Trazimet e sotme mes Shqiptaresise dhe grekesise

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 7 vite më parë

Aleksandër Çipa
Trazimet e sotme mes Shqiptaresise dhe grekesise

Në të gjitha letrat dhe shkrimtarinë e nobelistëve grekë Seferis dhe Elitis nuk e gjen dot një herë të përmendur termin e aq helmatisur për ne shqiptarët “Vorio Epir”. Natyrisht kjo mungesë është injoruar prej gjeneratave të pas viteve ’70 në gjithë Greqinë dhe diasporën e vet, sidomos atë në SHBA. Koha që ka rrjedhur më pas e ka formësuar këtë emërtim, si një parullë provokative për çdo shqiptar, përfshi këtu më së shumti edhe shqiptarët e krishterë dhe sidomos shqiptarët që jetojnë në rajonin kufitar me Greqinë. E gjithë periudha e tranzicionit postkomunist në relacionet dhe komunikimin mediatik, u predominua prej provokacionit gjuhësor dhe riemërtues, duke e bërë këtë term të mallkuar edhe më së shumti për shqiptarët dhe të imponueshëm brenda grekësisë. Por kjo nuk është e vetmja “pikë helmatisëse” që i tensionon dhe i nervozon dy palët fqinje, duke krijuar gjatë 23 vjetëve të tranzicionit postkomunist shqiptar një histori zënkash dhe incidentesh, të cilat janë arkivuar tashmë si pjesa më problematike e marrëdhënieve bilaterale.

Kaq nuk ka qenë e mjaftueshme për ta cenuar rrjedhën e një bashkëpunimi cilësor mes dy vendeve në këto dy dekada e pak. Por palët qeverisëse të ndryshuara e të shkëmbyera në të dyja vendet gjatë këtyre 23 vjetëve, padyshim kanë ditur të kompozojnë mes tyre herë marrëveshje e herë përfitime, të cilat kuptohet që nuk kanë përkuar me interesin publik në të dyja vendet e aq më shumë me interesat kombëtare respektive. Pala shqiptare ka flijuar dukshëm dhe përmbajtësisht mjaft elemente dhe copëza të interesit kombëtar të saj.

Pas viteve 2005, në relacionet shqiptaro-greke ka pasur dy pista ndikimesh dhe shkëmbimesh, por njëkohësisht edhe përputhjesh dhe mospërputhjesh. Kabinetet qeveritare Berisha-Karamanlis kanë shënuar një histori interesi të disbalancuar. Domethënë që interesi shqiptar është zvogëluar si interes qeverisës, duke flijuar aspekte të njohura dhe të panjohura të interesit kombëtar. Ky flijim është eklipsuar prej interesit integrues dhe atij të ambicies për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE. Përkundër këtij kahu, pala greke, por sidomos shteti grek, ka mundur të shfrytëzojë në të gjithë kapacitetet rigjallërimin e grekësisë si substancë etnike dhe si substancë filogreke në Shqipëri dhe sidomos në zonën jugore të vendit. Paketat e përfitimit pensional për kategorinë e emërtuar zyrtarisht prej Athinës si “homogjenë” grekë, ku përfshihen jo vetëm minoritarët grekë që preferojnë pas viteve ’90 të cilësohen si “minoritarë etnikë”, por edhe pjesa e shqiptarëve ortodoksë, aksionet e shkollëhapjes greke në zonat e ortodoksisë shqiptare, si dhe në mënyrë të veçantë ndërmarrjet dokumentuese dhe pajisjes me kartat greke, janë investimi institucional i Greqisë zyrtare në këta 23 vjet, për të tonuar jo vetëm bashkësinë e grekësisë në jug të vendit, por edhe për të imponuar ndërkombëtarisht ridimensionimin e pakicës greke dhe filogreke në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këtë aksion kombëtar grek në Shqipëri, nuk pati kabinet shqiptar qeverisës ta pengonte apo aq më tepër ta ndalonte. Nuk i patën këto “këllqe” kabinetet e tranzicionit shqiptar. Madje në këtë pikë, ngjashëm u duk se ricikluam historinë ballkanike greko-shqiptare të viteve 1914-1938.

Por pas viteve ’90, grekët e Shqipërisë dhe pjesa e shtuar e filogrekëve shqiptarë kanë qenë pjesë e një ////lopje dhe e një protagonizmi të mbështetur prej Greqisë, herë përmes strukturave zyrtare politike dhe shumë më tepër herë, prej strukturave parapolitike greke. Historia e incidenteve dhe e insinuatave të këtij tranzicioni në këto relacione fqinjore, është ende e freskët. Pas vitit 2008, në jetën politike si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi kanë dalë në pah protagonistë dhe aktorë të rinj të politikës dhe çështjeve etnike. Nuk është vetëm qasja krahasuese mes “Agimit të Artë” matanë dhe Aleancës Kuqezi këtu, por janë një sërë rrethanash dhe zhvillimesh të reja, të cilat tentojnë diabolikisht të krijojnë një gjendje të re rrethanash tensionuese mes dy vendeve, të cilat në planin ndërkombëtar kanë arritur në kuotat më të larta të partneritetit dhe reciprokësisë së njohur në 100 vjetët e fundit. Forcat e ekstremizmit politik në Greqi dhe Shqipëri janë ende në kapacitetin minor të vokacionit të tyre. Heshtja si ndikim dhe pushtet mbi opinionet publike në të dyja vendet është ende shumicë. Kjo është shprehje e realitetit pozitiv që dominon dy hapësirat dhe natyrisht edhe shoqëritë fqinjëruese. Por matanë kësaj “shumice me pushtet”, që i përket kësaj heshtjeje të rëndësishme, po zhurmojnë disa arsye dhe zëra të rinj. Ato kanë të bëjnë jo me forca dhe organizata të reja, por me “kazuset” që politikat qeverisëse kanë krijuar në raportet dhe marrëdhëniet zyrtare mes dy vendeve.

Një çështje e gangrenizuar në relacionet shqiptaro-greke, është ajo që lidhet me drejtimin dhe administrimin e Kishës Autoqefale Shqiptare. Koha do e dëshmojë se investimi i kupolës drejtuese klerikale të ortodoksisë shqiptare, një monopol i padiskutueshëm i grekësisë në Shqipëri, ka në thelbin e vet aspekte të padrejtësisë ndaj ortodoksëve shqiptarë që heshtin apo që pranojnë deri edhe arbitraritetin e gjuhës së munguar shqipe në liturgjitë e zhvilluara në zona si Bregdeti i Himarës, në Zagori, në Lunxhëri, në Odrie, në Korçë, në Kolonjë etj., etj. Avokatia që Athina zyrtare bën shpesh për çështje të grekësisë në Shqipëri, padrejtësisht inkludon edhe përfaqësimin e paautorizuar të ortodoksëve shqiptarë, duke kontribuar kështu me dashje apo pa dashje në tendencën për një dasi të brendshme mes shqiptarëve që i përkasin kësaj grigje. Kulmi i këtij trazimi arriti me skandalin famëkeq të eshtrave në Kosinë. Skandal që në subjektin e vet përbën një kryevepër të diabolizmit trazues mes dy etnive. Do të kalojë kohë dhe kisha greke ka për të pësuar ndërgjegjevrarjen e madhe për këtë trazim të vetësajuar dhe që shkon deri në përzierje eshtrash për motive me përmbajtje të pastër të pretendimit të historisë etnike.

Ditët e fundit kësaj historie po i zbulohet një kapitull i ri, i cili mund të jetë jo vetëm më i rrezikshëm, por seriozisht edhe më trazues se bëma e parë e “skandalit të Kosinës” apo pse jo edhe më me pasoja se vetë marrëveshja e ndaluar e shënimit të sheldit detar mes dy vendeve. Zbulimi nga shtypi dhe mediat i marrëveshjes mes dy qeverive për aksionin e zbulimit dhe mbledhjes së eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore, është një marrëdhënie e re provokative mes dy vendeve. Kësaj here situata mund të paraqitet edhe më provokuese, pasi nuk përfshin vetëm fshatra ortodokse shqiptare apo të populluara nga ortodoksë arumunë, por edhe fshatra shqiptarë me muhamedanë. Reagimet e përcjella nga media me banorë të Hormovës në Tepelenë apo me qytetarë shqiptarë nga Korça, edhe pse sporadikë, janë një paralajmërim serioz. Në kushtet e një atmosfere të ngarkuar elektorale, në një mjedis publik të acaruar prej një krize shumëplanëshe ekonomike e sociale dhe sidomos në kuadër të një klime me deklarata replikuese mes protagonistëve elektoralë dhe nacionalistë nga të dyja anët e kufirit, mund të kemi një precipitim zhvillimesh të papëlqyeshëm për të dyja shoqëritë dhe popujt. Ky pretendim është shumë herë më trazues, madje kryekëput i pakrahasueshëm me sipërmarrjen institucionale të BDIU-së në Shqipëri, e cila këmbëngul në të drejtën natyrale të saj për një rezolutë në Parlamentin e Shqipërisë.

Ecuria e mëtejshme në subjektin dhe protagonizmin trazues mes grekësisë dhe shqiptarësisë në hapësirat administrative të Greqisë dhe Shqipërisë, është diabolizëm i fshehtë konfliktual, për të cilin përfitues janë vetëm palë të pjesshme dhe individë pa të ardhme prosperuese. Në këto kushte, shumica e heshtur në Greqi dhe shumica e heshtur në Shqipëri, të qenë në fatin e identitetit dhe përkatësisë së vet kombëtare, nevojitet të vënë në lëvizje institucionet e frymës së shenjtë të nivelit të kulturës dhe historisë së të dyja vendeve dhe jo të konvertojnë artificialisht në frymë të rreme sipërmarrjet që cenojnë të drejtën dhe përkatësinë etnike. E thënë sipas gjuhës së novelistëve grekë, historia e bekuar mes grekësisë dhe shqiptarësisë nuk ka pse e lë në heshtje atë përvojë magjike të shkollimit dhe dijesimit në “Zosimean” e Janinës. Aty ne patëm pionierë një pjesë të ajktë të Rilindjes dhe nuk kërkuam dhe s’po kërkojmë, themelet e nacionalizmit tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama