Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bashkia. Qytetarët. Tregtarët.

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Bashkia. Qytetarët. Tregtarët.

1. Siç është bërë zakon, para dhe përgjatë festave të fundvitit, ngrihet shqetësimi i rritjes së çmimeve. Gazeta-rët televizivë rendin, ditë pas dite, ndër tregje, kryesisht ato ushqimore të Tiranës, raportojnë ecurinë e çmimeve, intervistojnë tregtarë, qytetarë, përfaqësues të autoriteteve, u referohen statistikave dhe, në përfundim, dalin me konkluzionet e rritjes abuzive të çmimeve nga tregtarët spekulantë e të pashpirt në kohë feste, ndryshe nga homologët europianë që ofrojnë zbritje të thekura çmimesh në kësi periudhash. Të nesërmen, e njëjta çështje pasqyrohet në gazeta.

2. Nga një rishikim i kronikave të lajmeve të Top Channel dhe Vizion Plus, si dhe të gazetave “Shqip” dhe “Shekulli” për muajin dhjetor 2009, 2010 dhe 2011 – medie këto qartësisht e në vazhdimësi oponente me qeverinë e së fundmi me Bashkinë e drejtuar nga Lulzim Basha – vihet re se shqetësimi për fenomenin e rritjes së çmimeve në pragfesta ka qenë mjaft i fortë në vitet 2009 dhe 2010 ndërsa, megjithëse prezent, është zbutur disi në vitin 2011, vit në të cilin edhe këto medie kanë pasqyruar, njëkohësisht me problemin, edhe aksionin ngulmues të Bashkisë Tiranë kundër këtij fenomeni, aksion ky i paparë ndonjëherë në intensitet, përkushtim dhe mbulim mediatik.

3. Rritja e çmimeve në pragfesta është një e vërtetë që e shohin dhe e ndiejnë qytetarët. Fenomeni vërehet edhe duke analizuar ecurinë e çmimeve të matur nga Instituti i Statistikave – INSTAT. Në çdo dhjetor, si rregull, vërehet një kërcim lart i çmimeve krahasuar me muajin nëntor të të njëjtit vit. Ndaj, media, pavarësisht orientimit politik, thjesht pasqyron një realitet shqetësues. Ky është roli i duhur i saj. Thënë kjo, megjithatë, do të duhej që pasqyrimi i fenomenit të ishte më i plotë dhe më i balancuar, ndryshe krijohen ide të shtrembëruara mbi tregun dhe dyshime mbi aftësitë e tij vetërregulluese, të cilat mund të ushqejnë nisma populiste në dëm të lirisë së tregut dhe eficiencës së tij.

4.  Çështja nuk është vetëm mediatike. Njëherazi mungon vëzhgimi sistematik dhe metodologjik i fenomenit nga institucione të specializuara që kanë për mision mbrojtjen e konsumatorit. Të paktën, unë nuk kam ndeshur ndonjë analizë historike të botuar nga këto autoritete, që do të na jepnin një pamje më të plotë e më të thelluar. Për rrjedhojë, presioni i shqetësimit qytetar dhe pasqyrimi i tij amator mediatik e rrisin edhe më shumë mundësinë e ndërhyrjeve arbitrare dhe/ose në mungesë të ndërhyrjeve, të rritet gjithashtu mosbesimi qytetar si ndaj institucioneve publike, ashtu edhe ndaj institucioneve të tregut të lirë.

5. Gjithsesi, vëzhgimet empirike dhe eksperienca e përditshme tregojnë se fenomeni i rritjes së çmimeve në pragfesta është i izoluar. Tregjet e mallrave industriale, si p.sh. ato elektroshtëpiake, të mobilimeve a veshjeve, tregjet e disa lloj shërbimeve, si p.sh ato të telekomunikacionit a financiare, nuk shfaqin rritje të theksuar dhe/ose ofrojnë ulje të ndjeshme të çmimeve në pragfesta. Kjo sjellje e mirë duket se është forcuar nga viti në vit duke u shndërruar në traditë. Gjithashtu, modernizimi i rrjetit tregtar, veçanërisht përmes hapjes së supermarketeve, ka fuqizuar edhe më shumë këtë sjellje të mirë dhe shndërrimin e saj në traditë. Kjo tendencë vërehet së fundmi edhe në rastin e mallrave ushqimore që tregtohen nga këto segmente moderne, të integruara e masive të rrjetit tregtar.

6. Në këto raste, s’ka asgjë për t’u çuditur dhe asgjë në kundërshtim me ligjin e tregut për sa më shumë fitime. Gjithçka bazohet në ligjin e kërkesës dhe ofertës, që për specifikat e këtyre mallrave apo rrjeteve tregtare moderne, masive e të integruara, fitimi maksimizohet duke ulur çmimet dhe duke rritur sasinë e shitjeve për pasojë. Por, pyetja shtrohet se përse kësaj ligjësie nuk i bindet edhe tregtimi i produkteve të caktuara ushqimore, si p.sh. fruta, perime kur këto tregtohen në tregjet e hapura me pakicë apo në rastin e restoranteve dhe lokaleve që ofrojnë ushqim dhe argëtim në natën e ndërrimit të viteve, segmente këto të tregut ku dhe vihet re fenomeni i rritjes së çmimeve në pragfesta.

7. Edhe këto raste shpjegohen me ligjet e tregut. As këtu nuk ndodh ndonjë çudi. Dihet që në pragfesta ka një rritje të kërkesës konsumatore për fruta, perime dhe mallra të tjera ushqimore apo për shërbim restoranti e bari. Rritja e çmimeve nuk vjen nga ndonjë mundësi e kufizuar e ofertës për të kënaqur kërkesën e rritur këto ditë. Shpjegimi i fenomenit qëndron në shfaqjen e një natyre joelastike të kërkesës konsumatore në këtë periudhë disaditore krahasuar me një natyrë mjaftueshmërisht elastike të kërkesës për të njëjtat mallra e shërbime në periudha të tjera të vitit.

8. Kërkesa është elastike, kur një ndryshim i çmimit, në rritje a ulje, shoqërohet me një ulje a rritje proporcionalisht të qenësishme të gatishmërisë për të blerë nga ana e konsumatorëve. Gjatë gjithë vitit, edhe kërkesa për mallrat apo shërbimet në fjalë e shfaq këtë natyrë. Por, në prag dhe gjatë festave, konsumatorët, pavarësisht rrethanave, do të konsumojnë me patjetër një sasi të caktuar ushqimesh që mbushin tryezën në festën tradicionale të Krishtlindjeve e aq më shumë të Vitit të Ri e po kështu një numër syresh do të frekuentojnë pa hezitim restorantet e baret në natën e ndërrimit të viteve. Kërkesa për konsum ngurtësohet dhe ndikohet fare pak nga çmimi. Tregtaret e vegjël te pakicës, duke e ditur këtë si dhe për shkak të ligjësive të tregtisë së vogël, të ndryshme nga ajo e tregtisë masive, nuk ngurrojnë të rrisin çmimin. Sasia e shitjes mbetet konstante pavarësisht nga çmimi, ndaj rritja e çmimit maksimizon fitimin. Logjikë tregu për këto mikrotregje specifike të veçuara që veprojnë jashtë rrjeteve të integruara, moderne e masive të tregtisë.

9. Ishin pikërisht tregjet e hapura e me pakicë të mallrave ushqimore bazë, kryesisht fruta e perime, dhe kjo sjellje  logjike por e pamëshirshme e këtyre tregjeve që tërhoqi vëmendjen dhe angazhimin e Bashkisë Tiranë në dhjetor 2011 për të ushtruar presion mbi rritjen e pritshme të çmimeve. Bashkia nuk përdori asnjë mekanizëm arbitrar antitreg. As diktim të çmimeve dhe as masa ndëshkuese arbitrare. Bashkia diktoi transparencën e çmimeve dhe shpalljen publike e të përditshme të tyre sipas tregjeve të ndryshme. Ajo ushtroi një presion pozitiv psikologjik me prezencën e përditshme të drejtuesve dhe inspektorëve të saj, njëherazi duke nxitur vëmendjen dhe duke bërë për vete opinionin publik. Në një moment delikat, kur u duk se situata po rrëshqiste nga duart, Bashkia veproi me një plan blic, duke hapur një treg provizor për ata tregtarë që ishin të gatshëm të ofronin çmime të arsyeshme. Përmbledhtazi, Bashkia nxiti trupëzimin e disa tipareve të tregjeve moderne te tregjet arkaike të qytetit.

10. Efekti i aksionit bashkiak është, fatkeqësisht, i pamatshëm për shkak të mungesës se një sistemi të përshtatshëm të dhënash. Jo vetëm kaq, por edhe në rastin e një sistemi më të plotë të dhënash, vështirë që do të mund të veçohej efekti neto i aksionit bashkiak nga moria e faktorëve që diktojnë ecurinë e çmimeve. Sa për ilustrim, sipas të dhënave të indeksit të çmimeve të matur brenda tregjeve të Bashkisë Tiranë, rezulton se: i) rritja e çmimeve të frutave në dhjetor kundrejt nëntorit 2011 ishte veç 0.6%, ndërsa në vitin 2010 ky tregues ishte 2.4%;  ii) rritja e çmimeve të zarzavateve në dhjetor kundrejt nëntorit 2011 ishte 14.4%, ndërsa ky tregues në vitin 2010 ishte 25.2%. Por, ndonëse këto shifra mbështesin idenë e një efekti të shkaktuar nga aksioni bashkiak, ato nuk e vërtetojnë atë në mënyrë të padyshimtë pasi mundet, fare mirë, që këto efekte të jenë shkaktuar nga faktorë të tjerë që s’kanë të bëjnë me këtë aksion.

11. Megjithëse i pamatshëm, aksioni bashkiak ka vlerë pozitive në shërbim të interesit publik. Nëse abstragojmë sikur të gjitha rrethanat dhe faktorët e tjerë janë të barabartë dhe i vetmi ndryshim është aksioni bashkiak kundër rritjes së çmimeve; ky aksion, si energji e shpenzuar, s’ka se si të mos ketë dhënë rezultat pozitiv të dëshiruar krahasuar me të njëjtën situatë dhe kur ky aksion bashkiak do të kish munguar. Çdo veprim që kryejmë sot, ndryshon, pak apo shumë, të ardhmen. Ky është një ligj i padyshimtë. Ndaj, efekti frenues për rritjen edhe më të madhe të çmimeve nga aksioni bashkiak s’ka se si të mos jetë i vërtetë.

12. Kur Lulzim Basha shpalli, në prill 2011, angazhimin e bashkisë në mbrojtje të konsumatorit e kundër çmimeve abuzive, disa e mbështetën me entuziazëm, disa e pritën me skepticizëm, disa as që i besuan e disa edhe e qesëndisen. Në dhjetor 2011, ai mbajti fjalën e dhënë. U angazhua për qytetarët e Tiranës.  Fituan të gjithë në dhjetor. Entuziastët, skeptikët, mosbesuesit, shpotitësit. Kijeni inat po të doni, por njihjani meritën e jetësimit të një koncepti të ri për rolin e bashkive. Një rol ky që duhet përhapur edhe në bashkitë e tjera, demokrate a socialiste, në të mirë të të gjithë konsumatorëve, qytetarë të të njëjtit vend, që duhet bërë Europë edhe në sjelljen tregtare në pragfesta. Në afatgjatë, modernizimi i rrjeteve tregtare do bëjë të vetën, por në pak vitet e ardhshme, aksione bashkiake të këtilla janë të domosdoshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama