Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nxitimi i vonuar i Edi Ramës

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Nxitimi i vonuar i Edi Ramës

1. Ngjarjet, edhe pse të pritshme, kur ndodhin, krijojnë turbullirë. Natyrshëm, kjo po ndodh në të djathtë edhe me nismat politike të Bamir Topit dhe Kreshnik Spahiut i pari ende President dhe me një parti të lajmëruar por të paformuar, ndërsa i dyti, i (vetë)larguar nga posti shtetëror i nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë e prej më shumë se një viti krijues dhe drejtues i Aleancës Kuq e Zi.

2. Si dy eksponentë të së djathtës shqiptare, nismat politike Topi dhe Spahiu ngrenë pyetje legjitime. A janë ata, veç a tok, faktorë të humbjes së zgjedhjeve 2013 nga e djathta e kryesuar nga Berisha? A do shkaktojnë veç humbjen apo do jenë edhe faktorë parlamentarë? Nëse do jenë faktorë parlamentarë, a do jenë përcaktues në qeverisjen e ardhshme apo thjesht do shërbejnë për një ndryshim të së djathtës pas kalimit të saj në opozitë?

3. Ndërsa pyetjet janë legjitime dhe përgjigjet e dyfishta e të kundërta njësoj të mundshme e të pavërtetueshme bindshëm me të dhënat e deritanishme – ka shumë hapësirë për spekulim – turbullira në të djathtë është veçse e përkohshme. Në këtë krah të politikës, përgatitjet për futjen në lojë të dy partive të reja kanë filluar me kohë. Partia e pritshme e Spahiut ka më shumë se një vit që aktivizohet vrullshëm në jetën politike e shoqërore, më së shumti në konflikt të ashpër me nismat qeveritare ndërsa ajo Topi, ndonëse në ngjizje më të ngadaltë, ka kohë që është perceptuar se ekziston si kundërshti dhe konflikt i hershëm i tij me pjesën “berishiste” të së djathtës.
4. Nga ana tjetër, po në të djathtë, Sali Berisha dhe ata që e pasojnë, prej kohësh i kanë piketuar kufijtë ndarës me dy nismat e reja, duke i etiketuar si pseudo të djathta dhe aleate të së majtës. Bamir Topi, si kundërshtar i së djathtës në pushtet dhe ndihmës, i hapur a i heshtur i Edi Ramës, filloi të etiketohej që në vitin 2008 lidhur me çështjet gjyqësore të nisura nga prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama dhe ligjin e lustracionit. Sulmi vazhdoi me kritikat për apatinë e tij lidhur me zgjedhjet 2009 dhe ngërçin politik të mëpastajmë, kulmoi me akuzën për “pjesëtar i grushtit të shtetit më 21 janar 2011”, rivazhdoi me demaskimin e votës për Edi Ramën më 8 maj 2011 hedhur në kutinë e gabuar, me njehsimin e tij me opozitën si “aleancë e plehut” e deri, së fundmi, me krahasimin e Bamir Topit me Hamza Kastriotin në rastin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.

5. Aleanca Kuq e Zi dhe kryetari i saj, Kreshnik Spahiu, u tallën e u poshtëruan publikisht nga Sali Berisha si “Aleanca e Faqezinjve”, qëkur kjo aleancë iu kundërvu censusit 2011. Fillimisht ca konfuze lidhur me përkatësinë e kësaj aleance ajo u godit si krijesë e Bamir Topit, taktikë që u qartësua më pas dhe vazhdoi me goditje sistematike e të ashpra deri përmes hetimit parlamentar të veprimtarisë së nënkryetarit të KLD-së, edhe pas dorëheqjes së paralajmëruar, po aq sa të detyruar të tij.

6. Ndaj, në të djathtë, të përgatitur me kohë për daljen në fushë të dy forcave të reja politike, kërshëria, hutimi a paqartësia kanë jetë të shkurtër. Në të djathtë është hapur një front i ri me dy copëza që po shkëputen edhe juridikisht e me të cilat ka nisur prej kohësh konflikti me termat e vjetruar se cili është më i djathtë a i vërtetë, më antikomunist a i vërtetë, pro ish-pronarëve a ish-të përndjekurve politikë. Deri këtu s’ka asgjë të re nga fronti i djathtë, nga i cili që nga 1991-shi janë shkëputur copëza për t’u ribashkuar e për t’u rindarë herë pas here bazuar në të njëjtat teza, të kuptueshme në kohën e vet e të dala boje në ditët e sotme.

7. Çka përbën interes të përbashkët djathtas e majtas e që mbetet për t’u parë në të ardhmen, është çështja nëse dy partitë e reja do të kenë në të djathtë efektin që LSI pati në të majtë. Një efekt i këtillë natyrshëm shihet si kërcenim djathtas dhe si shpresë majtas. Shpresa e efektit LSI që ushqen opozita e Edi Ramës nga partitë Topi dhe Spahiu nxitet edhe nga të dhënat historike të zgjedhjeve, rezultatet e të cilave, si një mbledhje/zbritje konstantesh historike, tregojnë një pandryshueshmëri kokëfortë. Sa për ilustrim: shuma e votave (PS&aleatë+LSI) në përqindje të votuesve mbetet praktikisht e njëjtë në zgjedhjet 2005, 2007, 2009 dhe 2011 dhe pozicioni i LSI-së ka përcaktuar fitimtarin.

8. Ndërsa kjo shpresë në të majtë është më se e kuptueshme, ajo që ngjall kërshëri është shqetësimi paralel që po vërehet majtas nga dalja e këtyre dy forcave, të cilat, në daljet e para publike në janar-mars të këtij viti, u shpallën të zhbalancuara kundër maxhorancës qeverisëse, duke kulmuar me shkëmbimet e ashpra të akuzave dhe etiketimeve Berisha-Topi gjatë javës që sapo kaloi.

9. Paraprirë pak ditë më parë nga daljet e zbehta publike të deputeteve Balla e Braçe, një ditë më parë zbriti në fushë vetë Edi Rama me një “buqetë” argumentesh thuajse shteruese, që rreken të qartësojnë sa përkatësinë e djathtë të partive Topi e Spahi, aq edhe mungesën e çfarëdolloj kontakti a përbashkësie të tyre me opozitën e majtë që ofron “Rilindjen Shqiptare”. Pikërisht vonesa e gjatë në reagim pasuar nga një dalje energjike, me shumëllojshmëri argumentesh, të gjitha në një editorial, të thëna me një frymë e në një ditë, tregojnë nxitimin e përshpejtuar të reagimit opozitar, që ushqen dyshimin se kemi të bëjmë më shumë sesa me një shpresë, me shqetësimin serioz në të majtë nga dalja e dy partive të reja në të djathtë.

10. Në mungesë të sondazheve publike e duke lënë mënjanë cicërimat për të dhëna konfidenciale nga sondazhe konfidenciale me të cilat mund të spekulohet pafundësisht, efektet shqetësuese në të majtë nga dy partitë e reja djathtas vihen re lehtas në deklarimet, komentet, dialogët dhe monologët e qindra individëve në internet. Thuajse çdo bloger antiberishist shprehet mjaft i pakënaqur me “linjën e butë” të ndërmarrë së fundmi nga Edi Rama dhe entuziazmohet nga linja anti-Berishë e Spahiut a Topit, sa më e fortë është kjo linjë e tyre e sa më shumë u sulet atyre Berisha.

11. Që antiberishistët janë në shumicën dërrmuese të majtë, kjo as që do vërtetim ndaj dhe Edi Rama ka mundësi që, duke parë këtë fenomen, të jetë shqetësuar për atë pjesë antiberishiste – “karajfilet e majtë” që mund të çorientohen e të votojnë Aleancën Kuq e Zi së pari a partinë “Topi” së dyti, në vend që të votojnë majtas. Ndaj, Edi Rama në editorialin e tij risjell në kujtesë se Topi e Spahiu s’kanë qenë asnjëherë në favor të betejave të mëdha opozitare që kanë shënjuar vijën ndarëse me qeverinë e djathtë si vjedhja e votave 2009, beteja për kutitë, greva e urisë, vrasjet e janarit 2011, rivjedhja e votave 2011 e të tjera të këtilla, beteja këto që “karajfilat e majtë” antiberishistë të thekur i kanë fort për zemër. Ndërsa kish kohë që diskutohej, Sokol Balla ishte i pari që doli me këtë argument në një shkrim të tij, fill pas daljeve publike të Taulant Ballës dhe Erion Braçes. Editoriali i Edi Ramës e mbështet hipotezën e hershme të analistit dhe moderatorit televiziv të mirënjohur.

12. Por ndërsa kërkon të qartësojë ndarjen majtas-djathtas me dy partitë e reja, Edi Rama kujdeset që të mos hapë me to një front të ri konflikti politik. Nga një anë, ai s’përmend asnjë kritikë mbi ushtrimin e detyrës nga Topi a Spahiu, i përshkruan ata si të djathtë të vërtetë në bindje e origjinë, duke arritur deri në krahasime e paralelizma me figura historike të së djathtës, si në rastin e Kreshnik Spahiut me Azem Hajdarin e, nga ana tjetër, mungesa e kritikave shoqërohet me mungesën e kujdesshme edhe të lëvdatave, përveç kontrastit të tyre brenda të djathtës me Sali Berishën, nëse këto mund të quhen lëvdata sipas kutit “Rama”. Gjithçka e shkruar hollë. Aq hollë sa mund të këputet, aq më lehtë sa më e vështirë është ta tjerrësh. Si çdo gjë e bërë me nxitim. Në këtë rast, për shkak të vonesës opozitare, një reagim si pasojë e dyzimit mes shpresës dhe frikës. Ndërkaq, Sali Berisha ka vite që investohet qartësisht dhe me energji në vendosjen e kufirit me dy partitë e reja dhe shtyrjen e tyre sa më thellë në kullotën opozitare të votave e sa më pak në atë të tijën. Berisha është disa lëvizje përpara Ramës. Si zakonisht xhanëm!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama