Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nuk dimë ç'të bëjmë me vdekjen e Lirakut!

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 12 vite më parë

Aleksandër Çipa
Nuk dimë ç'të bëjmë me vdekjen e Lirakut!

Unë e kam njohur Lirak Bejkon. Jo si vuajtës në herën e parë të kohës tjetër, por si të tillë në të dytën. Lirak Bejko e pati vuajtjen me dy kohë. Në kohën e parë e pati vuajtjen e tmerrshme, kryekëput për shkak të politikës, ose më saktë, për shkak të atij regjimi emërtmerrshëm, komunizmit.

Në kohën e dytë, vuajti zhgënjimin, atë që e mposhti vetëm me vdekjen, në pamundësi për ta mundur me dëgjueshmëri. Ishte njeri i lirë në të dyja kohët, në të dyja vuajtjet, por i vetëmposhtur, vetëm përballë padëgjueshmërisë.

Gjatë këtyre ditëve që pritet rikthimi i tij pa frymë në Atdhe, ka munguar përshkrimi i jetës që bënte dhe akti vetë-ikës që ribëri gjatë këtyre kohëve të fundit nga Tirana, në viset e origjinës së atë-krijuesit të tij, në Skrapar. Jetonte atje, në një botë natyrale, mes sinqeritetit të pyjeve të një zone të izoluar. Tamam si Robinson Kruzoja. Merrej me pemët për të prodhuar pak qymyr dhe për të siguruar ekzistencën, në pritje dhe me shpresë për dëmshpërblimin për vuajtjen e kohës së parë, e cila i mori gjithçka dhe më së shumti rininë. Në përpjekje për të siguruar jetesën e tij dhe të familjes së vet. Në një varfëri të plotë, por me një elegancë që ia jepte vetëndierja i lirë. Kushdo që e ka njohur, nuk ka përshtypjen se rebelimi i tij ka qenë sfidant. Jo. Sfidante tek ai ishin shikimi i thellë, liria në të shprehurin e asaj që mendonte, pa asnjë veshje e pa asnjë dorashkë dhe cilësia e të mbeturit i djalëruar, pavarësisht nga mosha që e la nëpër burgje. Koha tjetër e jetës së tij, le të rrëfehet prej bashkëvuajtësve. Ishte qëndrestar dhe zgalem furtunash.

Lirakun unë e njoha nga ardhjet në redaksinë e së përditshmes “Shqip”. Ishte periudha e dy vjetëve të fundit, ku së bashku me miqtë e tij të vuajtur dhe rivuajtës, madje bashkë me të vetëzhuriturin Gjergj Ndreca, këmbëngulnin të merrnin pak më tepër sipërfaqe botimi për deklaratat, protestat, reagimet dhe kërkesat e tyre…. Ishte në vlimin e pakënaqësisë prej zhgënjimit dhe padëgjueshmërisë… Ishte Liraku që me fjalën s’bënte kurrë shaka.

Unë pata, si gazetar, një periudhë komunikimi me grupin e tyre, të cilët në përleshje të fuqishme mentale me këtë gjendje dhe këtë kohë të tanishme të shoqërisë shqiptare, këmbëngulnin në të drejtën shpërblyese. Disa herë u bënë nervozë me vetëpërmbajtjen time redaktoriale. Më flisnin dhe më përshkruanin si në copëza dostojevskiane të përditshmen dhe mjedisin e tyre social e familjar. Jetonin si bohemë dhe familjet në kushte getoiste. Ata kishin histori pa fund për të rrëfyer nga koha dhe vuajtja e parë. Ato janë të panumërta, heroike në çdo episod dhe sidomos heroike, në qëndrestarinë dhe rebelimin. Ata janë personazhet e rrallë në kohën që e shfaroste rebelizmin, por janë tashmë personazhe të rrallë. Por Liraku dhe bashkëvuajtësit e tij, Pali, Gjergji etj., ishin më shpirtbukur pas kohëvuajtjes së parë.

Këtë gjë, të gjithë të njohurit e tyre ua vunë re, e shijuan dhe e mbajtën si një arsye për ritakim. Ishin dhe janë qytetarë të lirë, të lirë në mënyrën më shpirtërore të mundshme. Liraku ishte njëri ndër qytetarët më të lirë të Shqipërisë së sotme dhe vetëm për këtë shkak, vetëm për këtë motiv, u vetëflijua martirisht, jo për kauzë e qëllime të tjera, por vetëm për triumf të ndërgjegjes së vet dhe në respekt absolut të vet’hesë.

Por tashmë ata, domethënë Liraku, Gjergji dhe grupi i tyre, kanë krijuar një histori të dytë me politikën. Vërtet të tmerrshme! Të padenjë e të turpshme për një shoqëri që jeton në vitin 2012, në kohën që kolektivisht dhe në mënyrën më plebishitare e emërtuam si kohë të demokracisë.

Në letrën e dikurshme dërguar Edmund Stevens, fitues i çmimit “Pulitzer”, Indro Montanelli shkruante: “Hipokrizia në Itali është e diktuar nga sensi i nevojës. Është e thjeshtë, praktike dhe e dobishme. Kur një italian dëshiron të ndryshojë parti, nuk e gjykon veten; kufizohet me një llogari që i vjen për shtat…” Kohezioni i hipokrizisë në kohën në të cilën e shkruante këtë letër gazetari i famshëm italian me të sotmen, dëshmohet me provën qëndrimit tonë ndaj aktit vetëflijues të Lirakut. Është një dëshmi e hipokrizisë së sotme shqiptare, në të cilën kontributorët po bëhen gjithnjë e më të fuqishëm. Një mënyrë e çmontimit të aspiratës dhe ndërgjegjes për demokraci reale. Ndarja dhe përdhosja e respektit ndaj Lirak Bejkos dhe sidomos ndaj së drejtës së tij që e çoi në udhëtimin e pandalshëm amëshues, keqsjellja politike me vdekjen e tij turpëruese, janë së bashku prova e turpërimit të sotëm politik shqiptar. Liraku është shëmbëllesë dhe simbol i një akti të vetëngritjes si statujë. Migjeni do të na ndihte me vargun: “Merreni këtë statujë!”… Ia falni atij që ka më shumë merita!… Por… jo “Perëndisë klasike”!

Liraku i ka zvogëluar të gjithë në këtë vend, elitën, po se po, por në mënyrë të pariparueshme ka zvogëluar xhuxhërisht klasën politike dhe administratorët politikë të këtij vendi. Ka zvogëluar dhe turpëruar dasinë politike në raport me vdekjen e tij. Na ka mbetur në derë të gjithëve Liraku. Nuk na mjafton përcjellja e tij, edhe sikur të gjithë të mblidhemi për ngushëllim pranë familjarëve e miqve të tij. Ajo që na vlen si shërbim prej Lirakut, është e vlefshme me dënimin që jep filozofi i famshëm i shekullit tonë, Jürgen Habermas: “I dënoj partitë politike. Politikanët tanë kanë qenë për një kohë të gjatë të paaftë në frymëzimin e ndonjë lloj gjëje çfarëdo qoftë tjetër veç për të qenët e tyre sërish në pozitë. Ata nuk kanë substancë politike çfarëdo qoftë ajo, dhe madje as bindje.”

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama