Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Era e hajdutërisë

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Lubonja
Era e hajdutërisë

Ka plot histori që ndodhin në Perëndimin e idealizuar nga shumë prej nesh që të bëjnë të mendosh se ne shqiptarët, që na njohin e diskriminojnë në Perëndim si hajdutë e trafikantë, duhet ta normalizojmë disi ndërgjegjen tonë. Nuk jemi vetëm ne që vjedhim – ne kemi të keqen se sistemeve që adoptojmë u japim tiparet më groteske – por sistemin që ka çelur erën e hajdutërisë nuk e kemi sjellë ne. Shikoni krizën që ka mbërthyer botën perëndimore. Në rrënjë të saj është fakti se jetojmë në erën e hajdutërisë, ju siguroj unë.

Po pse e quan “era”? – do të thoni ju. Hajdutëria është një erë e vjetër, që hundët tona e njohin shumë mirë që në lashtësi. Edhe vetë sistemi kapitalist është akuzuar me kohë si i tillë. Mjaft të kesh parasysh Marksin dhe teorinë e tij të “mbivlerës”. Megjithatë, unë e kam fjalën pikërisht për një erë të re në kuptimin e një epoke të re dhe të një njeriu të ri, “homo hajduticus”, “ladronicus” do t’i thoshin italianët, që po del në pah si mbijetuesi më i fuqishëm i seleksionimit natyror në këtë epokën tonë.

Por, më mirë, përpara se të filozofoj, le t’ju tregoj historinë që më nxiti të dal në përfundimet në fjalë.

Të hënën në mëngjes të kësaj jave u nisa nga Firencja me autobus për në Aeroportin e Pizës, për të fluturuar për në Tiranë. Kisha prerë një biletë vajtje-ardhje dhe po kryeja “ardhjen”. Kur mbërrita në Aeroportin e Pizës shkova në vendin e Check-in-it dhe po kërkoja tabelën AIR ONE, kompania italiane me të cilën do të fluturoja. (Sa për dijeni të atyre që nuk e njohin, është kompania “low cost” e Alitalia-s, për privatizimin e së cilës (Alitalia-s) u bë një zhurmë e madhe sepse u tha se pronarët e rinj morën pjesën e shëndoshë, duke i lënë shtetit borxhet).

Kërkova te radha e check-in-eve të gjej tabelën ku shkruhej “Tirana”, por nuk po shihja gjë. Atëherë shkova te një nga ekranet ku jepeshin të gjitha nisjet dhe, për çudinë time, vura re se ora e nisjes 11:25 nuk figuronte kurrkund, as emri Tiranë.

Diçka ka ndodhur – thashë – po shkoj të pyes informacionin. Ndërkaq, nxora nga çanta fletën e printuar të biletës së blerë on-line, për të parë se mos kisha lajthitur dhe kisha gabuar datën. Jo, hiç fare, 19 nëntor, ora 11:25.

Punonjësja e informacionit më tha se fluturimi im ishte ndryshuar, por se, për më tepër, mund të shkoja të pyesja te biletaria… në fund të korridorit, majtas.
Ajo e biletarisë më dha një lajm që nuk po doja ta besoja: se fluturimi im ishte kryer një ditë më parë, të dielën, dhe se, për këtë ndryshim date, unë kisha marrë një njoftim me e-mail.

“Me e-mail! – i thashë, – po unë marr kushedi se sa e-mail-e në ditë, midis të cilave edhe ato që dërgon AIR ONE-i për reklamë. Ja nuk e pashë unë e-mail-in, kaq mjaftuaka që të më fshini ju nga lista. Po numrat e telefonit pse m’i keni marrë atëherë? Pastaj, kam dëgjuar për fluturime që shtyhen, por për fluturime që kryhen përpara, kurrë ndonjëherë”.

Mirëpo ajo e biletarisë nuk ishte punonjëse e AIR ONE-it. Më zgjati një fletë A4, ku kishte numrat telefonikë të “call center”-ave të kompanive ajrore, midis të cilave edhe AIR ONE.

Bëra numrin 892 444. Në fillim më doli një zë burri që më njoftonte për tarifat se sa kushtonte një minutë a ku di unë. S’kisha nerva ta dëgjoja e të bëja kalkulimin se sa do të më kushtonte telefoni. Vura re se ishte një zë që fliste një italishte me aksent. Pas atij më doli një zë tjetër i regjistruar, që thoshte se duhej të prisja dhe pasi mbaroi edhe ai, më doli më në fund një operatore. Fliste një italishte shumë të mirë. “Më jep një çikë numrin e regjistrimit të biletës”, më tha. Fillova t’ia bëj me spell: “B come Bologna, 4, C come Como…”, derisa e mbarova dhe ajo gjeti emrin tim.

“Lubonja?”.

“Po, Lubonja, Fatos”.

“Ne na rezulton se ju kemi dërguar një e-mail…”.

“Po njeriu mund të jetë i sëmurë, mund të jetë i hutuar, mund të jetë në mal, ku s’ka internet, mund të jetë…, – fillova t’i dërdëllis, – si mund të mjaftoheni ju me një e-mail për ta ndier veten të qetë se e keni kryer shërbimin ndaj klientit, ndërkohë që i keni shkaktuar një bela kaq të madhe duke i ndërruar datën e fluturimit…?”.

“Keni të drejtë, do të përpiqem të bëj diçka, – më tha, – por ne jemi thjesht operatorë”.

Më përsëriti disa herë “keni të drejtë” kur i shprehja argumentet e mia. Dukej sheshit se edhe ajo ishte e pakënaqur. Me gjithë hallin që më kishte zënë, fillova të kërkoj të gjej me mend se nga më flisnin ato operatoret. “Ndoshta nga Shqipëria, – thashë me vete, – ndoshta edhe nga India”. Mu kujtuan ulërimat e Peper Grillos: “Ju duket punë ajo në call center?!”. Por edhe një shkrim i “La Republica”, një faqe e tërë, që tregonte se si i transferojnë këto ndërmarrje në Shqipëri pasi atje kushton pesë herë më pak “krahu”, më falni, “goja” a punës, sesa në Itali.

Gjithsesi, përgjigjja përfundimtare e operatores ishte se ata shefat i kishin thënë se nuk mund të bëhej që unë të fitoja të drejtën për fluturimin pasardhës. Mirëpo ndërkohë që filloi të më shpjegonte se ç’duhet të bëja më tej, u pre telefoni. “Janë këto linjat e dobëta të internetit…”, – thashë me vete gjithnjë e më i acaruar. Prita pak dhe mora përsëri. Dëgjova edhe një herë dy lloje zërash të regjistruar, më doli një zë femre që m’u duk si zëri i parë, por nuk ishte ajo. “Kushedi është në një tjetër ‘call center’, kësaj here ne Kinë”, – thashë. Edhe një herë operatorja e dytë më kërkoi numrin e biletës. “B… come Bologna, 4, C come Como…”. Mirëpo, sapo mbarova spellingun dhe fillova t’i shpjegoj edhe një herë nga e para se ç’kishte ngjarë, m’u ndërpre lidhja përsëri. “Dreqi ta hajë, – thashë, – me këto linjat e internetit”. Gjeta në ekranin e celularit numrin që kisha bërë dhe shtypa tastierën. Por kësaj here, në vend të tri radhëve të zërave, më doli krejt tjetër muzikë:

“Në rimbushjen tjetër paguaj një euro që të fitosh dy euro… Grazie”.

“Ç’është kjo? – thashë. – I kam rënë numrit gabim?”. I rashë prapë. Prapë i njëjti zë: “Në rimbushjen tjetër paguaj dy euro të fitosh një euro… Grazie”.
E kuptova. E pabesueshme! Ju betohem se celularin nuk kisha shumë që e kisha mbushur dhe duhet të kisha minimumi dhjetë euro. Kishin ikur të gjitha për “call center”-at e mallkuar dhe pa zgjidhur asgjë. Kisha mbetur edhe pa celular, sepse ndërkaq i kisha hipur autobusit për t’u thyer nga Piza në Firence jo pa llogaritur edhe shpenzimet e ikura dëm për biletat.

Kur mbërrita në shtëpi nxitova të marr një numër fiks të AIR ONE-it. Kësaj here duket se ishte numër italian, sepse kishte prefiksin e Italisë. Më doli një operatore edhe kësaj radhe. Edhe një herë “…B come Bologna, 4, C come Como…”. Edhe njëherë i shpjegova se çfarë më kishte ndodhur. “Të shohim çfarë mund të bëjmë, – më tha, – prit një minutë”. Nuk di çfarë provoi dhe pastaj tha: “Jo, nuk ma lejon sistemi ta kaloj biletën tuaj në fluturimin e së mërkurës”.
Kësaj here dukej sikur vullneti i njeriut ishte, por nuk kishin vullnet makinat, d.m.th. kompjuterët.

Pasi shkëmbyem edhe disa fjalë të tjera, ku i thashë se AIR ONE një dy e ndërron oraret e fluturimit me Shqipërinë, se një fluturim më parë kisha ndenjur pesë orë në Aeroportin e Pizës, ajo  më tha: “Prit një minutë se duhet të sinjalizoj shefat më lart, sepse vetëm ata mund ta lejojnë një veprim ndërrimi date bilete në kompjuter”.

Iku e më la të prisja një copë herë me telefon hapur. Më në fund u kthye e më tha se nuk mund të bëhej gjë e se, me sa dukej, nëse doja të fluturoja për në  Tiranë, unë duhet të blija një biletë të re.

“Po kujt mund t’i ankohem për këtë që më bëri AIR ONE?” – e pyeta.

“Mund të bëni reklamim”.

“Ku mund ta bëj?” – i thashë. Po kërkoja dëshpërimisht një emër njeriu. Por ajo më dha vetëm një e-mail: customerserviceairo-ne@alitalia.it.

U ula menjëherë të shkruaj:

“Gentili signori di AIR ONE” (nuk më vinte fare t’u thosha “gentili”, por kuptohej se ishte “per modo di dire”, siç i thonë italianët.
E fillova duke përshkruar tërë historinë: “… Sot, më datë 19 nëntor shkova në Aeroportin e Pizës…” dhe e përfundova duke u kërkuar dëmshpërblim për dëmin që më kishin shkaktuar me këtë sjellje që e gjeja të padrejtë dhe të një moskorrektese të rëndë – pasi më kishin prishur krejt planet e punës për atë javë, si dhe që të më mundësonin fluturimin të mërkurën, pa shpenzime shtesë.

Për hir të së vërtetës, të nesërmen shërbimi i klientit i AIR ONE-it më ktheu përgjigje duke më njoftuar se fluturimin tim të së hënës, që ishte kryer të dielën, e kishin spostuar për të mërkurën, pa shpenzime.
* * *
Sidoqoftë, kjo nuk më bëri ta ndërpres refleksionin që zhvillova tërë atë ditë e të nesërmen mbi idenë se jetojmë në epokën/erën e hajdutërisë. Po cili është dallimi i kësaj epoke me të tjerat? – do të thoni ju – duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi. Menjëherë do të thosha se dallimi qëndron në atë se në epokat paraardhëse veprimet e shtyra nga etja e panginjur për fitim ishin në mos një gjë e paligjshme, të dënueshëm moralisht, kurse në këtë epokën tonë sikur jo vetëm është zhdukur kufiri midis së ligjshmes dhe së paligjshmes në hajdutëri, por sikur po zhduket çdo skrupull moral përpara etjes për fitim me çdo mjet. Dhe po ashtu, ndryshimi qëndron sepse epoka jonë, duke u bërë gjithnjë e më virtuale në sajë të teknologjisë së internetit, krijon një lloj hajdutërie si në ajër, kur ti nuk e merr vesh se si të merren të hollat dhe as se cili t’i merr. Kjo historia me “call center-a” e me një e-mail që mjafton për të të marrë qyl të hollat e biletës, është vetëm një aspekt i vogël i kësaj bote të madhe të frikshme.

Mjaft të mendosh ato që quhen “bonuse të helmatisura” që qarkullojnë nëpër bursat e gjithë botës, të shpërndara nga disa “golden boys” në Wall Street apo për të famshmin “spread” që po rrëzon qeverinë, në emër të diktaturës së tregut, e që, tek e fundit, është edhe ai një lojë virtuale me kompjuterë nëpër bursa që bëhet me qëllim fitimin maksimal të disa pehlivanëve, të cilët ligjërisht nuk ke ku i kap. Prandaj them se, më shumë sesa e globalizimit, kjo epoka jonë po bëhet gjithnjë e më shumë e hajdutizimit.

Por, këtë refleksionin tim e bazoj edhe mbi dy paradigma të tjera. Së pari, njeriu perëndimor i kohës sonë jo vetëm që jeton shumë më pak se në epokat e tjera me besimin në vlerat që promovojnë fetë si ato të sakrificës së njeriut për njeriun apo të karitasë që kanë qenë themelore deri në shekujt e fundit, por nuk jeton më as si në shekullin XX si pjesë e projekteve të mëdha nacionaliste apo komuniste. Ato projekte kanë dështuar duke marrë me vete, për fat të keq, edhe dy ëndrra/vlera të mëdha të njeriut: atë se njeriu mund ta ndryshojë botën me vullnetin e tij dhe atë të barazisë – duke e lënë kësisoj njeriun e shkretë në projektet e tij të vogla personale, meskine që, tek e fundit, reduktohen te nevoja për para, që kështu të ndërtojë një shtëpi, të blejë një makinë, të sigurojë fëmijët, e ku di unë.

Me një fjalë, t’i adoptohet këtij realiteti të ndyrë dhe jo të kërkojë ta ndryshojë atë, nga frika se mos krijon një monstër si nazizmi apo komunizmi. E dyta, kur vjen puna te paraja, problemi është se këto shoqëritë tona kanë tendencën të shndërrohen gjithnjë e më shumë nga kapitalizëm prodhues në kapitalizëm spekulativ financiar dhe në shoqëri shërbimi.

E kam fjalën veçanërisht për këto perëndimoret, ku ne aspirojmë të bëjmë pjesë. Dhe kjo do të thotë që në vend se të fitohen paratë duke prodhuar mollë, rrush, dardha, vezë, mish, djathë, hekur, çelik, bakër, energji, aeroplanë, makina, e ku di unë, këto të fitohen gjithnjë e më shumë duke ofruar shërbime, siç janë edhe “call center”-at e duke bërë spekulime financiare nëpër bursat. Kjo çon në gjetjen dhe sofistikimin e trukeve se si të nxirren para nga paraja e klientit. Dhe ata që krijojnë këto truke  gjithnjë e më shumë shtrëngohen t’i sofistikojnë ato pasi paraja që vjen nga prodhimi bëhet gjithnjë e më e pakët. Këta djem, pra, që jo më kot i quajnë “golden” (të artë), seleksionimi i ka nxjerrë në pah si qenie superiore. Unë i quajta “homo hajduticus”, si përfaqësuesit më të suksesshëm të një epoke që nuk e dimë se ku po na çon, por që sot ka hyrë në krizë. A do të zhduken këta nga ky ndryshim klimaterik që po ndodh me krizën, apo do të triumfojnë plotësisht këta? – Dhe unë në një rast të tillë nuk do të merrja më fare përgjigje nga customerserviceairo-ne@alitalia.it. Nuk e dimë ende.

Desha ta ngjyroj me pak humor këtë refleksionin pas historisë me AIR ONE-in që tregova, por shoh se nuk ia dola siç desha ca nga paaftësia ime dhe ca, ndoshta, ngaqë me pengoi serioziteti i çështjes. Prandaj po e lë me kaq, si pa fund, këtë shkrim, me shpresë se lexuesi do të më mirëkuptojë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama