Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur dhemb dhëmbi

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Kur dhemb dhëmbi

1. Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, vizitoi Shqipërinë në ditën e parë të këtij nëntori të 100-të të shtetit shqiptar. Turi Ballkanik i saj përçoi mesazhet amerikane për stabilitetin e rajonit, sigurinë e kufijve, integritetin e shteteve, në veçanti të Kosovës, inkurajimin e bashkëpunimit mes vendeve e faktorëve progresistë në rajon dhe zhvillimin e reformave të demokracisë, të tregut, të të drejtave të njeriut e minoriteteve dhe të anëtarësimit sa më të shpejtë të vendeve të rajonit në Bashkimin Europian.

2. Znj. Clinton shprehu qartë angazhimin e qëndrueshëm amerikan në arritjen e këtyre synimeve, si dhe mbështetjen amerikane për çdo faktor konstruktiv e progresist. Mesazhet ishin qartësisht dekurajuese edhe për çdo faktor destabilizues dhe ekstremist brenda apo jashtë rajonit, qoftë për ata sllavë që janë shquar historikisht për sjellje të këtilla, por edhe për ndonjë faktor shqiptar si Vetëvendosja e cila, sipas vlerësimit amerikan, duket se i ka tejkaluar kufijtë e pranueshmërisë, ndaj dhe nuk u pa e udhës prej tyre të ftohej as në takimin e përbashkët me partitë kosovare.

3. E gjithë axhenda e znj. Clinton ishte programuar dhe u zbatua me transparencë të plotë duke na dhënë mundësinë të shohim e prekim koherencën perfekte në deklarata, fjalime, protokollin e takimeve e deri te gjestet: shtrëngimet e duarve, buzëqeshja, vështrimi. Në veçanti, në Serbi e Kosovë, ku vizita u krye bashkërisht me baroneshën Ashton, dyshja amerikane-europiane demonstroi fuqinë dhe shkëlqimin e vlerave të qytetërimit dhe rendit demokratik perëndimor.

4. Koherenca, qartësia dhe harmonia ishin perfekte edhe në vizitën e znj. Clinton në Shqipëri. “Keni ecur shumë e vazhdoni të ecni edhe më shumë në rrugën e konsolidimit të demokracisë, qeverisjes së mirë e të ndershme, shtetit ligjor, besueshmërisë së zgjedhjeve, tregut të lirë e mirëqenies, respektimit të të drejtave të njeriut, rolit konstruktiv në rajon dhe integrimit sa më të shpejtë në Bashkimin Europian ku, ndonëse nuk kanë të drejtën e votës, Amerika ju mbështet duke nxitur partnerët europianë. Amerika ju ka qëndruar pranë këto 100 vite e do ju qëndrojë pranë në 100+100+100… të tjera”, tha përmbledhtazi në Kuvend znj. Clinton

5. Por, progresi në të gjitha këto drejtime, më së shumti varet nga vetë shqiptarët e në radhë të parë nga klasa drejtuese politike, së cilës, pa aspak mungesë respekti mohimi të vlerave, znj. Clinton i sugjeroi domosdoshmërinë e bashkëpunimit për interesat themelore kombëtare duke e ilustruar edhe me shembullin e saj e të Presidentit Obama. Sipas znj. Clinton, arsyeja, mirëkuptimi e bashkëpunimi janë kushtet e domosdoshme për zgjidhjen e mjaft prej çështjeve ku kemi ngecur, në radhë të parë ato të integrimit europian.

6. Ndaj, mesazhi për bashkëpunimin, për kapërcimin e interesave të ngushta politike dhe ambicieve e mërive individuale të liderëve për hir të atyre kombëtare ishte më kryesori që ajo përçoi në Tiranë. Mesazhi i bashkëpunimit nuk u shtjellua vetëm në fjalimin në Kuvend, por u përçua edhe përmes çdo elementi përbërës të axhendës së saj nga mbërritja e deri në ikje. Por, siç ndodh gjithnjë, aktorët politikë dhe mediat pranë krahëve përkatës u rrekën ta interpretojnë sipas interesit axhendën e njoftuar të znj. Clinton që para mbërritjes së saj. Ndonëse dolën blof, përsëri nuk heqin dorë. Ves i pashërueshëm.

7. Amerikanët kërkuan që në sallën e Kuvendit të ftoheshin edhe ish-presidenti Topi apo dy drejtuesit e AK, Kreshnik Spahiu dhe Myslym Pasha, për të cilët, këta dy të fundit në veçanti, protokolli shqiptar as që do ishte kujtuar. Me sa duket, sipas vlerësimit amerikan, ndryshe nga Vetëvendosja në Kosovë, AK gradualisht i është larguar prirjes nacionaliste, e shprehur rrëmujshëm në fillimet e saj si lëvizje dhe po riformatohet si një formacion me prirje patriotike e jo të rrezikshme për rolin e kërkuar konstruktiv të Shqipërisë në rajon. Ndaj, amerikanët s’mund t’i linin mënjanë ndërsa do jepnin mesazhin e bashkëpunimit.

8. Edhe për ish-presidentin Topi, dy ish-presidentët e tjerë, mjaft individë nga bota civile e akademike për të cilët, siç u raportua nga media, ka qenë pala amerikane që ka kërkuar praninë e tyre në sallën e Kuvendit për të dëgjuar së bashku fjalën e znj. Clinton – mesazhin kryesor të saj – atë të bashkëpunimit. Çdo mungesë a neglizhencës amerikane për ndonjë faktor të vlerësuar pozitivisht prej tyre do të ishte sa e pakuptimtë, aq edhe cenuese e vetë këtij mesazhi. Vlerësimet amerikane për këta faktorë, të ndryshme nga ato të Sali Berishës për ta, janë të njohura prej kohësh. Tek e fundit, nëse fjalimi i znj. Clinton do ishte mbajtur në Ambasadën Amerikane apo rezidencën e ambasadorit, a nuk do ishin ftuar të gjithë ata që u ftuan prej tyre në Kuvend?! E pse përbëkan lajm këto kujtesa protokollare amerikane?! Edhe kaq mjafton për të vërtetuar të kundërtën e pretendimeve politike e medietike se këto ftesa amerikane ishin karshillëk për Berishën. Naivitet dhe/ose përpjekje e trashë për manipulimin e publikut. Protokolli shqiptar bëri gjënë më të mençur, që pranoi pa diskutim komplementaritetin e protokollit amerikan. Kuvendi ishte shtëpia e përbashkët shqiptaro-amerikane e demokracisë atë ditë.

9. Znj. Clinton takoi veçmas liderin opozitar Rama, krahas Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Nishani. Edhe për takimin me z.Rama u përsërit e njëjta përpjekje, sa naive aq edhe e trashë, për ta shitur takimin si një përkrahje a konsideratë e amerikanëve në favor të opozitës në zgjedhjet e ardhshme e për kundëreaksion edhe nga krahu i maxhorancës, për ta stigmatizuar takimin me z. Rama si po aq pak të rëndësishëm sa ai me kalamajtë e Tiranës. Takimi me z. Rama ishte në vazhdën e angazhimit të plotë amerikan për paqtimin e situatës politike, veçanërisht pas janarit 2011, e që, falë edhe këtij angazhimi, sot është më shumë normale se konfliktuale, normalitet që gjithsesi është ende i brishtë e ka nevojë për nxitje të mëtejshme e të vazhdueshme.

10. Në këto rrethana s’kish se si të mos kishte një takim të veçantë me z. Rama dhe po kështu në këtë takim znj.Clinton s’kish se si të mos i ketë shprehur atij, drejtpërdrejt, të njëjtin mesazh kryesor – atë për domosdoshmërinë e bashkëpunimit. E jo vetëm duhet t’i këtë thënë “bashkëpuno”, por duhet t’ia këtë thënë mjaft më shkoqur, ndoshta edhe të lidhur me tri detyrat e mbetura për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, të cilat duhen miratuar pa kushte e bishta e të cilat opozita nuk duhet t’i nënvleftësojë për hir të interesave të ngushta elektorale. Njësoj si edhe Kryeministrit duhet t’i këtë thënë, në takimin me të, pak a shumë, po ato që ajo përçoi në Kuvend.

11. Por, mbas takimit, në deklarimin për shtyp të vetë z. Rama, ky as që u mor me bashkëpunimin. Nuk gjen në këtë deklarim as edhe një paragraf, asnjë fjali, madje as edhe vetë fjalën bashkëpunim a ndonjë sinonim te saj nuk e gjen qoftë edhe një herë në të gjithë tekstin, siç dhe nuk gjen gjë për çështjet afatshkurtra të lidhura me integrimin europian, ndërsa më shumë se gjysma e deklaratës i dedikohet çështjes së zgjedhjeve të ardhshme. Me sa duket, zotit Rama jo vetëm që gjuha i shkon ku i dhemb dhëmbi, por duket dëgjon vetëm nga veshi në të njëjtën anë me dhëmbin e sëmurë, i cili bën edhe veshin të dhembë edhe gjuhën të gërvishtet edhe mendjen të turbullohet.

12. Në kontrast me të, deklarata e Kryeministrit mbi takimin e tij të drejtpërdrejtë me znj. Clinton ishte në korrespondencë të plotë, çështje për çështje, me fjalimin e saj në Kuvend. Nga deklarata kryeministrore mësuam se në takim ishte folur edhe për reformat bazë, edhe për zgjedhjet e ardhshme, edhe për integrimin europian, edhe për bashkëpunimin ndërpolitik e deri te besimi i Kryeministrit se opozita do jetë konstruktive lidhur me tri detyrat për statusin. Reflektim korrekt i takimit. Me sa duket z. Berisha, ndonëse më i madh në moshë, i ka në rregull edhe dhëmbët, edhe gjuhën, edhe veshët. Edhe mendjen më të kthjellët për rrjedhojë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama