Fieri, sebepi juridik i sherrit të radhës

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 8 vite më parë

Artan Hoxha
Fieri, sebepi juridik i sherrit të radhës

I. PERMBLEDHJE E NGJARJEVE

1. Në gusht 2011, fill pas zgjedhjeve lokale, socialistët dhe aleatët e tyre vendorë (PS&Co), tërësisht të mobilizuar, përballë demokratëve e LSI-stëve (PD&LSI) të shkujdesur, arritën të caktojnë një shumicë dërrmuese të përfaqësuesve të këshillave bashkiakë (B) e komunalë (K) në Këshillin e Qarkut Fier (KQF).

Përfaqësuesit PS&Co u caktuan si në ato B/K ku kishin maxhorancën, ashtu edhe në disa këshilla B/K ku maxhorancën e kishin PD&LSI. Nga këtu, më 21 shtator 2011, shumica në KQF zgjodhi për kryetar një socialist, i cili nuk arriti asnjëherë të kryejë mandatin, pasi u pezullua me vendim gjykate. Në tetor e nëntor 2011, PD&LSI kundërsulmuan efektshëm dhe arritën që në një numër B/K, disa me shumicë PS&Co, të kryejnë mbledhjet e dyta të këshillave e, me shumicën e votave të anëtarëve, shkarkuan përfaqësuesit PS&Co në KQF dhe zgjodhën përfaqësuesit PD&LSI. Për pasojë, me një maxhorancë të re në KQF, më 16 nëntor 2011 shkarkuan kryetarin socialist dhe zgjodhën një demokrat për kryetar. Këtu nisi kalvari i gjyqeve paralele, me paditës kryesisht nga socialistët, me pretendimin se: i) këshillat B/K nuk mund t’i shkarkojnë përfaqësuesit e tyre në KQF; ii) shkarkimin e këtyre e ka në kompetencë vetëm dhe vetë KQF, përndryshe do të cenohej siguria juridike e KQF dhe liria e këshilltarëve të tij.

2. Bazuar në serinë e vendimeve të gjykatave të Shkallës së Parë të Lushnjës dhe Fierit e të Gjykatës së Apelit Vlorë (Gjykatat LFV) gjatë janar-korrik 2012, PS&Co rikuperuan, me vendime të formës së prerë e për pavlefshmëri absolute të akteve të dala nga mbledhjet e dyta të disa prej këshillave të B/K, të paktën 11 mandate e që do të thotë se socialistët kanë rimarrë shumicën e KQF ndaj PS&Co kërkojnë tashmë zbatimin e këtyre vendimeve, ndaj hoqën dorë, më 21 nëntor, pra me mjaft vonesë, edhe nga gjyqi që pritej të shqyrtonte në tërësi e në themel të gjitha faktet dhe aktet.
Ndërkohë, PD&LSI argumentojnë se, për ta, akti i vetëm gjyqësor, i detyrueshëm dhe i zbatueshëm ndaj çdo akti tjetër, qoftë edhe gjyqësor e i formës së prerë, është vendimi unifikues Nr.5, datë 3.3.2006 i Gjykatës së Lartë (VUGJK) i cili, sipas tyre, i konsideron këto raste jashtë juridiksionit gjyqësor, pra s’kish kuptim të zhvilloheshin gjyqet nga gjykatat LFV, ndërsa PS&Co kundërpërgjigjet se VUGJL është rrëzuar nga vendimi Nr. 10, datë 11.5.2006 i Gjykatës Kushtetuese (GJK) i cili, sipas tyre, përcakton se raste të këtilla janë objekt i shqyrtimit gjyqësor.

II. BAZA JURIDIKE DHE VENDIMET E GJYKATAVE

3. Lidhur me çështjen në fjalë, baza ligjore është e plotë. Kushtetuta, ndër të tjera, në nenin 110 përcakton se: “…Bashkitë dhe komunat delegojnë anëtarë në Këshillin e Qarkut…”. Ndërkaq, ligji Nr. 8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” (LPV) në nenin 52/3/b, përcakton se: “3. Anëtarit të Këshillit të Qarkut i mbaron mandati kur: a) ….;b) mandati i anëtarit hiqet nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës;….c)….” dhe në nenin 54/k përcakton se: “Këshilli i Qarkut ushtron këto kompetenca dhe detyra: a)…b)…….k) vendos për vërtetimin dhe heqjen e mandatit të këshilltarit të Qarkut; l)…..”.
Vetëm me kaq e lexuesi mund të kuptojë, drejtpërdrejt nga teksti ligjor, se cili është interpretimi i drejtë dhe ai i gabuar i ligjit. Për më tepër, që nga zgjedhjet vendore 2000, kur dhe u krijuan për herë të parë qarqet, e deri në ato 2011, ka pasur me dhjetëra raste kur këshillat B/K kanë shkarkuar e zëvendësuar përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Qarkut. Shumë nga rastet e mëparshme kanë përfunduar në sistemin gjyqësor e në përfundim është njohur gjithnjë e drejta e këshillave B/K për të shkarkuar e zëvendësuar përfaqësuesit e tyre në Qark sipas nenit 52/3/b. Bën përjashtim vetëm rasti “Fieri”, ku gjykatat LFV përmbysën një praktikë qeverisëse vendore e gjyqësore shumëvjeçare, duke e kaluar të drejtën ekskluzive të shkarkimit vetëm sipas nenit 54/k të LPV.

4. Një rast identik me këtë të Fierit është edhe ai i Korçës i shtatorit 2005 ku, për shkak të aleancës qendrore paszgjedhore të demokratëve me agrarët e të reflektuar edhe në nivel vendor, Këshilli i Bashkisë Korçë shkarkoi tre përfaqësuesit socialistë në Këshillin e Qarkut Korçë, njëri edhe kryetar i Qarkut, dhe i zëvendësoi me tre të tjerë. Socialistët u ankuan në Gjykatë me të njëjtat pretendime identike si ato tashmë në Fier, pretendime të cilat u rrëzuan nga të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor, duke përfshirë edhe Kolegjin e Bashkuar të Gjykatës së Lartë (KBGJL), që nxori vendimin unifikues të përmendur më lart të nxjerrjes jashtë juridiksionit gjyqësor të çështjes “Korça” bazuar në dy konkluzione: i) ndonëse KBGJL u ndodh para pretendimit socialist se Këshilli B/K nuk ka kompetencë për shkarkimin e përfaqësuesve të vet sipas nenit 52/3/b e se këtë kompetencë e ka veçse Këshilli i Qarkut sipas nenit 54/k, KBGJL, me shumicën e votave, jo vetëm që nuk e pranoi këtë pretendim, por edhe e ripohoi disa herë kompetencën e B/K sipas nenit 52/3/b në arsyetimin e vendimit të tij; ii) gjithashtu, KBGJL vërejti se LPV nuk i kufizon arsyet e Këshillit B/K për shkarkimin e përfaqësuesve të tij në Qark, pra Këshilli B/K është tërësisht i lirë që me shumicën e votave dhe me një mbledhje të rregullt të bëjë shkarkimin e zëvendësimin e, nga ky këndvështrim, LPV është në harmoni dhe shtjellon në mënyrë të posaçme për rastin konkret në qeverisjen vendore, edhe nenin 326 të Kodit të Procedurave Civile, qe përcakton se: “Nuk mund të ngrihet padi në gjykatë për: a)…. b) akte administrative që kanë rregullim ligjor të posaçëm dhe lidhen me emërimin dhe shkarkimin e funksionarëve publikë…….”

5. Këto dy konkluzione të KBGJL janë të pandashme mes tyre e vetëm së bashku çojnë në përfundimin e pakuptueshmërisë së shqyrtimit gjyqësor të çështjes, siç edhe ka vendosur ky Kolegj. Mjafton që njëri prej tyre të mos jetë i drejtë dhe çështja të jetë e gjykueshme nga gjykatat por, kur të dyja konkluzionet e KBGJK janë të drejta, çështja nuk ka logjikisht kuptim të gjykohet, pasi kompetenca e Këshillit për të shkarkuar një përfaqësues të tij në Qark është edhe e padyshimtë edhe e pakufizuar, pra një regjim juridik i posaçëm, e në këto rrethana s’ka kuptim se për çfarë të ankohesh. Ndaj, VUGJK duhet kuptuar si një përfundim i llojit të veçantë e për një rast shumë, shumë të ngushtë që lidhet vetëm me thelbin e nenit 52/3/b. Vetë KBGJL shprehet se e drejta për ankim gjyqësor është rregulli i përgjithshëm dhe nxjerrja nga juridiksioni gjyqësor është përjashtim ekstrem nga rregulli.

Pra, për çdo arsye tjetër, që del jashtë nenit 52/3/b, si p.sh procedura të parregullta të kryerjes së mbledhjes së këshillit B/K përkatës, vlerësim i parregullt i votave në këtë këshill apo qoftë edhe mosmarrëveshjet mes palëve, qoftë edhe të stisura, për kuptimin e neneve të caktuara të ligjit janë dhe duhet të jenë çështje të juridiksionit gjyqësor.

6. Në këtë pohimin e fundit arrin edhe GJK me vendimin e saj të majit 2006, lidhur me një çështje të ngritur nga një këshilltar i komunës së Quksit në rrethin e Librazhdit pas zgjedhjeve 2003.

Në mbledhjen e parë të këshillit të komunës, për zgjedhjen e dy përfaqësuesve në qark u kryen me radhë tri votime. Këshilltari në fjalë pretendoi se nuk kishte arsye të kryheshin këto votime, pasi ai rezultonte fitues që në të parin. Çështja përfundoi në gjykatat e të gjitha shkallëve, të cilat, në vendimet e tyre gjatë viteve 2004-2006 e nxorën çështjen, pa të drejtë, jashtë juridiksionit gjyqësor, ndonëse kishte pretendime lidhur me procedurat e kryera dhe vlerësimin e votave, por GJK e përmbysi këtë praktikë të gabuar duke e detyruar sistemin gjyqësor të pranonte shqyrtimin e çështjes e në përfundim këshilltari e fitoi të drejtën e tij veçse në mars 2007, pra pasi ishin shpërndarë këshillat e qarqeve dhe ishin kryer zgjedhjet e reja vendore të shkurtit 2007.

Ndërkaq, shihet qartë se rasti “Quksi” nuk ka asgjë të përbashkët me rastin “Korça” e se rasti “Korça” është identik me atë “Fier” si në vetë ngjarjen, ashtu edhe në pretendimet dhe argumentimet juridike të PS&Co dhe kundër argumentimet e PD&LSI, dhe pra, rasti “Fieri” s’ka asgjë të përbashkët me rastin “Quksi”.

7. Në praktikën gjyqësore ka plot raste vendimesh të gabuara të gjykatave për nxjerrjen jashtë juridiksionit të çështjeve të ngjashme me atë të “Quksit”, si para edhe pas VUGJL. Për më tepër, pas këtij vendimi unifikues, ai është keqpërdorur përtej kuptimit të ngushtë të tij, duke u nxjerrë jashtë juridiksionit gjyqësor edhe për pretendime procedurale, derisa vendimi GJK për rastin “Quksi” rivendosi ekuilibrin e duhur. Ndërkaq, në rastin “Fieri” po keqpërdoret vendimi i GJK për rastin “Quksi”, me pretendimin se ai ka rrëzuar tërësisht VUGJL për rastin “Korça”, ndonëse të dyja rastet s’janë aspak të ngjashme, e krahas tyre keqpërdoren dhe dy vendime të tjera të GJK të vitit 2012, përkatësisht për komunat Krutje dhe Grabian të rrethit Lushnjë të Qarkut Fier, ku përsëri GJK përcakton se mosmarrëveshjet nuk janë lidhur me Kushtetutën por me interpretimin e LPV e, si të këtilla, nuk janë çështje për t’u gjykuar nga GJK, por nga sistemi gjyqësor. Vendimet e GJK janë koherente dhe aspak të kundërta me VUGJL. Këto vendime së bashku kanë qartësuar çështjen dhe, nëse kuptohen e respektohen, evitojnë çdo pretendim të kotë.

8. Çështja komplikohet, pasi keqkuptimi i VUGJL dhe i vendimeve të GJK ka ndodhur edhe me gjykatat LFV. Këto gjykata vepruan drejt duke pranuar të shqyrtojnë paditë e PS&Co, pasi paditë përmbanin edhe pretendime për shkelje procedurale në mbledhjet e këshillave B/K, pretendime këto që, më së shumti të rrëzuara nga gjykatat, nuk ndikojnë shumicën PD&LSI të KQF. Gjykatat gjithashtu vepruan drejt, duke pranuar të shqyrtojnë edhe pretendimet socialiste lidhur me interpretimin e ndryshëm të LPV. Deri këtu gjykatat janë në pajtim me vendimet e GJK dhe aspak në kontradiktë me VUGJL. Por, duke e lexuar përciptas VUGJL, e duke keqpërdorur vendimet e GJK, gjykatat gabuan kur i bishtnuan arsyetimit dhe vendimit VUGJL dhe i hynë në themel gjykimit të kompetencës e dolën në përfundimin e kundërt me atë të KBGJL, ndërkohë që gjykatat janë të detyruara të respektojnë e të marrin vendime identike, për çdo rast të njëjtë për të cilin ka, me të drejtë apo pa të drejtë, një VUGJL, vendime këto jo më kot unifikuese: edhe me fuqi të përgjithshme, pra për këdo përfshirë gjyqtarët apo komunarët, edhe të përhershme, pra për sa kohë janë në fuqi nenet në fjalë të LPV.

9. Sipas gjykatave LFV, neni 52/3/b duhet kuptuar “3. Anëtarit të këshillit të qarkut i mbaron mandati kur: a) ….;b) mandati i anëtarit (kupto: të këshillit B/K) hiqet nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës;…..” Pra, që në germën “b” fjala “anëtarit” nënkupton anëtarin e këshillit B/K, të cilit iu heqka mandati si anëtar i këtij këshilli dhe, për pasojë, ai s’mund të jetë më anëtar edhe i këshillit të qarkut. Kjo futje si nga xhepi i këtij nënkuptimi nga gjykatat stonon, në radhë të parë me rregullat e shqipes, pasi në krye të pikës 5/3 shkruhet “anëtarit të këshillit të qarkut i mbaron mandati…..” dhe jepen rastet “a,b,c” të shkaqeve të mbarimit të këtij mandati, ndaj termi “mandati i anëtarit” në germën “b” s’ka se si të mos nënkuptojë veçse “b) mandati i anëtarit (kupto: të këshillit të qarkut) hiqet nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës;…..”.

Gjykatat gjithashtu bëjnë arsyetime të tejzgjatura, komplekse e të sofistikuara, duke përdorur edhe pjesë të tëra nga arsyetimet e gjashtë gjyqtarëve me mendim kundër në vendimin VUGJL, deri aty sa të kërkojnë mbështetjen për këtë supozim kuptimor të LPV edhe te Karta Europiane e Autonomisë Vendore të ratifikuar integralisht nga Shqipëria, duke hyrë në analiza të stërholluara të raporteve mes demokracisë së këshillave B/K dhe sigurisë juridike të këshillave të qarqeve e të lirisë së ushtrimit të mandateve nga këshilltarët e qarqeve, të cilët u përzgjedhkan veç në mbledhjen e parë të këshillit B/K përkatës e paskan mandate katërvjeçare të pacenueshme nga këshilla B/K.

10. Me këto arsyetime të zgjatura, komplekse e të sofistikuara, si pretenduesit PS&Co ashtu edhe gjykatat LFV bien ndesh edhe me kuptimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ, që përcaktohet nga neni 115 i Kodit të Procedurave Administrative: “Pavlefshmëria e akteve administrative, në kuptimin e këtij Kodi, paraqitet në format e mëposhtme: a) akte administrative absolutisht të pavlefshme (akte të nxjerra në kundërshtim flagrant me ligjin); b) akte administrative relativisht të pavlefshme (akte të nxjerra në kundërshtim me ligjin).” Pavlefshmëria absolute është një përjashtim ekstrem nga rregulli dhe kërkon plotësimin e njëkohshëm të dy kushteve: i) ligji të jetë ekstremisht i qartë dhe ii) shkelja e tij të jetë po aq ekstremisht e qartë. Ndaj, mjafton të cenohet një nga këto dy kushte dhe s’ka se si të ekzistojë pavlefshmëria absolute e aktit.

Me fjalë të tjera, akti administrativ absolutisht i pavlefshëm supozohet se kuptohet si i këtillë fare lehtësisht e me shikim të parë nga qytetari, zyrtari, komunari, bashkiaku, mjafton që të dinë shkrim e këndim e të kenë dy pare mend në kokë. Një akt i këtillë në gjuhën popullore quhet “letër bakalli”. Si mund të qenkërka “letër bakalli” një akt që për t’u rrëzuar paskërka kërkuar një arsyetim kaq të gjatë e kaq kompleks të gjykatave? Është e kuptueshme pse PS&Co kërkuan pavlefshmëri absolute, pasi një pavlefshmëri e këtillë supozon se s’ka ndodhur juridikisht asgjë, pra, asnjë përmbysje maxhorance në KQF, as nuk është zgjedhur ndonjëherë një kryetar demokrat më 16 nëntor 2011 etj. etj.

Dhe rrota e kohës kthehet si me magji mbrapsht më 21 shtator 2011. Por është e vështirë të gëlltitet që në një përfundim të këtillë të arrijnë gjykatat të cilat, në rastin më të favorshëm për PS&Co, e vetëm nga ky këndvështrim, mund të shqyrtonin veçse pavlefshmëri relative, ndonëse as për këtë nuk bëhet fjalë sipas VUGJL. Gjithsesi, nuk është vetëm rasti “Fieri”. Teprimet e gjykatave me kuptimin e pavlefshmërisë absolute janë bërë të shpeshta edhe për çështje të shumta në fusha të tjera e kjo po shndërrohet në fenomen shqetësues, por përbën një temë më vete e që meriton trajtim të veçantë.

III. PERFUNDIM APO VAZHDIM?

11. PS&Co u tërhoqën prej një nga gjyqeve që do trajtonte çështjen “Fieri” në tërësi e në themel. Tërheqja ndodhi më 21 nëntor 2012, të nesërmen e afatit të plotësimit të tri kushteve të Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat në BE dhe katër muaj pasi kishin mbaruar të gjitha gjyqet në gjykatat LFV, mes të cilave PS&Co rikuperuan 11 mandate këshilltarësh të KQF. Tërheqja me katër muaj vonesë kërkon shpjegime bindëse, ndryshe lidhet lehtësisht nga PD&LSI me kundërshtinë e PS&Co ndaj marrjes së statusit dhe përdorimin abuziv e motivdobët të çështjes “Fieri” kundër ligjit për Gjykatën e Lartë që pret të miratohet në Kuvend.

E vetmja mënyrë që i jep përgjigje ligjore e përfundimtare çështjes “Fieri”, është vazhdimi i proceseve gjyqësore deri në një angazhim të dytë të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë mes një vendimi unifikues të ri, që ose e rikonfirmon të vjetrin, ose e rrëzon atë. Ndërkaq, procesi gjyqësor mund të vazhdojë vetëm nëse ai vazhdohet nga PS&Co pasi PD&LSI, që drejtojnë Qarkun Fier, s’kanë motiv për t’iu drejtuar Gjyqësorit. Këta i njohin vendimet e gjykatave LFV, ndonëse i konsiderojnë të gabuara. Në mbledhjet e raundit të tretë të këshillave përkatës B/K në Fier, shumicat PD&LSI pranuan që mandatin e rifituan këshilltaret PS&Co, dhe në po të njëjtat mbledhje, morën vendim për të riemëruar përsëri të njëjtët përfaqësues D&LSI në KQF, pra duke respektuar formalisht vendimet e gjykatave LFV e duke respektuar substancialisht VUGJL.

12. Shkurt, PD&LSI po respektojnë, natyrisht sepse u intereson, vendimin suprem të Gjykatës së Lartë e kështu, edhe mbajnë Fierin, edhe rrëzojnë pretendimin PS&Co se mosrespektimi i Gjykatës së Lartë nga PD&LSI e bën të pakuptimtë miratimin e ligjit të ri për këtë gjykatë si një nga tri kushtet për rekomandimin për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. E po kaq shkurt, PS&Co u referohet vendimeve të formës së prerë të gjykatave LFV, natyrisht sepse u intereson, pasi rikuperuan 11 mandate, e s’kanë arsye të forta pse të vazhdojnë procese të tjera gjyqësore, fati i të cilave tashmë është i paditur e ndoshta me shumë gjasa të humbur, por do të vazhdojnë presionet politike duke mbajtur në vazhdimësi të paplotësuara tri kushtet e Komisionit Europian. Krijimi i një çështjeje juridike dhe kërkimi i realizimit të pretendimeve me mjete e si çështje politike ka qenë dhe mbetet një metodë e preferuar opozitare e ngjashme me atë të hetimit parlamentar të kutive, për të cilat PS&Co nuk iu drejtuan asnjëherë Gjykatës Kushtetuese. Edhe çështja “Fieri”, edhe ajo e mandatit të prokurores së Përgjithshme ndoshta do të pësojnë të njëjtin transformim e përdorim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama