Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Eh qe s'po ndodh ndonje skandal

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Eh qe s'po ndodh ndonje skandal

Qeveritë kanë dy mënyra për t’iu shmangur skandaleve apo tragjedive, ose të ruhen që të mos ju ndodhin, ose të prodhojnë të tilla përditë aq sa njerëzit të mos kenë kohë t’i bluajnë. Popull i çuditshëm ky i yni, kujton vajzat që u hodhën nga Shkëmbi i Vajës 600 vjet më parë, por harron brenda 24 orësh vajzat që i vramë vetë në shkëmbinjtë e Vishës.

Qeveritë kanë dy mënyra për t’iu shmangur përgjegjësisë ndaj detyrave, dështimeve, skandaleve apo tragjedive të shkaktuara, për shkak të tyre. Mënyra e parë është të bëjnë maksimumin e mundshëm që të tilla gjëra të mos ngjasin, apo që të paktën të jenë sa më të rralla e të kufizuara. Për këtë ngrehin institucione, harxhojnë pará e investime, përgatisin një administratë sa më të përgjegjshme e të përzgjedhur, e kështu me radhë. Kështu, të tilla qeveri ia dalin të rrinë gjatë në pushtet, derisa edhe këtyre të mos u dalë nga kontrolli apo të mos u ngjasë ndonjë vaki. Mediat, gazeta e gazetarë, të mërzitur me boshllëkun e lajmeve, mezi presin që qeverisë t’i shkasë këmba gjëkund, për t’ju lëshuar në zverk e për të komentuar, hetuar e nxjerrë binanë e asaj që ngjau. Qeverisin këto qeveri, e presin të gjithë qetë-qetë derisa diç ndodh. Ndonjë ministër që nuk paguan ndonjë gjobë 10 euro për parkim të gabuar, një politikan që akuzohet se ka kopjuar ndonjë frazë nga doktoratura, një punëtor që aksidentohet duke gërvishtur dorën, e të tjera vaki të këtij kallëpi.

Posaqë kjo ndodh, të gjithë (të etur, shoqëria për moral dhe media për lajme) i lëshohen në shpinë qeverisë, nëse kjo, ministri a politikani përgjegjës, s’i del të keqes përpara dhe nuk jep dorëheqjen menjëherë. Megjithatë, gazetat shkruajnë, gazetarët përpiqen të investigojnë, derisa i nxjerrin ujët e zi ngjarjes. Më pas, qeveria, nëse ia del të mbijetojë, apo qeveria që vjen nëse ajo që ishte jep dorëheqjen, përpiqet të nxjerrë mësime nga ç’ngjau për të mos i ndodhur më. Këto janë njëri kallëp i qeverive. Por ka edhe një kallëp tjetër qeverish, që përdorin një mënyrë tjetër për t’u shpëtuar skandaleve.

Dhe kjo mënyrë është të prodhojnë sa më shumë skandale e tragjedi, aq sa të mos i lënë kohë kujt të thellohet tek asnjëra syresh. Sapo vëmendja e publikut apo e mediave përqendrohet mbi një skandal, hop, ndodh një i dytë dhe bën të lihet mënjanë e më pas të harrohet ai që ngjau më parë. Më 17 korrik 2010, një autobus me 26 vetë, i nisur drejt Fushë-Arësit, përfundoi në greminë, duke lënë pas 14 të vdekur dhe 12 të plagosur. Midis tyre vdiqën e u plagosën edhe fëmijë të vegjël fare. Filluan hetimet për një rrugë që ishte pa asnjë masë mbrojtëse atje majë greminave pastaj…, pastaj hiç, sepse… Pak ditë më pas plasi skandali me tenderin gjigant të uniformave të policisë. Pastaj si në çdo gjë të këtij lloji, që pasi hapet nuk i mbarojnë hyneret, doli që ai që kishte qenë arrestuar dy vjet më parë për punë korrupsioni tenderësh, kishte fituar tani këtë tenderin e dytë. Filluan hetimet, pastaj…

Në gusht plasi skandali me Ministrinë e Shëndetësisë. Banka Botërore anuloi financimin 1,1 milionë USD për blerje pajisjesh për spitalet shqiptare, pasi tenderi ishte i trukuar. Ministria natyrisht që u betua se ishte e ndershme, por paratë i humbëm ama. Pastaj… Në shtator plasi skandali Prudentino. Në Vlorë u arrestua një mafioz italian, për llogari të Italisë, se të ishte për ne do të ishte akoma biznesmen i suksesshëm në Vlorë. Menjëherë doli në skenë se kunati i ministres Bregu ishte aksioner në ndërmarrjet e tij, pastaj doli që edhe mbesa e Berishës ishte eksperte kontabël e tij, pastaj doli që kjo kishte qenë edhe eksperte e Damir Fazlliçit, pastaj… Pastaj hiç, sepse… Në nëntor, në kthesat e Ballshit një autobus tjetër përfundoi në humnerë, duke lënë pas dhjetëra të plagosur dhe 9 të vdekur. Si gjithmonë faji i mbeti shoferit, megjithëse rruga nuk kishte asnjë masë mbrojtëse, filluan hetimet, pastaj… Në ditët e para të janarit 2011, plasi skandali i video-përgjimeve me qindra mijë eurot që fluturonin sa në një dorë në tjetrën, për koncesione hidrocentralesh, pastaj… Pak ditë më pas, më 21 janar, katër demonstrues lanë kokën te shkallët e Kryeministrisë në Tiranë. Filluan debatet, akuzat, hetimet e kundër hetimet, me horra e lavire bulevardi, pastaj…

Më 26 maj, në një atentat në Shijak mes breshërive të plumbave, mbetën dy të vdekur dhe dy të plagosur. Megjithëse duket e kotë të kërkosh të mos vriten në Shijak, kur njerëzit vriten edhe te dera e Kryeministrit, filluan hetimet, pastaj… Më 9 shtator, midis Vlorës, midis njerëzve, midis bulevardit, u vra gjykatësi Konomi. Flitej për punë hakmarrjeje, për punë mafie, për punë pronash që hapën edhe një skandal tjetër nga pas, për një aferë të pafundme me regjistrues, gjyqe, falsifikime, komisione, hetime, pastaj… Pak ditë më pas, më 14 shtator, bie galeria e radhës në Kalimash dhe vriten dy minatorët e radhës. E vetmja e veçantë kësaj radhe, ishte që minatorët nuk u vranë njëri pas tjetrit, siç kishte ndodhur e siç vazhdon të ngjasë ende sot, por u vranë njëherësh. Filluan hetimet, pastaj… Në janar 2012, mbyllet gjyqi i videopërgjimeve me argumentin se video ishte e paligjshme. Të gjithë mediat u lëshuan të kuptonin si ishte e mundur kjo punë, por pastaj… Pastaj është e vështirë të rreshtohen tragjeditë e skandalet e ndodhura, sepse densiteti i tyre këta muajt e fundit tejkalon çdo imagjinatë. Më 7 mars mbyllet gjyqi i Gërdecit pa asnjë të dënuar. Ishin vrarë 26 vetë, por gjykata doli në përfundimin se askush nuk kishte faj.

Më 15 mars, ndërsa nxirret për privatizim, i gjithë TEC-i i Fierit përfundon fshehurazi për skrap pa asnjë kontroll. Më 2 prill mbyten dy të rinj në Ishëm duke mbledhur kanoçe. Pastaj skandali me korrupsionin në licencat e shfrytëzimit të lumenjve, i gjithi i filmuar nga “Fiks Fare”. Pastaj skandali me drejtoreshën e Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave të Dhunës, ku në fakt keqtrajtoheshin fatzezat e dhunuara.

Pastaj në prill, skandali i privatizimit të “Albpetrolit”, me një humbje për shqiptarët prej miliarda dollarësh dhe për më tepër, në plan për t’u privatizuar nga kompani serbe. Pastaj skandali i anulimit të tenderit të interkonjeksionit me Kosovën, ku ministria kishte anuluar gjermanët për t’ia dhënë kujt deshi. Pastaj skandali i diplomës së djalit të Bosit, e blerë në pazarin e mender-universiteteve të Tiranës.

Pastaj prapë skandal me tenderin e uniformave, kësaj radhe jo të policisë, por të ushtrisë. Pastaj skandali në Ministrinë e Arsimit me tenderin e kompjuterëve që duhej të ishin vendosur nëpër shkolla, por që nuk janë vënë hiç. Edhe kësaj radhe, në mes është një firmë serbe. Pastaj…, pastaj më 21 maj, 13 vajza e djem të flijuar në greminat e Himarës dhe cikli mbyllet. E fillova këtë batërdi skandalesh e tragjedish dy vjet më parë me greminat e Fushë-Arësit dhe e mbylla me greminat e Himarës.

Tani cikli mund të rifillojë nga e para pa asnjë dallim. Dhe këtu rreshtova ç’mu kujtuan ashtu shpejt e shpejt, duke lënë pa përmendur mijëra çështje të ditës, vrasje, skandale, tenderë, denoncime, përdhunime, abuzime, emërime, pazare, privatizime, për të cilat është folur vetëm nga një gjysmë dite. E pra a s’më thoni, a nuk është edhe kjo një mënyrë e shkëlqyer për një qeveri për t’u mbijetuar skandaleve e tragjedive. Sa pa u marrë vesh mirë njëra ndodhi a vaki, hop hidh në treg një tjetër dhe, populli, gazetat e njerëzia e lënë mënjanë të vjetrin dhe turren të merren me të riun. Ata që ishin të përzier me aferën që është sot në treg, lumturohen sapo dëgjojnë se ndodhi afera e re, e cila do të varrosë të tyren.

Si të mos mjaftojnë këto, dje filloi skandali, tragjedia, pazari, afera (quajeni si të doni) “Presidenti”. Dhe presidenti na duhet, se kush do të çojë kurora me lule në tragjedinë e radhës pastaj! Termat “skandal” dhe “tragjedi” nuk kanë më kuptim në Shqipëri. Skandal është një gjë moralisht e keqe dhe që ndodh rrallë, ndërsa tragjedi është një gjë fizikisht e keqe që edhe kjo ndodh rrallë. Në Shqipëri e keqja fizike dhe morale janë bërë aq të përditshme, saqë normalisht këto terma nuk kanë më kuptim. Dhe në fakt, do të ishin harruar edhe si terma, nëse nuk do të vazhdonte t’i prodhonte qeveria dhe përdornin gazetarët. Ajo që duhet tani, është shpejt e shpejt një skandal a tragjedi e re, për të varrosur këtë që ndodhi.

P.s. Në minutat ndërsa mbyllja shkrimin, në Tiranë pati alarm për bombë në parkun “Rinia”, filloi debati për presidentin e ri, u hap tenderi i pistë për Lotarinë Kombëtare, gardistët kërkuan në gjyq pavlefshmërinë e ekspertizave, aksident në Sarandë një i vdekur, Librazhd dy të plagosur me motor, Tiranë 41-vjeçarja hidhet nga ballkoni, Ballsh 20-vjeçari vetëvrasje me fostoksinë, Berisha mblodhi grupin parlamentar për presidentin. Tragjedia e humnerës së Himarës është punë e harruar tashmë. Të gjithë, kryeministra, ministra, shefa policie, firma e rrugëve, kontrollorët, marrin frymë të lehtësuar.

Popull i çuditshëm ky i yni, kujton vajzat që u hodhën nga shkëmbi i Vajës 600 vjet më parë, por harron brenda 24 orësh vajzat që i vramë vetë në shkëmbinjtë e Vishës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama