Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Flamuj shqiptare

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Flamuj shqiptare

Vramë mëndjen gjatë të organizonim diçka të veçantë për t’i bërë nder këtij 100-vjetori. Festat me daulle e qeleshe, me desh e qingja të therrur, po i bën Saliu, ndaj duhet të gjenim diçka tjetër. Dhe ashtu sikundër dy muaj të shkuar me ekspozitën e hartave që organizuam në Bruksel, e ndamë mëndjen të bëjmë një tjetër ekspozitë.

Përkujtimi i ditës së Pavarësisë, ka qenë dhe mbetet një prej festave popullore më të rëndësishme të shqiptarëve. Mirëpo, më tepër se një festë popullore, jam i prirur ta shoh këtë ditë si dita e shtetit shqiptar, ku shqiptarët duhet të shohin se ç’kanë qenë në gjendje të bëjnë me shtetin e tyre. Shteti modern nuk është folklor. Shteti modern është institucion, ndaj edhe ditën e lindjes së shtetit nuk deshëm ta përkujtojmë me koncerte, por vendosëm të ngremë një Ekspozitë me një itinerar historik të simboleve të shtetit shqiptar, flamuj, stema e fotografi, ç’prej vitit 1912 e deri më sot. Natyrisht për ta gjezdisur pastaj këtë ekspozitë këtej e andej kufirit, nga Prishtina e deri në Vlorë.

Pak ditë para se të niseshim për Kosovë, në Tiranë u publikua lajmi rreth ekspozitës. Qeveria kësaj radhe nuk mund t’i lejonte më vetes të turpërohej si në rastin e ekspozitës sonë të mëparshme në Bruksel. Dhe vendosën të marrin masa. Natyrisht halldupçe. Nga njëra anë duke u bërë presion me sa mundeshin, ku me hir e ku me pahir autoriteteve të Prishtinës që të mos mirëpresin Ekspozitën tonë dhe, nga ana tjetër, duke përgatitur me urgjencë një kundërekspozitë. Kjo mënyrë të menduari së prapi u ka mbetur që nga koha e vitit ‘91: mitingje-antimitingje.

Por aq të mbaruar janë, sa megjithëse deshën të bëjnë kundërekspozitën kundër nismës sonë, një shtet i tërë nuk organizon dot një ekspozitë. Koleksionet shtetërore që flenë nëpër arkiva, janë të mrekullueshme, por për të bërë një ekspozitë ato duhen gjetur e mbledhur, duken sistemuar, duken restauruar se nuk u ka vënë dorë kurrë njeri për mirëmbajtje. Të gjitha këto duan punë dhe që këta të punojnë është punë që s’bëhet. Në fund u mblodhën, vendosën t’u japin me urgjencë ca para disa koleksionistëve privatë dhe këta me objekte të tyret të mbledhura shpejt e shpejt, të sajonin diçka sa për të na u kundërvënë. Edhe në këtë dështuan. Megjithëse urdhrin e kishin që kundërekspozita të hapej përpara ekspozitës sonë, nuk ia dolën dot ta organizojnë përpara nesh për të na i zhvleftësuar, kështu që kundërekspozita e tyre do të vijë në Prishtinë disa ditë pas sonës. Qesharake, nëse mund të përdoret kjo fjalë për një objekt të shenjtë si Flamuri. Ju kujtohet Albert Verria tek Koncerti, në rolin e beut hilanjos që i thotë shoferit: “Aman, sa pará do që t’jua prishësh koncertin artistkave nga Tirana”.

Nisemi për Prishtinë. Për ata që nuk e dinë, kalimi i kufirit tashmë është një formalitet fare rutinor dhe madje edhe i thjeshtuar. Kur del nga Shqipëria për Kosovë, policia shqiptare nuk të ndalon fare dhe kontrollin e bën policia kosovare. Anasjelltas, kur rrugëton nga Kosova për Shqipëri, policia kosovare nuk të ndalon dhe kontrolli bëhet në pikën shqiptare. Kur mendon se sa jetë janë rrezikuar e humbur për të kaluar atë të shkretë kufi, gati-gati ndjehesh fajtor që tani është kështu. Sa breza kosovarësh kanë vdekur me ëndrrën të kalonin një herë këtej, në Shqipërinë që ata e imagjinonin përrallë. Sa e sa shqiptarë kanë rrezikuar nëpër klon, nëpër male e dëborë, për t’u arratisur nga vëndi i tyre. Çfarë keqkuptimi absurd, i zgjatur për një gjysmë shekulli!

Le të themi ç’të duam, por ashtu sikundër ndodh sa herë krahasohemi me dikë tjetër, e njëjta ndodh nëse i hyn qederit të krahasosh anën shqiptare të autostradës me atë kosovare. Përtej kufirit autostrada ndryshon si nata me ditën me tonën. Këtej kufirit rruga është plot hyrje-dalje të pakontrolluara, mungojnë barrierat metalike, nuk janë bërë ende një pjesë e urave, rruga po fillon të mbushet me ndërtime pa leje, klube e karburante, skarpatat e bëra keq e të sistemuara keq po rrëshqasin në shumë pika, rruga fillon me 2 korsi pastaj bëhet me 4, pastaj prapë me 2, pastaj me 4, me 2 me 4, një torturë e rrezikshme, asfalti dhe cilësia e shtratit dallojnë si me thikë sipas firmave që kanë bërë secilën pjesë, e ç’të them tjetër.

Për krahun kosovar, përshkrimi është shumë i thjeshtë, hiq të gjitha këto që thashë deri tani dhe ke përshkruar rrugën. Shto edhe faktin që krahu kosovar ka edhe lukse të tilla evropiane, si për shembull e gjithë autostrada në të dy krahët në distancë 10 deri 20 metra, është e rrethuar me gardh metalik për të penguar kafshët e egra e të buta të kalojnë rrugën. Jemi batërdisur aq shumë nga propaganda e Saliut, sa është e vështirë ta besosh diferencën pa e parë vetë me sy.

Në Prishtinë mbërrijmë pasdite, megjithatë blej një dorë gazeta për t’u ambjentuar. Po të hapësh gazetat e Kosovës, vetëm nga emrat e vëndeve mund të kuptosh se je në Kosovë e jo në Shqipëri. Hallet janë po ato: Në Prizren ankohen për zëvendësimin e kalldrëmit me asfalt. Në Podujevë mungon uji dhe kalamajtë bërtasin duam ujë. Në Gjilan tifozët bëjnë sherr në fushën e blertë. Mungojnë mjekët në spital, shkollave ju duhen ndërtuar kulmet (çatitë). Gjykatësja është e korruptuar, ministri grabit tenderin, mësuesja shkon me kobure në shkollë, s’paguajnë dritat, e kështu me radhë.

Në fakt, unë sa më shumë gjej gjëra të njëjta, aq më shumë gëzohem. Gëzohem se shoh që duke qenë të njëjtë, jemi i njëjti popull, për “inat” të serbëve dhe propagandës së tyre të vjetër që thonë se shqiptarët dhe kosovarët janë dy kombe të ndryshëm. Imagjino sikur të ndodhte e kundërta, sikur në Kosovë gjithçka të shkonte fjollë, tenderat, rrugët, ujësjellësi, dritat, gjykatat, çatitë e shkollave, spitalet! Kushdo do të mendonte se kemi të bëjmë me dy popuj të ndryshëm dhe jo me dy gjysma të së njëjtës. Shqyqyr që falë politikës, ia kemi dalë ta hedhim poshtë këtë pretendim të armiqve tanë shekullorë.

(Vijon…)

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama