Kultura e shëmtuar e lincimit

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 9 vite më parë

Besnik Mustafaj
Kultura e shëmtuar e lincimit

Prej afro një jave, në qendër të edicioneve informative të televizioneve si dhe në faqet e para të gazetave është e vazhdon të jetë “historia” e Kosta Barjabës, i cili, i shoqëruar nga e shoqja dhe e bija në moshë madhore, paska tentuar të largohet me një mall (një çantë) nga një qendër tregtare në Palo Alto, diku në SHBA, pa paguar 238 (dyqind e tridhjetë e tetë) dollarë. Burimi i lajmit, na thuhet nga mediat tona, është zëdhënësi i Policisë së qytetit Palo Alto.

I pyetur në telefon nga disa gazetarë të Tiranës veç e veç, vetë Kosta Barjaba iu përgjigj secilit se ishte një keqkuptim që do të sqarohej shumë shpejt nga Drejtësia amerikane. Megjithatë, përgjigjet e tij ranë krejt në vesh të shurdhët. Aq e madhe ngjan tronditja që ka shkaktuar në vendin e shqipeve “bëma e bandës Barjaba”, sa, për një sy të parrahur me realitetin shqiptar, shoqëria jonë do t’i ngjante një shoqërie mirëfilli puritane. Dhe me të drejtë. Cila shoqëri tjetër në botën e sotme do të tronditej kështu nga kulmi në themel pse një anëtar i saj paska dashur të përvetësojë 283 dollarë? Asnjë.

Zëdhënësja zyrtare e Partisë Demokratike del ditë për ditë në konferencë shtypi për të theksuar gravitetin e kësaj ngjarjeje dhe sheh aty sindromin nga e cila vuan e gjithë opozita shqiptare, me në krye Edi Ramën, të cilit i bëhet thirrje publike të tregojë lidhjet (jo politike tashmë) që ka me “xhepistin” Kosta Barjaba dhe të tregojë, po ashtu, si e ndajnë bashkë trofeun e vjedhur. Partia Socialiste, nga ana e saj, përgjigjet me një frymë, duke u ankuar pse Partia Demokratike përpiqet ta përbaltë dhe shpejt e shpejt, nëpërmjet kryetarit të saj për Tiranën, sqaron se personalisht Kosta Barjaba nuk është e nuk ka qenë kurrë anëtar i kësaj partie.

Ndërsa e shoqja, Fatbardha Barjaba, ka qenë, por nuk do të jetë më. Retorikës së fryrë akuzuese të Partisë Demokratike, Partia Socialiste i përgjigjet në këtë rast tërthorazi, por me një retorikë po aq të fryrë, duke u kujtuar mbarë shqiptarëve se moralin e kësaj partie nuk e lidh asgjë me njerëz të njollosur. Po në këtë valë mblidhet edhe Kryesia e Akademisë së Shkencave, e cila merr vendim ta pezullojë profesor Kosta Barjabën nga anëtarësia e vet.

Përtej faktit të paprovuar ende nga Drejtësia nëse ka ndodhur apo jo ajo që thuhet, ne pamë e po vazhdojmë të shohim në këtë rast një fushatë të vërtetë linçimi, në të cilën janë përfshirë me zell të madh dhe me verbëri e anakronizëm po aq të madh strukturat më të larta politike e civile, në të cilat presupozohet se është e përqendruar ajka e shoqërisë tonë.

Gjykuar mbi përdorimin publik që po i bën Partia Demokratike këtij episodi, jepet përshtypja se kjo parti beson se gjeti kalin e betejës me të cilin do ta dërrmojë kundërshtarin e vet deri në zgjedhjet e ardhshme, për t’i fituar me siguri këto zgjedhje. Unë jam njëri nga themeluesit e kësaj partie, katër herë deputet i saj në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e para të lira më 1991-shin e deri në vitin 2009. Sot jam anëtar i Këshillit të saj Kombëtar. Dhe jam krenar për kontributin në këtë Histori. Por, pikërisht në emër të kësaj Historie, nuk mund të pajtohem me sjelljen publike dhe politike të Partisë Demokratike në këtë rast. Një forcë politike që beson te shteti i së drejtës, nuk mund ta fusë në komunikimin e saj publik një fakt të pakonfirmuar nga Drejtësia. Udhëheqësia e Partisë Demokratike e bëri dhe vazhdon ta bëjë me familjen Barjaba jo se nuk e dinte kaq gjë, por sepse e ka humbur respektin për një parim të tillë të lartë.

Një udhëheqje me 22 vjet përvojë në politikë, që ka drejtuar opozitën në periudha shumë të vështira për vendin dhe ka drejtuar vendin në periudha sfidash shumë të mëdha, duhet ta kuptojë se një episod si ky i treguar për Kosta Barjabën nga zëdhënësi i një poste policie në një qytet të vogël amerikan, nuk i balancon kurrsesi akuzat shumë të rënda për pasurim të paligjshëm që i ka drejtuar asaj opozita. Në vetvete, zaten, është fort dëshpëruese strategjia e zgjedhur nga Partia Demokratike për t’u barazuar në të keqen me kundërshtarin apo qoftë edhe për të qenë e keqja më e vogël. Ajo nuk ngjall dot kështu te shoqëria shqiptare shpresën. Mua, pra, më mërzit thellë mjerimi i argumenteve që kjo parti po përdor në luftën e saj politike në fillim të fushatës elektorale për t’u kërkuar shqiptarëve një mandat të tretë.

Por rasti “Barjaba” nxjerr në pah edhe një aspekt tjetër të shpërfytyrimit të kësaj partie. Ndërmarrja dhe udhëheqja e kësaj fushate linçimi ndaj familjes Barjaba, në dhunim të plotë të parimit të prezumimit të pafajësisë, por në shërbim të një përfitimi politik, qoftë edhe të përkohshëm, nxjerr në pah jo vetëm hipokrizinë, por edhe një cinizëm e shpirt cingun të pashoq të udhëheqjes së kësaj partie. Pavarësisht si do të jetë vendimi i Drejtësisë në Palo Alto, familja Barjaba, përfshirë këtu edhe djalin e tyre, që nuk përmendet të këtë qenë në qendrën tregtare me prindërit, kanë marrë paraprakisht në shpirt një goditje, të cilën uroj të gjejnë forcë te vetja për ta kapërcyer. Për më tepër, prezumimi i pafajësisë është një parim i futur në kodin penal nga Napoleoni, njëri nga themeluesit e së djathtës politike në Europën moderne.

Nëpërmjet këtij parimi të shenjtëruar tashmë nga demokracia dhe shteti i të drejtës në përgjithësi, e djathta ka synuar ta humanizojë praktikën e ndëshkimit të keqbërësve. Pikërisht këtë parim, pra humanizimin tradicional të së djathtës, dhunon e përbuz pa pikën e keqardhjes Partia Demokratike. Sa keq!

Unë i kam mbyllur hesapet me përfshirjen në politikë. Por, kur e do rasti, e them pa droje se mbetem një votues me bindje i së djathtës. Si i tillë, unë sinqerisht nuk e uroj fitoren e Partisë Socialiste më 23 qershor. Por kjo dëshirë personale si votues nuk më shtyn aspak të gëzohem kur shoh të shfaqen në sjelljen publike apo politike të kësaj partie papjekuri apo edhe komplekse të tjera të dëmshme.

Ky merak nga ana ime për shëndetin e kësaj partie buron nga vetëdija ime qytetare se ajo duhet të jetë e fortë e parimore sot në opozitë që të jetë e tillë pastaj edhe në pushtet, nëse populli i beson të drejtojë vendin. Në qëndrimin që ajo mbajti në rastin “Barjaba” Partia Socialiste (udhëheqja e saj) u shfaq e brejtur nga komplekset dhe me një papjekuri të madhe. Rendën udhëheqësit e kësaj partie të thonë se Kosta Barjaba nuk është anëtar i organizatës së tyre.

Është apo nuk është anëtar de facto i kësaj organizate, doktor profesor Kosta Barjaba njihet nga opinioni ynë publik si një nga socialistët më të ditur dhe aktivë për një serë problematikash që prekin thelbin e programit të kësaj partie. Udhëheqja socialiste iu bashkëngjit me një nxitim prej frikacakeje fushatës linçuese ndaj Barjabës, nisur nga Partia Demokratike duke hedhur nga ana e vet e sipas stilit socialist gurët e baltën, që kishin në dorë. Partia Socialiste po ashtu nuk tregoi se ka ndonjë lidhje të qëndrueshme me prezumimin e pafajësisë si parim thelbësor i shtetit të së drejtës. Ndryshe nuk do të binte me aq lehtësi në provokimin e kundërshtarëve të vet politik. Por ka edhe më. Partitë, edhe në fjalorin e shkencës politike quhen familje (politike).

Koncepti i familjes parakupton edhe besimin, vlerësimin e kontributit dhe solidaritetin midis anëtarëve të familjes, gjithë kjo frymë e ngritur, sigurisht, në përputhje me moralin e shoqërisë. Udhëheqja socialiste, me sjelljen ndaj zotit dhe zonjës Barjaba, dëshmuan para syve të të gjithë shqiptarëve se gjithçka mund të jenë, por familje (politike) jo. Shumë keq më së pari për vetë socialistët, por keq edhe për shoqërinë shqiptare. Çfarë mund ta tërheqë një të ri me frymëzim të mirë për t’iu përkushtuar politikës të bëhet pjesë e kësaj jofamiljeje politike pasi ka parë këtë maskaradë? Asgjë, më thotë mendja mua.
Edhe më e papërfytyrueshme për mua mbetet sjellja e akademikëve tanë, të cilët, me të njëjtën shpejtësi si dhe politikanët, e larguan plot përçmim kolegun e tyre nga vetja. Anëtar i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, ashtu si në çdo vend të botës, me sa di unë, zgjidhesh për rezultatet e punës kërkimore e shkencore dhe jo pse je burrë i mirë. Në ditët në vijim do përpiqem të gjej statutin dhe rregulloren e brendshme të Akademisë së Shkencave për të parë mbi ç’bazë statutore është mbështetur Kryesia e kësaj Akademie për ta pezulluar anëtarësinë e doktor profesor Kosta Barjabës. Në akademitë më të vjetra e më prestigjioze të Europës nuk është e parashikuar procedura e përjashtimit të anëtarëve të vet, çka presupozon se edhe në burg (larg qoftë!) akademiku është përsëri akademik. Dhe kjo ka logjikën e vet: arsyeja pse akademiku mund të ketë përfunduar në burg nuk cenon vlerën shkencore të punimeve për të cilat ai është pranuar në Akademi.

Dua të jem deri në fund i qartë për lexuesit e mi. Unë nuk kam dalë publikisht të mbroj Kosta Barjabën. Të tillë siç e njoh prej më shumë se 30 vjetësh, jam i bindur se ai do të dijë të mbrohet nëse është i pafajshëm. Po qe fajtor, le të vuajë ndëshkimin që meriton sipas drejtësisë dhe sipas standardeve morale të shoqërisë! Kjo ngjarje e hidhur mua vetëm më tërhoqi edhe një herë vëmendjen mbi një mori sëmundjesh, nga të cilat lëngon shoqëria shqiptare. Po bëj aq sa kam në dorë: të mos pajtohem me të. Dhe një fjalë përmbyllëse do e kisha me zemër në dorë për djalin e Kostës, Ilirin, të cilin e kam takuar vetëm një herë rastësisht në rrugë, por që i kam lexuar disa shkrime me vlerë. Ai nuk duhet të thyhet e të dekurajohet për shkak të hipokrizisë, të cinizmit e të mungesës së parimësisë me të cilën u sollën përfaqësuesit e lartë të shoqërisë sonë ndaj prindërve të tij. Kjo fjalë vlen edhe për motrën e tij më të vogël. Iliri dhe moshatarët e tij, shpresoj unë, do t’i bëjnë analizën e tyre kësaj ngjarjeje dhe të kuptojnë më mirë si të luftojnë për ta ndryshuar Shqipërinë. Prej tyre, pres unë, ndryshimin e vërtetë, i cili nuk ka të bëjë aspak me arnimet që kemi bërë ne, prindërit e tyre gjatë këtyre njëzet vjetëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama