Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sfidat 2013

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Hoxha
Sfidat 2013

1. Pas festimeve të 100-vjetorit në nëntor 2012, shteti shqiptar hyri në vitin e parë të shekullit të dytë të ekzistencës. Viti 2013 është i rëndësishëm jo thjesht nga simbolika e të qenët viti i parë i shekullit të dytë e as si besëtytni e nisjes me këmbën e mbarë a të mbrapshtë të këtij shekulli, besëtytni që u ka dhënë shkas krahasimeve me vitin 1913 e, meqë për krahasuesit e pasionuar ai vit i largët paskërka qenë i mbrapshtë, këta i mundon dyshimi nëse në 2013-n Shqipërisë do t’i përsëritet mbrapshtësia apo do të shpëtojë për mrekulli prej saj. Duke i lënë gjumëtrazuarit në ëndrrat e tyre të çartura, viti 2013 është gjithsesi një vit vendimtar dhe sfidues për disa çështje të mëdha të interesit publik e kombëtar.

I. INTEGRIMI EUROPIAN

2. Viti 2013 është vendimtar për progresin në integrimin europian. Hapi i domosdoshëm – ai i akordimit të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian (statusi) – nuk është hedhur. Vendnumëro që nga nëntori 2010. Kur kishin mbetur veç tre metrat e fundit pas shume kilometrave të përshkuar me mundim, ngecja u rishfaq aspak çuditshëm në vjeshtën 2012. Bllokimi i statusit, me mosvotimin e tri akteve të mirënjohura, ishte prova e nevojës së rikthimit të opozitarizimit agresiv në funksion të zgjedhjeve 2013.

3. Opozita vendosi të ribllokojë. Ajo po përballet me kostot. Shoqëria po reagon. Mbi 100 intelektualë të paangazhuar në politikë i shkruan Edi Ramës. Presioni mbi opozitën po rritet. Pa e përjashtuar kategorikisht kthesën opozitare para marsit 2013, gjithsesi vështirë, shumë vështirë që kjo të ndodhë. Mundësia për Statusin do të rishfaqet pas zgjedhjeve. Nëse fiton opozita, situata për statusin do të zhbllokohet pasi opozita e re demokrate s’ka kuptim që të bllokojë. Nëse opozita humbet, situata për Statusin gjithashtu do të zhbllokohet, veç nëse opozita socialiste do të përsërisë atë që bëri pas 2009-s. Statusi është sfida nr. 1 për vitin 2013. Me shumë gjasa do të kemi sukses, por suksesi nuk është i garantuar.

II. BASHKIMI KOMBËTAR

4. Viti 2013 është vendimtar për çështjen kombëtare. Hedhja me vendosmëri e në unitet e hapave të sigurt e të mirëmenduar është metoda e duhur. Çdo ide e aksion që hollon kufijtë, ngushton hendeqet dhe ul barrierat e bashkëjetesës, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të shqiptarëve në Ballkan, duhet përgëzuar dhe/ose mbështetur. Të paktën moskundërshtia e SHBA dhe BE është kusht i nevojshëm. Ndërkaq, ka fare pak gjasa që të rikthehemi në plogështinë e disa viteve më parë, por ka më shumë gjasa që nën “frymëzimin” elektoral, nevojës për t’i bërë vend vetes nga ndonjë parti e re apo nevojës për të mos lëshuar vend nga ndonjë parti e vjetër, të ndërmerren nisma a të hidhen teza të nacionalizmit sa qesharak, aq edhe të dëmshëm. Vazhdimi i trajtimit me metodën e duhur të çështjes kombëtare është sfida nr. 2 për vitin 2013. Me shumë gjasa do të kemi sukses, por suksesi nuk është i garantuar.

III. EKONOMIA

5. Viti 2013 është vendimtar për ekonominë shqiptare që u kërrus, por nuk u ndal nga pesha e krizës me dy faza: fillimisht asaj me vatër në SHBA e më pas asaj me vatër në Europë, veçanërisht kur kjo përfshiu Italinë dhe Greqinë, dy vende këto me ndikim të fuqishëm mbi ekonominë shqiptare. Pritet që ekonomia europiane të marrë kthesë për mirë nga gjysma e dytë e vitit 2013. Sfida jonë Nr.3 në vitin 2013 është të rezistojmë deri në momentin e kthesës dhe të ruajmë cilësitë pozitive të modelit që kemi ngritur, në mënyrë që të rimarrim frytet pasi kthesa të ndodhë. Budallallëku ynë do të ishte ndërrimi i modelit që u sprovua i suksesshëm edhe para krizës edhe përgjatë saj.

6. Ka ca gjasa që, nën ethet e fushatës elektorale, qeveria të ndërmarrë hapa të papeshuar dhe/ose të ngadalësojë përfundimin e disa reformave dhe/ose administrata shtetërore të plogështohet dhe/ose zyrtarë të korruptuar të bëhen më agresivë, duke dëmtuar kështu parametrat bazë makroekonomikë, performancën e ekonomisë, ose cilësitë e mjedisit për biznes. Ndaj, qeveria duhet mbajtur nën presion me qëllim që të shmangen këto rreziqe. Por rreziku më i madh vjen nga koncepti “Rilindës” i opozitës që, nëse fiton zgjedhjet, do të ndërmarrë një transformim të dëmshëm të modelit të sprovuar tashmë. Opozita duhet ta rishikojë konceptin e saj duke i zbutur sa më shumë tezat programore ekstremiste. Ndaj, opozita duhet presuar fuqishëm që ta modifikojë programin e saj para zgjedhjeve, se pas tyre mund të jetë vonë.

IV. TAP – PROJEKTI I SHEKULLIT

7. Viti 2013 është vendimtar për projektin gjigant të gazsjellësit Transadriatik Pipeline (TAP). Këtë vit do të merret vendimi në favor të TAP apo të NABUCCO, ky i dyti projekt konkurrues nga i cili Shqipëria nuk përfiton. Për nga rëndësia e tij për ekonominë shqiptare dhe për peshën gjeopolitike që mund t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve të Ballkanit, TAP mund të quhet, me plot gojë, projekti i shekullit. Ne duhet të lobojmë me të gjithë potencialin tonë, politik, shtetëror, mediatik, ekonomik, akademik, në favor të TAP, ndonëse vendimi për të nuk varet nga ne. Opozita, ende e heshtur, duhet të shprehet, shpejt e qartë në favor të TAP. Por sfida jonë e vërtetë është të forcojmë besimin se Shqipëria dhe shqiptarët në Ballkan janë shtet dhe komb i denjë për t’u konsideruar partnerë të besueshëm në këtë projekt të rëndësisë jetike për ekonominë dhe sigurinë europiane dhe globale. Kjo është sfida jone Nr. 4 në vitin 2013.

V. ZGJEDHJET

8. Përballimi me sukses i këtyre sfidave nuk varet vetëm nga ne shqiptarët në Shqipëri e në Ballkan. Ne duhet të bëjmë ç’na takon. Të tjerat varen nga faktorët ndërkombëtarë. Këtij rregulli nuk i nënshtrohen zgjedhjet 2013. Se si do të jetë fushata zgjedhore, administrimi zgjedhor apo qëndrimi ndaj rezultatit, varet vetëm dhe ekskluzivisht nga vetë shqiptarët dhe askush tjetër. Nga ky këndvështrim, kjo është sfida më e lehtë. E kemi vetë në dorë. Nuk është as sfidë në fakt. Veçse me vetveten.
9. Do të ishte e udhës që këta muaj, para e gjatë zgjedhjeve, diskutimi politik të përqendrohej tek idetë dhe platformat programore e në mënyrë të këtillë që të ndihmonin, ndër të tjera, edhe mirëtrajtimin e katër sfidave të sipërcituara. Ka fare pak gjasa që kjo të ndodhë ndërsa, me shumë gjasa, do të përjetojmë një fushatë agresive, negative dhe akuzatore. Kjo sfidë me vetveten duket e humbur që në fillesë. Mëkat! Por s’jemi të vetmit as në Botë dhe as në Europë. Amen!

10. Trajtimi i zgjedhjeve nga këndvështrimi i garantimit të administrimit të ndershëm të tyre, si sfida Nr.1 për vitin 2013, është një vlerësim i njëanshëm dhe vetëm opozitar. Kjo është e logjikshme. Opozita pretendoi “manipulime me afro 75 mijë vota në zgjedhjet 2009 dhe me rreth 10 mijë vota në Bashkinë Tiranë në zgjedhjet vendore 2011”. Edi Ramën dhe socialistët, për aq sa apo për atë pjesë që e beson pa vërtetim këtë tezë, i torturon ideja se mos “regjimi i Saliut do t’ia vjedhë për herën e tretë”. Gjithsesi, shpresa vdes e fundit. Edi Rama dhe socialistët thonë se s’do të ndodhë herën e tretë. Pra, s’do ketë vjedhje. Suksesi qenkërka i garantuar nga socialistët e supermobilizuar. Sa mirë!

11. Nga palë të interesuara, por të palidhura me kampet politike, shfaqen shqetësime se mos sistemi bipartizan i administrimit zgjedhor, për shkak të taktikave ekstremiste dhe përplasjeve mes palëve, bllokohet në atë masë, sa mund të dëmtojë vetë kryerjen e zgjedhjeve. Shqetësim i ekzagjeruar. Procesi i administrimit zgjedhor nuk u ndal dhe as nuk u dëmtua thelbësisht as në zgjedhjet e majit 2011, ndonëse në ato zgjedhje erdhëm përmes disa muajve tepër-tepër të rënduar nga ekstremizmi politik dhe përplasja “sy për sy e dhëmb për dhëmb” mes palëve politike. Ndaj, s’ka se si që bllokimi të jetë i mundur në zgjedhjet 2013 e pra, nuk është sfidë e qenësishme, ndonëse tentativa për bllokime do të ketë.

12. Nëse demokratët do të humbasin zgjedhjet, as që bëhet fjalë që qeveria të mos njohë humbjen e të pengojë transferimin e pushtetit te fituesi. Kjo s’ka ndodhur më parë dhe s’ka për të ndodhur. Çështja e vetme është se çdo të ndodhë nëse humbasin socialistët. A do ta pranonte humbjen Edi Rama? Ndonëse jo e pamundur, gjithsesi vështirë që pas operacionit të thellë që Edi Rama ka kryer mbi PS, në këtë parti të mund të shfaqet një masë kritike e mjaftueshme për largimin e tij. Largimi apo vazhdimi do të jetë veç një vendim personal i Edi Ramës. Por kjo është çështje personale e tij dhe e brendshme e Partisë Socialiste. Për interesin publik ka rëndësi parësore, me apo pa Edi Ramën kryetar, pranimi i humbjes dhe i rolit të një opozite normale në katër vitet e ardhshme. Kjo është e vetmja sfidë serioze pas zgjedhjeve 2013. Sfidë kjo veçse e Edi Ramës dhe socialistëve rreth tij. Të shohim!

Panorama

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama