Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Autorizmi i fshehur

Shkruar nga: Arbër Xhaferi  
Botuar më: 17 vite më parë

Arbër Xhaferi
Autorizmi i fshehur

Pas çlirimit, të huajt, kryesisht nga vendet perëndimore, kanë shpeshtuar ardhjet në Kosovë në kuadër të përpjekjeve, që me përvojat e tyre t'u ndihmojnë kosovarëve që t'i tejkalojnë vështirësitë e trashëguara nga e kaluara. Këto komunikime krijojnë situata shumë interesante që nxjerrin në shesh përvojat e tyre, të panjohura për ne, përkatësisht mungesat tona që deri më tani nuk i kemi vërejtur. Shpesh herë këto përvoja paradoksale shpjegohen më së miri në anekdota. Në njërën nga këto anekdota, që kohët e funditqarkullon në popull, flitet për një dialog ndërmjet dy drejtorëve të shkollave fillore, njëri anglez, tjetri kosovar. I thotë anglezi kosovarit: unë jam drejtor i një shkolle tipike angleze. Shkolla ime ka 1000 nxënës, 800 prej tyre rregullisht kërkojnë ndihmën e psikologut për t'i zgjidhur frustracionet me të cilat ballafaqohen adoleshentët anglezë. Kosovari ia kthen: çudi, unë jam drejtor i një shkolle që ka 2000 nxënës dhe asnjëri prej tyre nuk kërkon ndihmën e psikologut. Drejtori anglez mbetet i stepur nga habia dhe me shikim kërkon shpjegim shtesë nga përkthyesi. Ai, pa humbur kohë, thotë: në shkollat tona nuk kemi psikologë, kështu që të gjithë janë shëndoshë e mirë.
Kjo anekdotë, në mënyrë shumë plastike, e zbulon stadin zhvillimor të një shoqërie ku problemet ekzistojnë në trajta mbase ekstreme, por që nuk regjistrohen, ndaj edhe trajtohen si të pa qenë. Në këtë pikë zë fill edhe ndarja, ndryshimi, veçoria dalluese në mes të qytetërimeve. Qytetërimi perëndimor guximshëm analizon, regjistron, mat, zbulon, kumton shpeshherë në mënyrë të pamëshirshme të gjitha anomalitë që ekzistojnë brenda shoqërisë. Në këto kontekste qytetëruese nuk tolerohet ngulitja e zakoneve, sidomos nëse ato vijnë ndesh me standardet e shoqërive të hapura, sidomos nëse instalojnë relacione diskriminuese në shoqëri, në institucione, në familje. Nga këto analiza shpeshherë nxirren përfundime të gabuara, se shoqëritë perëndimore janë të degjeneruara, për shkak se ekzistuakan një varg problemesh, anomalitetesh të pashërueshme.

Në dallim nga kjo kulturë që hulumton, zbulon, dëshmon haptazi për shkarjet individuale apo kolektive, kultura lindore e spektrit autoritar, patriarkal ka prirje që të mos hulumtojë, që të mos zbulojë lajthitjet, të ligën brenda një tradite që ka standarde anakronike, që nuk përkojnë me vlerat e shoqërive moderne. Mirëpo, mungesa e analizës, e hulumtimit nuk do të thotë që këto probleme nuk ekzistojnë dhe se nuk krijojnë tensionime patologjike në marrëdhëniet ndërnjerëzore, apo ndërgjinore.

Qytetërimi perëndimor, në kuadër të traditës së analizës, të hulumtimit, të kumtimit të drejtpërdrejtë, shpeshherë të pamëshirshëm të rezultateve të analizës, një kohë të gjatë merret edhe me studimin e çështjes komplekse të barazisë gjinore. Këto analiza mëtojnë të depërtojnë në çdo dimension të këtij fenomeni kompleks, duke marrë gjithnjë parasysh faktorët biologjikë, shoqërorë, kulturorë etj. Nga këto analiza dhe përfundime, shpeshherë shokante, është krijuar bindja për domosdoshmërinë e ndryshimeve, e nisjes së një procesi të emancipimit të femrës, të mashkullit, përkatësisht të shoqërisë në përgjithësi.

Në shoqëritë tradicionale patriarkale, ku mungojnë hulumtimet e kësaj natyre, është krijuar bindja se shoqëritë që flasin haptazi për relacionet e traumatizuara gjinore, qenkan të degjeneruara dhe se emancipimi, liria e femrës qenka shkaku i amoralitetit, apo dekadencës së familjeve moderne perëndimore. Në këtë mënyrë bëhen përpjekje, gjithsesi të lajthitura për ta shpjeguar shkakun e jo stabilitetit të familjes moderne perëndimore, ngritjen shqetësuese të përqindjes së divorceve brenda kulturave që kanë dalë nga skemat tradicionale dhe kanë ofruar mundësinë e lirisë së femrës, si brenda familjes, ashtu edhe në shoqëri. Me këtë rast bëhet një gabim në këndshikim, në metodën e analizës: fajtori për krizën në familje kërkohet te liria, apo te barazia gjinore. Nuk shkakton liria e femrës rritjen e përqindjes së divorcit, apojo lojalitetin e saj ndaj mashkullit, por diskrepanca në mes të vlerave tradicionale, patriarkale dhe premisës së re, asaj të lirisë së femrës të vetëdijesuar që me vullnet të lirë të vendosë për fatin e saj, për familjen së saj, për mënyrën e jetesës, për çështjet kruciale që kanë të bëjnë me organizimin e jetës etj. Këto telashe do të tejkalohen dhe raportet gjinore do të stabilizohen, me këtë edhe stabiliteti i familjes kur të gjitha relacionet ndërmjet bashkëshortëve do të ndërtohen mbi vetëdijen e re, mbi premisën e lirisë së plotë të femrës, të drejtës së saj për vendimmarrje jo vetëm për çështje që kanë të bëjnë me të, por edhe me mënyrën e organizimit të jetës familjare.

Nëse analizohet pozita e femrës shqiptare në shoqëri dhe familje, do të konstatohen ndikime nga qytetërimi perëndimor, që vazhdimisht përhap vlerën e së drejtës për barazi të plotë gjinore, për autonomi në vendimmarrje, si dhe ndikime orientale që përputhen me mendësinë tradicionale patriarkale, përkatësisht autoritare. Ekstremet që shfaqen dëshmojnë se modeli shqiptar ende nuk është stabilizuar. Në njërën anë shfaqet liria e pakufishme e femrës, e cila lirinë e kupton si mungesë të çfarëdo ndalese apo skrupulli, dhe në anën tjetër nënshtrimi i femrës modelit tradicional patriarkal, ku funksion autoriteti i mashkullit në të gjitha segmentet e vendimmarrjes.

Në shembullin e parë shfaqet tendenca e thyerjes së të gjitha barrierave, përpjekja e sforcuar për një emancipim të shpejtuar dhe liri të pakushtëzuar që, shpeshherë nuk përkon jo vetëm me limitet biologjike, por edhe me ato morale dhe estetike. Ky model i emancipimit është sipërfaqësor dhe nuk e ndryshon pozitën e femrës në shoqëri, por, përkundrazi, e vë atë në mënyrë edhe më drastike në pozitë të mallit që duhet të jetë sa më atraktiv për mashkullin i cili, fundja, e blen apo nuk e blen atë mall. Në këtë pikë mund të konstatohet se liria e femrës nuk i shërben asaj, por sërish mashkullit.

Në shembullin e dytë, atë të femrës tradicionale, që pranon sistemin e vlerave tipike për familjet patriarkale, shfaqet fenomeni i nënshtrimit, shpeshherë të pakusht të femrës ndaj autoritetit të mashkullit. Siç dihet, autoritarizmi është një fenomen devijant jo vetëm në nivel shoqëror, por edhe në atë individual. Autoriteti e suspendon personalitetin e vartësve. Femra që edukohet në kuadër të familjeve patriarkale objektivisht e ka personalitetin e suspenduar. Për të vendos zakoni, adeti apo kodet kanunore, si dhe autoriteti në trajtën e bashkëshortit, të vëllait, të atit. Në sistemet e tilla, femra nuk ka jo vetëm të drejtën e vendimmarrjes, por edhe të opinionit për interesa të ndryshme familjare apo shoqërore, përfshi këtu edhe për interesa personale të saja. Presioni i autoritetit është sistematik, i përhershëm dhe vepron në çdo kontekst. Reagimi i femrës ndaj rrethanave të tilla është i dyfishtë:

-ajo pajtohet me këtë pozicion në familje dhe shoqëri ose

-reagon në mënyra të ndryshme që manifeston pakënaqësinëe saj.

Në rastin e parë kemi të bëjmë me interiorizimin e dëshirës së autoritetit të jashtëm. Kërkesat e tij natyrshëm shndërrohen në dëshirë të femrës, qoftë ajo vajzë, motër, nënë apo bashkëshorte. Imperativin e jashtëm, ajo e paraqet si vullnet të saj dhe në kuadër të taktizimit për pozitë sa më të privilegjuar në kuadër të sistemit patriarkal të vlerave, ajo bën avokatinë e suspendimit të lirisë së saj, varshmërisë së fatit të saj prej autoritetit që imponohet qoftë përmes traditës shoqërore, bindjeve fetare apo frikës nga dhuna konkrete. Në këtë segment ajo nuk i inhibon dëshirat, vlerësimete saja, por vetë bëhet promotore e dëshirave dhe vendimeve të mashkullit. Këtë fenomen të suspendimit të lirisë, apo të personalitetit në mënyrë të gjithanshme, e shpjegon sociologu Erih From në librin "Ikja prej lirisë". Ç'është e vërteta ai merret me analizën e shoqërisë, ku individi, duke ndjerë lirinë si barrë që tek ai krijon pasiguri të madhe, i dorëzohet një autoriteti të jashtëm, që zakonisht ka tipare të diktatorit, despotit apo të prijësit të pakontestueshëm dhe karizmatik. Këtë relacion të varshmërisë ndërmjet individit që frikësohet nga liria e tij dhe autoritetit që di se çka do të bëjë me lirinë e të tjerëve, Erih Fromi përpiqet ta zbërthejë me kategoritë frojdiane, siç janë nocionet e mazohizmit dhe të sadizmit. Ai ose ajo, që i frikësohet lirisë së vet, vendimmarrjes autonome manifeston shenja devijante të mazohizmit, ndërkaq ai që merr përgjegjësinë të ofrojë siguri dhe kuptimin e jetës i takon kategorisë së sadizmit. Mirëpo, në shoqëritë patriarkale këto relacione nuk shfaqen në trajta të këtilla ekstreme, por janë të kamufluara me normalitetin e jetës tradicionale.

Kategoria e dytë e femrës, asaj që reagon, po ashtu shfaqet në trajta të ndryshme. Ajo që nuk ka guxim, dije dhe gjasa që t'i luftojë haptas ose t'i eliminojë relacionet segreguese, poshtëruese, që ngulfatin dëshirat e saja, gjen mënyra tjera për ta manifestuar pakënaqësinë e saj, apo dëshirën për të ikur nga ai rreth vicioz. Reagimi tipik i femrave thellësisht të frustruara nga katandisja, humbja e shpresave në kuadër të familjeve autoritare patriarkale, është sëmurja, etiologjia e së cilës nuk arrihet të zbulohet. Për t'i ikur monotonisë ditore, ku ajo në vazhdimësi është e detyruar që të ngulfatë çfarëdo dëshire personale, që nuk lejohet nga autoriteti maskilin, asaj i duket zgjidhje fatlume shkuarja në spital, madje edhe qëndrimi atje, pa marrë parasysh kushtet apo atmosferën depresive që i karakterizon spitalet.

Në rastin e parë, kemi femrën e cila pavetëdije e refuzon lirinë e saj, përkatësisht e dorëzon atë vullnetshëm autoritetit, duke e suspenduar personalitetin e saj, duke u zhytur në mekanizmin e traditës patriarkale dhe në rastin e dytë e kemi arratisjen e femrës nga mjedisi ngulfatës në kontekste tjera, madje edhe në spital, ku ajo e ndjen veten më të lirë dhe më të privilegjuar. Teknika e sëmurjes me etiologji të pazbulueshme i ndihmon asaj, që në njërën anë të shpëtojë nga relacionet që e ndrydhin qenien e saj, dhe nga ana tjetër të nxitë kujdesin e familjarëve ndaj saj, që në rrethana të zakonshme mungojnë.

Pozita e femrës në shoqëritë dhe familjet patriarkale rëndohet edhe më shumë për shkak se mashkulli autoritetin e tij, pozitën dhe dinjitetin e tij në shoqëri e ndërton mbi baza të moralitetit të femrës dhe jo të tij. Prandaj, ai përmes një represioni të vazhdueshëm e detyron femrën prej moshës fëmijërore e deri në pleqëri që të jetë garantuese e moralitetit të familjes përkatësisht të vëllait, të prindit ose të bashkëshortit. Në kuadër të kësaj mendësie, femra duhet të jetë shëmbëlltyrë e dëlirësisë, pafajësisë, amësisë etj. Ndërkaq nga mashkulli nuk priten vlera të këtilla absolute.

Megjithatë, në shoqëritë shqiptare pozita e femrës nuk manifestohet vetëm në këto ekstreme, por ekziston njëkohësisht, fatmirësishtnë përqindje të madhe edhe kategoria e femrës së emancipuar, të shkolluar, e cila arrin t'i harmonizojë ndikimet patriarkale me ato emancipuese. Kjo kategori e femrave, të vetëdijësuara shqiptare, kanë zgjedhur rrugën më të mirë për ndryshim të mendësisë patriarkale si në familje, ashtu edhe shoqëri. Ato, falë edhe ndihmës nga jashtë kanë themeluar shoqata joqeveritare, që jo vetëm analizojnë pozitën e femrës në shoqëritë shqiptare dhe hartojnë elaborate moderne për përmirësim, për korrigjim të botëkuptimeve maskiline, por edhe ofrojnë ndihma konkrete për femrat që nuk dinë si të gjejnë rrugëdalje nga labirinti i dilemave, interesave, nga keqtrajtimet dhe ngulfatjet sistematike të lirisë së tyre. Këto veprimtare të guximshme dhe të përkushtuara ofrojnë mundësi objektive për çmontim të një mekanizmi anakronik- autoritarizmin i cili funksionon duke ukamufluar si vlerë e traditës sonë, si pjesë e identitetit tonë kombëtar. Por, nëse merret parasysh se mendësia patriarkale, koncepti autoritar i familjes dhe i shoqërisë gjysmën e popullatës, femrën, bijën, gruan, nënën, përinteresa egoiste i trajton si robër, si instrument të relevancës së tyre të rrejshme, atëherë del sheshazi karakteri, domethënia antikombëtare e botëkuptimeve të tilla...

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama