Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Censusi dhe absurdi i suksesit te pretenduar

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Hoxha
Censusi dhe absurdi i suksesit te pretenduar

I. CENSUSI. NJE AKSION GJIGANT DHE I DOBISHËM

1. Në tetor 2011, në Shqipëri u realizua Censusi i Popullsisë dhe Banesave një ushtrim ky që u krye në të njëjtin vit edhe në vendet anëtare apo kandidate të Bashkimit Europian (BE). Censusi i mëparshëm në shkallë europiane, ku mori pjesë edhe Shqipëria, u krye në vitin 2001. Kryerja e censusit, me një rol qendror të Institutit të Statistikave (INSTAT), u mundësua nga mbështetja e duhur financiare e qeverisë dhe BE, ndërsa Eurostat mbështeti teknikisht, verifikoi dhe certifikoi metodologjinë dhe rezultatet. Për kryerjen e censusit u mobilizua një armatë prej mbi 14 mijë intervistuesish, mbikëqyrësish, kontrollorësh, specialistësh. Censusi 2011 jep një tablo mjaft interesante dhe duke e krahasuar edhe me censusin 2001 si dhe ato të kryera para vitit 1990, mundësojnë njohjen e gjendjes dhe ndryshimeve në intervale të gjata kohe e njëkohësisht konfirmojnë thënien e madhe të James Baker në qershor 1991 në Tiranë: “Freedom Works/Liria prodhon”.

II. REZULTATET E DEKLARIMIT TË ETNISË

2. Këtë radhë, pas shumë e shumë kohësh, u vendos që në pyetësor të përfshiheshin edhe dy pyetje fakultative lidhur me përkatësinë etno-kulturore dhe besimin fetar, vendim ky që nxiti reagime të forta nga segmente politike me bazë nacionalizimin apo fenë dhe hamendësime për mundësinë e shtrembërimeve të shumta e të qëllimshme. Rezultatet e censusit 2011 dolën në dhjetor 2012 dhe, me një mbulim prej të paktën 97%, japin një popullsi rezidente prej 2 800 138 banorë, nga të cilët: 2 312 356 apo 82.58% deklaruan përkatësinë shqiptare; 24 243 apo 0.87% atë greke; rreth 1.02% apo më pak se 29 mijë përkatësi të tjera etno-kulturore; rreth 44 mijë apo 1,58% dhanë përgjigje të pavlefshme e ndërkaq, një grup relativisht i madh prej 390 938 personash apo 13,96%, preferuan të mos i përgjigjen kësaj pyetjeje. (shih www.instat.gov.al) Dalja e rezultateve ringjalli debatin e nisur para kryerjes së censusit.

III. ABSURDI I SUKSESIT TË PRETENDUAR I PBDNJ/OMONIA


3. PBDNJ/OMONIA fillimisht e mbështetën nismën për pyetjet mbi përkatësinë etno-kulturore e fetare, por, pas përshkallëzimit në rritje të aksionit të AK si dhe pas amendimeve ligjore të propozuara nga PDIU që ndëshkonin deklarimin e rremë, këto organizata, që përfaqësojnë kryesisht minoritetin grek, u bënë thirrje mbështetësve të bojkotonin deklarimin. Lidhur me rezultatet e censusit 2011, kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, u shpreh se “…frymëzuesit dhe realizuesit e censusit, …., janë manipulatorë, por edhe provokatorë të realiteteve etnike dhe fetare…” dhe se “vetëm 5-7% të pjesëtarëve të minoritetit etnik grek nuk iu bindën, për arsye të ndryshme, kryesisht presionit shtetëror, thirrjes së OMONIA-s dhe u regjistruan”. (shih: http://www.pbdnj.com/?p=108)

4. Nga kjo deklaratë rezulton se, sipas Vangjel Dules, në tetor 2011, minoriteti grek në Shqipëri, pa llogaritur ata që kanë emigruar, duhet të ketë qenë 14-20 herë më shumë se ata që u deklaruan grekë, pra 12-18% e totalit apo 350 mijë deri në 480 mijë grekë. Këta s’mund të bëjnë pjesë në atë 3% të mosmbulimit që, sipas Eurostat-it, i cili certifikoi shkallën e mbulimit/mosmbulimit, bëhej fjalë për një mosmbulim të vogël e të shpërndarë në gjithë territorin pa dallime etnie apo feje. Por edhe nëse do të ishin këta, gjithsesi s’do t’i mjaftonin pretendimit të Vangjel Dules. Mbetet që ata që nuk kanë deklaruar përkatësinë etnike nën thirrjen e PBDNJ/OMONIA, të jenë ata 14% që morën pjesë në census, por refuzuan t’i përgjigjen pyetjes së etnisë. Por edhe kjo shifër nuk i vjen në ndihmë Vangjel Dules, pasi nga 435 082 që nuk iu përgjigjën pyetjes mbi etninë, shumica absolute janë të besimeve jo-ortodoks, kryesisht myslimane, si edhe pa përkatësi fetare apo ateistë; vetëm rreth 15 mijë janë të besimit ortodoks dhe më pak se gjysma, rreth 206 mijë, nuk e deklaruan as besimin fetar.

5. Vetëm për shkak të deklarimit të fesë, shifrat e Vangjel Dules bazuar tek ata 14% që nuk e deklaruan etninë, zbresin në më pak se 7% nëse këtu përfshijmë ata që u deklaruan ortodoksë pa deklarim të etnisë apo që nuk e deklaruan as etninë, as fenë. Por edhe kjo nuk i vjen në ndihmë, pasi lidhur me pyetjen për gjuhën amtare – gjuha e parë apo kryesore e folur në shtëpi gjatë fëmijërisë – nga 2 800 138 gjithsej të regjistruar, rezulton se 2 765 610 apo 98,77% deklaruan gjuhën shqipe dhe vetëm 15 196 apo 0.54% deklaruan atë greke. Edhe brenda 14% apo 435 053 që nuk deklaruan përkatësinë etnike, 431 870 apo mbi 99% deklaruan gjuhën shqipe si amtare dhe vetëm 655 deklaruan atë greke. Shifrat janë kokëforta dhe i shndërrojnë në absurditete këto pretendime. Gjithsesi, Vangjel Dule nuk dorëzohet dhe gjen prehje te 14% i famshëm i atyre që refuzuan të deklarojnë përkatësinë etnike, duke i deklaruar të gjithë grekë e duke mbështetur në këtë shifër edhe suksesin e manovrës së PBDNJ/OMONIA-s për bojkotin e censusit.

IV. ABSURDI I SUKSESIT TË PRETENDUAR TË KUQEZINJVE

6. Por po aty, tek i famshmi 14% ku Vangjel Dule kërkon suksesin, po aty e gjen suksesin e tij edhe Kreshnik Spahiu i AK-së, sipas të cilit, “ministri i vjetër i Inovacionit arriti t’i quante sharlatanë 14% të të anketuarve, të cilët kanë refuzuar t’i përgjigjen pyetjes për etninë dhe fenë në formularin e ‘censusit’, por që kanë deklaruar se gjuha e tyre amë është shqipja. 14% e numrit të total të popullsisë, z. Pollo, janë 400 mijë shqiptarë, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Aleancës Kuqezi për të refuzuar pyetjen mbi etninë dhe fenë të vendosur prej teje me direktivë të Athinës”. (Shih: http://www.aleancakuqezi.al/2012/lajme/akcensusi-deshtoi-pollo-e-manipuloi.)

7. Në fakt, Genc Pollo nuk i quajti sharlatanë këta shqiptarë. Këtë po e bën, pa e kuptuar se ç’thotë, vetë Kreshnik Spahiu, duke pretenduar se këta i janë përgjigjur thirrjes së AK. Pyetja për gjuhën amtare nuk është kontribut i AK, ndaj bëhet e pakuptimte që pyetësori paskësh marrë direktiva nga Athina dhe kjo paskësh lejuar pyetjen mbi gjuhën amtare, e cila, në fakt, do të shkatërronte, siç edhe rezulton pas censusit, pretendimet megalogreke. Nëse do të flasim për merita, pyetja për gjuhën amtare është meritë e autorëve të censusit – edhe e Genc Pollos së qeverisë – dhe jo meritë e Kreshnikut Spahiut.

8. Pretendimi për sukses i AK bëhet edhe më absurd kur kujton se pikërisht tek ky 14% i refuzuesve “aleancistë” peshkon edhe “Athina armike dhe agjentët e saj në Shqipëri”. Mendoni për një moment se sa të forta e të pakundërshtueshme do të ishin rezultatet e censusit nëse edhe këta të ashtuquajturit “pasues” të AK do të kishin deklaruar etninë e tyre shqiptare. Falë Zotit, këta nuk paskëshin qenë kaq të marrë që të vepronin siç ua demonstroi në televizion Kreshnik Spahiu duke iu bërë thirrje që të grisnin fletën e pyetësorit ku ishin pyetjet për fenë dhe etninë, pasi po këtu ndodhej edhe ajo për gjuhën, përndryshe, pa përgjigjen për gjuhën amtare, “armiku” do të peshkonte rehat-rehat në pellgun prej 14% të patriotëve aleancistë. Ndaj, strategjia dhe taktika bojkotuese e AK mbi censusin, e nisur për të dekurajuar e shkatërruar “planet greke” – njëkohësisht beteja e ngjizjes se AK – rezulton që të këtë ndihmuar, pa dashje, që në ngjizje e deri më sot, pikërisht “armikun”, dhe kjo e bën, si pasojë e pretendimit të suksesit, edhe kryetarin, edhe partinë, edhe 14% të shqiptarëve, pasues, budallenjtë e sharlatanët më të mëdhenj në këtë truall.

9. Nëse vazhdojmë gjykimin sipas metrit të Kreshnik Spahiut të AK, për të cilin këta 14% shqiptarë që iu përgjigjën thirrjes së zgjuar e patriote të tij e nuk deklaruan përkatësinë etnike janë të zgjuarit e patriotët si vetë ai, del se shqiptarët e tjerë, ata 85% që deklaruan etninë e nuk i shkuan pas Kreshnikut, por Gencit, qenkëshin budallenj, tradhtarë, ose të dyja bashkë. E meqë u hap loja e absurdit, dikush, nëse do të përdorte të njëjtin stil akuzues si ai i Kreshnik Spahiut për Genc Pollon, mund të bënte pyetjen se mos vetë Kreshniku ka marrë direktiva nga Athina.

V. ABSURDI I SUKSESIT TË PRETENDUAR TË PDIU

10. Ndërkaq, PDIU duket se ishte e mbeti më e matur në taktikën e saj. PDIU nga njëra anë nxiti pjesëmarrjen në census dhe, nga ana tjetër, kërkoi që ligji për censusin të parashikonte edhe penalitete për deklarimet e rreme dhe injorimin e këtyre deklarimeve. Por, pretendimi që këto lëvizje të PDIU “ua kanë prerë rrugën skenarëve të Athinës dhe shërbëtorëve të saj në vendin tonë, për të sajuar të dhëna të rreme për pakicën etnike greke” (shih: http://www.pdiu.al/artikull.php?id=437), është një tjetër absurd.

11. Në fakt, suksesi i pretenduar do të kishte kuptim vetëm nëse do të kishte rrezik që dhjetëra mijëra shqiptarë delenxhinj mund të deklaronin enti të rreme greke në mënyrë që kjo t’u vlente skenarëve të Athinës, pasi për Athinën s’do t’ia vlente mundi për të manipuluar as ca qindra e as edhe ca mijëra shqiptarë ngaqë kaq pak s’do të ndryshonte ndonjë gjë në rezultatet e censusit. Për më tepër, këta delenxhinj të shumtë të frikësuar duhet të jenë pjesë e rëndësishme e 14% të atyre që nuk deklaruan etninë. Por këta ose janë patriotët e zgjuar e trima të Kreshnik Spahiut, ose frikacakët grekë dhe/ose gjoja grekë të Vangjel Dules, e ndërkaq, nga veprimet e PDIU gjen argument edhe vetë Dulja kur thotë se këta nuk deklaruan se u trembën. Do të ishte interesante të dëgjonim si nga Vangjel Dule, edhe nga Shpëtim Idrizi, se si u frikësuaka me një gjobë nga një shtet që s’mbledh dot gjobat një armatë prej më shumë se 400 mijë njerëzish. Mbetet që efekti PDIU të ketë dhënë rezultat, teorikisht, vetëm mbi fare pak individë. A ia vlejti për kaq pak tërë ajo zhurmë? Por, të paktën Shpëtim Idrizi e la me kaq këtë punën e censusit dhe po merret me rezolutën parlamentare për çështjen çame, nismë kjo me mjaft vlerë, në kohën dhe me hapin e duhur, që dallon patriotizmin nga karagjozllëku e që duhet mbështetur të përparojë me vendosmëri përmes mençurisë, harmonisë dhe unitetit.

VI. HESHTNI. MË MIRË PËR JU.

12. Çdo pretendim suksesi nga protagonistët në fjalë prodhon absurditet. Qesharake. Gjëja më e mirë që do të duhej të kishin bërë pas censusit, do të ishte të heshtnin e të mos e trashnin budallallëkun që e ngjizën para censusit, se ky, duke u trashur, këputet. I vetmi interpretim i drejtë për mosdeklarimin e etnisë dhe fesë është që disa zgjodhën, në liri të plotë zgjedhjeje, të mos i përgjigjen njërës, tjetrës apo të dyja pyetjeve që ishin, në respekt të Kushtetutës, fakultative. Kaq. Kjo eviton çdo absurditet. Ia vlen të merremi me të dhënat e tjera të censusit që janë mjaft interesante e të dobishme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama