Kujtesa e mjerimit

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 8 vite më parë

Artan Lame
Kujtesa e mjerimit

Ka ca ditë që mediat po flasin për shkatërrimin e asaj ç’ka ka mbetur nga Burgu i Spaçit. Pasi është grabitur për vite me radhë çdo gjë që mund të shkulej që andej, tani po thyhen edhe godinat e kolonat prej betoni për të marrë edhe atë pak hekur që gjendet brenda tyre. Për skrap. Nuk po e shkatërrojnë kripto-komunistët për të fshehur gjurmët e krimit, jo nuk ka ndonjë komplot në këtë punë. Do ishte shumë romantike një teori komploti. As nuk po e shkatërrojnë të pasurit për t’u bërë edhe më të pasur. Jo, janë thjesht fshatarë të zonave përreth që, të zhytur në një mjerim që s’ka fund, përpiqen të mbijetojnë me grimcat e fundit të asaj historie të trishtë.

Në fakt, kohë më parë kam shkruar se shumica e fshatrave përreth Spaçit i kanë gardhet me tela me gjemba të marrë nga Spaçi. Pak a shumë, sikur telat e Mat’hauzenit apo Aushvicit të grabiteshin për të rrethuar shtëpitë e banorëve të zonave përreth. Kjo nuk ndodh për arsyen e thjeshtë se atje banorët përreth nuk jetojnë në mjerim, pasi sikur të qe kështu, ndoshta edhe ata do t’i shkulnin telat e Aushvicit. Ndërsa fshatarët tanë janë në mjerim. Ndaj s’ke ç’t’u kërkosh. Tani po thyejnë edhe betonin për të marrë hekurin. Natyrisht që do ta thyejnë, sepse ata vazhdojnë të jetojnë në mjerim.

Gazetat shkruan edhe faktin që një nga grabitësit e skrapit në Spaç, qenka vëllai i Ndrea Prendit. Vëllai i gjeneralit rron me skrap! Edhe këta të dy s’janë tjetër veç dy mjeranë, asgjë më shumë. Ashtu sikundër çdo pushtet i dhunshëm ka nevojë edhe për shefa të skllevërve, edhe këtyre të dyve pushteti u dha mundësinë të shkëputen nga masa e madhe e skllevërve për t’i shërbyer dhunës së pushtetit. Njërit i dha spaleta dhe e vuri të vrasë skllevër të tjerë; tjetrin e lejoi të nxirrte ndonjë lek me skrap. Rasti bëri që të dy për një çast të ngecen në rrjetën e ligjeve. Pushteti po bën të pamundurën t’i shpëtojë, por edhe po ngecën për fare, punë e madhe, janë mijëra skllevër të tjerë të gatshëm t’u zënë vendin, të shkelin mbi shokët e tyre.

Migjeni për një moment u përpoq ta griste fasadën rozë të pushtetit që sundon mbi skllevër. Për këtë mjafton të përmendim legjendën e misrit. Por ne sot po përpiqemi ta harrojmë Migjenin, duke i kundërvënë broçkullat romantike të Fishtës. Dhe është e natyrshme, pasi çdo pushteti pasunarësh të dhunshëm i bën punë më shumë sheqerosja e Fishtës sesa zeherosja migjeniane.

Ka kohë që thuhet që Burgu i Spaçit duhet ruajtur për të treguar edhe respekt për jetët e humbura atje, por edhe për ta kthyer në muze të çmendurisë së Regjimit. Fatos Lubonja, që ka kaluar vite të tëra brenda atyre ish-telave (them “ish” sepse nuk janë më, i kanë vjedhur) ka shkuar disa herë për këtë çështje, ka bërë reportazhe, ka denoncuar me fotografi e me dokumentarë. Duket sikur e ka kollaj Lubonja. Falë talentit të fjalës dhe integritetit te qëndrimit, është shkëputur nga mjerimi i ditës, bën intelektualin tani dhe mund t’i lejojë vetes luksin të kërkojë të tilla tabiate të qytetërimit. Ndërsa ata që banojnë atje vazhdojnë të jenë të zhytur në mjerimin e mbijetesës ditë pas dite dhe s’u bie ndër mënt për muzera. Muzeu i mjerimit ka kuptim në një vend ku mjerimi nuk është më pjesë e së përditshmes, përndryshe vetë ai vend është një muze i gjallë i mjerimit. Dhe në një të tillë vënd nuk mund të bësh muze brenda muzeut. Ky është problemi.

Në Sarandë, Burgu i kohës së Regjimit, ka qenë diku sipër Portit. Në vitin 1997, ata që ishin brenda, dolën dhe shkuan në punë të tyre. Burgu mbeti bosh vetëm disa ditë dhe më pas u zu nga ca mjeranë të tjerë, të cilët i kthyen qelitë në banesa. Kështu vazhdon të jetë edhe sot. Këta mjeranët e dytë nuk ishin të burgosur por njerëz të lirë pa strehë mbi kokë. Fukarenj por të lirë ama, si shqipet në malet tona kreshnike. E si mund ta bëjmë vend për të treguar tmerrin e Regjimit, një vend ku sot, dy dekada pas rënies së Regjimit banojnë jo më kriminelë, por familjarë e gra e fëmijë?! Sërisht, ky është problemi.

Një shoqëri e zhytur në mjerim, nuk mund të ruajë kujtesën, pasi i duhet të mendojë më parë për mbijetesën. Kujtesa ruhet vetëm në shoqëri që të paktën e kanë tejkaluar kufirin e mbijetesës. Shoqëria jonë nuk e ka arritur këtë prag, madje është larg tij, madje ka një qeveri që kupton se mbijetesa e vetë qeverisë është e varur nga mjerimi i njerëzve: sa më të mjerë të jenë ata, aq më shumë ajo i ka në dorë; sa më shumë të përparojë shoqëria, aq më shumë do kërkojë nga qeveria e vet dhe nuk do pranojë të qeveriset nga të tillë si këta të sotmit.

Lubonja bën pjesë tek ajo shtresa e hollë, shumë e hollë dhe e çmuar e njerëzve të intelektit që, në çdo shoqëri të organizuar, shërbejnë për të drejtuar e orientuar, jo mjeranët, por qeveritarët. Qeveritë pastaj, e ndryshojnë dhe orientojnë gjithë shoqërinë. Por kur qeveria është vetë e mbushur me barbarë të sapo dalë nga mjerimi dhe që duan me çdo kusht të konservojnë në mjerim gjithë shoqërinë, si i bëhet? Hiç asgjë. Lubonja do vazhdojë të shkruajë, sepse këtë di të bëjë, unë do vazhdoj të shkruaj, se edhe unë këtë di të bëj, qeveria do vazhdojë të bëjë të vetën, ndërsa mjeranët e Spaçit do vazhdojnë të thyejnë kolonat e burgut për skrap. Derisa ta mbarojnë dhe të shkojnë të thyejnë ndonjë gjë tjetër.

Falë Lubonjës të paktën Spaçi do mbetet në kujtesën e shkruar, se ka edhe më keq. Ja, më thoni ju, kush e di se ç’kanë bërë para 500 apo 1000 vjetësh tributë e Afrikës. Askush se di, se ata vetëm hanin dhe rrinin në pemë dhe s’kanë lënë gjë të shkruar, ndërsa në këto tributë tona, vërtet që hamë dhe rrimë, por të paktën kohë pas kohe del dikush e shkruan.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama