Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vjen Fyle!

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Hoxha
Vjen Fyle!

1. Siç ishte paralajmëruar, Stefan Fyle, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat me Fqinjët i Komisionit Europian, do vizitojë Tiranën më 3 maj. Vizita e tij u parapri nga disa misione vëzhguese e nxitëse të zyrtarëve europianë – Sannino, Mirel, Maragos – si dhe aksioni i përditshëm i delegacionit europian në Tiranë nën drejtimin e ambasadorit Ettore Sequi, i dalluar për kthjelltësinë e arsyetimit, butësinë e shprehjes dhe elegancën në sugjerimet për klasën politike.

2. Sjellja politike ka pasur transformime pozitive prej disa muajsh duke avancuar në zonën e paqes, ndonëse të dyja palët ende i mbajnë në gjendje gatishmërie trupat specialë të sulmit verbal, të cilët, herë pas here por gjithnjë e më pak, ndërmarrin, me urdhër a iniciativë, aksione sulmuese e sabotuese. Konflikti është bërë përjashtim. Normaliteti rregull. Tensioni prezent, por në rënie.

3. Epitetet e rënda, reciproke e të përditshme përdoren gjithnjë e më rrallë. “Edvini” është zhdukur fare nga qarkullimi, duke i lënë tërësisht vendin “z. Rama”, ndërsa “Saliu” i ka lënë vendin Kryeministrit ndonëse, me raste, “Saliu” e bën një xhiro njëpërdorimëshe andej nga selia e socialisteve, në ndonjë ekran a dritare të “Twitter”. “Saliu nuk e do integrimin”, apo i mëhershmi “regjimi fashist oriental” janë lënë pas bashkë me vitin 2011 i cili “s’duhet përsëritur” siç tha Edi Rama pas kthimit nga ShBA, ndërsa “opozita antieuropiane” u mohua vendosmërisht nga Sali Berisha në takimin e partive popullore pak javë më parë.

4. Qeveria po bën punët e saj të përditshme duke kruar xhepat e ruajtur kacidhet e pakta që hyjnë nga ekonomia që gulçon prej litarit që shtrëngohet ngadalë rreth qafës nën peshën e rënies së eurozonës, krizë kjo mjaft më e zgjatur dhe mjaft më pranë se ajo amerikane e katër viteve më parë, grushti i të cilës shkaktoi trullosje, por jo gjunjëzim. Opozita po bën punën e saj të kundërshtimit verbal dhe me votë dhe po i jep formë programit të saj temë pas teme e tryezë pas tryeze. Në media po rishfaqen debatet e munguara të deputetëve të të dyja palëve. Procesi presidencial s’është asfare nursëz dhe kandidati më në zë, Fatos Nano, po tregon se si duhej të ish sjellë e si duhet të sillet një President. Gjendja ka ardhur pak a shumë aty ku Komisioni Europian vlerësonte Malin e Zi në nëntor 2010, klasa politike e të cilit kishte “rritur mirëkuptimin për shtetformimin”. Ndaj, statusi i vendit kandidat është shumë i mundshëm tashmë.

5. Por, e kaluara e afërt konfliktuale deri në absurd dikton ca më shumë: progres të prekshëm edhe në realizimin e duzinës së prioriteteve nga të cilat tetë kërkojnë konsensusin e opozitës. Një pjesë e tyre janë kryer tashmë. Kuvendi miratoi disa kode dhe zgjodhi me mirëkuptim Avokatin e Popullit. Ligji për gjykatën administrative kaloi me mirëkuptim në Komisionin e Ligjeve, ndërsa përmirësimi i Kodit Zgjedhur lidhur me administrimin e zgjedhjeve po vazhdon me sukses, ndonëse ende s’janë bashkëmiratuar zgjidhjet për disa çështje të nxehta.

6. Disa çështjeve të tjera do t’u vijë radha në shtator e tutje. Ligji i ri për statusin e nëpunësit civil, Kodi i ri për Procedurat Administrative, një tjetër ligj për organizimin e administratës shtetërore që do shtrohen për diskutim si paketë pas pushimeve verore, janë akte të rëndësishme që plotësojnë të gjithë kuadrin ligjor e, që së bashku me gjykatat administrative, reformën në proces të inspektimeve a atë të kryer të licencimeve, përmbyllin një transformim tërësor e modernizues të së drejtës administrative, njëherazi duke kontribuar në reduktimin e mundësive për abuzime dhe akte korruptive. Kuvendi do ketë shumë punë në vjeshtën e këtij viti të 100-vjetorit të Pavarësisë.

7. Beteja e vazhdueshme kundër korrupsionit kërkon, krahas metodave parandaluese, edhe ato ndëshkuese. Aftësia goditëse e sistemit të mirëngritur të Task Forcë Antikorrupsion, që drejtohet nga Prokuroria dhe mbështetet nga Policia dhe segmente të tjera të specializuara të shtetit, është rritur. Numërohen me qindra raste hetimesh profesionale e të pakundërshtueshme. Gjykatat kanë dhënë dënimet për shumë nga zyrtaret e kapur me presh në dorë. Por, nivelet e larta të shtetit gëzojnë imunitet, i cili pengon suksesin e aksionit ndëshkues edhe në këtë nivel. Aktet korruptive zhvillohen fshehtas dhe vështirë se kapen nga hetimi dokumentar ndaj kërkohet përgjim paraprak e në vazhdimësi e ky s’mundet as të nisë pa heqjen e imunitetit dhe, deri në heqjen e tij, zullumqari e ka bërë zullumin e i ka fshirë gjurmët.

8. Ndaj, reduktimi i imuniteteve është një sfidë që duhet pranuar nga politika. Çështja nëse duhet ndryshuar Kushtetuta apo jo, tashmë është tejkaluar. Mbetet një hezitim që lidhet me ndrojtjen se mos keqpërdoret për goditje politike, hezitim ky që ndeshet më shumë mes e rreth opozitës. Në fakt, cilido që beson sinqerisht se sistemi është regjim fashist a mund të bëhet i këtillë, do të besonte se ai do ta keqpërdorte mungesën e imunitetit kundër opozitës dhe çdo kundërshtari tjetër. Ka ndodhur më parë në fillimet e rrëmbyeshme të demokracisë. Por për këta tipa çështja s’ka zgjidhje e me këta as nuk ka kuptim diskutimi. Sfida u takon atyre që e dinë se sot jemi në demokraci të ekuilibruar e të balancuar në dimensionet politike, institucionale, juridike, medietike, ekonomike.

9. Ndërsa detyrat janë të vështira e të shumta, diskutimet këto ditë po ngecin në çështje të imta të Rregullores parlamentare. Kërkesa arbitrare dhe e sekondës së fundit e opozitës për ndryshimin e mënyrës së sekretimit të fletëve të votimin në rastin Çefa-Visha dhe përgjigjja po aq arbitrare e maxhorancës që çoi në atë tension të shëmtuar në Kuvend, duhet shmangur duke ndryshuar Rregulloren. Por, nëse fantazive s’do t’u vihet fre, s’ka procedurë që do t’i qetësonte këta shpirtra. Siç po gjenden zgjidhje për votimin e numërimin në Kodin Zgjedhor, mund të gjenden edhe për votimin e numërimin, elektronik a me kuti, brenda në Kuvend se veç 140 vota janë – ju marrtë e mira ju marrtë!
10. Mënyra e votimit, e fshehtë a e hapur e dekreteve të Presidentit është një tjetër çështje e ngecur në ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Opozita këmbëngul tek votimi i fshehtë dhe maxhoranca tek ai i hapur. Të dyja diskutojnë mbi parime. “Votimi i hapur është antidemokratik… Synon të ushtrojë presion mbi vullnetin e lirë të deputetëve”, pretendon opozita. “Votimi i hapur është model amerikan, ndaj s’ka se si të jetë jodemokratik… Populli duhet të dijë se si votojnë deputetët”, thotë maxhoranca. Të dyja i referohen Rregullores së Parlamentit Europian, që voton vetëm fshehtas për individët sipas opozitës, por s’voton dekrete sipas maxhorancës.

11. Zgjidhja gjendet nëse të dyja i largohen përdorimit abuziv të parimeve. Votimi i kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese e të Lartë a drejtues të tjerë që propozohen nga Presidenti, janë votime si për individë ashtu edhe për qëndrime politike ndaj kritereve bazë. Kriteret mund të trajtohen hapur në komisionet përkatëse dhe veç rastet që kënaqin kriteret, kalojnë në votim të fshehtë e plenar mbi individin. Votimi i fshehtë për individin nuk është demokraci dhe ai i hapur ndaj tij nuk është antidemokraci. Çështja është veçse e lidhur me marrëdhëniet njerëzore. Amerikanët e kanë më të lehtë. “Nothing personal, only business (asgjë personale, veç biznes)”, thuhet atje. Ne s’jemi ende kësisoj dhe i përziejmë gjërat rast e pa rast.

12. Fyle vjen të enjten. Në fare pak muaj shumë ecje dhe pak ngecje. Arsyeja fiton terren. Pelegrinazhi në ShBA i liderëve në kohën e duhur dhe kthimi prej andej me peshën e qortimeve dhe angazhimeve, por dhe shtysën e bekimin amerikan për një tjetër përpjekje për integrim tonë në Bashkimin Europian dyert e të cilit mbetën hapur edhe në këtë kohë krize. Veç për paqësorët ama, jo për luftarakët, pasi ky bashkim është projekti i paqes kundër luftës. E ndërkohë, paqja jonë po forcohet ditë pas dite siç “gur, gur bëhet mur”, shprehje të cilën ambasador Sequi e përdor me të vetët sa herë raporton zhvillimet shqiptare, duke nxjerrë nga xhepi i brendshëm i xhaketës një karikaturë, prerë nga një gazetë, e cila tregon Edi Ramën, si një vinç i madh, që ngre tullat dhe Sali Berishën, si usta murator, që shtron llaç e i vendos ndërsa muri lartohet e të dy janë krah për krah si një skuadër nga e njëjta anë e murit. Interpretim nxitës pozitiv ky i ambasadorit se, sa për cinikët dhe/ose luftarakët, e njëjta karikaturë do kishte një kuptim krejt tjetër si p.sh., Edi Rama ndihmon Sali Berishën të qëndrojë e forcojë pushtetin, siç bëri në prill 2008. Rëndësi sot ka ç’mendon Edi Rama.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama