Skllever vullnetare

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 8 vite më parë

Artan Lame
Skllever vullnetare

Paralajmërim: Ata që i fusin një mendje të lehtë e thonë ky e ka shok Saimir Tahirin ndaj e mbron, janë të ftuar të mos vazhdojnë leximin më poshtë.

Muaj të shkuar, Saimir Tahiri, u dënua se i paskej prishur reputacionin vajzës së kryeministrit. Asnjë gjykatë nuk u muar asokohe me faktin nëse ishin të vërteta apo jo ato që tha z. Tahiri, ndërsa me reputacionin u morën që ç’ke me të. Para disa ditësh, sërish Saimir Tahiri u dënua se paskësh fyer reputacionin e ministrit Genc Ruli. Edhe kësaj radhe, asnjë gjykatë nuk u mor me ato që denonconte z. Tahiri, por vrapuan të merren prapë me reputacionin e të akuzuarit prej tij.

Kësaj radhe, gjykatën e ndihmoi edhe prokuroria, e cila vërtet hapi një dosje për atë që ndodhi me Koncesionarët e kromit, por pastaj e mbylli pa e çuar fare në gjykatë. Arsyetimi i mbylljes: është e vërtetë që ministri Ruli ka shkelur ligjin, por meqenëse kjo shkelje nuk ka prodhuar dëm ekonomik, nuk ia vlen të dënohet (!!!). Përveç faktit që se si mund të mos dënohet dikush që ka shkelur ligjin, përveç faktit që me ç’po del tani, dëm ekonomik paska pasur pasi ende nga koncesionari nuk janë paguar detyrimet, gjithçka duket në rregull, pra, asgjë nuk është në rregull.

Në të gjithë botën, ligjeve përpiqen t’ua dredhin e t’ua hedhin banditët, ndërsa në Shqipëri ligjeve përpiqet t’ua dredhë e t’u bëjë bisht drejtësia. Para ca kohësh, një gjykatës (në Fier në mos gaboj) vendosi mosdënimin e një zyrtari që ishte filmuar duke marrë pará në dorë, me arsyetimin se meqë paratë po i merrte jashtë orarit të punës dhe jo në zyrë, por në klub, nuk mund të penalizohet për korrupsion zyrtar. E bukur, ë!? I korruptuari pa bërë dredha e shkelte ligjin dhe i dilte ballëhapur, ndërsa drejtësia e kaloi kohën vetëm duke sajuar dredhka e përdredhka për të mos e dënuar. Dhe ne prisnim të dënonte Rulin pastaj!

Para dy ditësh, Andrea Stefani pyeste që në titull pse nuk gjykohet ministri Mediu, tani që imunitetet nuk ekzistojnë më. Se na rokanisën kokën që heqja e imuniteteve do shpëtonte Shqipërinë dhe do ta bënte llagar, por ja, imunitetet u hoqën dhe, i vetmi që e ka ngrënë nga kjo histori është prapë Tahiri, në daç me imunitet në daç pa imunitet.

Tregojnë se një herë, në një fshat në kohë të Turqisë, nuk e dënuan hajdutin, por atë që bërtiti kapeni hajdutin, me arsyetimin:

1. Hajduti nuk mund të dënohet, pasi vërtet u kap te pragu i penxheres, por meqë ia mbathi kur dëgjoi që po i bërtisnin, nuk ia vlen të dënohet.

2. Ai që bërtiti “kapeni” do dënohet, meqenëse duke bërtitur i prishi reputacionin publik hajdutit.

Ore, se mos kujtoni ju se e kam me z. Ruli, aspak, edhe kjo më duhet që pastaj të më hedhë edhe mua në gjyq për ulje të figurës. Larg qoftë, z. Ruli është ministër i nderuar dhe askurrë s’i ka dalë gjysmë llafi për këto punë.

Ka ca kohë që edhe ne të gazetave, por edhe publiku ca më gjerë, e ka zënë inatin me gjyqtarët. Njësoj i shamë gjykatësit kur nxorën të pafajshëm fajtorët e Gërdecit, njësoj i shamë kur mbyllën çështjen e 21 janarit, njësoj shamë Sashenkën për çështjen e zgjedhjeve, njësoj vazhdojmë të merremi me ta sa herë na bëjnë profkën e radhës. Por harrojmë një gjë shumë të rëndësishme. Në sisteme ku komandon një njeri i vetëm si ky palo sistemi ynë, vepron mekanizmi i përzgjedhjes negative. Pra, ai që është në krye dhe që i ka futur në thes të gjitha pushtetet, ka tendencën t’i furnizojë ato vetëm me përzgjedhje më të dobëta se vetja.

Faji që gjykatësit janë pa këllqe dhe pa fytyrë, nuk është i tyri, por i atij që i vuri të bëjnë një punë për të cilën fytyra e tyre nuk bënte. Është shumë e thjeshtë, e ka sqaruar Andreoti në një intervistë të gjatë të tijën: “Nuk ka njerëz të paaftë apo të korruptuar, ka vetëm njerëz në vendin e gabuar”. Dhe, në këtë moment, problemi nuk është më i tyri, por i atij që i vuri atje. Njerëz si këta mund të kishin bërë shumë mirë tregtarin, apo biznesmenin, apo xhambazin e pronave. Ne, të këtillët i vëmë të bëjnë gjykatësin dhe pastaj çuditemi pse bëjnë xhambazllëk me drejtësinë. Ata thjesht po bëjnë atë që dinë të bëjnë, me atë që ne iu kemi lënë në dorë.

Aq e kanë humbur respektin – jo për drejtësinë – por edhe për veten e tyre të këtillë gjyqtarë, sa tani kanë nisur të bëjnë edhe thjesht shërbëtorin e ustallarëve të tyre. E vura re këtë gjë në të dyja gjyqet e Saimirit, edhe në atë ku e akuzonte për dëmtim imazhi vajza e Kryeministrit, edhe në këtë ku e akuzonte për dëmtim imazhi Genc Ruli. Në të dy këto gjyqe, vetë akuzonjësit as që begenisën të vijnë në gjyq e të thonë akuzën e tyre faqe botës. Dhe gjyqtarët natyrisht që prapë ulën kurrizin dhe nuk kërkuan që akuzuesit të vinin në sallë për të folur. Saimiri nuk u dënua nga akuzë njerëzish me mish e kocka, por nga një copë letër ku ish shkruar akuza. Nuk paska skllav më të shpifur sesa skllavi vullnetar.

Sistemet shoqërore mund të mbahen në këmbë edhe kur vuajnë nga lloj-lloj sëmundjesh. Edhe kur u kalbet ndonjë pjesë, kushdo qoftë. Por sistemet bien e s’ka zot t’i mbajë kur u kalbet drejtësia. Mund të zihemi e të grihemi shoq me shoq sa të duam, mund të zihemi edhe me ata që kemi mbi kokë madje edhe me Presidentin mund të hapësh gjyq, se në fund të fundit sistemi demokratik është i tillë që mbi të gjithë në tokë është gjykatësi, ashtu sikundër mbi të gjithë në qiell është Perëndia. Por kur kalbet edhe kjo pjesë e sistemit, gjithçka ka marrë fund pa kthim.

Kur po binte Turqia, bash sepse i ish kalbur ky sistem, doli një llaf: Ti shkon te kadiu të qahesh se të kanë rrahur; po kur të rreh kadiu si i bëhet?

Gazeta "Shqip"

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama