “ia bën peshqesh” kërkesa referendare përmes shfuqizimit të nenit 49 të ligjit për mbetjet. Një gjë është e sigurt gjithsesi, që edhe nëse në referendum, nën një marrëzi kolektive, do të votohet në favor të shfuqizimit të dy neneve, liberalizmi i importit pa kriter e pa kufi s’do mund të ndryshojë, pasi shteti i ka gjithnjë mundësitë t’i përshtatë mjetet ligjore në mënyrë që të evitojë situatën absurde që mund të rezultojë nga shfuqizimi i dy neneve në fjalë.

VI. KOMEDI E VENE NE SKENE ME 60 MIJE FIRMETARE

11. Si përfundim, efekti i votës PO në referendum ose do të jetë tërësisht i kundërt me qëllimin e referendarëve, ose s’do sjellë asnjë ndryshim nga  gjendja e sotme. Heroikja shndërrohet në komike. Nuk di të them nëse nismëtarët ishin, në pikënisje, të ndërgjegjshëm apo jo për pasojën juridike të pyetjes së formuluar. Ndoshta u nxituan. Gabimi është njerëzor. Shpesh mendja nuk sheh atë që sheh syri. Ndoshta. Por, në këtë gabim u përfshinë, duke firmosur, pa parë me sytë e mendjes, 60 mijë qytetarë pa pasione politike apo edhe socialistë të thekur.

12. Ç’epitet do të ishte i përshtatshëm për një njeri që firmos mbi një tekst i cili shkakton të kundërtën e asaj që firmëtari mendon se po mbështet? Duhet të këtë disa epitete për këtë rast. Dakord që firmosën në mirëbesim e pa u thelluar. Tashmë çështja është shtruar dhe gjithkush ka mundësinë të pyesë dikë tjetër, një a disa juristë nga të shumtët që ka në çdo qytet të Shqipërisë, përpara se të vendosë të votojë PO apo JO apo mund ta bëjë edhe vetë analizën se nuk është aspak e vështirë. Veç pak durim kërkon si dhe dëshirën për të mos votuar “derr n’thes”. Përndryshe, kur të mbahet referendumi, do kemi mundësinë të numërojmë gomarët. Tek e fundit, fondet publike që do të shpenzohen për referendumin nuk do të shkojnë fare- fare dëm.

BAZA LIGJORE

Kushtetuta. Neni 11 “1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike; 2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj; 3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike”.
Ligji nr. 10 463, datë 22.9. 2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” Neni 48 “
1. Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë;
2. Ndalohet në të gjitha rastet kalimi tranzit ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë;
3. Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim ruajtjeje ose asgjësimi në Republikën e Shqipërisë.”
Neni 49 “
1. Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3 të nenit 48 të këtij ligji;
2. Importimi i mbetjeve, sipas pikës 1 të këtij ligji, është i mundur vetëm me autorizim të Këshillit të Ministrave;
3. Kërkesa për autorizimin e importit paraqitet në ministri;
4. Autorizimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi;
5. Këshilli i Ministrave, kur shqyrton kërkesën për importin e mbetjeve jo të rrezikshme, merr në konsideratë arsyet e importimit të këtyre mbetjeve. Kërkuesi i autorizimit të importit të mbetjeve jo të rrezikshme duhet të provojë se janë shfrytëzuar të gjitha mbetjet, sipas llojit dhe kodit, të kërkuar në vend;
6. Autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhë kohe deri një vit dhe u nënshtrohet kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij ligji, si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret;
7. Në autorizimin e importimit të mbetjeve përcaktohen: a) lloji i mbetjeve për importin e të cilave lëshohet; b) standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre; c) kërkesat për monitorimin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve;
8. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton listën e mbetjeve që lejohen të importohen dhe rregullat për zbatimin e këtij neni”.

Konventa e Bazelit

Shih në adresën: http://www.basel.int/TheConvention/Overview/ TextoftheConvention/tabid/1275/Default.aspx .

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama