Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Për të një perimetër joshqiptar

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 12 vite më parë

Aleksandër Çipa
Për të një perimetër joshqiptar

Midis fjalimit të djeshëm të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në 5-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit dhe fjalimeve të zakonshme të kryeministrave të shtetit 100-vjeçar të Shqipërisë, nuk ka asnjë ndryshim.

Është e njëjta krenari me semantikë vetëlëvdimi. Janë disa fjali si të huazuara nga fjalimet e parisë së dikurshme bolshevike. Është gjuha e vetëlëvdimit tipik shqiptar. (Kryeministri Thaçi, duke folur për forcat e sigurisë dhe policinë e vendit, u shpreh: “Është policia më e aftë e rajonit). Me një fjalë, shqiptarët si 100 vjet ta kenë shtetin, edhe 5 vjet, pothuajse kanë të njëjtën mendje vetëlëvduese, të njëjtin mentalitet vlerësues për fasadën dhe po të njëjtën gjuhë retorike për bashkimin kombëtar si dëshirë, por pa plan të mirëstudiuar si proces. Madje kur bëhet fjalë për këtë proces natyral të pashmangshëm, pa drojë mund t’i quajmë “mbretër” të spontanitetit dhe të gjullurdisë.

I pyetur se si e vlerëson demokracinë e Republikës 100-vjeçare të Shqipërisë, i madhi Kadare, në intervistën më të fundit, shprehet: “Le të themi: një republikë e ngatërruar dhe e korruptuar, që ëndërron Europën, por që, për fat të keq, komuniteti europian nuk ka pikën e dëshirës për ta pritur krahëhapur”. Ky përcaktim nuk mund të quhet i gabuar, nëse e adreson edhe për Kosovën, republikën 5-vjeçare që qeverisin shqiptarët, pavarësisht se ajo në dallim nga Shqipëria është quajtur zyrtarisht si “republikë multietnike”.

Në 5-vjetorin e saj, Kosova, falë udhëheqësisë së ngatërruar dhe lehtësisht të dallueshme për korruptim, ka dhënë dhe vijon të japë provën e vetëmpleksjes në një axhendë debatesh, polemikash dhe paaftësish, të cilat janë kryekëput të përngjashme me modelin e republikës që qeveriset sot nga kryeministri Berisha. Ky është perimetri homolog që vetëndërtojnë shqiptarët si modelin e vetëqeverisshmërisë. Natyrisht në këtë model, vetëm në një pikë e ripërsërisin, për shkak të servilizmit politik ndaj më të fuqishmëve dhe autoritetit ndërkombëtar, vetveten. Dhe kjo është një vlerë pozitive e qeverisjes së tyre. E kemi fjalën për sjelljen dhe trajtimin me pakicën kombëtare të vendit fqinj me të cilin njëkohësisht kanë edhe marrëdhëniet më komplekse dhe me më tepër ndikim të njëanshëm. Në Shqipëri, qeverisësit gjithherë mbeten në modelin e diskriminimit pozitiv për pakicën greke dhe së fundi, në këto tri vjetët e fundit edhe në Kosovë, duket se po kuptohet dhe implementohet me të drejtë ky model trajtimi. Modeli i tranzicionit pa krye që ia ka dalë të mbajë në një sistem atipik shqiptarët e izoluar në kohën e tyre të hapjes, është modeli që vijon t’i mbajë në fuqi absurditetet.

Në Republikën e Shqipërisë, sipas statistikave zyrtare, rreth 20 mijë studentë diplomohen dhe arsimohen në universitetet e ndryshme të Perëndimit, sidomos në SHBA dhe në vendet e BE-së. Administrata publike e qeverisjes në Tiranë, formalisht dhe falë disa fushatave me qëllime elektorale, ka rekrutuar dhjetëra e qindra prej tyre, por elita në vend ende është jashtë imponimit ndryshues dhe ndërrues. Edhe në Kosovë duket se po imitohet e njëjta platformë. Dialektika e ndërrimit të elitave në Prishtinë dhe Kosovë nuk pranohet dhe natyrisht as dëshmohet si realitet brenda politikës dhe sidomos në kryesimet politikëbërëse.

Historia e Luftës Çlironjëse trumbetohet në fjalime politike, por veteranët dhe familjet e çlirimtarëve demonstrojnë pakënaqësi të shtuara. Po ngjet njësoj si me shtetin 100-vjeçar të Shqipërisë, ku ndarja mes palëve për dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore dhe martirëve të demokracisë është sa e dukshme, aq edhe turpëronjëse. Palët promovojnë heronj e dëshmorë palësh, ndërsa injorojnë nderimin apo refuzimin natyral të popullit dhe shoqërisë. Në këtë mënyrë, historia parcelizohet në Shqipërinë 100-vjeçare, por edhe rishkruhet në kohën e qeverisë së zotit Berisha. Ndërsa në Kosovë, kryeministri Thaçi po përpëlitet në imitacionet e brendisë së paskrupullt të politikës së Tiranës. Kjo “alterego” e keqe ndër udhëheqësitë shqiptare në rajon është imazhi dhe përmbajtja e fenomenologjia e perimetrit vetëmbyllës shqiptar.

Ky perimetër lipsej të braktisej me kohë. Idealistët do të donin të kishte ngjarë qysh në vitet e para të themelimit të shtetit, në vitin 1912. Por ndonëse qenkej i pamundur ndryshimi i kësaj historie të hershme, së paku duhej tjetërsuar pas bëmave të shtetprishjes së 1997-s. Ky perimetër po merr formën e një force trashëgimie, për të cilën brezat vijues mund të kenë pasoja dhe pësime drastike. Elitat në Shqipërinë “londineze” dhe në Kosovën e pavarur sot nevojitet të ngrihen dhe të dalin në rolin e shkatërrimit të këtij modeli që imponon politika dhe modeli i “republikës së ngatërruar dhe të korruptuar”. Bashkimi kombëtar nuk është modeli që na heq vetëm pikat kufitare mes vetes, por është dhe duhet parë, si modeli ku sistemi ynë i lulëzimit të kënetshëm, përmbyset dhe zëvendësohet nga modeli i sistemit dhe shtetit që kanë fqinjët dhe vendet e familjes së madhe BE.

Nëse nuk e prishim këtë “perimetër”, atëherë jetëgjatësinë e dikurshme të diktaturës dhe okupacioneve po e pasojmë nga jetëgjatësia e tranzicionit vetëlëvdues dhe prapambetës në raport me të tjerët. Për të ikur nga kjo brendi, na duhet protagonizmi politik i shembjes së perimetrit shqiptar, për të hyrë realisht në epokën e të qenët europianë ballkanikë dhe jo ballkanas që mbetemi edhe ardhëmrisht të tillë. Zëvendësimi i elitës është dialektika që respektojnë rigorozisht si SHBA, ashtu edhe BE. Refuzimi autoritar i kësaj dialektike na lë edhe më tej, në dekadat e ardhme, në “republikën tonë të trazuar dhe të korruptuar”, siç shprehet rishtas Kadare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama