Qarkun e Fierit shpëtojeni “me procedurë”

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 7 vite më parë

Aleksandër Çipa
Qarkun e Fierit shpëtojeni “me procedurë”

Në Fier po mbushet një vit jetë e një institucioni të zgjedhur me vota legjitime, por që është uzurpuar në mënyrën më ilegjitime për të mos ushtruar asnjë prej funksioneve të veta funksionale, duke mbetur sakat me dy krerë në aktin konstitues të tij. Është fjala për Qarkun e Fierit, institucioni i cili që prej datës 21 shtator 2011 ka hyrë në kalvarin e një procesi gjyqësor që vërtitet nga Gjykata e Faktit në atë të Apelit me disa akte dhe seanca, të cilat në vetvete po shndërrohen në kazus ekspozues i maskaradës funksionale mes gjyqësorit, pushtetit dhe sidomos politikës.

Gjithë historia njëvjeçare e këtij institucioni, i cili konsiderohet i treti për nga madhësia dhe rëndësia në hapësirën administrative të Republikës, është kampion se si po shndërrohet në parashtet përmes deligjitimimit, struktura dhe njësia shtetërore e një institucioni administrativ. Brenda kësaj historie, ka shumë histori: mbledhje paralele këshilltarësh, votime dhe denoncime, rrahje, dhunë, armatosje dhe gjakosje zyrtarësh dhe pretedentësh nëpër zyra e korridore, shqyerje zyrash dhe seli të zhvendosura. Aty është parë se si të fortët mund të godasin me leva dhe të gjakosin të zgjedhur dhe të vetëshpallur. Në atë institucion, i cili ka një jetëgjatësi prej më tepër se dy dekada, po jetohet përditë se si mes protagonistëve, ndër të cilëve po gëlojnë kërcënime dhe arbitraritete të krahasueshme me detajet e njohura botërisht të filmit “Kumbari” apo të serialeve të tjera me historitë e mafies dhe të pushtetit politik.

Në Fier, por sidomos në institucionin kryesor të qeverisjes vendore të këtij qarku të madh, lehtësisht edhe vizitorët e një dite mund të konstatojnë se pushteti dhe institucioni në fjalë, ka fytyrën dhe përmbajtjen e një strukture parashtetërore.

Historia vijuese e deligjitimimit të këtij organi të zgjedhur, pas asaj të procedurës numëruese për zgjedhjen e kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës, përbën monstrën reale se sa i shëmtuar përmbajtësisht është procesi legjitimues i të zgjedhurve vendorë në Shqipëri dhe se sa flagrantisht ai konvertohet në okult apo ilegjitim në sy të opinionit të gjerë dhe me bekimin e paskrupullt të pushtetit qendror dhe të pushteteve të tjera që pretendohen si funksionale në një republikë të tillë.

Pas një viti, kjo histori jo vetëm që nuk po përfundon, por kapitujt vijues të saj, janë shumë e shumë më të shëmtuar dhe trishtues për demokracinë reale dhe zbatueshmërinë ligjore në këtë vend. Rasti i Qarkut të Fierit nuk është thjesht një histori deformimi e votës dhe e mandatit të të zgjedhurve, por është katërçipërisht një histori tipike e mafiozimit të një pushteti vendor që manipulohet në ecurinë natyrale gjatë një procesi klasik zgjedhor. Ky institucion, prej një viti ka dy kryetarë dhe dy këshilla të zgjedhurish. Më saktësisht duhet thënë se ai është nxjerrë jashtë funksionit dhe është denatyruar përfundimisht. Nuk ka në historinë zgjedhore të Shqipërisë një kazus të tillë, ku maskarada deligjitimuese të jetë komplikuar përmes manipulimit dhe propagandës në këtë farë feje. Të dy kryetarët, njëri i dalë nga zgjedhja e parë dhe i pranuar me akt të dokumentuar prej paraardhësit të tij në rotacion, pas zgjedhjeve të fundit vendore dhe tjetri i pretenduar, pas një mbledhjeje tjetër këshilltarësh, falë edhe mbështetjesh së pushtetit qendror, janë prej një viti dhe aktualisht subjekt i një procedure gjykimi nga gjyqësori vendor dhe ai rajonal. Nuk kemi asnjë arsye të gjykojmë vendimet e shpallura nga seancat gjykuese, por kemi arsye të ngremë shqetësimin se si mund të lihet në këtë kalvar dhe në mëshirë të fatit një mandat me kohë të caktuar qeverisjeje, për institucionin dhe drejtuesit e një njësie të tillë administrative në vend?!

Ky subjekt tragjikomik i deligjitimimit dhe konsumizmit të një mandati institucional, është kampion prove për ndërgjegjen reale që kanë palët politike në vend, më konkretisht dy apo tri partitë kryesore, pjesë e të cilave janë anëtarët e këshillit të Qarkut të Fierit. Pas një viti, as pala që pretendon uzurpimin dhe as pala që pret “drejtësinë” prej gjyqësorit, nuk ka mundur të sjellë në qendër të vëmendjes publike dhe asaj institucionale këtë rast.

Qarku i Fierit, konsiderohet më i rëndësishmi edhe për sa i përket prezencës së mandateve që përfaqësojnë forcat politike në legjislativin shqiptar. Për një mandat deputeti në zgjedhjet e fundit në këtë qark, publiku shqiptar mbajti frymën, pasi u rrezikua një përplasje dhe ndezje konflikti e armatosur. Dy partitë kryesore, përkatësisht PD-ja dhe PS-ja shfaqën në qytetin e Fierit atëkohë (pra, në zgjedhjet e 2009-ës) një tendosje të pashoqe muskujsh. Prej atëherë dhe në zgjedhjet pasuese, deligjitimimi u shndërrua në një shfaqje me cikle dhe protagonizëm vertikal. Në procesin e maskaradës që lidhet me legjitimimin e Këshillit të Qarkut, u përfshinë këshilltarët e komunave. Në vetvete ky ishte një cikël ku korrupsioni i vogël dhe primitiv po transferonte dhe po metamorfozonte shumicën e përfaqësuar apo të trafikuar. Ky proces vijon edhe tani, ndërsa proceset gjykuese vijojnë. Është një mekanizëm shitje-blerjesh votash dhe këshilltarësh, i cili po e tribalizon jo vetëm përfaqësimin e të zgjedhurve të dalë nga votimet, por po e transformon këtë histori në një subjekt të shpifur konvertimi të institucionalizimit në tribunalizëm dhe shërbestari kriminale.

Është procesi më i rrezikshëm që po ngjet dhe që, sipas të gjitha gjasave, ka për ta mbajtur peng edhe vitin e dytë të një mandati zgjedhor në Fier. Logjika dhe praktika administrative dhe politike na mëson se, kur një pushtet deligjitimohet, atëherë ai uzurpohet nga strukturat parashtetërore, nga strukturat kriminale dhe denatyralizohet jeta institucionale. Këtë kampion turpi po e injoron shumica dhe koalicioni qeverisës i PD-së dhe i LSI-së. Por në mënyrën më tragjike po e le në harresë dhe po e mban larg denoncimit edhe forca kryesore e opozitës, e cila ka pretendimin e të qenit fituese. Pse ngjet ky qëndrim? Pse PS-ja po mësohet me këtë bllokim dhe inekzistencë të një pushteti dhe institucioni të rëndësishëm zgjedhor? Pse OSBE-ja apo edhe ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe vendet e tjera të rotacionit presidencial të BE-së nuk e ngrenë zërin për këtë maskaradë? Kjo heshtje apo indiferencë injoruese e tyre është shprehje kritike e ndërgjegjes funksionale që ata duhet të kenë në shërbim të demokracisë institucionale në Shqipëri.

Maskarada në vijim me Këshillin dhe kryetarin e Qarkut në Fier, duhet faruar një orë e më parë. Kjo maskaradë ka ndikim deligjitimues dhe efekte negative për gjithë demokracinë institucionale në hapësirën administrative të vendit. Këtë kampion duhet ta zhbëjnë aktorët politikë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë aktorët e monitorimit dhe ndikimit diplomatik dhe ligjor në vend. Drejtësia, duhet ta tejkalojë pritmërinë procedurale, kur bëhet fjalë për fatin e një mandati qeverisës për qytetarët. Drejtësia ka dhënë prova se protagonistë skandalesh dhe akuzash tronditëse i ka gjykuar dhe i ka çliruar prej mëkatësisë së tyre kriminale me procedurë. Pse këtë praktikë nuk e aplikon për proceset që lidhen me mandate të zgjedhurish, të cilët zgjidhen si të tillë për afat kohor mandatesh qeverisëse?! Qarku i Fierit është uzurpuar dhe është eligjitimuar me procedurë gjatë një viti, në kohën e mbetur, drejtësia, pavarësisht politikës, le ta shpëtojë me procedurë. Me një procedurë ligjore dhe së paku me favorizimin kohor që u bën politikanëve dhe pushtetarëve, të cilët tashmë janë listuar si të gjykuarit e rrallë me procedurë të përshpejtuar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama