Rruge te tretura

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 11 vite më parë

Artan Lame
Rruge te tretura

Dje, Partia Socialiste organizoi një Tryezë për infrastrukturën e vendit. Përmenda në atë tryezë një shembull të së shkuarës së harruar, por të përsëritur, dhe po e sjell edhe këtu bashkë me disa shembuj të tjerë gjithaq të harruar, por edhe ata të përsëritur në kohë. Them se mjaftojnë për t’u treguar shqiptarëve se si nuk duhet vazhduar më të bëhen gjërat në këtë vend.

Diplomati anglez, Wadham Peacock, i konsullatës britanike në Shkodër, në librin me kujtime: “Shqipëria vendi i braktisur i Evropës”, shkruan për Shqipërinë në vitin 1881:

“Qeveria turke kishte ndërtuar vetëm nja dy pjesë të rrugës Lezhë-Shkodër deri në atë moment dhe, siç është zakon në këtë pjesë të botës, ishin ndërtuar ato që përdoreshin më pak. Fillimi i rrugës shtrihej për një milje a dy, deri në fshatin Beltoja, dhe ndërpritej çuditërisht në vendin ku Drini nis kalimin për në fushën e Zadrimës, ku edhe në mes të thatësirës është e rrëshqitshme dhe e vështirë. Më tej ishin ndërtuar edhe disa copëza të palidhura me njëra-tjetrën, atje ku ishte më e lehtë”.

Tridhjetë vjet më pas, në vitin 1909, misionari C. T. Ericson, kujton për rrugën drejt Elbasanit: “Teksa dolëm të torturuar nga gryka e Shkumbinit në Mirakë, ku ishim kacavarur nëpër shkëmbinj për të kaluar, u befasuam. Përpara nesh fillonte krejt papritur një rrugë e sapo shtruar me kalldrëm dhe e sistemuar për bukuri. Por pas disa kilometrash ajo ndërpritej po aq papritur në mes të asgjësë dhe rifillonte sërish më tej, duke vazhduar kështu pjesë-pjesë deri në Elbasan. Në qytet morëm vesh se rruga ishte dhënë për ndërtim që para disa vjetësh nga qeveria por meqenëse paratë ishin vjedhur ca në Stamboll e ca në Vilajet, sipërmarrësi ishte mjaftuar të ndërtonte vetëm copërat më të lehta”.

A nuk bën kështu edhe shteti i sotëm osman shqiptar, që i ndërton rrugët ende me të njëjtën metodë. Është e pabesueshme, e pafalshme, e paimagjinueshme dhe e patolerueshme, që edhe 130 vjet pas atij anglezit të parë dhe, 100 vjet pas amerikanit të dytë, qeveria shqiptare vazhdon të ndërtojë rrugët e vendit të vet me të njëjtin sistem absurd, një copë sot e një copë mot, hiq e mos e këput!

Por ka edhe më keq, pasi të paktën në këto dy rastet e mësipërme, firma që kishte fituar tenderin, të paktën ca copëra të rrugës i kish bërë. Në fillim të shekullit XX, ndërsa kufijtë ballkanikë të Perandorisë Osmane po rrezikoheshin, u vendos të ndërtoheshin disa rrugë kryesore që do t’i shërbenin lëvizjes së kolonave ushtarake. Në këtë kuadër, u mor vendim edhe për ndërtimin e rrugës së karrocave Berat-Janinë. Dy herë filluan punimet e kësaj rruge dhe të dy herët fondet zhdukeshin e treteshin si me magji. Mileti, që e paguante deri më një taksën e re që u vu për rrugën, dërgonte ankesë pas ankese në Stamboll për këtë punë. Më në fund, Sulltan Abdyl-Hamiti II, ai që aq shumë e kemi sharë, thirri në raport Kryeministrin, Vezirin e Madh siç i thoshin turqit, Mehmet Ferrid pashë Vlorën dhe i kërkoi me ngulm përfundimin e rrugës. I nxehur, Sulltani plak iu gërmush Vezirit se do të dërgonte në vend një prej këshilltarëve të tij dhe, nëse karroca e nisur nga Berati nuk arrinte në Janinë, ai do ta kishte pisk. Kryeministri, që në fakt ishte pjesë e gjithë mekanizmit të tretjes së fondeve, u lidh me miqtë e vet në Shqipëri, duke u bërë me dije se kështu e kështu, po vjen vetë këshilltari i Sulltanit, ndaj gjeni një zgjidhje se ju piu e zeza.

U mblodhën zyrtarët, nënkontraktues, mytesarifë, e gjithë ata që kishin pjesën e tyre në tretjen e fondeve dhe, pasi e pleqëruan punën, ia gjetën bidatin. I çuan llaf Këshilltarit Perandorak, që të mos mundohej vetë, por le të dërgonte vetëm karrocën e provës në Berat, ndërsa ai vetë të shkonte direkt në Janinë. Ata pastaj do ta çonin karrocën nga Berati në Janinë dhe atje delegati do të shihte me sytë e vet se karroca mbërriti. Me të thënë e me të bërë.

Sapo karroca e Këshilltarit Perandorak mbërriti në Berat nga Stambolli, dallkaukët e vilajetit e çmontuan, ua ngarkuan copërat në shpinë ca evgjitëve me mushka, të pajtuar për këtë punë dhe këta morën monopatet e gërxhet e maleve drejt Janinës. Atje pastaj, në të hyrë të qytetit, në fshehtësi karroca u montua sërish dhe hyri triumfale në Janinë, ku me krenari iu deklarua të dërguarit sulltanor se, siç e shihte dhe ai vetë, urdhri i Baba Dovletit ishte zbatuar me rreptësi dhe tani karrocat lëviznin lirshëm në rrugën e re Berat-Janinë. Këshilltari u kthye i kënaqur në Stamboll dhe raportoi se gjithçka ishte në rregull. Sulltani u qetësua, ndërsa veziri Ferrid pasha mbylli dosjen e kontrollit. Me një fjalë, letrat u mbyllën në rregull, vetëm se mileti në Shqipëri vazhdoi të vuante taksat e një rruge që nuk ekzistonte, ndërsa ushtria turke gjatë Luftës Ballkanike, pak vjet më pas, në tetor 1912, mbeti e bllokuar nëpër baltat e Myzeqesë, pasi nuk mund të kalonte nëpër një rrugë që ekzistonte vetëm në hartë dhe në xhepat e zyrtarëve të korruptuar.

A nuk bën kështu edhe shteti i sotëm osman shqiptar, duke i tretur tenderët deri në atë masë sa të ekzistojnë rrugë vetëm në letër.

Kryeministrit osman Ferrid pashë Vlorës, bashkëqytetarët e tij i kanë borxh edhe zhdukjen e kalasë së famshme të qytetit, të asaj kalaje për të cilën Evlia Çelebia, shkruante 350 vjet më parë: “Kush nuk ka parë Kullën e Selanikut dhe Kullën e Vlorës, nuk e njeh artin e Osmanëve”.

E pra, në vitet e para të shekullit XX, gjithaq në kuadër të atyre rrugëve që përmenda më sipër, u vendos edhe ndërtimi i rrugës Vlorë-Skelë. Kryeministri mori paratë e taksura nga buxheti osman, hoqi mënjanë pjesën e vet dhe kusurin e nisi “për tender” në Vlorë. Këtu, qeveritarët e vendit, hoqën mënjanë pjesën e tyre dhe ia dhanë kusurin sipërmarrjes për të ndërtuar rrugën. Meqenëse me ato pak para që mbetën, ishte katandisur kokoshi një thelë dhe rruga nuk bëhej për qamet, ndërtuesi nga halli i ra shkurt. Bëri “ndryshimet përkatëse në projekt” dhe në vend që të hapte gurore diku larg për të marrë gurët që do t’i duheshin, punë që kushtonte kjo, i ra shkurt. Vuri njerëz, të cilët e zbërthyen gur më gur kalanë e madhe buzë detit dhe me ata gurë u shtrua rruga e re. Natyrisht që nëpër inventarët e Stambollit vazhdoi të ekzistonte edhe Kalaja e Vlorës, e cila në fakt tashmë ishte zhdukur që nga themelet.

A nuk bën kështu edhe shteti i sotëm osman shqiptar, ku për të ndërtuar rrugët shkallmon shtretërit e lumenjve, duke ju marrë edhe zallin e fundit dhe duke rrezikuar deri edhe prishjen e shumë urave për këtë shkak?!

Shtetet e qeveritë janë si njerëzit, kanë jetën e tyre, në fund plaken dhe ju vjen vdekja. Shtetet e qeveritë, kur plaken kanë një mori shenjash që bëhen të dukshme dhe, kush ka sy ia del t’i shohë. Një nga më të këqijat sëmundje të tyre, është korrupsioni, i cili i mbulon fund e majë ngrehinën, i thith lëngun jetësor, i bllokon lëvizjet, deri sa ia del ta rrëzojë të gjithën. Perandoria Osmane është vërtetimi i njëmijtë i kësaj sëmundjeje të tmerrshme të shteteve, ndërsa qeveria e sotme otomane shqiptare, është shembulli i radhës, tashmë në shekullin XXI se sa e keqe qenka kjo sëmundje.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama