TË PABESËT

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 8 vite më parë

Artan Lame
TË PABESËT

Mëngjesin e së dielës që shkoi, bashkë me Taulant Ballën dhe Artan Shkrelin, shumë udhëtarë na panë të shtynim korridoreve të Rinasit një kuti të stërmadhe kartoni. Brenda saj gjendeshin të stivosura me kujdes 50 harta dhe 50 libra. Po niseshim drejt Brukselit, në Selinë e Parlamentit Europian për të çelur Ekspozitën “KONTAKTE EURO-SHQIPTARE”. Me Ballën dhe Shkrelin ndamë 120 euro pjesëtim për 3, mbi taksën që duhej për transportin e kutisë në avion. Ndërkaq nëpër televizionet e Tiranës denoncohej fakti që Ministria e Integrimit kishte shpenzuar qindra mijë euro për festën e integrimit. Me to paskëshin blerë edhe 24 ton fishekzjarre. Eh sa gjëra mund të kishim bërë më mirë sikur të kishim vetëm një të mijtën e atyre paráve që Saliu i shkoi kot për tym baruti.

Unë dhe Shkreli e kishim për herë të parë që hynim nëpër hollet dhe sallat e Parlamentit Europian, ky tempull i dyfishtë, i sovranitetit të përbashkët të popujve dhe njëkohësisht një megastrukturë e burokracisë së akullt të shteteve. Një gjë e madhe, shumë e madhe, e stërmadhe dhe e komplikuar, ku thuhen, bluhen e shoshiten punët e Europës. Diplomatë, zyrtarë, funksionarë, deputetë, asistentë, sekretarë, analistë, raportues, komisionerë, përkthyes e lloj-lloj ofiqarësh të tjerë, nëpër sitat e të cilëve kalon çdo vend, raporte, informacione, analiza, rekomandime, shënime, kushte, “road map”-s. Ndërsa Saliu ynë kërkon që t’ua hedhë reformave të integrimit që si bën dot, duke zbrazur 24 ton barut me tym e xixa nëpër qiell.

Përzgjedhja e tematikës së Ekspozitës ishte e thjeshtë: Trojet dhe kombi shqiptar, të para përmes kartografisë europiane dhe librave të tyre. Ishim përpjekur të përzgjedhim vetëm mënyrën e tyre të të vështruarit, për t’iu shmangur subjektivizmit. Tani që po flasim kaq shumë për integrim të Shqipërisë me Europën, kjo gjë duket shumë e natyrshme kur sheh në kartografinë europiane se Shqipëria ka qenë vazhdimisht e integruar në hapësirat e Kontinentit të Vjetër. Ne burokratët kemi filluar të humbasim kontaktin me historinë – na tha një eurodeputet italian – dhe Ekspozita të tilla na bëjnë të shkundemi dhe të rivendosim këtë kontakt të domosdoshëm. Nga të tilla prononcime kuptuam se ndoshta pa vetëdije ia kishim dalë të preknim telin e duhur të tyre. Nuk e besoja kurrë që mund të jenë shkruar kaq shumë libra për Shqipërinë – na u shpreh një tjetër. A mund të fotokopjoj kopertinat e tyre për Bibliotekën tonë – pyeste Përgjegjësja e Bibliotekës së Parlamentit Europian.

PS-ja që organizoi Ekspozitën, ftoi ndër të tjerë edhe të gjithë shqiptarët që gjendeshin në ato ditë në Bruksel. Erdhën me qindra, përveç dyve, Presidentit tonë dhe ministres Bregu, që gjendeshin edhe ata në Bruksel. Njëri është përfaqësues i unitetit kombëtar, tjetra ministrja e Integrimit. Merreni me mend se ç’unitet dhe ç’integrim mund të rrjedhë syresh.

Ekspozita ndenji hapur nga e hëna deri të enjten, ndërsa të mërkurën u organizua ceremonia e hapjes zyrtare, nga Edi Rama i shoqëruar prej tre prej nënkryetarëve të Parlamentit Europian. Erdhën atë ditë s’di se sa deputetë europianë. Erdhi edhe Doris Pack, që s’është dalluar ndonjëherë për dashamirësi socialiste. Duhet të heqim shako-në (lloj kapeleje) përpara kësaj Ekspozite – tha një deputete hungareze. Ndërsa eurodeputetët e vendeve ballkanike, të paktën një takëm syresh ishin më të ndjeshmit për çështjet etnike. Teksa debatonin me ne rreth termit “Ciamuria” që shfaqej në harta që herët dhe njëra syresh gjithë inat po thoshte se këto ishin harta të njëanshme, Shkreli u detyrua t’i thoshte: këto janë hartat që kemi gjetur ne, ju mund të hapni një tjetër ekspozitë me hartat tuaja, natyrisht nëse ekzistojnë.

Kush nuk ka hapur vetë një ekspozitë, piktor, koleksionist, artist, a çfardoqoftë, nuk mund ta kuptojë kënaqësinë e të sistemuarit të stendave me dorën e vet. Është një punë që jo unë e Shkreli, por edhe artistët e mëdhenj preferojnë ta bëjnë vetë. A do t’i shisni posterat kur të mbyllet Ekspozita? – na pyeti një deputet spanjoll, që teksa ishim ende duke i vendosur ato Mureve të sallës.

Ekspozita filloi të vizitohej ende pa u bërë gati. Ndërsa ne ngrinim stendat, midis kartonave bosh dhe rraqeve të tjera të shpërndara në dysheme, vinin vërdallë eurodeputetë dhe funksionarë të tjerë, që ndërkaq kishin filluar të studionin hartat e të shfletonin librat. Shenjë kjo që na siguroi se kur gjithçka të bëhej gati, suksesi do ishte i garantuar.

Bash në ato çaste – ishte mëngjesi i së hënës – filluan të vijnë mesazhet nga Tirana: Po shkatërrohet rrethimi i Pallatit të Brigadave. Kishim shkuar në Bruksel në prag të integrimit për të dëshmuar se Shqipëria nuk është vetëm sherre politikanësh shpirtvegjël dhe barbarë injorantë, por është edhe histori kulture, harta me cepa të ngrënë dhe libra me faqe të zverdhura. Ndërsa barbarët e Tiranës na prenë në besë neve dhe gjithë vendin. Sërish treguan se Shqipëria e tyre është vetëm barbarë pa histori e pa të shkuar. Të paktën të jenë pa të ardhme.

Pallati i Brigadave është një prej objekteve të vetëm me vlerë europiane që ka mbetur brenda kufijve shqiptarë. Është i projektuar dhe realizuar nga arkitektët më në zë të epokës së vet; shpalos në një prej stileve arkitektonike më jetëshkurtra dhe për rrjedhojë më të vlerë në historinë e artit; njëkohësisht konsiderohet si e vetmja rezidencë mbretërore në rang europian, e ndërtuar në stilin e racionalizmit monumental. Ndërsa barbarët e Tiranës, pikërisht në ditët kur po broçkullisin për integrimin europian, po vinin dorë mbi të me kazma dhe ekskavatorë.

Fali Zot se s’dinë ç’bëjnë, thosh Jezui teksa i binin me gurë. Mos i fal o Zot se e dijnë mirë se ç’po bëjnë, them unë për barbarët e Tiranës. E dinë mirë që sa më të egër të na lënë, sa më pa histori e pa kujtesë, sa më të zhytur në injorancë e varfëri ta mbajnë këtë vend, aq më shumë kanë shpresë t’i rrijnë hipur në qafë.

Shkuam në Bruksel për 100-vjetorin e Pavarësisë. Ndërsa pavarësinë nga barbarët me pushtet, nga pushteti i korrupsionit dhe nga arroganca e injorantëve, nuk e kemi fituar ende. Ndoshta integrimi do ndihmojë sadopak për t’ju afruar edhe kësaj pavarësie. Ne fituam para të huajve në Bruksel, por barbarët fituan ndaj nesh në Tiranë. Me të pabesë, siç vetëm barbarët dijnë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama