Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Debatet pa debat

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Debatet pa debat

Pardje në mbrëmje, Dudushi kishte organizuar një bisedë për çështjen e riciklimit të mbeturinave urbane. Natyrisht që duke qenë Tirana qendra e problemit, ku lëvizin mbeturinat e gati një milion shqiptarëve, theksi do të vihej te problematika e saj. Filloi Albani të prezantonte të ftuarit: filani, fisteku, njëri nga shoqëria civile, një tjetër ambientalist, ekspert mjedisi, përfaqësues i shoqatave të ricikluesve dhe… në fund shpjegoi se përfaqësuesit e Bashkisë dhe të Ministrisë së Mjedisit, mungonin megjithëse ishin ftuar.

Me një fjalë, do flasim e do bëjmë muhabet sa për të shtyrë darkën se, pa qenë dy aktorët kryesorë, ç’vlerë kanë të tjerët! Dhe në fakt, kështu shkoi. Diskutonin të ftuarit, por duke ecur si me tahmin nëpër labirintet e problemit dhe duke thënë kohë pas kohe: “për këtë duhet pyetur, apo e di, Ministria e Mjedisit” apo “këtë mund ta thotë bashkia, se ajo e di sa apo si është”. I gjithë diskutimi, që në thelb është shumë i rëndësishëm dhe që nga vetë të ftuarit trajtohej me shumë përgjegjësi, megjithatë ishte i çalë sa s’ka më.

Në fakt, ka kohë që po vihet re ky fenomen ku, në rastin e çështjeve ku administrata e ndien veten inferiore, ose çështjet janë të tilla ku ajo del zbuluar, gjen rrugëdaljen më të thjeshtë: nuk paraqitet fare nëpër studio publike, duke i vënë të gjithë përpara faktit të kryer. Kjo është një shpikje e re pushtetit për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe përballjes me publikun, mos shko fare.

Dhe debate të gjymta, si ai që u përpoq të organizonte Dudushi, janë vetëm maja e ajsbergut, pasi përbëjnë vetëm ato raste ku moderatori ka qenë aq këmbëngulës sa, me gjithë mosparaqitjen e njërës palë, vendos të shkojë përpara dhe ta organizojë debatin. Pjesa tjetër e ajsbergut, përbëhet nga ato dhjetëra debate që dështojnë që në organizim dhe nuk bëhen fare, pasi moderatori heq dorë pasi ka bërë një pafundësi përpjekjesh për të sjellë në debat përfaqësuesit e pushtetit.

Personalisht e kam provuar disa herë këtë situatë ku, drejtues emisionesh, pasi më kanë ftuar për debate të ndryshme, pyetjes sime se kush është përfaqësues nga administrata, i përgjigjen: “nuk na vjen njeri”.

E kam provuar edhe me Dudushin këtë situatë, e kam kaluar edhe me Rudinën te emisioni i saj “Shqip” ku, për rastin e dëmtimeve të Parkut të Liqenit, në debat fillimisht nuk pranonte të vinte askush nga Bashkia e Tiranës dhe, më në fund, erdhi kryeredaktori i gazetës RD (I), i cili natyrisht që bënte politikë e fliste për politikë, se nuk dinte asgjë konkrete rreth projektit.

I njëjti problem më ka ndodhur kur kam qenë i ftuar për çështjet e planit rregullues të qytetit, apo për problematikën e sheshit “Skënderbej”, tek emisioni “Opinion” i Fervziut. Blendi ia doli t’i organizonte debatet, jo se ka më tepër akses tek institucionet, sepse me gjithë këtë, as atij nuk pranuan t’i vijnë në debat. Fevziu ia doli t’i organizojë debatet pa pasur përfaqësues të bashkisë, por duke i zëvendësuar ata me… Frangajn. Sandri është qytetar i lirë, del e flet si të dojë e për kë të dojë, por është e turpshme që Bashkia Tiranë, institucioni që përfaqëson problemet e gati një milion shqiptarëve, nuk është në gjendje të nxjerrë dikë për të mbrojtur punët apo palo punët e veta.

Jam i bindur se kushdo që merret me këto tema, analist, gazetar, moderator a drejtues emisioni, e ka hequr mbi kurriz këtë hall dhe është gjendur kushedi sa herë përpara murit të heshtjes së pushtetit. E gjithë kjo nuk është vetëm çështje paaftësie, as se ne, njerëzit e debateve, jemi kushedi ç’specie e zgjedhur që s’na del dot njeri përpara. Puna është shumë e thjeshtë. Duke mos pranuar të përballesh, duke mos pasur palë, debati shuhet vetvetiu dhe, sado që media të përpiqet ta mbajë ndezur atë, kjo është gati e pamundur.

Mendoj se kështu pushteti ka gjetur një mënyrë të re për të shmangur debatin publik, se po gjendemi përpara një përshkallëzimi të ri të papërgjegjshmërisë dhe indiferencës së administratës publike. Tashmë po gjendemi në situatën gati absurde dhe pa dalje, kur, përballë kërkesave për diskutim publik për përballje publike rreth vendimmarrjeve, shteti nuk reagon fare, duke mos denjuar as të përgjigjet qoftë edhe formalisht, apo as të marrë pjesë në debat qoftë edhe sa për të larë gojën.

Muaj më parë, një grup analistësh hartuan dhe publikuan një protestë të përbashkët bash me këtë qëllim. Asokohe, në qershor në mos gabohem, ishte problemi i dëmtimit të Parkut të Liqenit, ku prej muajsh nga shoqëria civile kërkohej publikimi i projektit dhe, nga ana qoftë e bashkisë, e qoftë e Ministrisë së Mjedisit, të Inspektoratit të Ndërtimit, të Ministrisë së Punëve Publike, vinte vetëm heshtje e plotë. Në fund, grupi i analistëve u takua edhe me ambasadorin Arvizu, por as kjo nuk vlejti për të nxjerrë institucionet nga vrima e heshtjes.

Kujtoj këtu një prej frazave më të spikatura të protestës së grupit të analistëve: “Ne të gjithë, jemi njerëz të medias prej shumë vjetësh, që kemi ndërtuar jetën dhe karrierën tonë mbi fjalën, publikimin e saj dhe reagimin ndaj saj. Vëmë re me shqetësim të thellë, se kjo shmangie e administratës publike nga përgjegjësitë përmes heshtjes totale, e rivendos shoqërinë në pozicion kapitullues, duke ndihmuar që nga diktatura e dikurshme e gjërave të ndaluara, të kalojmë në diktaturën e faktit të kryer”. Dhe në fakt, kjo është ç’ka kërkon pushteti dhe me ç’duket po ia del: “grini sallatë ju sa të doni, se unë do vazhdoj të gatuaj çorbën time si të dua”.

Natyrisht që as unë dhe askush prej atyre që marrin pjesë nëpër debate, nuk pretendojmë apriori të jemi mbartës të së vërtetës absolute. Madje, në disa raste, falë debatit dhe informimit, mund të ndërrojmë edhe ne ide apo edhe administrata të ndryshojë vendimmarrje të nxituara. Por sqarimi publik, transparenca e vendimmarrjes, debati publik janë detyrime kushtetuese, ligjore dhe morale, që qëndrojnë në themel të sistemit që po përpiqemi të ngremë. Në fund të fundit, nuk duhet thjesht ta themi si papagaj frazën tashmë të mësuar si papagall, se “çdo nëpunës publik e merr rrogën nga ne qytetarët, për të menaxhuar paratë e ne qytetarëve”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama