Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sipari i vitit akademik dhe keneta morale

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 12 vite më parë

Aleksandër Çipa
Sipari i vitit akademik dhe keneta morale

Një ditë më parë, në të gjitha universitetet shqiptare nisi viti akademik. Është një ngjarje e cila ekspozon realisht dimensionin frekuentues të mjediseve universitare në republikën tonë. Në një kohë normale, mediat e vendit do ta fokusonin plotësisht këtë ditë. Reporterët socialë do të ofronin tablo të dhënash për investimet dhe korpuset universitare publike dhe jopublike në vend. Në të njëjtën ditë, në vitet e shkuara është shkruar dhe folur gjatë për politikat e aplikuara nga qeveria e vendit dhe ato që ofrojnë investitorët privatë, duke i dhënë formë me vështirësi një tregu rishtar dhe njëkohësisht të vjetër, në realitetin shqiptar. Sikundër do të risillnin në vëmendje dimensionin e frikshëm të cilësisë informale që karakterizon shumicën e universiteteve ose më mirë le të shprehemi, kolegjeve universitare shqiptare.

Mirëpo, kjo tablo dje u spostua, për shkak se të tjera episode të kronikës së zezë u bënë epiqendër e vëmendjes ditore të reporterëve dhe mediave në tërësi. Lajme të reja pasuruan kronikën kriminale, në të cilën, njëra ngjarje nuk ka lidhje me të mëparshmen, por që shëmbëllen për nga llojshmëria dhe tejkalon pamëshirën dhe makabritetin e të mëparshmeve. Vrasja dhe më pas prerja e kokës së 18-vjeçares në periferi të Durrësit dhe zbulimi i autorësisë së këtij krimi monstruoz ishte dhe mbetet një ngjarje me efekte shokuese. Pra bëma makabre e një 80-vjeçari dhe më tej zbardhja e krimeve morale deri në përdhunime, apo narracioni për një sagë kriminale mes tij dhe minoreneve e bijave të ish-mikut të ngushtë të tij familjar, përbën subjektin më tronditës të së gjithë kësaj periudhe për opinionin publik shqiptar. Por galeria mbetet sërish surprizuese, më e tmerrshme dhe më e frikshme, përderisa lehtësisht merret me mend se premisat dhe gjasat për krime edhe më të tmerrshme janë më të mëdha në këtë realitet socio-kriminal që po bëhet zë i zi i përditshmërisë sonë të përbashkët.

Çfarë ka ndodhur që shoqëria jonë po e pasuron llojshmërinë e krimeve makabre më tepër se kurrë ndonjëherë? Cila është arsyeja themelore që në mos e inkurajon këtë fluks kriminaliteti, e bën atë përditë e më prezent? Ku qëndron arsyeja e këtij degradimi të marrëdhënies ndërnjerëzore në mjedisin e sotëm të shoqërisë? Cilat duhet të jenë reagimet preventive dhe cila do të ishte strategjia për shmangien dhe parandalimin e kësaj kronike që shfaqet në mjedisin shqiptar si dukuria e rënies së meteorëve; sa në periferi dhe zona urbane, aq edhe në mjedise metropolitane? Po a mund të ketë një riorganizim dhe rol aktiv të mjedisit dhe institucioneve arsimore dhe edukative ndaj këtyre kategorive dhe fenomeneve? A mund të dalë shoqëria e për rrjedhojë edhe vendi nga kjo kënetë morale dhe cili mund të jetë kontributi i menjëhershëm i shtetit, politikës dhe pushteteve të demokracisë vepruese?

Të gjitha këto pyetje, nuk e formësojnë dot një dilemë, pasi tmerri përjetues në mikromjediset e shoqërisë shqiptare pason me sugjerime konstante. Shkolla dhe institucionet tona, të cilat kanë marrë përsipër sendërtimin e një konstitucioni të ri moral meritojnë besueshmërinë e një misionarizmi të ri. Por kjo nuk mund të bëhet nëse antagonizmi i thellë politik shndërrohet në qëllim dominant, duke përdhosur me të gjitha format dhe oratorinë demagogjike kriteret dhe referencat morale. Militimi moral dhe militantizmi për vlerat morale në këtë shoqëri gjatë këtyre dy dekadave po njohin mungesën dhe rrënimin e tyre më maksimal. Prej këtij militimi jetik kanë mërguar edhe kisha, edhe xhamia dhe gjithë administrata apo shërbestaria klerikale e vendit. Kjo gjendje po tradhton gjithë kontribuuesit, por më së shumti kontributin e institucioneve religjionare të vendit. Sikundër po dëshmon nulitetin edukativ të shkollës sonë, e cila edhe pse është masivizuar më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e arsimit shqip, duket se po korr frytin më të paktë të edukimit dhe shëndoshjes morale. Ky konstatim mund të shkaktojë reagime mohuese dhe të ngjallë debat, por fakti “kokëfortë”, mbi të cilin po e bazoj atë, ka lidhje me këtë realitet të frikshëm, i cili nuk po ndalet dhe nuk po pakësohet, por fatkeqësisht po pasurohet në mjedisin social të Shqipërisë së sotme. Palët politike e adresojnë këtë si përgjegjësi keqqeverisjeje. Por ky është një abuzim. Madje këmbëngulja për ta mbajtur këtë si kazus të akuzimit dhe shfajësimit politik mes pozitës dhe opozitës, nuk është gjë tjetër, veçse një ligësi me pasojë vijueshmërinë e fenomenit dhe të krimit në këtë kënetë sociale. Në shoqëritë e Perëndimit dhe sidomos të vendeve të BE-së, institucionet partiake në raste të shfaqjes së krimit social, rishohin programet sociale dhe strategjitë e ndërhyrjes institucionale. Mos harrojmë se laburistët anglezë e mbajtën kredo të tyre prej disa vitesh nevojën për “Edukim, edukim, edukim”. Në këtë shoqëri me jetëgjatësi tranzicioni, edukimi u vra në të gjitha format. Si përmes alibish reformimi dhe ristrukturimi, ashtu edhe përmes mohimesh dhe zhvlerësimesh strukturimesh në sistemin dhe përmbajtjen e kurrikulave dhe normave edukuese. Shkolla është institucioni ku pasojat e spontaneitetit dhe të reformave dritëshkurtra i shkaktuan një kosto zhvleftësimi, duke e prurë në imazhin e sotëm ku skandali i diplomave dhe i masterizimeve është maja e ajsbergut dhe ai i gjendjes rrënuese të vlerave morale dhe edukative është pjesa e thellë pësuese për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë dhe individëve të kësaj shoqërie.

Degradimi dhe kënetëzimi moral në shoqëri është i thellë, shprehen sociologët shqiptarë. Po zëri i tyre në mjedisin publik dhe sidomos në vendimmarrjen administrative është më pak i dëgjueshmi. Nëse opozita politike denoncon tubimet elektoralo-politike të kryeministrit në shkollat 9-vjeçare të vendit, ky është një alarm që mbart shqetësimin politik. Por kur këtë alarm e ripërsërit pjesa e ekspertëve dhe specialistëve të sociologjisë dhe sociologët e investuar, atëherë shoqëria dhe prindërit duhej të reagonin jo në emër të një solidariteti politik, por në respekt të një pretendimi jetik për shëndetin moral dhe miredukimin e fëmijëve të tyre. Por ky reagim mbetet i munguar dhe për rrjedhojë, në shkollën tonë nuk mund të kemi një zgjim të sedrës cilësore për arsimim dhe edukim, por një rizgjim të militantizmit dhe besnikërisë partiake dhe politike si në kohët e socrealizmit. Reminishenca të tilla e kthejnë pas shoqërinë plurale, por më së shumti plagosin ndërgjegjet e virgjëra të fëmijëve dhe gjeneratave të reja që studiojnë dhe po marrin edukim në shkolla.

Shoqëria dhe krejt rrjetet e shoqërisë civile në këtë situatë duhet të zgjojnë një protagonizëm shpëtues, pozitiv dhe mbështetës. Ata kanë gjithë mundësitë për ta rikthyer mjedisin shkollor dhe atë universitar në krejt vendin, në qendra të reagimit dhe militantizmit miredukues. Kjo është jetike. Ky mision nevojitet në kushtet kur në mjedisin tonë social po gëlojnë kaq “shumë tragjedi, në kaq pak republikë”, siç do të thoshte poeti Fatos Arapi. Një protagonizëm i tillë meriton të marrë shkas në ditët e para të fillimvitit akademik apo siç mund të quhet ndryshe në sipar të vitit universitar. Institucionet religjionare dhe gjithë klerikalizmi shqiptar ka arsye ta konceptojë këtë nevojë si një mision të bekuar për një shpëtimtari sociale të shoqërisë që përpëlitet në rrënim dhe marrëzi socio-morale. Kisha Katolike e vendit dhe më konkretisht, Mitropolia e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës e ka hedhur një hap, në emër të jetës dhe përkundër gjakmarrjes, duke shpallur dekretin shkishërues ndaj çdo gjakmarrësi. Ky është një akt i shëndoshë misionarizmi dhe shërbestarie ndaj shoqërisë. Le të quhet kjo një fillesë. Si e tillë, ende e pamjaftueshme.

Në të kundërt, heshtja apo hermetizmi në të ashtuquajturat akte të meshimit apo faljes në raportet mes tokësorëve dhe mbitokësorit, nuk sjellin gjë, veçse utopinë e mëtejshme të ateistëve dhe kënetorëve të shumtë të kësaj shoqërie. Nëse shkolla, feja në gjithë segmentet dhe institucionet e saj, shteti dhe krejt pushtetet e një shoqërie unifikojnë lëvizjen drejt këtij qëllimi, atëherë mund të themi se në këtë Shqipëri, betejat mbi kënetëzimet, rifitohen. Në emër të bijve, bijave dhe (në mos e keni më këtë moshë), në emër të nipave dhe mbesave, ndërmerreni këtë lëvizje, niseni këtë mision. Që Shqipëria nesër të mos jetë më këneta e sotme morale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama