Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Drejtësi – Demokraci

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Drejtësi – Demokraci

Kur shkrova në artikullin mbi dorëheqjen e ministrit Huhne, se në Britaninë e Madhe, deri në  shekullin XVIII, gjykatësit merrnin ryshfet, se një i mençur e zgjidhi këtë punë duke i paguar ata me rroga të larta e se kështu situata ndryshoi, nuk kishte dalë ende në media lajmi rreth korrupsionit (të mundshëm) të  gjykatësit të lartë Dizdari. Pas lajmit mbi Dizdarin, fakti që kisha shkruar rreth pagës së gjyqtarëve më solli rastin të shkëmbeja mendim për këtë punë me disa të njohur gjyqtarë. Edhe biseda me ta u bë shkas i çka po shkruaj.

Do të thosha se shqiptarët sot kanë uri për drejtësi (jo për çimento, siç thotë Kryeministri Berisha) në të njëjtën masë siç kishin uri për liri në vitet e diktaturës. Por, po ashtu, si në vitet e diktaturës, ndjehen të pafuqishëm për ta instaluar këtë drejtësi, jo pse është i padrejtë i gjithë populli, siç thonë disa, por sepse sistemi brenda të cilit jemi ngujuar është, në shumë aspekte, i ndërtuar mbi padrejtësinë; sepse, ashtu sikur sistemi i djeshëm i trembej më shumë se gjithçkaje lirisë, pasi liria e rrezikonte, ky i sotmi i trembet më shumë se gjithçkaje drejtësisë, pasi kjo e shemb menjëherë. Përvoja jonë po tregon përditë se për ndërtimin e një demokracie, si shtet të së drejtës, është më e rëndësishme drejtësia, sesa pluralizmi partiak. Sepse pa drejtësi pluralizmi partiak degjeneron në pluralizëm bandash dhe demokracia në luftën midis këtyre bandave. Dhe kjo luftë e zhyt të gjithë shoqërinë në një sistem kriminaliteti, siç jemi zhytur ne, ku polici duhet të fitojë në mënyrë të paligjshme që të paguajë mësuesin, i cili duhet të fitojë në mënyrë të paligjshme që të paguajë mjekun, i cili duhet të fitojë në mënyrë të paligjshme që të paguajë gjyqtarin e kështu me radhë në rreth vicioz.

Problemi është se sot shqiptarët janë të tejngopur me këtë sistem. Ngjarjet e fundit të 21 janarit, ku Prokuroria kërkon mbështetjen e ambasadorit amerikan për të marrë në hetim dy bandat që akuzojnë njëra-tjetrën, e që i duhet t’i çojë në Amerikë plumbat për të bërë një ekspertizë të thjeshtë, flet vetë për gjendjen. Tek e fundit, pra, sillemi dhe risillemi duke u munduar të gjejmë rrugën e daljes nga kjo luftë e shëmtuar e, ashtu sikurse në vitin ’90, shumica mendonin se liria ishte gjëja kryesore për të cilën kishim nevojë për të dalë nga sistemi që na kishte mbytur, pas njëzet vjetësh shohim se vetëm drejtësia mund të na nxjerrë nga ky sistem. Sot ne kemi nevojë të dalim në rrugë të bërtasim “Drejtësi – Demokraci”, siç kishim nevojë në vitin ‘90 të dilnim në rrugë të bërtisnim “Liri – Demokraci”.

Problemi është që kjo frymë duhet të materializohet. Pyetja që shtrohet është: A duhet të materializohet nëpërmjet një lëvizjeje masash, quaje po deshe revolucionare, apo kemi sot instrumente që kjo të materializohet në mënyrë më të qetë, më institucionale? Personalisht do ta mirëprisja një lëvizje masash, të rinjsh – paqësore, sigurisht – që do të dilnin në rrugë përditë duke bërtitur “Drejtësi – Demokraci” e që do t’i jepte shtysë ndryshimeve të klasës politike dhe të krerëve të Drejtësisë nëpërmjet dorëheqjesh. Dikush do të më pyeste: Pse jo lëvizjet e organizuara nga opozita, e cila po i denoncon çështjet e drejtësisë me forcë? Sepse, që të ishte e suksesshme, do të duhej që kjo të ishte një lëvizje që të drejtohej edhe mbi opozitën. Pse kështu? Sepse opozita e sotme, ashtu si ajo e djeshme dhe e pardjeshme, ka dhënë e jep shenja krejt të lexueshme se asaj i intereson pushteti, jo drejtësia, të cilën kërkon thjesht ta instrumentalizojë. Mjaft të kesh parasysh se ne kemi pasur dy herë rotacione pushteti me premtimin e drejtësisë nga ana e opozitave, siç ishte ai i vitit 1997 dhe ai i vitit 2005, që kanë qenë tejet zhgënjyes mu pse ka munguar drejtësia e premtuar. Mjaft të kesh parasysh se aktorët e opozitës janë po ata që kanë qenë, që i kemi parë në veprim në emër të padrejtësisë, madje një pjesë duke pas qenë më parë në bandën tjetër. Do të thosha se nëse mund të ketë pro dhe kundër përsa i përket asaj nëse Shqipëria ka bërë përpara ose jo në krahasim me 15 vjet më parë, me siguri mund të thuhet se legjitimiteti i krejt klasës politike, si garant se mund të ndërtojë drejtës, i ka bërë shumë, shumë hapa prapa.

Mirëpo, për të qenë realistë, lëvizje masash apo të rinjsh nuk duket në horizont, po të përjashtosh atë kuqezi të Kreshnik Spahiut, i cili mu pse është njeri i drejtësisë së katandisur në këtë derexhe, nuk ka edhe ai kredibilitet. Madje, sipas meje, ajo lëvizje e sposton të keqen që është brenda nesh jashtë nesh, atje ku s’duhet. Fakti është se pjesa më e madhe e të rinjve ende sot aspirojnë ikjen nga ky vend i padrejtësisë, dhe jo luftën për drejtësi këtu. Atëherë, le të kthehemi tek “e mundshmja”, që ka si aktor kryesor opozitën, maxhorancën, institucione të tilla si Prokuroria dhe Gjyqësori, aktorët ndërkombëtarë si dhe një opinion publik të mekët, të nënshtruar, por që ndihet i gjallë si nëpër ajër, megjithatë.

Përsa i përket maxhorancës, do të thosha se është më se e qartë se projekti i saj është jo pavarësimi i Drejtësisë, por kapja totale e saj. Sjelljet e saj, që nga Gërdeci e deri te gjyqi i Ilir Metës, janë shenja të sigurta ogurzeza për këtë. Ndërkaq, ajo që po bën opozita, është denoncimi dhe premtimi se po të vijë ajo në pushtet, do të vendosë drejtësinë thjesht sepse Rama me të vetët janë më të mirë, më të ndershëm sesa Berisha me të vetët. Unë ngulmoj se drejtësinë nuk duhet të na e garantojnë këta që thonë kështu (sepse kështu denonconte dhe premtonte edhe Berisha më 2005-n), por ata që punojnë seriozisht dhe bindshëm për ndërtimin e institucioneve të pavarura edhe nga ata vetë. Sepse s’mund të harrojmë se si u soll edhe opozita me Kushtetutën, një veprim nëpërmjet të cilit të dy palët treguan simetrikisht se synonin forcimin e pushtetit të tyre dhe dobësimin e çdo drejtësie dhe arbitri ndaj tyre.

Dikush do të thotë se edhe në vende më demokratike nuk gjen politikanë kaq bujarë që të japin nga pushteti i tyre për pushtetet e tjera. Unë them se kjo nuk është çështje bujarie, por nevoje. Sot maxhoranca dhe opozita ndodhen përpara një shtrëngimi sa të opinionit të brendshëm, aq edhe ndërkombëtar për të respektuar arbitrin që duhet të gjykojë edhe veprimet e tyre dramatike, si 21 janari. Ata s’mund të vazhdojnë të sillen si banda të pakontrolluara që s’i japin llogari kurrkujt. Dëmet që kanë sjellë me këtë luftë tashmë i ndjen nën lëkurë gjithkush.

Në kuadrin e kësaj fryme, ne presim propozime konkrete nga të dy palët, dhe jo akuza të ndërsjella boshe në stilin e vjetër. Në këtë kontekst, duke iu referuar përvojës britanike, unë hodha idenë e pagave të larta si një nga rrugët e pavarësimit të Drejtësisë. Më konkretisht, pa pretenduar ndonjë projekt konkret, por duke e shtruar çështjen parimisht, sipas meje, kjo do të duhej të aplikohej në dy nivele. I pari: rritja e rrogave të prokurorëve dhe gjykatësve në përgjithësi. Kam pyetur gjykatës dhe prokurorë se sa do të ulej korrupsioni sikur nga rreth 500 euro, sa ç’e kanë rrogën sot, atyre t’u bëhej 2000 euro? Më janë përgjigjur se do të ulej 50%. Nuk është pak, sipas meje. Madje edhe 10% sikur të ulej, prapë mirë është. Sepse kjo krijon edhe mundësinë e një hapi në nivel të dytë për ta përmbysur pastaj gjendjen në favor të së drejtës. Ky hap kërkon që rroga e gjykatësve të Gjykatës së Lartë, e cila kalon në sitë tërë vendimet e gjykatave të ulëta – e që janë vetëm 17 veta – të bëhet, le të themi, pesë herë më e lartë: pra 10 mijë euro në muaj.

Është një nder dhe përgjegjësi e madhe njëherësh që do t’u jepte shoqëria këtyre njerëzve. Me një përzgjedhje të mirë këta njerëz do të evitonin edhe korrupsionin e atyre prokurorëve dhe gjykatësve që nuk u mjafton 2000-euroshi në muaj, sepse gjyqet e tyre do të kalonin në një filtër që s’të fal. A mjafton kaq? Jo, sigurisht. Gjykatësve do të duhej t’u jepnim edhe mbrojtje nga ligji dhe nga politika. Por ngulmoj se pastrimi i Prokurorisë dhe Gjykatës nga korrupsioni ndihmon shumë edhe pavarësimin e tyre nga politike, sepse korrupsioni dhe varësia ushqejnë njëra-tjetrën. Po ashtu ngulmoj se një gjë e tillë do të ishte i realizueshme sikur të mos qe fakti se partitë politike të kthyera në banda nuk duan ta ndryshojnë këtë sistem? Kjo është e gjithë vështirësia që na kthen në rreth vicioz.

Dhe kjo vjen nga dy gjëra: e para, nga e kaluara e tyre e mbushur me abuzime dhe krime, që do t’i bënte vulnerabil dhe, e dyta, nga humbja e së ardhmes. Prandaj, ashtu sikurse kanë vepruar me biznesmenët, me mediat, me gazetarët, intelektualët, duke tentuar t’i rekrutojnë të gjithë në bandën e tyre, po kështu ato do të vazhdojnë të veprojnë edhe me prokurorët dhe gjyqtarët. Mirëpo e arsyeshmja ecën me dinakëri, siç do të thoshte Hegeli. Ata nuk mund, megjithatë, në kontekstin ndërkombëtar që ndodhet Shqipëria, e po ashtu në një kontekst të brendshëm të shënjuar fort nga konflikti i pazgjidhur i 21 janarit, i zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm, të prokurorit të Përgjithshëm të ardhshëm, të votimeve të ardhshme etj., të veprojnë pa arbitër të paanshëm. Sistemi demokratik e kërkon pavarësinë e pushteteve, veçanërisht të Drejtësisë, sepse përndryshe degjeneron keq e më keq me pasoja të paparashikueshme.

Njëlloj si Ramiz Alia nuk mund të thoshte dot në vitin 1991 se pluralizmi politik nuk mund të lejohej dhe u detyrua ta pranojë, paçka se e ndiente se ky ishte edhe fundi i pushtetit të tij, sepse përndryshe, fundin do ta kishte pasur shumë më dramatik, ashtu edhe këta tanët nuk do të mund ta frenojnë Drejtësinë e pavarur nëse nuk duan një fund dramatik. Ja pse mendoj se ka ardhur koha që thirrja “Drejtësi – Demokraci” të bëhet parullë e ditës për të gjithë shqiptarët, çka do të duhet ta detyrojë si maxhorancën edhe opozitën, si elementi kryesor i ndryshimit në kushtet që ndodhemi, të ndërmarrin veprime serioze të vërteta bindëse për ta vendosur Drejtësinë në vendin që meriton në një demokraci.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama