Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash - Mina mbi Mina

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 17 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash - Mina mbi Mina

Kur shkon nga Elbasani drejt Korçës, posa kalon Shkallën e Mirakës të bien në sy mbi rrugë majtas, disa gurore të tmerrshme që po e hanë malin avash-avash. Menjëherë pas tyre, vijojnë disa magazina të mëdha ushtarake si edhe disa tunele të fshehura. Fshatarët përreth ankohen se, sa herë guroret hedhin mina, atyre u dridhen shtëpitë. Tani na del që, veç kësaj, guroret gjenden praktikisht sipër tuneleve të ushtrisë. Tani u deklarua se në këto depo qenkan rreth 6.000 tonë municion artilerie, që merret me mend se në ç‘kushte janë. Dhe ky municion gjendet ndanë rrugës nacionale. Edhe ndanë hekurudhës. Edhe me gurore përsipër. Të thuash se i kanë bërë tunelet poshtë gurores që të mos i dallojë armiku, më duket e vështirë.

Kur pyet pse lejohen të veprojnë këto gurore, përgjigjja është e thjeshtë. Janë pa leje dhe, si të tilla, nuk mund të ndërhyjnë autoritetet për bllokimin e dokumentacionit të tyre. Vërtet, si mund t‘i heqësh licencën dikujt që nuk ka licencë?!


NGA HALLI

Lajm në TV: Drejtori i Uzinës së Poliçanit i emëruar nga ministri i Mbrojtjes para disa muajsh, na qenka vëllai i një të dënuari që po vuan ende dënimin në Itali për një mal me akuza trafiqesh. Ai na qenka arrestuar nga policia italiane që në vitin 1998 në aeroportin e Milanos, kur ishte në shoqëri të një grupi deputetësh shqiptarë që po shkonin në një takim ndërkombëtar për luftën kundër trafiqeve. Grupi i deputetëve kryesohej nga ministri i deri djeshëm i Mbrojtjes. Dhe meqë në Shqipëri janë mbaruar oficerët, pikërisht vëllain e atij të burgut gjetën ta bëjnë drejtor.

Lajm në TV: Firma që kishte fituar tenderin e Tragjedisë, ishte pronë e një njeriu i cili ishte arrestuar dhe kishte bërë një herë burg për kontrabandë. Dhe pikërisht këtë firmë gjeti shteti shqiptar për t‘u marrë me municione dhe armë.

Morali: I ligu të ligun e gjen edhe me qiri.


MERITA

Në gjithë këtë zallamahi, të gjithë shqiptarët duhet t‘i njohin të paktën një copëz merite Partisë Socialiste. Ajo ka qenë e vetmja forcë politike në këtë vend që, duke e ditur edhe koston elektorale që mund të kishte, u shpreh dhe i qëndroi deri në fund parimit të saj se nuk mund të bëheshin legalizimet pa asnjë kriter dhe pa gjetur më parë zgjidhje për zonat e rrezikshme të të gjitha llojeve. Kur vras mendjen për këtë punë, se si qe e mundur që PS-ja ju mbajt këtij parimi edhe kur e shihte se nuk qe shumë popullor, them se sidoqoftë ajo administratë u tregua të paktën aq minimalisht e përgjegjshme sa të mos pranonte një aventurë që nuk i dukej fundi. Ndërsa në anën tjetër të barrikadës, u gjend një bandë njerëzish të egjër e të papërgjegjshëm për fatet e njerëzve që u kishin besuar.

Po si të mos mjaftonin këto, pikërisht këto ditë në Kuvend ka shkuar një paketë ndryshimesh në ligjin e legalizimeve, sipas të cilave qeveria heq edhe kufizimet e fundit që kishin mbetur dhe legalizon çdo gjë që i del përpara. Lus perëndinë që t‘u vijnë mendtë në vend pas kësaj që ndodhi dhe bëjnë pas, në marrëzinë ku po futeshin dhe po na fusnin.


ARMIKU I JASHTËM

Një prej deputenjve deklaroi se prapa tragjedisë së Gërdecit u dashkej kërkuar dora e agjenturës serbe. Nuk po i përgjigjem vetë, por po vë studionjësin Abas Ermenji ta bëjë, i cili për këto punë në vitet ‘50, shkruan: "Ne shqiptarët, për të qetuar ndërgjegjen kemi gjetur një alibi. Për të gjitha mjerimet tona ua hedhim fajin të huajvet. Duket se kemi mbetur akoma çiliminj nga gjykimi, qyshse vështrojmë gjithmonë mbi të tjerët dhe s‘jemi të zotët ta kthejmë në një çast shikimin brenda vetes sonë".

Dhe meqë nuk rri dot rehat, po e vazhdoj vetë. Edhe sikur të jetë dora e serbit në këtë punë, populli i tyre ka të drejtë t‘i thotë qeverisë së vet "bravo të qoftë". Edhe një herë serbët na dëshmojnë se, sa herë që ju duhet, janë në gjendje të bëjnë ç‘të duan me ne. Po ne ç‘t‘u themi atyre që na qeverisin? Apo t‘u themi: "Meqë e paska bërë serbi, s‘paski faj. Na falni që ju prishëm rehatin".


MEKANIZMI QË NGEC

Shumica e bizneseve që u dëmtuan nga tragjedia e Gërdecit, po kërkojnë dëmshpërblim nga shteti për dëmin e krijuar. Kur themi nga shteti, do të thotë nga ne të tjerët, se shteti nga ne i mbledh taksat me të cilat mbush buxhetin. Mirëpo me thënë të drejtën, cila është arsyeja që gjithë shqiptarët e tjerë të varfër, u dashka të paguajnë për të kompensuar dëmet e bizneseve, që në shumë raste janë edhe goxha pasunarë dhe për të cilat ata, shqiptarët e tjerë, nuk kanë asnjë faj? Këtu mekanizmi ngec.

Bota për këto punë ka shpikur shoqëritë e sigurimeve, që janë jo pak edhe këtu ndër ne, por shqipot si shqipo, ju duket marrëzi të sigurohen dhe pastaj kur ju ndodh qameti kujtohen dhe ja kërkojnë paratë shtetit. Për më tepër, do të qe normale që shoqëritë e sigurimeve të protestojnë nëse shteti do paguajë dëmshpërblime, pasi kjo, jo vetëm që do të qe sabotim ndaj tyre, por nga ana tjetër në këtë rast shqiptarët do vazhdonin të mos siguroheshin me mendjen që po ndodhi gjë na dëmshpërblen shteti. Edhe këtu ngec.

Po edhe sikur këto biznese të donin të siguroheshin, nuk do ta bënin dot. E para gjë që do të kërkonte një shoqëri sigurimi për të bërë sigurimin, është hipoteka e objektit. Por të gjithë e dimë se shumica e këtyre bizneseve janë të ndërtuara pa leje dhe këtu mekanizmi prapë ngec.

Më tej, edhe sikur shteti të vendosë që do të bëjë dëmshpërblimin e shtëpive të shembura, çfarë morali ka që shteti të dëmshpërblejë pasuri të ndërtuara pa leje. Po unë dhe gjithë shqiptarët e tjerë, që nuk kam bërë kurrë asnjë veprim pa leje që nuk kemi vënë as edhe një tullë pa leje, ç‘kusur kemi që paratë e taksave tona të përdoren për të dëmshpërblyer gjëra të ndërtuara pa leje? Prapë më ngec arsyetimi.

Dhe meqë ngecin të gjitha, më kujtohet një tjetër rrugëdalje që po e sjell këtu më poshtë.


SHANSI I HUMBUR

Ne po humbasim një shans historik. E kini vënë re se, sa herë shohim që gjërat shkojnë së prapi në këtë vend, dëgjon njerëz të dëshpëruar të të gjitha shtresave, që shpërthejnë dufin në shprehjet lapidare "ky vend s‘bëhet". Ndërsa ata që e mbajnë veten më me shkollë, shtojnë edhe: "Po s‘u përmbys me themel, të rrafshohet dhe të fillojë nga fillimi, s‘bëhet".

Mirëpo nga pikëpamja teknike, sot po bëjmë dy gabime të mëdha. Duke bërë çmontimin e maleve me dinamit e bomba që na la Komandanti, si edhe duke bërë shpërthime të vogla e të pjesshme, që përmbysin vetëm copëza të vogla të Shqipërisë sonë kreshnike dhe kështu po humbasim shansin t‘ia vëmë minat të gjithës njëherësh dhe të shpëtojë një herë e mirë bota nga ne, ne nga vetja dhe vendi nga rrafshimi dhe fillimi i ri.


TË ASHTU, PO KRENARË

Në televizorë pamë turma njerëzish që flisnin se nuk e dinin ç‘ndodhte në Fabrikën e Tragjedisë. I gjithë Fshati i shihte se kalonin pranë shtëpive të tyre kolona me municion. I gjithë Shtabi i Përgjithshëm edhe pse nuk kishte përgjegjësi direkte për atë që ndodhte atje, e dinte dhe e shihte çdo ditë se në ç‘kushte punohej në atë Fabrikë. Të gjithë deputetët i dëgjoj këto ditë të flasin se e dinin këtë biznes, madje të tregojnë edhe hollësirat e mekanizmit. Të tjerë të numërojnë edhe emrat e atyre që janë prapa kësaj pune. Djali i filanit merret me tregti armësh, pronari i firmës ishte i lidhur me ministrin, ky e çonte andej ai e çonte këndej, e më the të thashë. Kemi nja tre Shërbime Informative, po asnjëri prej tyre "me letra" nuk dinte gjë, le pastaj inspektorate, dogana e kontrolle, që edhe këta të gjithë e dinin dhe përshpërisnin, po sot thonë se "me letra" nuk dinin gjë.

Në fund të historisë, na dalka që të gjithë e dinin, po askush nuk kish pasur guximin të bënte një denoncim. Secili sipas asaj që dinte. Ata që kishin punuar atje, të bënin një denoncim në Inspektoratin e Punës, fshati të bënte një denoncim në polici për karvanët e makinave që u kalonin nën hundë pa pikë sigurie. Oficerët e Shtabit të bënin një copë letër tek eprorët e tyre për ç‘shihnin atje brenda dhe që ishte jashtë gjithë rregullave të tyre. Deputetët, që kanë edhe imunitet, të denonconin edhe me emra ato që dinin për mekanizmin e trafikut, e kështu me radhë.

Në një vend si ky i yni, ku nuk ekziston asnjë lloj sekreti, ku të gjithë dinë gjithçka, kur vjen puna askush nuk pati kurajën të thoshte gjysmë fjale. Atëherë heshtni edhe tani të gjithë dhe duroni si gjithmonë, të dhjerë po krenarë.


Ç‘KËRKONI NGA UNË?

Sali Berisha ja provoi një herë këtij populli më ‘97-ën se ç‘di të bëjë. Diti ta shkatërrojë me themel këtë vend dhe të lërë pas edhe nja tremijë të vrarë. Mirëpo populli shqiptar, që ka luftuar në shekuj për liri dhe drejtësi, në vitin 2005 vendosi të qeveriset sërish po nga ai Sali. Tani hidhemi të gjithë përpjetë dhe themi pse na i bëri kështu, pse na vrau e na sakatoi.

- Po unë këtë di të bëj, përgjigjet ai. A më provuat një herë?

- Po, të provuam.

- A e patë ç‘di të bëj?

- Po, e pamë.

- A më vutë prapë vetë, apo erdha me zor?

- Jo, vetë të vumë o Sali.

- Po atëherë ç‘keni me mua? Unë jam po ai që isha, ndërsa ju kërkoni të jem ndryshe. Jo mor zot, s‘është faji im po i juaji.


PUSHTONJËSI

Fragment nga një qarkore e komandës italiane gjatë luftës italo-greke, e datës shkurt 1941. Origjinali është në italisht dhe në shqip: "... Duhet me ba kujdes që në transportin e materialit t‘ushtris, të mos përdoren djelm ndën 14 vjeç, për mos me i dhanë shkas agjitatorvet me u shpreh se po shfrytzojm krahun e parritun. Gjithaq, ndër shpia qi kan vetëm nji mushk, mos me ba rekuizime, pasi nga nji kafsh për shpi asht domosdo për nevoja të popullatës ...".

Kështu sillej me ne Italia, që në shkollë na kanë thënë se kishte ardhur të na pushtonte. Ç‘të bëka tëndi, nuk ta bën as pushtonjësi.


KAPAKU I HALESË

Kapakun kësaj haleje ja vuri vetë PR-ja. Doli një farë Alibeu a Alibajga, a si dreqin e thonë dhe deklaroi se ishte mbledhur kryesia e Partisë Republikane dhe kishte vendosur se pozicioni i saj në qeveri nuk ndryshonte dhe se Kryesia po diskutonte për emrin e zëvendësuesit të Mediut. Në mes të hatasë që i ra në kokë Shqipërisë, mes turpeve që na mbuluan fund e krye, mes plagëve të hapura dhe shtëpive të përvëluara, mes arrestimeve që ndiqnin njëri- tjetrin, mes kalamajve kërthi që zbërthenin gjyle, mes vjedhjes, korrupsionit dhe horrave me kravata, mes gjithë këtyre, llafi i vetëm i krerëve të kësaj partie ishte se nuk e lëshonin Ministrinë e Mbrojtjes dhe se po bënin gati emrin e ri.

Turp e faqe e zezë. O shqiptarë, me shkollë a pa shkollë qofshi, nuk keni asgjë në dorë sot. Por ama mbajini mend këto fytyra dhe këta emra, të paktën për ditën që do të shkoni prapë të votoni.


SKEMA

Ma prishnë skemën shqiptarët kësaj radhe. Tek themi të gjithë, se shqiptarëve u ka vdekur sedra e u ka mbaruar gjaku, e bëjmë këtë që t‘i vëmë në sedër e të zgjohen e të ngrihen nga pellgu moral ku kanë rënë. Edhe kësaj radhe, si pashë që ditët e para njerëzia zienin përbrenda, por puna mbetesh me aq, fillova të hedh ca radhë sipas të njëjtës formë e skemë.

Mirëpo me ç‘më panë sytë të premten në të ngrysur, kur u ngrenë me gra, çiliminj e pleq dhe një lumë i pasosur shqiptarësh u derdh ta nxirrte jashtë të keqen, m‘u desh ta ndërroj të shkrojturën. Ndaj thom që ma prishën skemën që kisha dhe i treguan të ligut se mbajnë e mbajnë, po ardhka një çast kur ata shpërthejnë.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama