Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Konsensusi dhe standardi “Zaganjori”

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Hoxha
Konsensusi dhe standardi “Zaganjori”

1. Të martën në darkë, seria e takimeve politike të nivelit më të lartë prodhoi kandidatin për President. Xhezair Zaganjori, gjykatës në Gjykatën Kushtetuese prej vitit 2003, u përzgjodh nga tryeza e kryetarëve të partive të maxhorancës. Emri i kandidatit qarkulloi rrufeshëm në hapësirën mediatike dhe iu dërgua opozitës, nga e cila pritej qëndrimi të nesërmen. Refuzimit opozitar, të procesit më shumë se kandidatit, maxhoranca iu përgjigj me fleksibilitet përmes moskandidimit formal në seancën e parë, e cila u konsumua pa votim.

2. Procesi presidencial deri te produkti i tij – kandidati dhe standardi “Zaganjori” – ka për autor të parë, me pa dyshim, Ilir Metën dhe bashkautor Sali Berishën. Ilir Meta, në rrethanat e reja të normalizimit politik të muajve të fundit, mori dhe i qëndroi fort kauzës së Presidentit konsensual, njëherazi duke rivitalizuar dhe maksimalizuar pozicionin politik të LSI-së. Sali Berisha, me një pozicion taktik politik në favor ngushtësisht të vet deri pak kohë më parë, ktheu me shpejtësi trajektoren e tij lëvizëse duke e përputhur me atë të Ilir Metës. Njësimi i objektivave dhe takimet njerëzore bënë të vetën. Gjendja, e perceptuar ca si e tendosur mes dy liderëve dhe partive respektive, u shtendos dhe kandidati i përzgjedhur reflekton qartësisht dhe plotësisht sa objektivin e njësuar, aq edhe respektimin e marrëveshjes së verës 2009 mes dy partive.

3. Xhezair Zaganjori nuk ishte pikënisja, as edhe qëllimi i procesit, por fundi dhe produkti i tij, ndaj cilësitë e kandidatit janë sa standarde për kandidatin e duhur presidencial, aq edhe çelësi për të kuptuar pozicionin e palëve dhe liderëve në lojë. Standardi “Zaganjori” përmban tri tipare bazë: i) vjen nga jashtë sferës së politikës; ii) por gjithsesi nga bashkësia e njerëzve me njohuri dhe eksperiencë shtetërore dhe njohje të plotë, ndonëse nga jashtë, të politikës; iii) ka dëshmuar me akte zyrtare e publike se ka marrë vendime kundër interesit të propozuesve.

4. Ndërsa një pjesë e opinionit, të cilit i bashkohem, preferon një kandidat nga sfera e politikës, përzgjedhja nga jashtë politikës nuk është mangësi e kandidatit, por veçse dobësi e klasës politike e përfshirë thellësisht nga mosbesimi dhe ambiciet aktuale e të ardhshme politike. Fatmirësisht, tipari i dytë i standardit “Zaganjori” kompenson mjaftueshëm mangësitë e pretenduara të të parit, duke krijuar besimin se, nëse zgjidhet, Xhezair Zaganjori do fillojë menjëherë ushtrimin me efektivitet të kompetencave presidenciale.

5. Tipari i tretë i standardit “Zaganjori” është ai më i rëndësishmi dhe më folësi. Në ushtrimin e detyrës së gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese, me votë, arsyetim dhe/ose si relator i çështjeve, Xhezair Zaganjori dëshmon, në më shumë se një duzinë rastesh, se ka dalë kundër ligjeve dhe interesit politik të maxhorancës e në favor të palës ankimuese, shpeshherë kjo vetë opozita socialiste. Sa për ilustrim do të kujtoja rastet e rrëzimit për shkak të kundërshtisë me Kushtetutën të vendimeve të Këshillit të Ministrave kundër nepotizmit në administratën publike, ligjit për pagat në institucionet e pavarura kushtetuese, ligjit për lustracionin e deri te rasti më domethënës, ai i rrëzimit me unanimitet të projekt-marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë, në të cilën ai ka qenë edhe relator i çështjes.

6. Bazuar në këto akte publike në kryerje të detyrës shtetërore për garantimin e respektimin e Kushtetutës, standardi “Zaganjori” rrëzon çdo teori që rreket të shpjegojë qëndrimin politik të Sali Berishës për procesin presidencial me arsyetimin se përmes Presidentit dhe prokurorit të Përgjithshëm, Sali Berisha do të mbrohet nga akuzat dhe pasojat nëse një ditë do të humbë zgjedhjet e do të shkojë në punë të vet. Njohësit e politikës shqiptare e dinë se Sali Berisha nuk ka pasur nevojë për t’u mbrojtur as nga Presidenti dhe as nga Prokurori, qoftë edhe në ditët më të këqija të tij në vitet 1997-2000. Mbrojtjen ia jep mbështetja e thuajse gjysmës së shqiptarëve, mbështetje që do të riaktivizohej në çdo situatë hipotetike agresive ndaj tij në të ardhmen, qoftë edhe sikur të humbte zgjedhjet e të linte politikën. Ndaj, Sali Berisha nuk e kishte aspak problem të konkludonte me Xhezair Zaganjorin dhe këshilla më e mirë për ëndërrimtarët antiberishistë është t’i lënë ëndrrat me sy hapur.

7. Aktet publike të Xhezair Zaganjorit tregojnë se ai nuk ka qenë mashë e bindur e Sali Berishës në “gjakimin e tij për të rrëmbyer të gjitha pushtetet”. Besoj se Sali Berisha është plotësisht i ndërgjegjshëm, të paktën po aq sa çdo njeri me mend në kokë, në mos më shumë, se çdokush i emëruar President, shumë shpejt do jetë i pakomandueshëm. Presidenti, kushdo qoftë ai, është praktikisht i pashkarkueshëm dhe i pacenueshëm as me nisma parlamentare dhe as me mjete hetimore ligjore. Në këto rrethana, ambicia njerëzore do ta bënte këdo në rolin e Presidentit të mbronte dhe ushtronte plotësisht e “në kokë të vet” kompetencat kushtetuese.
8. Në fakt, një nga zhgënjimet më të zakonshme në jetën tonë të përditshme është ai që na shkakton dikush që, pasi e kemi mbështetur a ndihmuar e nuk e kemi më në dorë, vjen një ditë që ky dikush as do t’ia dijë për ndonjë kërkesë, le më për diktat a komandë. Sali Berisha, si çdo vdekatar, ka ambicien të marrë sa më shumë pushtet e do marrë aq sa do ta lënë të marrë, por duke e ditur pamundësinë e komandimit të Presidentit, qoftë sot ky edhe më besniku i tij, ai nuk e kishte të vështirë të konkludonte me Xhezair Zaganjorin dhe ky veç mashë a noter s’mund të jetë.

9. Gjithçka më lart për Sali Berishën vlen edhe për Ilir Metën dhe, lidhur vetëm me tezat-akuzë të mësipërme, të dy nuk e kishin të vështirë të konkludonin me Xhezair Zaganjorin. Por, nga këndvështrimi i objektivit të ngushtë politik apo instinktit bazik politik të fitimit vetë të çdo gare, standardi “Zaganjori” i dyshes Meta-Berisha nuk ishte aspak e lehtë. Të dy e kapërcyen këtë instinkt. Standardi “Zaganjori” ishte edhe një kosto oportune për secilin nga bashkëpunëtorët e shumtë e dinjitozë të Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët u privuan, për shkak të rrethanave, nga e drejta për të pretenduar kulmimin e karrierës së tyre politike me postin e Presidentit. Të dy liderët dhe bashkëpunëtorët respektivë e tejkaluan edhe këtë ambicie.

10. Standardi “Zaganjori” është në nivelin e Presidentit konsensual e ndërsa Xhezair Zaganjori nuk është individualisht i pazëvendësueshëm përgjatë procesit presidencial, standardi “Zaganjori” është tashmë i pacenueshëm dhe i pakthyeshëm. Për hatër të përfshirjes së opozitës dhe arritjes formale të konsensusit për Presidentin, Xhezair Zaganjori mund të zëvendësohet me një kandidat “X”, me kushtin që ky i dyti të mishërojë të paktën të njëjtat cilësi e në veçanti të dëshmojë që në veprimtarinë e tij ka ndërmarrë nisma e ka marrë vendime të së njëjtës rëndësi e në kundërshtim me interesin e propozuesit të vet, pra të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.

11. Xhezair Zaganjori, apo kandidati “X” si reflektim opozitar i standardit “Zaganjori”, do jetë, me shumë gjasa dhe aq sa ç’mund të pretendojmë të parashikojmë të ardhmen bazuar në të dhënat e sotme, Presidenti i duhur. E vetmja çështje mbetet kahja e preferencës dhe/ose bindjeve politike të kandidatit. Xhezair Zaganjori perceptohet djathtas. Kandidati “X” teorikisht do të jetë majtas, pa përjashtuar që të jetë edhe djathtas. Por, nëse maxhoranca dhe opozita do synojnë bashkërisht te një kandidat i tretë “Y”, ky jo vetëm duhet të mishërojë standardin “Zaganjori”, por duhet të jetë edhe politikisht neutral, pra pa anësi bindjesh politike. S’besoj se ka një shqiptar të këtillë.

12. Një tjetër zgjidhje, tashme pak probabël, do ishte rikthimi te sfera e politikës për gjetjen e kandidatit konsensual, por edhe në këtë rast duhej të kënaqej tipari i tretë i standardit “Zaganjori”, pra një kandidat politikan që ka dëshmuar me veprime dhe akte se i ka kundërshtuar të gjithë liderët dhe partitë propozuese, veçanërisht treshen Berisha-Meta-Rama e njëherazi që dëshmon edhe aftësi komunikimi dhe ndërmjetësimi, siç thotë shpesh ambasadori amerikan Arvizu. Edhe kjo nuk është bashkësi boshe. Problemi ka zgjidhje. Nëse e duan.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama