Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Patetika e NATO-s dhe shqiptarët e thjeshtë

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 17 vite më parë

Fatos Lubonja
Patetika e NATO-s dhe shqiptarët e thjeshtë

“Patetike” do të ishte epiteti që do të cilësonte ligjërimet me të cilët lakohet fjala NATO në gojën e klasës sonë politike. Ndryshe mund të themi se “na mallëngjyen” me përkushtimin dhe devotshmërinë e tyre ndaj aleancës euroatlantike. Personalisht, duke parë sesi ajo u përdor nga mazhoranca deri për të mbytur zërat e protestës për tragjedinë e Gërdecit, por edhe sesi opozita, gjoja në emër të kësaj “ngjarjeje historike”, na mblodhi ambasadorët e NATO-s për t’u thënë se sa e lumtur do të jetë ajo sikur ne të marrim ftesën për Bukuresht, më erdhi të perifrazoj thënien e famshme: “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave” e të them: “NATO-ja është streha e fundit e horrave”.

Sepse e gjithë kjo zhurmë për “suksesin” e hyrjes në NATO mban erën e një propagande shumë të ngjashme me atë që bëhej në kohën e komunizmit për vëllanë e madh sovjetik, kampin e lavdishëm socialist, Traktatin e fuqishëm të Varshavës, mikun e madh kinez. Mban erën e asaj shpëlarjeje trush që u bëhej shqiptarëve asokohe, me mite e ideologji, që në fakt i shërbenin vetëm pushtetit të një nomenklature, që vetëm për Shqipërinë e për shqiptarët nuk mendonte e që, për fat të keq, po ripërdoret si metodë edhe nga trashëgimtarët e sotëm të asaj nomenklature.

Në fakt, realiteti është shumë më prozaik: Shqipëria nuk po hyn në NATO si rezultat i ndonjë suksesi të saj të brendshëm politik, as si rezultat i ndonjë përparimi për sa i përket realizimit të standardeve ushtarake që kërkon hyrja në NATO. Gërdeci ishte treguesi më katastrofik i faktit se jemi larg, shumë larg një vendi normal dhe po aq, larg qoftë, për sa i përket sigurisë së brendshme, qoftë ofrimit të sigurisë për të tjerët. Shqipëria po hyn në NATO si rezultat interesash gjeopolitike që i tejkalojnë realitetet e brendshme shqiptare. Shqipëria po hyn në NATO, sepse konsiderohet si një zonë proeuroatlantike, në një kohë kur po shfaqen hijet e një lufte të ftohtë me ringritjen e Rusisë, si një fuqi që nuk është më si në kohën e Jelcinit. Edhe mbështetja e pavarësisë së Kosovës lidhet kryesisht me këtë gjeopolitikë. Edhe ngulmimi i ambasadorit amerikan që opozita dhe mazhoranca të jenë bashkë në këtë çështje, sipas meje, ka të bëjë më shumë me interesa amerikane, sesa shqiptare. Madje, kjo mbështetje e Bushit, edhe pas Gërdecit, tregon se sa pak u interesojnë amerikanëve punët e brendshme të vendeve që janë në favor të projekteve të tyre të jashtme. Mjafton për këtë të hedhësh sytë në politikat e tyre ndaj vendeve arabe që i konsiderojnë aleate, edhe kur ato sundohen nga regjime super të korruptuar dhe aspak demokratikë.

Duhet të themi gjithashtu, se kjo është një gjeopolitikë që lidhet fort me strategjitë e djathta konservative amerikane, që më shumë i mëshojnë rrezikut të ndeshjes së qytetërimeve, botës njëpolare, sesa politikave progresiste për paqe dhe harmoni në një botë multipolare. Si e tillë, pra, nuk është aspak për t’u mistifikuar hyrja në një aleancë ushtarake, përkundrazi duhet parë si e mbartur me mjaft kontradikta lidhur me vizionin e botës që duam të ndërtojmë, që meritojnë një vështrim kritik. Por gjithsesi, edhe nëse do të pohojmë se interesat amerikane në këtë rast duket se përputhen, në tërësi, me kahen e interesave të Shqiptarëve, duhet thënë megjithatë, se nuk është aspak për t’u festuar hyrja në një aleancë ushtarake, cilado qoftë ajo, sepse një gjë e tillë presupozon shpenzime për luftë, armatime, armiqësi, kërcënime, vdekje. Iraku është shembulli më tragjik i kësaj. Prandaj, ditë për t’u festuar do të ishin dita e zhdukjes së aleancave ushtarake kudo qofshin në botë dhe jo ditët e hyrjes në aleanca ushtarake. Këto ditë mund të pranohet, shumë-shumë pa zhurmë, si një e keqe e domosdoshme.

Së dyti, duhet bërë e qartë se me hyrjen në NATO nuk do të ndodhë ndonjë mrekulli në Shqipëri, sikurse po tentohet të shpëlahen trutë e shqiptarëve, duke mos e diskutuar fare, por vetëm duke e glorifikuar hyrjen. Ata të pakët që japin argumente konkrete për të mirën e kësaj hyrjeje i mëshojnë shumë idesë se, duke hyrë në një zonë sigurie, kjo do të sillte investitorët. Mirëpo nuk është kështu. Nuk do shumë mend se investitorët e huaj nuk shohin qenien në NATO për të rrezikuar të hollat e tyre në Shqipëri. Po të ishte kështu, ata nuk do të shkonin në Kinë edhe as në Rusi apo Indi. Ky është një blof i madh që, për fat të keq, nuk e thotë askush, ashtu sikurse askush nuk vë në dukje se sa do t’i kushtojë popullit të varfër shqiptar hyrja në NATO, sesa shkolla apo spitale do të mund të ndërtoheshin me ato pare që do të shkojnë për NATO-n. Madje edhe lidhur me sigurinë, duke parë ndryshimet galopante që po ndodhin në botë, vështirë se mund të thuash se, duke hyrë në NATO, ke hyrë në një zonë sigurie.

Shqiptarët nuk janë kundra hyrjes në NATO sigurisht. Kjo edhe duke pasur parasysh konformizmin dhe provincializmin tonë proverbial. Mjaft të shohësh se edhe Nexhmie Hoxha, që nuk ka mohuar veprën e të shoqit, sipas “Financial Times”, është megjithatë për hyrjen në NATO. Por është e rëndësishme të vihet në dukje, edhe ambasadorit amerikan, se shqiptarët e thjeshtë, d.m.th. shumica në të vërtetë, jo vetëm nuk kanë të njëjtin ekzaltim që kanë politikanët tanë për hyrjen në NATO, por janë edhe shumë indiferentë ndaj hyrjes dhe ironikë ndaj patetikës së politikanëve. Kjo jo vetëm, pasi shqetësimet e tyre janë krejtësisht të tjera nga ato të hyrjes në një organizatë ushtarake, por mbi të gjitha, edhe sepse shohin se retorika e suksesit të hyrjes në NATO po instrumentalizohet për të mbuluar bëmat e një klase politike që gjatë 17 vjetëve e ka çuar këtë vend nga tragjedia në tragjedi dhe nga dështimi në dështim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama