22 marsi ne shtetin tallava

Shkruar nga: Ben Andoni  
Botuar më: 11 vite më parë

Ben Andoni
22 marsi ne shtetin tallava

Pa kaluar festa e madhe e ditës së pranverës, një tjetër festë i pret shqiptarët dhe kjo ka lidhje me ditën e 22 Marsit 1992, dita kur Partia Demokratike erdhi në fuqi. Shën Oktaviani është një shenjt katolik, që i përkujtohet dita pikërisht më 22 mars. Vdiq duke mbrojtur besimin, i sulmuar nga vandalët. Kristianët ia festojnë ditën me veneracion dhe me përulësi. Ashtu si ndodh me gjërat sublime. Shqiptarët e sotëm, vend ku kanë kaluar shumë misionarë mitikë të fesë, vërtetë i është larguar disi festave fetare, por është mbushur me festat laike. Në njërën syresh që do mbahet pas pak ditësh, kryeministri i tyre, u ka premtuar një festë më të bukur dhe më të madhe, se ato që janë bërë deri më tash.

Vetëm se, streha tek superlativat e tij, është zhgënjimi i parë që has sot njeriu i thjeshtë nga goja e kryeministrit. I vetmi ngazëllim mbetet tek militantët bajagi të shumtë, që janë ende në gjumin jermik dhe kuptohet këngëtarët e tallavasë, që në këto ditë janë të kërkuar dhe u marrin me përdhunë minutat e vlefshme njerëzve, që sot e më shumë u duhet të mbijetojnë. Megjithatë të gjitha kanë pak rëndësi. Zoti Sali Berisha nuk ndalet. Pa kaluar festa e madhe e ditës së pranverës, një tjetër festë i pret shqiptarët dhe kjo ka lidhje me ditën e 22 Marsit 1992, dita kur Partia Demokratike erdhi në fuqi dhe që nga autoritetet e saj është përcjellë si festë kombëtare.

Sesi mund ta bësh këtë festë me kaq fanfara pak ditë pas përvjetorit të Gërdecit me një vendim gjyqësor, që tronditi opinionin publik, ose pak javë para njëvjetorit të fitores së zgjedhjeve të manipuluara lokale, këtë vetëm z.Berisha e di. Si gjithnjë, ai e ruan një justifikim për grigjën e tij memece, që pothuaj i mbyll sytë dhe pranon çdo lugë çorbë që përcjell lideri i saj historik.

Ky i fundit, me retorikën anakronike që mbulon sot një disfatë të tërë në zhvillimin ekonomik, në problematikën sociale dhe mbi të gjitha në uljen e standardit të vendit, këtë bindje e di mirë. Ndaj si demagog i qartë, u kumtoi se “Në këto zhvillime, shqiptarët ua besuan 20 vjet më parë PD, ishin pasivisht faktor përcaktuar të një ndryshimi epokal, por vendosën besimin e tyre te forca e re që kishte vetëm 1 vit e themeluar dhe këtë besim ata ia përsëritën kësaj force politike.

Fakti që ky 20 vjetor e gjen në pushtet PD përbën jo vetëm nderimin më të madh, besimin më të madh, por edhe detyrime e përgjegjësi më të larta”- tha Berisha. Harron se këtë besim që ia fali populli, ai e ka shpërdoruar dhe e ka konvertuar me një varfëri ekstreme dhe një pasiguri, që e ndjen në çdo hap. Siç ndodh rëndom me demagogët, këtë herë atmosferën e festës e ka derdhur tek të rinjtë, bash atij brezi, që i ka shpërdoruar në ekstrem.

Pa mundësi punësimi, me prindërit e tyre që luftojnë për herë e më shumë me mbijetesën, shtuar me fatkeqët që u shkatërroi shtëpitë në Gërdec dhe e kaloi gjyqin në mënyrë qesharake, apo me atë korrupsion të frikshëm...ky është sfondi i festimeve të tij të vërteta. I falet gjithsesi. Marsi mbetet muaji i parë i pranverës dhe fillimi i dalldisë së zakonshme të Berishës, e cila nuk mbulon dot tollovinë politike dhe më shumë akoma kaosin kombëtar ekonomik. Për të gjitha këto s’ka përgjigje, sepse shteti i tij tallava mundohet ta kalojë kohën vetëm në festa që s’tregojnë asgjë. Sepse asgjë s’është realisht besimi për kryeministrin Berisha për shqiptarët, që po i tollovit kaq shumë në pashpresë. Ashtu si po i lë vandalët e gjithë llojeve të grabisin dhe të marrin gjithçka nga prona kombëtare...Ndaj si çdo provincial në thelb dhe kryeministri ynë gjendet mirë kur kumtet pubike i bën me mbiemrat superlativë. Ky është vandalizmi më i madh, ku nuk na bën më punë jo vetëm një shenjt si Oktaviani, por një grigjë e tërë syresh të shpëtojmë. Por, mbase edhe për këtë duhet një festë tjetër, që administrata tallave është gati ta shpallë, po të jetë nevoja.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama