Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse kërkova pavarësi të kushtëzuar për Kosovën

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 12 vite më parë

Besnik Mustafaj
Pse kërkova pavarësi të kushtëzuar për Kosovën

Para pak javësh, Grupi Ndërkombëtar Drejtues (GND) pati në Vjenë një nga takimet e tij më të rëndësishme, në mos më të rëndësishmin, lidhur me fatin e Kosovës. Në këtë Grup bëjnë pjesë të gjitha vendet anëtare të BE-së që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, SHBA dhe Turqia. GND vendosi që, në shtatorin e sivjetshëm t’i jepet fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së shtetit më të ri në Europë, Republikës së Kosovës. Në mbyllje të këtij takimi, Kryeministri Hashim Thaçi dukej më i gëzuari, më krenari, dhe me plot të drejtë. Por, do të doja të vlerësoja posaçërisht në këtë rast një vetëdije të dobishme realizmi që vura re në fjalët e tij tek shprehej për të ardhmen e Kosovës me pavarësi të “pakushtëzuar” tashmë.

Ai tha se “ne duhet të forcojmë  sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Për më tepër, unë dua të ritheksoj zotimin tonë për ta rritur përfshirjen tonë në raport me të gjitha komunitetet në Kosovë, e në mënyrë të veçantë me serbët që jetojnë në Veri të vendit, të cilët meritojnë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që janë të përcaktuara me Planin e Ahtisarit dhe me ligjet e me Kushtetutën e Kosovës”. Ishte pikërisht ajo që pritej: një qasje realiste nga ana e Kryeministrit të Kosovës ndaj së ardhmes së afërt të vendit që ai është mandatuar të qeverisë. Një qasje e tillë realiste u jep sigurinë e nevojshme vendeve deri dje anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, siç edhe mbarë vendeve të tjera për ta rritur e zgjeruar bashkëpunimin me Kosovën në të ardhmen, tashmë në një nivel cilësisht të ri e që është mirëfilli partneriteti. Kosova do të ketë nevojë edhe më shumë se më parë për këtë bashkëpunim.

2.
Kur dhashë dorëheqjen nga funksionet e ministrit të Jashtëm në fund të prillit 2007, ndër shumë telefonata të zakonshme për një rast të tillë, që mora nga kolegë, ishte edhe ajo e ministrit të Jashtëm  të njërit nga vendet europiane të përfshira më fort e më haptas në mbështetje të idesë se, zgjidhja në të cilën do të duhej të arrinte presidenti Ahtisari me grupin e tij negociator, ishte pavarësia e Kosovës. Për të qenë i saktë: pavarësia e kushtëzuar. Ky mik i shqiptarëve, posaçërisht i Kosovës, i shtyrë edhe nga afrimitetet miqësore që ushqenim unë dhe ai personalisht për njëri-tjetrin, shkoi në atë bisedë telefonike përtej shprehjes standarde të falënderimeve “për bashkëpunimin e mirë që kishim pasur”. Ai më pyeti se çfarë kisha pasur parasysh me shpjegimin tim lakonik: “U lodha”. Kur pa se unë po i shmangesha përgjigjes, më ndërpreu:

- Për t’i rënë drejt: a ka lidhje dorëheqja jote me ndonjë presion të Kryeministrit Thaçi mbi Berishën për shkak të tezës tënde mbi pavarësinë e kushtëzuar?
Pyetja më zuri në befasi.

- Jo, jo, – u nxitova t’i përgjigjem për të mos i lënë përshtypjen se kisha mëdyshje. – Nuk ka asnjë lidhje. Asnjë lidhje.
Miku nuk nguli këmbë. Vetëm më la të kuptoj se nuk e kisha bindur.

- Uroj të jetë kështu! – më tha.

Pak muaj më vonë, gjatë verës, rasti e solli të mblidhesha në një darkë private me këtë mik në qytetin e tij. Ai vazhdonte të ishte ministër i Jashtëm i vendit të vet dhe vazhdonte po ashtu ta mbështeste shumë e më shumë në emër të vendit të vet perspektivën për pavarësimin e Kosovës. Ai e solli përsëri bisedën te arsyet “misterioze” të dorëheqjes sime dhe u ndal pa e shkelur mirësjelljen te një presion i mundshëm i Hashim Thaçit mbi Berishën. Unë nuk kisha fare dëshirë të mësoja nga i buronte atij një hamendje e tillë, siç nuk kisha dashur asnjëherë ta mësoja nga i buronte  Hashim Thaçit njëfarë vreri që derdhte kundër meje në mjedise të caktuara shqiptarësh apo të huajsh e që mbërrinte dashje pa dashje pa vonesë në veshin tim.

Nuk ishte e vështirë për mua ta përfytyroja sakaq, se një hamendje e tillë shkonte përtej rastit të mikut që po i lejonte vetes të ma shprehte. Përvoja ma mundësonte ta merrja me  mend se ky dyshim krejt i paparashikuar nga ana ime kur mora vendimin për t’u tërhequr, ishte përfolur midis ish-kolegëve të mi. Sidomos midis atyre më të përfshirë në çështjen e Kosovës. Gjithsesi, unë isha i bindur dhe vazhdoj të jem i bindur edhe sot e kësaj dite se Thaçi nuk do të kishte guxuar kurrë t’i fliste Berishës kundër meje. Mos qofsha i gabuar! Marrëdhëniet e mia me Berishën ishin të tilla asokohe, sa unë besoj sinqerisht që Berisha nuk do ta kishte lejuar një presion të tillë. Dhe po të kishte ngulur këmbë Thaçi, – ma thotë mendja mua – Berisha nuk do të ishte ndikuar dhe madje do të më kishte vënë në dijeni. Për hir të së vërtetës, Berisha nuk më ka kërkuar kurrë as drejtpërdrejtë e as tërthorazi të largohem nga ekipi i tij. Dhe, përsa i përket tezës sime për pavarësinë e kushtëzuar, e cila u shndërrua menjëherë në platformë për diplomacinë tonë në qasjen ndaj zhvillimeve për të ardhmen e Kosovës, Berisha më ka kërkuar vetëm një herë ta përmend sa më rrallë publikisht. Jo ta fshij nga veprimi ynë diplomatik. Dhe unë e kam mirëkuptuar. Një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik shqiptar, qoftë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi apo qoftë edhe në diasporë, ishte ende tepër emocional dhe nuk kishte veshë për të dëgjuar asnjë lloj shpjegimi racional. Këtë pjesë të opinionit publik do të përpiqej ta qetësonte Berisha me deklaratat e tij për “pavarësi të plotë të Kosovës”, ndërsa unë vazhdoja punën time diplomatike duke shmangur me vetëdije të gjitha polemikat me sharjet dhe akuzat që më vinin breshëri nga të gjitha anët: nga Beogradi, nga Thaçi me të vetët në Prishtinë, nga Pandeli Majko me të vetët në Tiranë, nga Ismail Kadare, nga opinionistët e zellshëm që i njohim të gjithë, nga atdhetarët gjuhëbrisk të blogjeve. Ishte zbuluar “tradhtari i madh” i kombit që po “shiste Kosovën”.

3.
Ditën e tretë të marrjes zyrtarisht të detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme m’u desh të nisem për në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Festohej njëherësh edhe 60-vjetori i themelimit të Organizatës dhe delegacioni ynë  i madh kryesohej nga Presidenti Moisiu. Në përbërje të tij ishte edhe Kryeministri Berisha, i cili, kuptueshëm, donte të përfitonte nga ky rast për të fituar kohë në vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me sa më shumë kryetarë qeverish dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë. Por ai nuk do të fliste para Asamblesë së Përgjithshme. Fjalimin shqiptar në sesionin jubilar do ta mbante Presidenti i Republikës, ndërsa atë në sesionin e zakonshëm do ta mbaja unë, që do të thotë se unë do të paraqisja drejtimet nëpër të cilat do të ecte qeveria e re për sa i përket  politikës së jashtme të Shqipërisë gjatë katër viteve të ardhshme. Bashkë me objektivin tonë për integrim në NATO e në BE, çështja e Kosovës do të zinte natyrshëm vend në qendër të vëmendjes.

Në atë javë të dytë të shtatorit 2005, në Nju Jork ishin mbledhur të gjithë aktorët ndërkombëtarë që do të vendosnin për rrjedhën e zhvillimeve të afërme në Kosovë, përfshirë këtu edhe ambasadorin Kai Eide, i cili sapo kishte përfunduar misionin faktmbledhës në Kosovë, por nuk kishte bërë ende të ditur asgjë rreth përfundimeve ku kishte arritur. Raportin e vet ai e kishte për ta nxjerrë në fillim të nëntorit. Unë kisha sjellë më vete nga Tirana një fjalim të përgatitur nga stafi diplomatik e të përkthyer, ku, ashtu si edhe në fjalimin e Presidentit Moisiu, shprehej mendimi i Shqipërisë se për Kosovën nuk mund të kishte zgjidhje tjetër veç pavarësisë. Ky mendim ishte shprehur me zë të lartë dhe në vazhdimësi nga kancelaritë politike dhe diplomatike shqiptare qysh pas ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s në ish-Jugosllavi në pranverë 1999. Unë vija, pra, para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me një mendim të pritshëm, përsëritur e stërpërsëritur nga paraardhësit e mi, aq sa për veshët e ndërkombëtarëve dukej të ishte kthyer në një farë rutine.

U trishtova, megjithatë, kur vura re se me sa shpërfillje u përcoll fjalimi i Presidentit Moisiu. Askush nuk u tregua sadopak kureshtar gjatë takimeve të nivelit të lartë që pasuan, të dëgjonte argumentet tona për arsyet pse pavarësia ishte zgjidhja e vetme e drejtë dhe e përshtatshme për Kosovën dhe as për rrugën që duhej ndjekur për arritjen e kësaj pavarësie, e më tej për specifikat e administrimit të saj në të ardhmen. Nga përvoja e gjatë që kisha në marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi e posaçërisht në diplomaci, pikasa në këtë shpërfillje të pashprehur me fjalë një zvogëlim të rrezikshëm të ndikimit të Shqipërisë në procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Pasojat e një zvogëlimi të tillë do të ishin të rënda, sipas gjykimit tim, në radhë të parë për Kosovën, por ato do të ishin të rënda edhe për krejt politikën e jashtme të Shqipërisë. Në fjalë të mbrame, Tiranës politike i kishin rrahur për vite të tëra shpatullat për “rolin konstruktiv në rajon”, rol që pastërtisht duhej përkthyer pa e tepruar me cinizëm vetëm për shkurajimin dhe pasivitetin e mbjellë pa u lodhur ndër udhëheqësinë politike të Prishtinës.

Për mua, si ministër i Punëve të Jashtme, ashtu si për qeverinë ku bëja pjesë, do të ishte shume e rehatshme dhe madje fitimprurëse të vazhdohej në këtë hulli. Por a ishte kjo detyra jonë përpara kombit dhe Historisë, siç edhe mirëfilli përpara nevojës pragmatiste për t’i shërbyer rrënjosjes njëherë e mirë të paqes dhe të stabilitetit në rajon? Sigurisht që jo. Duhej thyer medoemos kjo rutinë, për ta nxjerrë Shqipërinë nga roli i kujdestarit gjumëvënës për udhëheqësinë politike të Kosovës, zgjedhur demokratikisht tashmë dhe pranuar botërisht si e ligjshme, në mënyrë që Shqipëria të merrte rolin që i takonte e që ishte e aftë ta luante në procesin e ndërlikuar të daljes nga statu quo-ja të Kosovës, për të hyrë realisht në rrugën e pakthyeshme të zgjidhjes përfundimtare të fatit të saj. Nga ana tjetër, duhej gjetur mënyra për t’i dhënë udhëheqësisë së Kosovës dhe vetëm asaj peshën vendimmarrëse në këtë proces. Ndërkombëtarët duhej ta kuptonin dhe ta pranonin se për fatin e Kosovës nuk vendosej në Tiranë, por në Prishtinë, e vetëm atje. Nuk kishte rrugë tjetër për t’i krijuar udhëheqësisë së Kosovës rëndësi të barabartë me udhëheqësinë e Serbisë në këtë proces. Pa e krijuar një barazi të tillë nga rëndësia dhe fuqia në marrjen e vendimit përfundimtar, udhëheqësia e Kosovës rrezikonte të shndërrohej në dekor të procesit.
4.
Ky do të ishte një ndryshim me themel në sjelljen e rrënjosur tashmë gjatë pesëmbëdhjetë viteve të Tiranës ndaj Prishtinës. Heqja dorë nga paternalizmi ndaj udhëheqësisë së Kosovës do të shënonte në dukje doemos një zvogëlim të ndjeshëm të protagonizmit sipërfaqësor të Shqipërisë në rajon, gjë që drejtuesit e njëpasnjëshëm të shtetit shqiptar e kishin shkëmbyer rëndom me mbështetje ndërkombëtare për pushtetin e tyre të radhës. Vetëm Presidenti i ndjerë Rugova ndër udhëheqësit me peshë të Kosovës kishte qenë qysh herët i vetëdijshëm  për dëmin e një paternalizmi të tillë të hapur dhe e kishte refuzuar vazhdimisht me vendosmëri qoftë përballë Berishës President e qoftë përballë Nanos, Majkos e Metës kryeministra njëri pas tjetrit. Por ai nuk ishte ndjekur në këtë pikëpamje as nga kolegët e tij të kombeve të tjera politike e as nga bashkëpunëtorët e tij. Rrjedhimisht, sjellja e Rugovës “kokë më vete” nuk kishte pasur në jetën politike të Kosovës dobinë që do të duhej të kishte përsa i përket vendimmarrjes. Dhe kjo kishte shpjegimin e vet. Aktivistët politikë të Kosovës, duke ardhur kryesisht nga lëvizjet klandestine, kishin një adhurim të veçantë për shërbimet sekretet të Shqipërisë. Dhe drejtuesit e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe Berishën e periudhës 1992-1997, kishin përdorur kryesisht shërbimet sekrete si urë komunikimi, që do kuptuar, në fakt, “mbajtja e tyre nën kontroll”.

Isha i bindjes se kjo praktikë duhej të merrte fund menjëherë. Në vazhdim, me udhëheqësit politikë të Kosovës duhej komunikuar vetëm në rrugë politike dhe diplomatike, në respekt të plotë të legjitimitetit dhe të integritetit të tyre politik e njerëzor. Ata duhej të ndjeheshin të barabartë me udhëheqësit serbë në këtë proces dhe parësorë ndaj udhëheqësve shqiptarë. Kjo do të nxirrte në pah pjekurinë e mjaftueshme të klasës politike të Kosovës për të përballuar sfidat e jashtëzakonshme që kishte përpara dhe po aq do të ndihmonte në përshpejtimin e kësaj pjekurie, e cila do të ishte jetike për të provuar botërisht se shteti i Kosovës i kishte kapacitetet e nevojshme për të zënë denjësisht vendin e vet në familjen e madhe të shteteve sovrane. Në gjykimin tim kjo ishte kryesorja. Berisha ishte larguar ndërkaq nga Nju Jorku dhe unë nuk kisha mundësi të këshillohesha me të. Nuk e dija ende si do ta arrija konkretisht këtë qëllim për të cilin nuk isha dhe aq i përgatitur paraprakisht. Isha, megjithatë, krejt i vendosur ta kërkoja rrugëdaljen e re. Do të kisha dashur shumë të shkëmbeja ndonjë mendim me Veton Surroin, por edhe kjo nuk më ishte e mundur. Unë as kam qenë e as jam përdorues i zhdërvjellët i internetit.
5.
Zgjodha që takimet e para t’i bëja me përparësi me “aktorët” ndërkombëtarë më të angazhuar drejtpërdrejt në çështjen e Kosovës, përfshirë këtu edhe ambasadorin Kai Eide, me të cilin u takuam në një qoshe të kafenesë si i vetmi vend ku mund të pihej lirisht duhan e që është ngjitur me sallën plenare të Asamblesë së Përgjithshme. Asnjë nga miqtë e mi të vjetër apo të rinj nga vende të ndryshme nuk e njihte në punë ambasadorin Eide, aq sa të më jepte një përshtypje paraprake për stilin e tij të bisedimit apo për temperamentin e tij. Por, të gjithë më inkurajuan ta takoja. Gjithsesi, prania e tij në Nju Jork gjatë atyre ditëve ishte mjaftueshëm domethënës për mua. Ai kishte edhe dy muaj kohë për të shkruar raportin e vet. Sipas hamendjes time nga larg, ambasadori Eide, brenda vetes së vet, kishte arritur në përfundimin se ishin pjekur kushtet për çeljen e negociatave për përcaktimin e statusit final të Kosovës dhe kishte ardhur atje të nuhaste si do të pritej nga kancelaritë më të rëndësishme të botës një propozim i tillë. Ndryshe, pse do të vinte? Ai nuk ishte anëtar i asnjë delegacioni zyrtar. Unë, pra, parapëlqeva të mos e pyesja si e kishte mendjen pas përfundimit të misionit faktmbledhës në Kosovë. Në skenarin që ndërtova në kokën time për atë bisedë zgjodha t’i sillja sa më shumë argumente në shërbim të pavarësisë si një zgjidhje jo vetëm e drejtë, por edhe e mundshme. Shenja e mirë ishte që takimi i paracaktuar ishte me kohë të pakufizuar, që do të thoshte për mua se ai ishte i dëshiruar të më dëgjonte gjatë. Rendita në fletoren time qysh një ditë më parë të gjitha rreziqet që përmbante zgjatja e gjendjes së ngrirë në marrëdhëniet serbo-shqiptare brenda territorit të Kosovës; nevojën jetësore që kishte mbarë shoqëria në Kosovë për të parë një horizont të ri për të ardhmen e vet; nevojën po ashtu jetike që kishte paqja dhe stabiliteti i krejt rajonit për një zgjidhje përfundimtare të fatit të Kosovës; dobinë që do të kishte mirëfilli shoqëria serbe, e posaçërisht klasa e saj politike në Beograd, të cilat qartësimi përfundimtar i së ardhmes së Kosovës si shtet i pavarur do t’i ndihmonte të shkëputeshin njëherë e mirë nga e kaluara, e kështu me radhë.

- Si do të jetë kjo pavarësi? – M’u drejtua ambasadori Eide.

- Një proces në ndërtim, – iu përgjigja, – i shoqëruar, doemos, nga komuniteti ndërkombëtar, sipas disa kushteve të caktuara paraprakisht e ku do të mishërohen parimet themelore për ngritjen e një shteti demokratik, për të cilin kanë më së pari dobi të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, por ka dobi edhe i gjithë rajoni ynë.

- A do ta pranonte Prishtina një formulë të tillë?

- Jam i bindur se po, – vazhdova, duke pasur parasysh Presidentin Rugova. – Elita politike e shqiptarëve të Kosovës është e pjekur tashmë dhe plot me vullnet të mirë të bashkëpunojë sinqerisht dhe ngushtë me komunitetin ndërkombëtar për ndërtimin e së ardhmes së vet të lirë e demokratike.
- Po roli i Shqipërisë në këtë rast eventual?

I shpjegova se ne do të ishim aktivë, por jo aktorë. Pra, kryesore dhe e pazëvendësueshme në këtë proces do të ishte udhëheqësia e Kosovës. Ajo kishte gjithë legjitimitetin dhe aftësitë për t’u përballur me këto sfida historike. Për më tepër, – shtova duke pasur parasysh përsëri Presidentin Rugova, – me të drejtë kjo elitë me përvojë të madhe tashmë, nuk do të pranonte të futej nën sqetullën e Tiranës. Çdo përpjekje nga ana jonë për të qenë aktorë në këtë histori, do të sillte zvogëlimin e sovranitetit të përfaqësuesve të Kosovës në marrjen e vendimeve. De jure ne nuk mund të jemi aktorë, sepse nuk jemi as palë në bisedime, as anëtarë të Grupit të Kontaktit, e as anëtarë të Këshillit të Sigurimit. Ne bëhemi aktorë vetëm po u shtrua mundësia e ndarjes së Kosovës. Por ne jemi kundër një zgjidhjeje të tillë. Si aktivë ne do të jemi pakursyer në krahun vullnetmirë të komunitetit ndërkombëtar, dhe prapa përfaqësuesve legjitimë të Kosovës.

Ambasadori Eide nuk më dha asnjë vlerësim për sa dëgjoi, por, nga pyetjet e tij, unë e ndjeva se biseda shkoi mirë. Qysh në mbrëmje e përfshiva pa mëdyshje këtë tezë në fjalimin tim që do të mbaja të nesërmen para Asamblesë së Përgjithshme.

Nuk ndjeva nevojë ta testoja me të tjerë. Madje, gjykova, me droje, se testimi nëpër biseda me të tjerë mund edhe të më shtynte nëpër debate që do të më frenonin ta shpallja si një formulë zgjidhjeje, ku përmbusheshin interesat themelore të të gjitha palëve: shqiptarët do të kishin pavarësinë; serbët dhe minoritetet e tjera, nëpërmjet kushteve të përcaktuara paraprakisht gjatë negociatave, do të përfitonin të drejtat e tyre themelore për të ardhmen, përfshirë edhe zbatimin e mundësisë për diskriminim pozitiv; ndërkombëtarët, duke marrë të drejtën dhe mirëkuptimin për ta shoqëruar si pjesëmarrës nga brenda procesin e përmbushjes së standardeve (kushteve), nga njëra anë do ta ndihmonin konkretisht në terren udhëheqësinë e Kosovës të rriste kapacitet e saj qeverisëse, të thellonte kulturën e vet demokratike, e, nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar do të bëhej kështu bashkëthemelues i këtij shteti të ri dhe do ta kishte ndërgjegjen të qetë nesër si përballë minoritetit serb të Kosovës, edhe përballë kombit serb në përgjithësi përsa i përket garantimit të lirive dhe të drejtave themelore të këtij minoriteti posaçërisht.

E kisha, pra, atë mbrëmje të ngrohtë shtatori 2005 bërthamën e tezës sime, e cila, sigurisht që do të duhej të zhvillohej më pas me stafin diplomatik të Ministrisë së Jashtme që drejtoja. Por, aq sa kisha, më mjaftonte për ta parashtruar në fjalimin që do të mbaja  të nesërmen para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Sa për t’u përkëdhelur sedrën partnerëve ndërkombëtarë, të cilët nuk ishin mësuar të përqafonin një tezë të ardhur nga Diplomacia shqiptare, gërmova në kujtesë për të gjetur një term të përdorur tashmë. Komisioni Amato për Ballkanin kishte rimarrë në një nga raportet e tij më 2004-n një formulë të artikuluar më parë nga miku im, Jacque Rupnik: pavarësi e kushtëzuar. Në Komisionin Amato kishin bërë pjesë edhe Karl Bild, Qemal Dervish e shumë personalitete të shquara të politikës e të diplomacisë ndërkombëtare. Duket vanitoze tani që e sjell ndër mend, por në atë çast për mua kishte rëndësi që “ndërkombëtarët” të besonin se ideja vinte nga ata. Ndjehesha thellësisht i qetë dhe i gëzuar. As që më shkonte mendja të përfytyroja stuhinë e gjatë që më priste.
6.
Në të vërtetë, gjatë atyre gjashtë viteve pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së Kosovës nën administrimin ndërkombëtar, edhe unë kisha qenë, si të tjerët, i bindur se pavarësia ishte e pashmangshme, por kisha menduar për këtë pavarësi në terma të përgjithshëm, si një e drejtë e natyrshme tashmë, të cilën e shihte çdokush me sy në ballë. Më mjaftuan takimet intensive të atyre pesë a gjashtë ditëve me ministra të Jashtëm dhe ambasadorë me peshë në mjediset e OKB-së, për të kuptuar se gjërat nuk ishin aq të thjeshta. Përkundrazi. Me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, te bashkëbiseduesit e mi perëndimorë,  veçanërisht te europianët, vura re një keqardhje të madhe për serbët, nuk e teproj po të them madje një brejtje në ndërgjegje pse ishte bombarduar Beogradi, një siklet i sinqertë për të pranuar me zë të lartë se de facto Kosova nuk ishte më pjesë e Serbisë dhe se çdo kthim prapa do të ishte i pamundur. Por, edhe ecja përpara paraqitej pothuajse e pamundur, sipas tyre, dhe kjo jo më vetëm për fajin e serbëve. Tashmë që edhe Milosheviçi – mishërim i të keqes – ishte në Hagë për t’u gjykuar për krime kundër njerëzimit, ndjenja e tyre e vjetër e simpatisë për serbët ishte bërë edhe më torturuese për arsye se ende nuk ishte politikisht korrekte që kjo simpati të shprehej haptas për sa kohë nga Beogradi nuk jepeshin sado pak shenja të vërteta  ndryshimi as në politikën zyrtare e as në reagimin e opinionit publik.

Bisedë pas bisede m’u krijua bindja se, në pjesën e vet dërrmuese, komuniteti ndërkombëtar nuk ishte shumë i gatshëm ta prishte statu-quo-në në të cilën vegjetonte  Kosova vitet e fundit dhe, për të qetësuar ndërgjegjen e vet, ky komunitet arsyetonte se të dyja palët, serbët (e Beogradit) dhe kosovarët (shqiptarët e Prishtinës) ishin njësoj të papërgatitur për kompromis. Dëgjova me dhjetëra ministra të jashtëm dhe diplomatë të lartë të më shpreheshin se të dy palët qëndronin njësoj në pozicione të ngurta me kërkesat e tyre maksimaliste: serbët kërkonin kthimin e Kosovës nën Serbi në përputhje me Rezolutën 1244, sipas tyre, dhe po ashtu shqiptarët, gjithnjë mbështetur te Rezoluta 1244, kërkonin pavarësinë e plotë e të pastër. Ishin dy lexime krejtësisht të papajtueshme të të njëjtit tekst. Vendosja e elitës së re politike të Kosovës në këtë barasdistancë me udhëheqësinë e shtetit serb, ishte pozita më e keqe, më e pafavorshme për elitën politike të Kosovës. Ishte shenjë e dukshme se ajo po humbte mbështetjen e ndërkombëtarëve, pa të cilën nuk do të mund ta zgjidhte sfidën historike të pavarësisë. Asnjë dobi nuk do të kishte fajësimi i çlirimtarëve euroatlantikë për kujtesë të shkurtër e ku e di unë se çfarë tjetër nga ato që folklori ynë prodhon me bollëk kur është fjala për ta shmangur përgjegjësinë nga vetja.

Thjesht duhej prishur kjo barasdistancë e rrezikshme dhe sa më shpejt. Nuk kishte kohë për të humbur. Rast më të mirë se Asambleja  Përgjithshme e OKB-së nuk mund të kishte. Duhej treguar konkretisht se shqiptarët (e Prishtinës) nuk ishin kurrsesi njësoj të ngurtë me serbët as në gjuhë e as në veprime. Duhej thënë se ata e mendonin, pavarësimin e vendit të tyre si një proces, në të cilin do të marrin pjesë të gjithë: ata vetë (shqiptarët), serbët e Kosovës, dhe minoritetet e tjera, serbët e Beogradit dhe komuniteti ndërkombëtar. Ky proces kishte mundësi të zhvillohej sipas një platforme të qartë, të ndërtuar së bashku nga të gjithë këta aktorë përmes një negocimi të durueshëm e të shoshitur mirë, në mënyrë që standardet e dëshiruara për t’u vënë në themel të shtetit të ri, të mishëronin drejtësi dhe humanizëm. Këto standardet do të ishin kushtet që do të përmbusheshin  gjatë procesit të pavarësimit  të plotë. I panegociueshëm ishte thelbi i pavarësisë. Të gjitha kushtet, një për një e en bloc, do të ishin të negociueshme për shqiptarët.

Kushtet do të shoqëroheshin me një kalendar, të cilin gjithashtu shqiptarët  do të ishin të gatshëm ta negocionin imtësisht. Hapeshin kështu shumë fusha, përjashtuar gjithnjë thelbi i pavarësisë, ku shqiptarët, ndryshe nga serbët, do të dëshmonin me fakte konkrete para komunitetit ndërkombëtar se nuk ishin aspak të ngurtë. Përkundrazi, ishin realistë, mirënjohës, të përgjegjshëm dhe bashkëpunues deri në fund. Unë kam qenë gjithmonë ithtar i shkollës diplomatike të Kisingerit, i cili mëson se diplomacia e vërtetë është ajo që objektivin e vet e përcakton për të marrë maksimumin e të mundshmes. Kapja pas së pamundshmes është ose diplomaci e keqe, domethënë e destinuar të dështojë, ose diplomaci hileqare, e cila në të vërtetë nuk synon zgjidhjen. Kosova kishte nevojë jetike për zgjidhje. Ne, domethënë Shqipëria, e dëshironim zgjidhjen, Serbisë do i shërbente po aq kjo zgjidhje, rajonit do i çelte një perspektive të re paqeje të qëndrueshme kjo zgjidhje, komunitetit ndërkombëtar do i hiqej një gjyle e varur në qafë përmes kësaj zgjidhjeje.
7.
Qeveria serbe reagoi flakë për flakë nga Beogradi me një deklaratë të ashpër si kurrë më parë gjatë viteve të fundit. Ishte një deklaratë nervoze, e shkruar si në panik, ku unë akuzohesha për nacionalizëm. Në të vërtetë unë isha përkujdesur posaçërisht me gjuhën, për të mos i lënë rast asnjë keqkuptimi pikërisht lidhur me nacionalizmin. Gjuha ime duhej të ishte e ftohtë, e përmbajtur, pajtuese dhe propozuese. Të nesërmen, në seancën e paradites, kjo deklaratë u përsërit në sallën plenare të Asamblesë nga delegacioni serb, i cili ngriti alarmin se qeveria e porsazgjedhur shqiptare po kthehej “në politikat e vjetra nacionaliste”. Unë iu përgjigja aty për aty me një replikë, që më dha rast ta zhvilloja më tej tezën time për pavarësinë e kushtëzuar. Ky reagim ishte për  mua prova se, duke e zhvilluar në vazhdim këtë tezë, ne vërtet mund të ndikonim që debati rreth të ardhmes së Kosovës të futej më në fund në fushën e së mundshmes. Diplomacia serbe, pavarësisht se e përcëlluar nga emocionet, ishte megjithatë në gjendje ta kuptonte se futja e debatit në fushën e të mundshmes shënonte mbetjen e saj vetëm përballë komunitetit euroatlantik, që do të thoshte disfatë për të. Ata u përpoqën me një retorikë të drunjtë të më kompleksonin mua e nëpërmjet meje ekipin qeverisës ku unë bëja pjesë, duke i ngacmuar Berishës plagën e vjetër të nacionalizmit.

Për çudinë time dhe të miqve të vërtetë të Kosovës, kësaj retorike i erdhi menjëherë në ndihmë Thaçi në Prishtinë, i cili, me siguri pa e ditur ç’po bënte, m’u kundërvu me gjithë ashpërsinë. Pandeli Majko dhe ca zemërdjegur për Kosovën rreth tij po ashtu. Unë Thaçit nuk iu përgjigja asnjëherë, ani pse ai vazhdoi ta përsëriste nëpër tribuna mediatike brengën që po i shkaktoja unë me “pavarësinë e kushtëzuar”, me të cilën betohej se nuk do të pajtohej kurrë. Nuk mund t’i lejoja vetes kurrsesi ta dekredibilizoja sadopak Kryeministrin e Kosovës, veçanërisht në rrethanat e jashtëzakonshme në të cilat po hynte Historia e ku ai do të kishte natyrshëm një barrë të madhe me mandatin që kishte. Madje u përpoqa ta justifikoj si publikisht ashtu edhe gjatë bisedimeve konfidenciale me të huajt. Publikisht thashë se Thaçin e mirëkuptoja. Ai kishte nevojë të ushqente me optimizëm opinionin shoqëror të vendit të vet. Ndërsa në rrugë diplomatike u përpoqa me durim të qetësoj një shqetësim që Thaçi kishte ngjallur në shtatmadhëritë më të rëndësishme politike e diplomatike me kundërvëniet këmbëngulëse për muaj me radhë ndaj tezës sime, e cila tashmë po bëhej tezë e të gjithë atyre që donin të mirën e Kosovës në Europë e në Uashington.

Diplomatët e sprovuar, të ngarkuar për të analizuar kryetarin e qeverisë së Kosovës, me sa duket nuk arrinin të dallonin kufirin midis bindjeve të tij të vërteta në ato që thoshte dhe prirjes së tij prej politikani luftëtar për të luajtur populistin. Dhe trembeshin se mos u bëhej pengesë në ndonjë moment të keq gjatë bisedimeve. Unë u bëja atyre me vetëdije portretin e një Hashim Thaçi, siç do të duhej të ishte kryetari i qeverisë së Kosovës. Mosbesimi i tyre ndaj Thaçit do të thoshte më e pakta shtyrje e afateve për çeljen e bisedimeve apo edhe për mbylljen e tyre. Për diplomacinë serbe, edhe zvarritja do të ishte fitore. Ndërsa me Pandeliun puna ishte më e lehtë. Njëherë, në Parlament, kur ai ishte i nxehur keq me “tradhtinë” time dhe e shfryu gjithë dufin e shpirtit të plasur pse unë po bëja “punën e Beogradit”, u detyrova t’i bëja thirrje të mos mërzitej shumë se në fund të mbramë pavarësia mbetej e bishtat (kushtet) binin gjatë rrugës. Ja ku ranë Pandi, edhe bishtat!

* Titujt janë të redaksisë. Titulli i autorit: “Në kujtim të pavarësisë së kushtëzuar”

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama