Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lidhur me votuesit e gjerë shqiptarë

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 12 vite më parë

Besnik Mustafaj
Lidhur me votuesit e gjerë shqiptarë

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës u mblodh në selinë e vet në Strasburg të hënën, më 24 qershor, në sesionin e radhës.  Berisha, me cilësinë e kryetarit të qeverisë së vendit kryesues të organizatës, iu drejtua kësaj Asambleje. Ndër të tjera, ai gjeti rastin të theksonte me zë të lartë respektin e thellë që ai vetë dhe shumica qeverisëse që drejton ushqejnë për opozitën. Në delegacionin e Parlamentit shqiptar ishte dhe Kastriot Islami. Kuptohet, si përfaqësues i opozitës. Berisha ka qenë i bindur se Islami do ta konfirmonte pa ngurrim këtë deklaratë.

Nga jeta e gjatë në diplomaci më ka mbetur zakoni i hedhjes në një fletore të veçantë të përjetimeve dhe refleksioneve rreth ngjarjeve të ndryshme të aktualitetit, ani pse këto ngjarje nuk lidhen më as me ndonjë ambicie timen për t’u rikthyer në politikë e as me subjektin e romanit që po shkruaj. Prania e Kastriot Islamit tek dëgjonte Berishën të lavdërohej aq parimisht para përfaqësuesve të nderuar të parlamenteve të 47 shteteve anëtare të kësaj organizate, më solli ndër mend një shënim të datës 24 dhjetor të vitit të kaluar, e që i bie mbrëmje Krishtlindjeje. Po e sjell për lexuesit e mi këtë shënim pa ndryshuar asgjë.

“Historia e marrëdhënieve të Kastriot Islamit me partinë e tij gjatë kësaj vjeshte, pavarësisht vendit që ka zënë në media, mua vetë nuk më ka ngjallur ndonjë kureshtje të veçantë. Protagonizmi i tij më dukej i sforcuar, i motivuar më shumë nga frika, sesa nga parimësia dhe, si i tillë, pa asnjë ide që meritonte vëmendje. Ashtu si përjashtimi i tij nga Partia Socialiste dhe Grupi i saj Parlamentar m’u duk dhe vazhdon të më duket një veprim pa logjikë politike nga ana e Ramës. Njëfarë keqardhjeje të sinqertë për të, si për një koleg me të cilin kam kaluar një periudhë të gjatë në Parlament, ndjeva kur dëgjova Berishën si tallej.

Gjatë promovimit të librit të Fevziut për Enver Hoxhën, ai gjeti rastin të bëjë një humor të zi: ‘Çfarë do që të thuash, kombi e ka mendjen vetëm te Kaçi… derisa t’i pritet koka’. Dhe qeshi vetë i pari, si për t’i siguruar ata që kishte rrotull dhe të tjerët që do ta ndiqnin përmes ekraneve televizive, se me sa pak seriozitet po e përmendte ankthin e Kastriot Islamit (Kaçi). Edhe Nano i erdhi pas Berishës kur, po atë mbrëmje, tha përpara kamerave se ‘përjashtimi i Islamit ishte një gabim fatal’.

Sikur Nano të mos e shtonte përcaktimin ‘fatal’, paralajmërimi i tij për ç’do t’i ndodhte të nesërmen Islamit në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist mund edhe të mos merrej si humor i zi. Pavarësisht lëndimeve që do të duhej t’i shkaktonte vetë Islamit ky rëndim i gjuhës nga Kryeministri i vendit, si dhe nga kandidati për President i ardhshëm i Republikës, mua më pëlqeu për një çast të besoj se të dy korifenjtë e politikës shqiptare po shprehnin tërthorazi edhe një qortim për mediat, të cilat i kishin kushtuar protagonistit Islami  një vëmendje të shpërmasuar.

Por, ajo që ndodhi më 22 dhjetor në Parlament më la një shije krejt tjetër. Ishte seanca e fundit për këtë sesion parlamentar. Sipas kalendarit të përvitshëm, në këtë seancë votohet edhe përbërja e Delegacionit të Parlamentit tonë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Socialistët, në të drejtën e tyre, kërkuan zëvendësimin e Kastriot Islamit, i cili nuk mund t’i përfaqësojë më, duke qenë de facto e de jure jashtë Grupit të tyre Parlamentar. U zhvillua edhe një debat, i cili u mbyll me votimin. Kërkesa e socialistëve u rrëzua. Kastriot Islami do të vazhdojë të jetë përfaqësues i socialistëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. M’u kujtua një spektakël pikë për pikë i njëjtë, zhvilluar në fund të dhjetorit 1999 në po atë sallë. Me ndryshimin se në vend të Kastriot Islamit ishte Genc Pollo dhe ne, demokratët, ishim në opozitë. Ne kërkuam që Genc Pollo, i cili kishte dalë parti më vete, për sesionin pasues të zëvendësohej me një deputet demokrat në Delegacionin e Parlamentit tonë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Socialistët në shumicë e hodhën poshtë duke përdorur të njëjtën gjuhë që përdori kësaj here edhe Jozefina kur mbrojti Kastriotin. Me një fjalë, socialistët na thanë ne asokohe se s’kishim ku të gjenim përfaqësues më të mirë se Genci.

Deputetët socialistë të asaj periudhe, një pjesë e mirë e të cilëve vazhdojnë të jenë në atë sallë, e shoqëronin me të qeshura e me pasthirrma tallëse fjalën e Berishës, i cili përpiqej t’ua kujtonte kundërshtarëve tanë se ajo çka po bënin ata ishte një dhunim i rëndë i demokracisë parlamentare. Berisha ishte fort i zemëruar, e sidomos i fyer thellë, por logjikën e kishte të shëndoshë tek ngulte këmbë se nuk ishte as morale dhe as e ligjshme që qeveria të caktonte se kush duhej ta përfaqësonte opozitën në një organizatë aq të rëndësishme parlamentare, siç është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, funksioni kryesor i së cilës është mbështetja e demokracisë. Përveç poshtërimit haptas të opozitës, ky veprim i socialistëve, saktësisht dymbëdhjetë vjet më parë, synonte edhe përdorimin mirëfilli të Pollos për izolimin e opozitës demokrate, posaçërisht të Berishës, gjë që vetë Berisha e kuptonte më mirë se kushdo. Jam i sigurt se Berisha nuk e ka harruar këtë histori të shëmtuar që pushtetarët socialistë i sajuan atij dhe nëpërmjet tij të gjithëve ne, demokratëve.

Mua si demokrat i vjetër më vjen sinqerisht neveri tek shoh që kjo histori përsëritet në të njëjtën sallë pas dymbëdhjetë vjetësh. Historia ndodh dy herë, thotë Hegeli: Së pari në mënyrë dramatike dhe pastaj përsëritet në mënyrë komike. Ne, demokratët, që ishim viktimë e një makinacioni të shëmtuar dhe antidemokratik të socialistëve në bashkëpunim me Genc Pollon në vitin 1999, tani e përsëritëm vetë historinë kundër socialistëve duke përdorur Kastriot Islamin. Hegeli do të thoshte se përfaqësuesit tanë në Parlament e në qeveri u bënë komikë. Buzëqeshja apo nënqeshja që mund të na ngjallë natyrshëm në këtë rast komedia, nuk duhet të na pengojë, së pari ne demokratëve, të shtrojmë pyetjen se pse duhej ndërmarrë një veprim i tillë.

Të ketë ardhur nga një betim i fshehtë i Berishës për t’u hakmarrë? E vërteta është se në selinë  e Partisë Demokratike, nga më i vogli e deri te kryetari, u zemëruam shumë asokohe. Veçanërisht Berisha vetë u ndie më i prekuri, dhe me të drejtë. Ai e dinte se nishani kryesor i kundërshtarëve tanë në pushtet ishte vetë ai. Ky version i larjes së një hesapi të vjetër nga ana e Berishës logjikisht bie ndesh me  evolucionin e tij si takticien politik pas kthimit në pushtet me zgjedhjet e vitit 2005. Sa për t’u bindur mjafton të kujtojmë ku është sot Genc Pollo, strumbullari i historisë fillestare. Dhe po ashtu zoti Ilir Meta, atëherë Kryeministër, domethënë në krye të zbatimit të skenarit.

Mbetet që kjo manovër të drejtohet kundër Edi Ramës. Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Kastriot Islami, sigurisht, do të vazhdojë të jetë anëtar i Grupit socialist. Me aq sa e njoh unë Berishën dhe aftësinë e tij për të analizuar veprimin politik, qoftë ky i veti apo i kundërshtarit, nuk më besohet që ai të shpresojë vërtet se mund ta izolojë Partinë Socialiste apo personalisht Edi Ramën nëpërmjet “diversantit” Islami. Së pari se Berisha e ka shumë të qartë se konteksti i sotëm politik në Tiranë është krejt tjetër nga ai i dymbëdhjetë vjetëve të shkuara, dhe kjo pamje mbërrin në Strasburg në një mijë rrugë të tjera, pavarësisht mundimit të Kastriotit. Së dyti, edhe se Berisha i njeh fort mirë aftësitë e Kastriotit (Kaçit) dhe vështirë t’i besonte atij një mision kaq të rëndësishëm, siç është brerja e mbështetjes ndërkombëtare për opozitën.

Ka edhe një mundësi. Kastriot Islami është hartuesi, në fakt, i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, qoftë ato që lidheshin me Kodin Zgjedhor, qoftë ato që preknin zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Gjatë njërit prej debateve normale në Grupin tonë Parlamentar kur isha anëtar, në kuadër të shqyrtimit të këtyre ndryshimeve, para se të kalonin për votim në seancën plenare, unë i kam kërkuar Berishës të na tregonte propozimet e dala nga grupi  ynë i punës e që ishin përfshirë në projektin për të cilin na kërkohej të votonim. Ka rezultuar se asnjë nga propozimet në fjalë nuk ishte zyrtarisht demokrat. Unë atëherë votova kundër këtyre ndryshimeve me arsyetimin se në parim, ne, si shumicë, nuk mund të shndërroheshim në noterizues të thjeshtë të propozimeve të socialistëve  kur ishte fjala për të prekur dokumentin themeltar të shtetit. Për disa nga nenet kryesore që ndryshoheshin kisha objeksionet e mia konkrete, por nuk është rasti këtu t’i kujtojmë. Në të vërtetë, në vetëdijen time isha i bindur se Berisha nuk ishte “dorëzuar” aq lehtë. Ai me siguri kishte ndjekur një rrugë tjetër për të arritur ndryshimet që synonte në Kushtetutë, një rrugë së cilës nuk i dukej koka. Për të mos u zgjatur me stërhollime, fakt është se pas këtyre ndryshimeve ai nuk e ka thirrur më kurrë publikisht Islamin me nofkën që i kishte ngjitur prej vitesh “Kaçi i zi”.

Dhe Kaçi vazhdoi punën e vet deri në mes të dhjetorit 2011, kur vështrimi i kombit, siç u shpreh Berisha (dhe qeshi), u mpi plot ankth në fatin e tij politik të rrezikuar. Berisha qeshi duke i qarë hallin publikisht Kaçit, e talli atë me fjalë e me mimikë. Nga ana tjetër, në seancën e radhës të Parlamentit i mbrojti atij, me votat e deputetëve demokratë, vendin e delegatit socialist në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Sigurisht që edhe Jozefina nuk mund ta humbte këtë rast pa e thënë fjalën e vet. Si avokate e njohur e opozitës, ajo u kujtoi ‘klientëve’ të saj socialistë se nuk do t’i lejonte të gabonin duke humbur Kastriot Islamin, i cili  kishte mbërritur deri të ishte raportues i Këshillit të Europës për një republikë ish-sovjetike, lartësi ku nuk ishte ngjitur kurrë ndonjë parlamentar shqiptar. Ajo madje e pranoi, me modesti, se në këtë lëmë Kastrioti ia kishte kaluar edhe asaj vetë, domethënë Jozefinës.

Kujtesa e njohur selektive e Jozefinës nuk mund të përmendte se në fakt ka qenë një demokrat, Aleksandër Biberaj, i cili ka mbajtur nominalisht katër mandate, aq sa ajo vetë nuk e përmbajti më dot zilinë dhe përdori autoritetin e nënkryetares së partisë dhe të kryetares së Kuvendit për t’ia ndërprerë në mes, duke i bërë një dëm të shëmtuar karrierës së një demokrati të aftë e të përkushtuar, por edhe afirmimit të Parlamentit tonë. Biberaj ka qenë zgjedhur: 1) Zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës; 2) zëvendëspresident i Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Këshillin e Europës; 3) zëvendëspresident i Komitetit të Rregullores, Imuniteteve dhe Marrëdhënieve Institucionale të Këshillit të Europës; 4) Raportues për ‘Hetimin e krimeve të kryera nga regjimi stalinist në Rusi, Ukrainë dhe ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik’.

Hakmarrje për një padrejtësi të vjetër, manovër e ulët politike apo shpërblim ndaj Islamit për shërbimet e kryera kur gëzonte besimin e Ramës, nga ana e Berishës, ajo që ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë më 22 dhjetor 2011, kur qeveria caktoi se kush duhej ta përfaqësonte opozitën në organizatën parlamentare ndërkombëtare më të rëndësishme të kontinentit tonë, mbetet një ngjarje me erë të keqe. Argumenti parimor që përdori Berisha në vitin 1999, kur ai vetë ishte viktimë, është plotësisht i vërtetë edhe në këtë rast, kur ai është tashmë autor: u shkel në themel demokracia parlamentare. Kjo nuk mund të quhet një betejë politike e fituar nga ana e demokratëve kundër socialistëve. Përfaqësuesit e mi më të lartë në pushtet, ata që do të duhej të ishin elita e demokratëve, ranë në një batak, të cilin zor se do ta kujtojnë me krenari një ditë. Ndërsa Berisha vetë shfaqi një zvetënim moral, të cilit nuk ma bën zemra t’i vë emrin që meriton në një mbrëmje të bukur Krishtlindjeje.”

Ky, pra, është shënimi që kam mbajtur në fletoren time më 24 dhjetor 2011, gjashtë muaj para se Shqipëria të merrte kryesimin e Këshillit të Europës. Kureshtar jam të di nëse vetë Kastriot Islami ndihej i qetë tek e dëgjonte Berishën të shpallte para asaj salle të nderuar, pa iu dridhur qerpiku, dashurinë e vet për opozitën. A e vriste, vallë, sadopak ndërgjegjja pse ndodhej në atë sallë parlamentarin Islami, të zgjedhur demokratikisht 7 herë, në mos gaboj, nga votuesit e gjerë shqiptarë?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama