Normalitet dhe paradoks rreth kryeprokurorit?

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 8 vite më parë

Artan Hoxha
Normalitet dhe paradoks rreth kryeprokurorit?

I.PROPOZIMI DHE VOTIMI I KRYEPROKURORIT

Kuvendi miratoi të premten e shkuar, me 75 vota pro, Adriatik Llallën, kandidaturë e Presidentit Nishani,  në detyrën e prokurorit të Përgjithshëm. Kandidatura mori votat e të gjithë demokratëve, përveç të Jozefina Topallit, katër votat e LSI, dy votat e PBDI, votën e Gazmend Oketës – deputeti i vetëm i partisë FRD të ish-Presidentit Topi, votën e Vangjel Dules së PBDNJ, si dhe atë të deputetit Kastriot Islami.

Opozita socialiste, me abstenimin e paralajmëruar dhe parashpjeguar, tregoi se, njësoj si FRD, pëlqente kandidaturën, por kundërshtonte aktin si akt i nxjerrë në keqinterpretim të Kushtetutës. Propozimi presidencial ishte produkt i konsultimeve paraprake me drejtuesit politikë të të gjithë spektrit, përjashtuar FRD, si dhe me faktorin ndërkombëtar, konsultime këto që një pjesë u bënë publike e një pjesë tjetër duket se u zhvilluan në konfidencialitet. Pas zgjedhjes nuk munguan urimet dhe deklarimet për mbështetje, përfshirë atë të Ambasadës amerikane që i kërkon kryeprokurorit të ri të “hetojë agresivisht korrupsionin dhe dhunën e 21 janarit”.

II. “ÇUDIA” E PËLQYESHMËRISË KONSENSUALE

Kandidati Llalla nuk ishte i panjohur për klasën politike, as për gazetarët, as për një pjesë të angazhuar të publikut dhe as për faktorët ndërkombëtarë. Ndërsa me tre prokurorët pararendës, Rama, Sollaku dhe Rakipi, Adriatik Llalla kishte të përbashkët eksperiencën, më shumë se të mjaftueshme, në fushën e drejtësisë, ndryshe nga këta, Adriatik Llalla, në momentin e emërimit si kryeprokuror kishte kaluar provën e drejtimit katërvjeçar të një institucioni qendror të rëndësishëm siç edhe është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP).

Në drejtimin e ILDKP gjatë viteve 2008-2012, Llallës i është dashur të merret me çështje delikate të verifikimit të deklarimeve të pasurive e burimeve të krijimit të tyre nga zyrtaret e lartë të shtetit dhe/ose me raste të konfliktit faktik apo në dukje të interesave në kryerjen e detyrës shtetërore nga këta zyrtarë.
Gjithsekush mund të këtë vlerësimin e tij nga pozitiv deri negativ për performancën e ILDKP nën drejtimin e kryeinspektorit Llalla, por s’mund të mos u jepet rëndësi primare vlerësimeve që vetë Kuvendi i ka bërë çdo vit këtij institucioni që raporton rregullisht para deputetëve. E pra, vetë Kuvendi, çdo vit ka miratuar edhe me vlerësim pozitiv, edhe me votim konsensual maxhorancë-opozitë mënyrën e kryerjes së detyrave dhe të zbatimit të ligjit nga ILDKP. Një konsensualitet i këtillë pozitiv ndërpolitik në kohërat konfliktuale që kaluam këto katër vitet e fundit, s’kish se si të mundësohej pa arsye të qenësishme, që do të prodhonin edhe emëruesin e përbashkët parlamentar rreth kandidaturës Llalla.

Me sa duket, ILDKP dhe vetë Llalla kanë arritur një shkallë të pranueshme suksesi në forcimin e sistemit të deklarimit e të kontrollit të pasurive dhe të parandalimit të konfliktit të interesit dhe të shmangin aventurat, keqkuptimet apo frikërat e anshmërisë së zellshme të këtij institucioni e aq më keq të përdorimit të tij si instrument i një krahu të politikës kundër tjetrit. Adriatik Llalla u emërua me konsensus në krye të ILDKP në vitin 2008, vazhdoi të ruajë dhe konsolidojë konsensusin rreth veprimtarisë së ILDKP dhe atij vetë si drejtues e po kështu u miratua, me pëlqim konsensual, në krye të Prokurorisë. Ndaj, meqë pëlqimi konsensual në rastin Llalla vjen pra, pas provave të shumta dhe njohjes ndër vite të kandidatit nga ana e vendimmarrësve, kjo do të thotë se nuk kemi të bëjmë me një pëlqim për një kandidaturë që, për shkak të njohjes së përciptë, ngaqë s’kanë ku t’i gjejnë kleçka, i jepet një pëlqim i gjerë në padije. Pëlqimi konsensual u dha në kushtet e njohjes së mjaftueshme, pra i ndërgjegjshëm, bazuar në besim te vlerësimi disavjeçar, shkurt, aspak një “çudi e rastësisë”.

III. PARADOKSET E VOTIMIT TË KRYEPROKURORIT

Si çdo vendim i dyzuar, edhe votimi për kryeprokurorin shfaqi dyzime që marrin pamjen e një paradoksi. E këtillë ishte edhe vota pro e deputetit Oketa në emër të FRD e po aq edhe ajo abstenuese e deputetëve socialiste. Edhe për PS edhe për FRD dekreti i Presidentit Nishani keqinterpretonte Kushtetutën, pasi ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, të hyra në fuqi në maj 2008, bëkërkan që mandati pesëvjeçar i Ina Ramës nuk fillokërka në nëntor 2007, kur ajo u emërua, por në maj 2008 e, për pasojë, edhe nuk mbaruaka në nëntor 2012, por në maj 2013.

Që ky është një pretendim absurd kjo duket ashiqare, aq sa nuk ia vlen ta diskutosh por, nga këndvështrimi PS/FRD, sipas tyre i drejtë, rezulton se ndonëse janë të bindur që dekreti presidencial është antikushtetues, këto dy forca politike marrin pjesë në votim dhe ndërsa do të duhej të votonin kundër, votojnë abstenim apo pro. Kjo mënyrë votimi është në vetvete paradoks, i cili përforcohet edhe më shumë në rastin e PS që, ndërsa i mjaftojnë veç 28 deputetë që të ndërmarrë ankim në Gjykatën Kushtetuese për interpretim të Kushtetutës lidhur me mbarimin e mandatit, deklaron se s’ka ndërmend ta bëjë duke e lënë të vetme Ina Ramën në dilemën e saj të bërjes apo jo të ankimit pranë kësaj Gjykate.

Gjithsesi, nga këndvështrimi praktik, mënyra e votimit e PS/FRD ishte inteligjente, pasi dy partitë dhe liderët përkatës edhe shprehën pëlqimin për kandidaturën Llalla, edhe i bënë respektin Ina Ramës, edhe shtuan një tjetër akuzë për “instrumentalizimin e Presidentit Nishani në shërbim të Kryeministrit Berisha dhe regjimit të tij”.

IV. PËLQIMI KONSENSUAL RRËZON TEZAT EKSTREMISTE TË REGJIMIT DIKTATORIAL

Por, paradoksi më i madh do të ishte bashkëjetesa mes pëlqimit konsensual për Adriatik Llallën dhe vazhdimit të tezës ekstremiste opozitare për të ashtuquajturin “regjim diktatorial apo autoritarist, fashist apo oriental, të Sali Berishës”.

Opozita, para dhe pas zgjedhjes së Presidentit, ka folur për “marrjen a kapjen e të gjitha pushteteve, për nevojën e regjimit Berisha për të emëruar një kryeprokuror që nga një anë do mbrojë regjimin e nga ana tjetër do sulmojë opozitën” tashmë edhe pa imunitet parlamentar e kur edhe heqjen e imuniteteve këtë shtator opozita kërkoi ta kushtëzonte, ndër të tjera, edhe me votimin me të paktën 84 vota të kryeprokurorit.

Kandidatura Llalla rrëzoi të gjitha këto pretendime apo hamendësime opozitare. Nëse do të kishim një regjim të këtillë, afërmendsh që s’kish se si të ofronte kandidaturën Llalla e, meqë e ofroi, afërmendsh që s’ka se si të jetë regjim i këtillë. Kandidatura Llalla ishte produkt i një demokracie më se normale në ekuilibër, që bazohet në rregullat e një Kushtetute me pushtete të ndara e të balancuara dhe të një situate politike ku asnjë forcë politike nuk dominon raste të këtilla vendimmarrjeje kaq të rëndësishme.

Demokratet kanë veçse 66 vota në Kuvend e për të arritur te minimumi prej 71 votash nuk i mjaftojnë as vota e aleatit besnik – republikani Mediu – as dy votat e PDIU dhe as ajo e institucionalistit Kastriot Islami, por i duhet edhe mirëkuptimi thelbësor me LSI, aleatin strategjik e përcaktues të kësaj maxhorance. Edhe nga e kundërta, nëse PD do të kërkonte vendosjen e një kandidature që do të perceptohej e njëanshme, arbitrare apo e rrezikshme, këto vota aleatësh fare mirë mund të bashkoheshin me votat e opozitës e cila, në një situatë të këtillë hipotetike do të kalonte nga abstenimi në votë kundër dhe një kryeprokuror i këtillë s’do merrte miratimin e Kuvendit.

Në këto rrethana, vetë Presidenti Nishani duket i ka analizuar të gjithë skenarët dhe jo vetëm evitoi kuturisjet në aventurat me kandidaturat e qortueshme, por bëri të gjitha përpjekjet në dorë të tij për të arritur bindshëm drejt kandidaturës konsensualisht të pëlqyeshme. Kryeministri Berisha, gjithashtu i ndërgjegjshëm për situatat, me aftësitë e treguara për t’iu përshtatur atyre e për të nxjerrë maksimumin e mundshëm pa i rënë murit me kokë, ka luajtur në mënyrë konstruktive duke i mundësuar Presidentit harmonizimin e qëndrimeve me çdo faktor tjetër politik të maxhorancës, si dhe me atë ndërkombëtar, veçanërisht atë amerikan.

Edhe vetë mosvotimi i kandidaturës Llalla nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli plotëson tërësinë e fakteve, analizës dhe të konkluzionit se teza ekstremiste opozitare e regjimit Berisha është absurde. Jozefina Topalli ka arsyet e saja të mendojë se kandidatura Llalla, pikërisht sepse ka gëzuar pëlqimin e të gjithëve, mund të jetë një tjetër kryeprokuror që “do flejë gjumë mbi dosje”, njësoj si në rastin e Theodhori Sollakut, kur Jozefina Topalli, në maj 2002, ishte e vetmja demokrate që votoi kundër tij dhe paralajmëroi me fjalim të qartë e të zjarrtë një performancë mediokre, parashikim të cilin, sipas metrit e peshës demokrate, por jo vetëm, të vlerësimit të gjërave, koha i dha të drejtë. Në kushtet e demokracisë në ekuilibër, ku asnjë palë nuk ka as monopolin – fuqinë e regjimit jo e jo – për të imponuar një kandidaturë, qoftë edhe më premtuese sipas këndvështrimit të kësaj pale, por që do të sillte perceptime njëanshmërie apo instrumentalizimi nga këndvështrimi i palëve të tjera, e bën të pamundur vendimmarrjen e njëanshme, qoftë edhe për qëllime të mbara e jo më për të mbrapshta. Ndaj, të gjitha këto tregojnë normalitetin e demokracisë shqiptare.

V. PAK HISTORI PËR ILDKP

ILDKP u krijua në vitin 2003, bazuar në ligjin për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtareve të lartë, i miratuar me konsensus nga Kuvendi. ILDKP iu shtua edhe sfera e parandalimit të konfliktit të interesave sipas një tjetër ligji konsensual të prillit 2005. Që në momentin e krijimit, ndër dy zgjedhjet strategjike, asaj të një performance agresive dhe asaj të një performance sistematike, u përzgjodh kjo e dyta, me idenë se më mirë një ecje sistematike por e qëndrueshme e që evitonte keqkuptime njëanshmërie, sesa ajo agresive që rrezikonte të keqkuptohej a të shkaktonte reagim mbytës për një institucion fare të ri e pa traditë, siç ishte ILDKP në ato fillime. Koha tregoi se kjo zgjedhje strategjike ishte e përshtatshme. Safi i ILDKP dhe kryeinspektorja e parë Fatmira Laskaj, e votuar me konsensus politik, e zbatuan me vendosmëri dhe efektivitet strategjinë e përzgjedhur e po kështu vazhdoi edhe nën drejtimin e Adriatik Llallës, duke e bërë tashmë ILDKP një institucion të pjekur e që mund të ecë më shumë përpara, siç edhe rezulton nga vlerësimet edhe të Parlamentit shqiptar, edhe të faktorëve ndërkombëtarë që kanë ndihmuar ngritjen dhe konsolidimin e ILDKP, për të cilin tashmë kërkohet një drejtues që, ashtu si dy të parët, të votohet konsensualisht nga Kuvendi.

VI. SFIDAT PËR KRYEPROKURORIN LLALLA

Adriatik Llalla gjeti një ILDKP të rrethuar e të mbështetur me konsensus. Ai jo vetëm që nuk e cenoi, por e çoi më tej performancën e ILDKP, duke ruajtur dhe fuqizuar konsensusin edhe në kohë aspak konsensuale. Por ILDKP nuk është si Prokuroria. Adriatik Llalla e di këtë më mirë se unë e se kushdo tjetër. Vlerësimet aktuale për Prokurorinë janë të kundërta lidhur me (pa)anshmërinë. Maxhoranca e ka akuzuar për politizim dhe anshmëri në favor të aksionit opozitar dhe opozita ka akuzuar maxhorancën për presion mbi Prokurorinë, presion të cilit Prokuroria i është dorëzuar kohë pas kohë e veçanërisht se fundmi. Ndërkaq, të dyja palët kanë vlerësime negative të njëjta lidhur me performancën e dobët të Prokurorisë kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Pra, vlerësimet e politikës janë krejtësisht të kundërta dhe pritshmëritë nga Prokuroria dhe kryeprokurori shumë më të larta krahasuar me ILDKP. Këto përbëjnë cilësitë e pikënisjes së detyrës për kryeprokurorin e ri. Se sa do të jetë në gjendje Adriatik Llalla të arrijë që edhe për Prokurorinë, pas disa kohësh, të bëhet një vlerësim pozitiv e konsensual si edhe për ILDKP, veç koha do ta tregojë; por të gjithë shqiptarët, përjashtuar zullumqaret e pandreqshëm, urojnë që ai të ketë sukses në këtë detyrë aspak të lehtë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama