Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Regjistri i patrioteve

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Regjistri i patrioteve

Plot 100 vjet të shkuara, në shkurt 1913, Shkodra gjendej tashmë prej 4 muajsh e rrethuar nga ushtritë malazeze dhe serbe. Qyteti ishte bastioni i fundit i Turqisë kësaj ane të Ballkanit dhe mbrohej nga një garnizon i përbërë nga trupa turke dhe rezervistë shqiptarë. Në krye të këtij garnizoni qëndronte Esat pashë Toptani, që e kish marrë komandën pas vrasjes misterioze të komandantit paraardhës, Hasan Riza pashës. Ende sot 100 vjet më pas, debatohet dhe përgjithësisht kjo vrasje i ka mbetur në shpinë vetë Esat pashës, por ky është muhabet tjetër. Nejse.

Në të dalë të atij dimri të rëndë, Esat pasha i gjendur ngushtë, mbledh parinë e qytetit, të krishterë e myslimanë, si edhe krerët e komuniteteve fetare dhe u mban pak a shumë këtë fjalë: “Qyteti është i rrethuar prej 4 muajsh, municionet po mbarohen, kemi qindra të plagosur që kanë nevojë për kurim, ushqimet nuk mjaftojnë më as për garnizonin, ndërsa vetë popullsia po vuan e vdes urie, vetë qyteti po pëson dëme të mëdha nga bombardimet, ushtarët nuk mjaftojnë më për të mbajtur llogoret, fonde për të blerë furnizime jashtë rrethimit nuk kemi. Propozoj të fillojmë bisedimet për dorëzim”. Në këtë pikë u hodhën të gjithë të ftuarit me të tilla fjalë. “Jo besa nuk mund t’i shtrohemi shkjaut, do vemë vetë të zëmë llogoret, do mbledhim pará për të blerë armë e ushqime, jemi gati me dek për vatan, e të tjera të këtilla. I dëgjoi e i dëgjoi Esat pashai dhe, kur e pa që s’ish punë të merrej vesh me ta, u hapi udhë: “Mirë atëherë. E shihni këtë defter (regjistër)? Keni një javë kohë ta mbushni me emra që do shkruhen për ushtarë dhe me ndihma në pará”. Me kaq mbledhja u mbyll në mes këngëve patriotike atdhetare, ndërsa regjistri mbeti i hapur në zyrën e Beledijes (Bashkisë).

Pas një jave, në të njëjtën orë, mbledhja u rihap. Të njëjtët të ftuar dhe i njëjti Esat pashë në krye me regjistër në dorë, ku natyrisht nuk ishte shkruar asnjë emër dhe nuk ishte mbledhur asnjë lirë flori. Atëhere ua preu shkurt pashai toptanas: “Ju ishit ata që do binit shehit për vatan (dëshmorë për atdhe)? Ku i kini vullnetarët dhe paratë? Tani m’u hiqni sysh, se do e zgjidh vetë këtë punë!”. Dhe e zgjidhi. U mor vesh me knjazin e Malit të Zi dhe ua dorëzoi qytetin. Në fund Shkodra megjithatë i mbeti Shqipërisë, por jo për meritë të mëmëdhetarëve por të ndërkombëtarëve, që e kishin ndarë mëndjen që ai qytet do ishte Shqipëri. Ndërsa mëmëdhetarët mbetën prapë mëmëdhetarë dhe i shkruan vetes këngë trimnie që u këndohen edhe sot.

Plot 100 vjet më pas, në janar 2013, të njëjtët protagonistë përballen sërish, kësaj radhe për një Lapidar. Më nj’anë serbët që i vunë eskavatorin si hajna natën dhe m’anë tjatër shqiptarët mëmëdhetarë. Edhe kësaj radhe serbët kishin disa javë që e kishin rrethuar lapidarin dhe po i afroheshin ditë pas dite. Por kësaj radhe mungoi Esati që t’ua thoshte açik mëmëdhetarëve dilni ta mbroni në kini këllqe. Edhe kësaj radhe mëmëdhetarët u betuan e u stërbetuan se do jepnin jetën për Lapidarin, qeveria në Tiranë kërciti dhëmbët kundër albanofobëve, ndërsa parti e shoqata u bënë gati të shkruanin vullnetarë e të niseshin drejt e në front për të rënë shahit për vatanin.

Natyrisht që nuk ndodhi asgjë. Një natë në të gdhirë, serbët shkuan dhe e hoqën Lapidarin me eskavator. Asnjë nuk ra shahit për Lapidarin, ndërsa defteri i vullnetarëve u harrua. Prapë hallin e shqiptarëve do ta zgjidhin ata, të përjetshmit Ndërkombëtarë.

Qeveria mëmëdhetare në Kosovë ishte e zënë me Kongresin e Partisë ku, siç e do zakoni shqiptar, udhëheqësi u zgjodh me 99,99%. Shqiptarët mëmëdhetarë të Kosovës ishin të zënë me debatin për të marrë pasaporta shqiptare dhe kështu do gdhihen brenda natës evropianë, se do shkojnë pa viza në Evropë. Partitë mëmëdhetare të Maqedonisë kanë hall t’i nxjerrin sytë njëra-tjetrës dhe nuk patën nge të nxjerrin edhe sytë e Preshevës. Qeveria mëmëdhetare e Tiranës, i la më nj’anë rapsoditë me albanofobi dhe nuk e zë më në gojë këtë fjalë që, le që nuk ndreqi punë por edhe prishi, se u krijoi Europianëve idenë se këtu ka edhe burra prej vërteti, gjë që nuk është asfare e vërtetë. Shqiptarët mëmëdhetarë të partive dhe shoqatave që do niseshin për të mbrojtur Lapidarin, edhe ata e lanë mënjanë këtë punë, se kishte harxhe shumë dhe zgjedhjet janë pranë.

I vetmi zë normal në këtë kor të marrësh kombëtarë, ishte ai i Partisë së opozitës që, nga shumë prej mëmëdhetarëve të pilafit damkoset si anti-shqiptare. E pra, Partia e Opozitës tha: “Lërini budallallëqet me turbo-folk, por si europianë (që s’jemi, por që duam të bëhemi) shkoni e vendosni nga një lule tek gropa e Lapidarit të shkulur”. Kështu, edhe Serbët nuk kanë ç’tu bëjnë, se s’i la mendja të qëllojmë mbi njerëz që vënë lule; edhe para botës dukemi të qytetëruar, se u tregojmë që këtu lulet nuk shërbejnë vetëm “që t’i hanë gomarët”.

Sa për këngë, eee, është plot youtube-i me këngë e rapsodi për luftra e beteja që kurrë s’i bëmë, por këngë u kënduam.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama