Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Antimitingjet e Kultures

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Antimitingjet e Kultures

Nja dy vjet të shkuara, bashkë me një grup miqsh e dashamirësh, krijuam një rrjet të hapur “on line” ku zumë të diskutojmë çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Megjithëse shpesh e quajmë edhe “Forum”, ndoshta këtë emër nuk e meriton tamam, pasi përgjithësisht diskutimet bëhen në një rrjet të hapur, kohë pas kohe emra fillestarë largohen, emra të rinj hyjnë, disa i ndjekin diskutimet pa ndërhyrë, por vetëm duke i përdorur si burim informacioni për atë ç’ka ndodh, të tjerë akoma denoncojnë raste të ndodhura apo që kërkojnë ndërhyrje, e kështu me radhë.

Ky Forum ia ka dalë të tërheqë edhe më tej vëmendjen e mediave dhe të opinionit, duke bërë që tematika e trashëgimisë sonë kombëtare të kthehet në temë diskutimi dhe interesi publik. Megjithatë, edhe në këtë pikë ne gjendemi përpara një absurdi. Në të gjithë botën detyra e shoqërisë civile është të rrisë ndjeshmërinë e publikut për çështje të caktuara, ndërsa këtu ndjeshmëria publike ekziston dhe është e fortë, ndaj ne më shumë se me publikun hallin e kemi me institucionet që s’bëzajnë e s’lëvizin vendit.

Mirëpo tash së fundi po vë re një fenomen tipik shqiptar. Pasi u krijua grupi i dashamirësve për trashëgiminë, pasoja e parë direkte e kësaj, ishte krijimi i grupit për anti-trashëgiminë. Ç’kishte ndodhur? Të gjithë ata që ne i paguajmë me taksat tona për të mbrojtur trashëgiminë tonë të përbashkët nëpër institucionet e shtetit, sefte u zunë gafil dhe nuk po dinin si të reagonin. Të mësuar t’i bindeshin vetëm urdhrave nga lart, jo për të bërë ndonjë punë për të cilën paguhen, por thjesht për të noterizuar barbarinë e pushtetit, u gjetën ngushtë dhe nuk po dinin si të mbroheshin. Diku jepnin një intervistë se demek gjërat nuk qëndronin siç thoshim ne, dikush tjetër recitonte për investime që në fakt ekzistonin vetëm në letër, një i tretë përpiqej të dukej sikur po punonte dhe thoshte se ne po flisnin për restaurimet që në fakt ata po i bënin, dhe secili thjesht përpiqej sa për t’u dukur Kola në punë.

Pasi kaloi hutimi i parë, e panë se kështu nuk i dilej më. Nëse vazhdonin kështu të paorganizuar, do të dilnin me humbje nga kjo përballje. Do t’u duhet të linin mënjanë zyrat e mykura ku ishin mbyllur dhe të dilnin në terren të bënin realisht ndonjë punë për së mbari, do t’u duhej të jepnin llogari për ç’kishin bërë e ç’nuk kishin bërë deri atëherë dhe, mbi të gjitha, po ju vështirësohej pazari i ndyrë që po përgatisnin në heshtje për fushatën e privatizimeve dhe dhënieve me qira të ç’kishte mbetur nga kalatë e monumentet tona.

I thirrën mendjes, u mblodhën, hartuan një strategji, ndanë detyrat dhe u hodhën në aksion. Prapë në aksion jo për të bërë ndonjë punë, larg qoftë ajo fjalë, por për të përbaltur e pëgërur mbi gjithë ne që ju prishëm rehatin. Kanë vetëm një ndryshim nga ne: nuk formuan një Forum publik për anti-trashëgiminë dhe nuk përdorin emrat e tyre, por fshihen pas pseudonimesh nëpër rrjetet sociale apo forumet e tjera ku, me shqetësim trajtohen këto çështje.

Po çfarë shkruajnë e thonë të fshehur pas anonimatit? Jua them unë përmbledhtazi: Artan Lame ka vjedhur sa ka mundur duke shitur ikona dhe ka qenë në ndjekje penale për këtë çështje; Maks Velo është komunist që lëpin kockat që i hedh Ed Rama; Auron Tare është kadet i dështuar që, meqë nuk bënte dot punë tjetër, vodhi biletat e Parkut të Butrintit dhe shkatërroi mozaikët e Teqesë së Melanit; Gjerak Karaiskaj është pseudo-profesor (Gjeraku është studiuesi më i mirë i gjallë i arkitekturës mesjetare që ka Shqipëria) dhe hapin llaf që ka vdekur; Artan Shkreli është 20%-shi i monumenteve; Pëllumb Xhufin e ka vënë Edi Rama për arsye politike; Lorenc Bejko ka privatizuar tumat; dhe, plehu që nxjerrin nga goja s’ka e s’ka të sosur.

Kjo është njëri drejtim, ndërsa tjetra anë e strategjisë së tyre është përbuzja e vlerave që ne mbrojmë. Kur u ngritëm për shatërvanin e Tiranës, shkruan se shatërvani ishte modern dhe pa asnjë vlerë; për urën mesjetare të zbuluar në Shkodër, thanë se nuk ishte urë, por kolektor mesjetar (duke mos kuptuar se si i tillë ishte njëqind herë më me vlerë, pasi ura mesjetare Shqipëria ka me qindra, ndërsa si kolektor dhe si vepër inxhinierike ai ishte unikal); për kalanë e Lezhës thanë se atje ku duan të ndërtojnë ishte një godinë e fillimit të shek. XX, kur në fakt udhëtarët e huaj të shek. XIX e përshkruajnë atë si godinë të rrënuar që në fillim të atij shekulli. Pra përmbledhtazi, ajo që duan t’u mbetet në mendje njerëzve, është se edhe këta janë një tufë hajdutësh ordinerë që duan të mbrojnë gjëra pa vlerë, se duan të vjedhin prapë, por ne demek burrat e mirë, nuk do t’i lëmë.

Dhe, me thënë të drejtën, po ia dalin në këtë punë, siç i dilet gjithmonë në këtë vend, sa herë do që të prishësh punë. Po t’u hidhet një sy diskutimeve që hapen nëpër rrjete, struktura e tyre është e tillë: Botohet një shkrim apo kronikë për një çështje, a për një monument. Fillojnë komentet e para, të cilat përgjithësisht janë pozitive me të thëna të llojit: ç’bëhet kështu, si është e mundur, duhet reaguar, turp t’ju vijë, shtet legen etj. Pas këtyre, hyjnë në veprim anonimët me mesazhe ku ne akuzohemi për hajdutë, të korruptuar, të degjeneruar etj. Pikërisht ne, denoncuesit e gjësë, akuzohemi për të gjitha të zezat e kësaj toke. Pas këtyre, debati zhvendoset nga halli i monumentit te llafet dhe akuzat për ne dhe, më tej, komentet e fundit janë zëra të dëshpëruar që thonë: aha të gjithë njësoj janë, s’bëhet ky vend …; dhe, kaq.

Njëfarësoj, po gjendemi në situatën e dikurshme të fillim vitit ‘91 kur, sa herë bëhej një miting, hopa, menjëherë pas tij, pala tjetër organizonte një anti-miting. Asokohe e kishim për sefte demokracinë dhe kjo na ngjante si mënyra më e mirë për t’i treguar vendin armikut, miting anti-miting, mentalitet tipik bolshevik. Që atëherë shumë ujë rrodhi ndën urat shqiptare, ndërsa këta mitingashët e instituteve tona kanë mbetur po tek e njëjta mënyrë kundërveprimi: u mblodhën këta për trashëgiminë, hajt mblidhemi edhe ne për anti-trashëgiminë. Bolshevikë, pleq të pandreqshëm, hileve, vogëlsisë së shpirtit dhe injorancës së të cilëve, u vjen në ndihmë edhe teknologjia moderne me mundësinë e anonimatit në rrjet.

Ashtu si në situatën e dikurshme të fillim vitit ‘91 kur, sa herë bëhej një miting, hopa, menjëherë pas tij, pala tjetër organizonte një anti-miting, edhe tani pasi u krijua grupi dashamirësisht për trashëgiminë, pasoja e parë direkte ishte krijimi i grupit për anti-trashëgiminë.

Në të gjithë dynjanë, funksioni i shoqërisë civile është në rrisë ndjeshmërinë e publikut për çështje që caktuara, ndërsa këtu ndjeshmëria publike ekziston dhe është e fortë, ndaj ne më shumë se me publikun hallin e kemi me institucionet që s’bëzajnë e s’lëvizin vendit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama