Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A e meriton Zogu një monument?

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Lubonja
A e meriton Zogu një monument?

Le ta themi troç: gjithë ky debat mbi figurën e Zogut nuk po zhvillohet për të kërkuar të vërtetat historike rreth tij, pra nëse i ka kryer apo jo të ligat për të cilat e akuzon një palë apo të mirat për të cilat e mburr pala tjetër, as për të nxjerrë dritëhijet e figurës së tij në mënyrë që t’i afrohemi sa më shumë të vërtetës së kohës kur ka jetuar e qeverisur e as për të thelluar, kësisoj, dijet tona në shërbim të së tashmes. Jo, ky debat po zhvillohet pasi Sali Berisha ka vendosur t’i ngrejë një monument me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë – me sa duket në kërkim të një politike që kërkon të na i mbajë mendjet dhe ndjenjat në të kaluarën dhe jo në problemet e të sotmes e në kërkim të identitetit të një Partie Demokratike, që, po t’i hiqet ai i komunistëve të kthyer në antikomunistë, i mbetet pako gjë.

Pra, debati duhet bërë nëse meriton Zogu apo jo një monument.

Sipas meje, nëse ajo puna e parë, d.m.th. e analizimit të dritëhijeve për t’iu afruar sa më shumë të vërtetave historike, duke i pastruar ato nga instrumentalizimet e komunistëve dhe zogistëve, është e vështirë, kjo puna e dhënies së një përgjigjeje nëse e meriton Zogu një monument apo jo, mua më duket shumë më e lehtë. Po e them mendimin tim shqeto që në fillim: Kurrsesi nuk e meriton!

Personalisht bëj pjesë në atë brez që e ka përjetuar shumë keq kohën e Enver Hoxhës, dhe kjo ka ndikuar që Zogu të mos jetë për mua një figurë e urryer, siç e paraqiste propaganda komuniste. Dhe kam përshtypjen se i tillë ka qenë për mjaft shqiptarë, mu për shkak të diktaturës. Në një farë mënyre, pra, urrejtja për diktaturën me bëmat e saj, edhe duke e demonizuar kohën e para vitit 1939, e ka mbrojtur figurën e Zogut sepse prirja e shumë njerëzve ishte të idealizonte atë që dënonte diktatura, të mos i besonte ato që thoshte ajo. Dhe kjo ka ndikuar shumë që të mos kemi një njohje të vërtetë të kohës së tij dhe figurës së tij, por vetëm emocione bardhë e zi, që janë forma foshnjore e njohjes.

I thashë këto paraprakisht për të venë në dukje se gjykimi im se pse Zogu nuk meriton një monument nuk ngrihet mbi emocionet e paraqitjes së Zogut në kohën e diktaturës dhe as në instrumentalizimin e sotëm të figurës së tij nga Berisha (meqë ra fjala, ky i detyrohet opinionit një shpjegim se pse në vitin 1994 e nxori jashtë Shqipërisë Zogun II dhe sot i ngre monument Zogut I), por në përpjekjen për njohje dhe kuptim të asaj kohe si përpjekje për të kuptuar edhe më mirë si komunizmin që erdhi pas Zogut edhe kohën që po jetojmë.

Po rendis, pra, disa nga argumentet se pse, sipas meje, Zogu e nuk meriton një monument.

Së pari, në këtë rast pyetja që shtrohet është: A e meriton klasa politike që ka qeverisur Shqipërinë këta 100 vjet t’i ngrihet ndonjë monument – pasi Zogu është një nga përfaqësuesit e saj më të spikatur? Për mua jo, pasi dihet se të këqijat më të mëdha i kanë ardhur Shqipërisë pikërisht prej klasës politike që e ka qeverisur. E thotë edhe Konica këtë. Kush mendon se duhet t’i ngrihet monument kësaj kategorie, duhet të përgatitet që nesër do t’i ngrihet një monument Enver Hoxhës dhe pasnesër një monument Sali Berishës e pas – pasnesër ndonjë tjetri si këta. Lexoni ç’thoshte ish-kryeministri socialist Pandeli Majko para disa ditësh: “Unë hyj te njerëzit që refuzoj të pranoj që në 100 vjet shtet jemi drejtuar nga një hajdut dhe kolaboracionist (!) dhe nga një diktator i dyshuar për homoseksual(!)… Unë besoj te gjakftohtësia që koha na këshillon të vlerësojmë me qetësi.

Ahmet Zogut t’i jepet ajo që i takon duke ia vlerësuar aktet dhe analizuar gabimet. Enver Hoxhës, po ashtu. Dhe pa dyshim, edhe për cilindo tjetër nesër, duke krijuar kështu ‘simfoninë’ e munguar të historisë sonë kombëtare dhe paqen me të kaluarën tonë të përbashkët”. Nuk e di se si e merr lexuesi këtë, por unë e mora kërkesën e Majkos si thirrje për “paqe” me Zogun dhe Enver Hoxhën, madje jo vetëm si një thirrje për të bërë “paqe” me politikanët që na kanë masakruar deri në ‘90-n, por edhe me ata që po vazhdojnë të na masakrojnë që nga ‘90-a e këtej. Në fakt, s’do shumë njohje të historisë për të kuptuar se Zogu e Hoxha nuk hyjnë dot në një “simfoni të munguar” të popullit shqiptar, por janë protagonistë të një marrshi funebër pasi kanë qenë diktatorë, autokratë, të paaftë, injorantë, të korruptuar, që meritojnë të kujtohen si një e keqe e popullit shqiptar me të cilën s’duhet të biem kurrë në paqe. Ku ka parë Majko që bota të bjerë në paqe me diktatorët e shumtë që kanë kryer krime? (Në fakt, kështu është kur vë kryeministra aguridhë tridhjetëvjeçarë – siç ka qenë edhe Zogu e Enver Hoxha – që kur rriten në moshë, zbresin edhe më poshtë në mendim. Akoma s’e paska mësuar Majko se të jesh homoseksual nuk është ndonjë krim?).

Dikush do të thotë se pse i kam vënë të dy në një kandar? I kam vënë sepse kanë një emërues të përbashkët, pavarësisht se kanë jetuar në epoka të ndryshme dhe sisteme të ndryshme: kujtimi që kanë lënë, trashëgimia e tyre politike është në thelb e njëjta: njerëz të poshtër që kanë vënë egoizmin e tyre, interesin e tyre mbi interesat e vendit, duke kryer deri vrasje politike; protagonistë shteti të dështuar që i ka mbajtur shqiptarët në varfëri, injorancë dhe fatkeqësi. Sigurisht, Enver Hoxha është më i qartë si diktator, por, nëse Hoxha ishte një tiran dhe vrasës, kjo nuk do të thotë që t’i ngremë një monument Zogut për shkak se ai paska vrarë më pak se Enver Hoxha. Ta ndash njërin në përfaqësues të së mirës dhe tjetrin të së keqes kur të dy janë një vazhdimësi e historisë në shumë aspekte, është një instrumentalizim që synon mbajtjen e mendjes së shqiptare në stad foshnjor. (Është e njëjta lojë që bën gazetaria jonë e llogoreve edhe me protagonistët e së sotmes: nëse Berisha është i mirë, Rama është i keq, apo e kundërta.) Ka shumë shqiptarë që e kujtojnë kohën e fashizmit si kohën e begatisë më të madhe të shqiptarëve apo si kohën kur u ngritën disa nga ndërtesat më të rëndësishme të kryeqytetit. A mos vallë duhet t’i ngremë për këtë ndonjë monument Musolinit apo Jakomonit?

Së dyti, monument mund t’i ngrihet një figure përbashkuese, kurse Zogu ka qenë një figurë përçarëse jo vetëm sot, por edhe në kohën e tij. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm komunistët. Por, meqë ra fjala për komunizmin, përpara se t’i ngremë monument Zogut, duhet bërë një refleksion i vogël se pse komunizmi ynë pati aq përkrahje dhe njohu aq pak rezistencë; por edhe pse ishte aq i egër dhe me pasoja aq tragjike? Nuk ka dyshim se shumë nga shkaqet duhet t’i kërkojmë te urrejtja që kishte ngjallur te rinia regjimi i Zogut dhe, po ashtu, te injoranca që la ai regjim.

Por, siç thashë, nuk e kam fjalën vetëm për komunistët: E kam fjalën për figura të tilla si Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, – për të përmendur vetëm këta të dy si ndër më të shquarit përfaqësues të atyre që i kanë urryer edhe komunistët. Mua nuk më rezulton se këto figura, që sot nderohen, si dhe dishepujt e shumtë që kanë pasur, të kenë ushqyer vlerësim dhe dashuri për Zogun. Përkundrazi, kanë qenë antizogistë. Fishta, simbol i shqiptarëve katolikë e jo vetëm, ka arritur deri atje sa t’u bëjë thirrje italianëve që ta heqin (meqë ra llafi, siç u bëjmë ne thirrje sot amerikanëve që të na zgjidhin problemet që kemi me politikanët tanë). Mithat Frashëri, një nga figurat e ndritura të brezit të dytë të rilindësve shqiptarë, i qëndroi larg Zogut duke mbajtur gjatë gjithë kohës një librari të thjeshtë dhe, pikërisht për këtë, nderohej nga e gjithë rinia e asaj kohe, që u bë më vonë komuniste dhe balliste. Fakti është që edhe Balli Kombëtar, që ka pasur në gjirin e tij shumë figura të shquara të asaj kohe, ka qenë antizogist. Fakti që disa i bashkoi në emigracion antikomunizmi nuk do të thotë e kanë menduar se Zogut i duhet ngritur ndonjë monument.

Së treti, a ka ndonjë lidhje pozitive, frymëzuese, figura e Zogut me kohën kur jetojmë, sepse monumentet që ngrihen në një kohë të caktuar nuk mund të mos jenë edhe reflektim i frymës së kohës kur jetojmë. Ne jetojmë në kohën e idealeve të demokracisë dhe lirisë e Zogu vetëm me demokracinë dhe lirinë nuk ka lidhje. Në librin e Misha Glany-t, “Ballkani”, në kapitullin që i dedikohet Shqipërisë së kohës së Zogut, ai e paraqitet këtë si një njeri që rrinte i ngujuar nga frika se mos e vrisnin për gjakmarrje ata që kishte vrarë. Bernd Fischer i njeh disa merita, por kurrsesi nuk e ngre në piedestal. Kush do të mësojë për Zogun ca më shumë, le të lexojë edhe librin e Xhelal Staraveckës. Nuk e kam fjalën për ato momente që mund të duken si armiqësi personale të një njeriu që u burgos nga Zogu, por tek atmosfera e mbretërimit të tij: një atmosferë korrupsioni që mua më kujtoi shumë atmosferën e Shqipërisë së Sali Berishës dhe Fatos Nanos këta njëzet vjet – e prandaj më duket edhe shumë e besueshme – me një klasë politike të babëzitur, që s’ka merak tjetër veçse të rrëmbejë ç’të mundë për vete dhe e ndërgjegjshme që ka krijuar një situatë në vend krejtësisht të pasigurt dhe pa të ardhme, prandaj edhe e gatshme për ta lënë vendin në momentin e parë kur do të vihej në rrezik.

Të duash lirinë sot, çka do të thotë të jesh demokrat, të jesh kundër autoritarizmit, kundër korrupsionit, kundër injorancës, do të thotë të jesh edhe antizogist. Atëherë, me ç‘mend në kokë mund t’i ngrihet monument Zogut në kohën tonë? Për të frymëzuar çfarë?

Zogun dhe kohën e tij duhet ta studiojmë, ndoshta t’i japim edhe merita atje ku i ka, ashtu sikurse edhe t’i themi ato që ia kanë veshur me të padrejtë, por jo t’i ngremë një monument. Gjykimi im është se Shqipërisë nuk i kanë ardhur ende politikanë të tillë, idealistë, që ta meritojnë këtë nderim – dhe e vërteta është se edhe në botë janë të pakët politikanët që i meritojnë monumentet – prandaj ngritja e një monumenti Zogut është punë e gabuar që do të hyjë në bëmat e shumta të dënueshme të Sali Berishës dhe të atyre që e mbështesin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama