Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Varferia po zgjon 'Apoteozen' e dritave

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 12 vite më parë

Aleksandër Çipa
Varferia po zgjon 'Apoteozen' e dritave

Dikur Ali Podrimja veçonte nga sivëllai i tij Fatos Arapi, vargun: “Te shkallët e ministrisë/ atdheu i mërzisë”. Kjo qasje poetësh m’u kujtua ndërsa ndala ndanë Rrugës së Kombit, në një restorant në afërsi të Lezhës, madje afër kthesës për në fshatin Spiten. I zoti i shërbimit së bashku me ftesën për t’u ulur, për shkak se më njohu, m’u drejtua:

- Gazetar, lutemi çojeni pak zërin! Fshatrat e komunës përballë, Zejmenit, kanë tetë ditë pa drita. Kjo është e tmerrshme. Nuk mund të dënohen të gjithë, kur s’kanë paguar ndoshta edhe shumica…

Nuk duheshin sqarime të tjera prej zotërisë për këtë gjendje në të cilën gjenden për më tepër se një javë banorët e kësaj zone. Në fakt, kjo situatë as sporadikisht nuk është përcjellë si lajm në mediat tona. Është vërtet një situatë kritike. Një imazh real ku njeriu i Shqipërisë së sotme që jeton jo më shumë se 40 minuta larg Tiranës, mund të gdhihet e të ngryset në terr energjetik apo në një errësirë, e cila të trishton dhe të shtyn edhe më tepër në pezmatim social. Personi i parë që na përcolli këtë lajm, më pas shtoi se shumica janë në një varfëri të skajshme. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse nuk i kanë paguar faturat e energjisë.

Natyrisht episode dhe tablo të tilla varfërie gjenden me lehtësi në shumë hapësira të vendit, sidomos në zonat periferike dhe më së shumti në ato të skajshme. Çështja nuk shtrohet se i gjithë atdheu duhet të jetë në ngjyrë apo ton të njëjtë social. Do të ishte naive diçka e tillë. Por arsyeja le të mbetet te drita, tek energjia, për të cilën ky vend ka një kronikë të pasur pasjesh dhe ndërprerjesh përgjatë 20 viteve të fundit.

Në ditët e vitit 2012, mospasja e dritave apo e energjisë, nuk është më faj qeverie apo shteti. Është arsye që lidhet me një marrëdhënie të re dhe me një praktikë të vjetër. Kompania që është tashmë furnitorja e vetme e energjisë së qytetarit në vend, po përleshet ekzistencialisht me mentalitetin e injorimit të pagesës, duke imponuar bindjen e pagesës për atë që shpenzon. Megjithatë harta e detyrimit të vjelur mbetet ende me njolla të thella në disa zona dhe, sipas të gjitha gjasave, edhe në të ardhmen, por sidomos në këtë periudhën e tanishme elektorale, toni i njollave do të theksohet edhe më shumë. Pra, mospagesat e faturave mujore të dritave do të shtohen edhe më. Është fjala për ato zona ku sillen me detyrimin si me një “pushtues”, dhe jo ta ndiejnë si një borxh të natyrshëm.

Mirëpo në Zejmen, ku gjenden disa fshatra, netët dhe ditët pa energji, kanë rikthyer realisht imazhin e një mjedisi social paraindustrial. Në ato fshatra banorët gdhihen dhe ngrysen me mallkim për dritën e munguar dhe arsyen, që më së shumti pa arsye, i drejtohet qeverisë. Banorët në shumicë gjatë këtyre tetë ditëve po ankohen dhe janë në një oktavë të re reagimesh dhe nervozizmi. Mes tyre shumica nuk kanë paguar, por një pjesë e kësaj shumice, sipas vetë banorëve të tjerë, nuk i kanë realisht mundësitë financiare për të paguar dhe sidomos shlyer faturat e mbledhura. Në këtë gjendje, duket se e nesërmja është edhe më e pashpresë për të ndritur sërish llamba e dritave në banesat e tyre. Ndërkohë që Kryeministri, dy ditë më parë, në debatin e zakonshëm parlamentar, përballë kritikave të opozitës, u shpreh se po privatizon HEC-et për të ulur koston e ujit për qytetarët dhe për të krijuar lehtësi në kushtet e rritjes së re të çmimit të energjisë. Kjo lojë e egër miliona euro në marrëdhënien mes buxhetit të shtetit, faturave të CEZ-it dhe likuidimit të qytetarëve, në të vërtetë vijon të viktimizojë dramatikisht qytetarin. Ky është vendi ku diferencat sociale po bëhen çdo orë e më të thella. Ku varfëria dhe luksi mund të fqinjërojnë shumë më sfidueshëm se kurrë ndonjëherë, por që politikat e lehtësimit social për zonat rurale dhe në veçanti ato që përleshen me efektet e mëdha të krizës dhe shtrëngimit financiar, po bëhen çdo orë e më të papërfillshme, për të lehtësuar apo parandaluar traumën masive dhe ndëshkimin kolektiv. Ndërprerja e dritave tashmë është e përditshme. Kjo nuk bëhet më me bekim qeverie, por me logjikë të thjeshtë kapitaliste. Kjo logjikë i duhet CEZ-it, por nuk duhet t’i mjaftojë qeverisë.

Errësira e gjatë në një zonë të vendit, sjell pasoja dhe efekte çrregulluese në shumë aspekte. Në këto zona po shtohet kronika e vjedhjeve dhe e krimit, në zonat e territ energjetik, dimensionohet varfëria dhe shfaqen çmimet spontane. Jeta administrative dhe sidomos qeverisja lokale, bëhet edhe më kritike dhe e paaftë.

Në situatën e ndarjes së thellë politike mes pushtetit qendror, që zotërohet nga PD-ja dhe atij vendor, që në shumicë u përket socialistëve, po shfaqet dukshëm dhe agresivisht një konflikt i egër dhe me pasoja paralizuese. Çuditërisht, vetëm gjatë seancave të fundit të debatit parlamentar, deputetët opozitarë e kanë denoncuar faktin që bashki të qyteteve kryesore të vendit që kalojnë shifrat e 50 mijë banorëve, janë privuar plotësisht nga përfitimi i grandeve të buxhetit të shtetit, ndërsa komuna të veçanta, në zona periferike të Fierit për shembull, mund të kenë përfituar miliona, vetëm për shkak se kryetari i saj është i shumicës parlamentare. Akuza të tilla po shpeshtojnë çdo ditë kryebashkiakët socialistë të vendit. Por në këtë ankesë mund të ketë edhe politikë, zakonisht prej opozitarëve, por ajo që nuk mund të politizohet është drita dhe varfëria reale. Qytetarit kur i mungon drita, i qëndron e zhytur në errësirë shtëpia dhe kur e mbërthen varfëria, atëherë ai rikthen primitivitetin në bahçen e shtëpisë. Në shumë fshatra dhe zona të dritave të ndërprera në Lezhë, Vlorë, Berat apo Lushnjë është rikthyer tronditshëm primitiviteti. Ky është një realitet, i cili duhet ndërhyrë për ta ndryshuar e jo për ta mohuar propagandistikisht. Në fshatrat pa drita dhe pa energji, në ditët e vitit 2012, duhet të shohim “atdheun e mërzisë” së të vobektëve. Fatkeqësisht kjo “apoteozë” e rikthyer, kësaj here nuk ka lidhje me thatësirën e lumenjve apo nivelin ujor në kaskada, por lidhet drejtpërsëdrejti me një program të ri që nevojitet për shtresat në nevojë dhe grupet e margjinalizuara. Në vitin e 100-vjetorit, shteti dhe qeveria përkuese, kanë arsye më shumë ta refuzojnë imediatisht errësirën e zonave dhe varfërimin familjar të shqiptarëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama