Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Krim apo statistikë?

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Krim apo statistikë?

Para tri ditësh, një grup deputetësh të Partisë Socialiste i nisën një letër ministrit të Minierave Nasip Naço ku i kërkojnë llogari për situatën në minierat e Veriut dhe, ndër të tjera, bënin edhe dy krahasime të situatës në to. I pari ishte ku e krahasonin punën në këto miniera me punën e skllevërve të dikurshëm. Me gjithë qëllimin e mirë, detyrohem të them se ia kanë futur kot!

Po t’u hysh ligjeve të Romës së lashtë, do shohësh se ato e ndalonin futjen e grave në miniera; ligjet romake parashikonin që në rast fatkeqësie, pronari i minierës ishte i detyruar të mjekonte të plagosurit dhe të mbante me bukë të gjymtuarit (këtë romakët e bënin me qëllim që skllevërit të pranonin të punonin edhe në rrezik, duke u siguruar që në rast aksidenti nuk do të braktiseshin). Në ato ligje, për të nxitur skllevërit që të punonin, u premtohej atyre çlirimi nga skllavëria pas një numri vjetësh pune. Këta ishin Romakët. 1800 vjet më parë.

Shkoni të shihni atë që ndodh në Bulqizë, në Krastë a në Klos dhe do të bindeni se shteti shqiptar i mijëvjeçarit të tretë, është dy mijëvjeçarë prapa zhvillimit të Perandorisë Romake. Nëpër vrimat e minierave tona gjen fëmijë 10-12 vjeç, që zvarriten nëpër galeri pa asnjë mbrojtje personale, pa e patur idenë se ku po hyjnë dhe se ç’i pret aty. Gjen gra që hyjnë bashkë me fëmijët e tyre për të mbledhur copra minerali. Gjen burra që thërmojnë shkëmbinj që u varen sipër kokës, duke shpresuar se kur shkëmbi të shëmbet, të kenë ato dy a tri sekonda kohë që t’ia mbathin përpara pirgut që u shembet nga sipër.

Është gjë e thënë që në këtë vënd çdo gjë funksionon së prapi. Natyrisht që së prapi do funksionojë edhe puna në galeritë e braktisura të minierave që në vitet ‘90. Nëse gjatë ndërtimit, galeritë janë hapur dhe hap pas hapi janë vënë armaturat prej betoni, tani bëhet procesi i kundërt. Shkohet në fund të galerisë dhe hiqen pjesë-pjesë armaturat. Kështu shembet një copë galerie dhe minerali mblidhet. Pastaj vihet disa metra të tjera së prapi dhe hiqen ca armatura të tjera, e kështu derisa arrihet në hyrje të galerisë. Nuk ka gjë më të rrezikshme në botë, sesa një galeri që nuk mirëmbahet. Mendoni pastaj, galeri të braktisura prej shumë vjetësh. Mendoni pastaj, t’u heqësh armaturën që u ka mbetur dhe t’u provokosh shembjen. Mendo pastaj, të hysh atje, pa asnjë përgatitje e mjet dhe babë e bir. Duhet të jesh në shkallinën e fundit të mizerjes dhe fukarallëkut, që ta bësh një gjë të tillë. Skllevërit e Romës nuk e bënin një gjë të tillë, se askush nuk qe në gjendje t’i detyronte. Skllevërit e kohëve moderne e bëjnë.

Në kohë të vet, me një dekret që ka mbërritur deri në ditët tona, perandori Trajan, urdhëron shpërnguljen e disa minatorëve të fisit ilir të pirustëve dhe vendosjen e tyre në Transilvani, për të punuar në minierat e atjeshme, meqenëse ata ishin minatorë me përvojë. Trajani romak bëhej merak për minierat e Transilvanisë dhe çonte atje pirustë, për të shmangur aksidentet me njerëz të paditur. Shteti i sotëm i shqiptarëve, i zënë me integrimin dhe asocimin, nuk ia ka ngenë të merret me stërnipërit e sotmë të pirustëve.

Krahasimi i dytë që bëhej në letrën e deputetëve socialistë, fliste për minierat, duke e quajtur punën në to si kampet e përqendrimit të kohëve moderne. Albert Speer ka qenë ministri i armatimeve në Gjermaninë e Hitlerit. Për të nxitur prodhimin, ai përdorte me mijëra punëtorë nga vende të ndryshme të Europës si edhe robër lufte, të cilët detyroheshin të punonin nëpër minierat e Rajhut. Në gjyqin e Nurembergut Speer-i e kishte në aktakuzë edhe këtë fakt. Speer-i u mbrojt duke deklaruar se nuk e dinte që ata ishin të tillë dhe se sidoqoftë ai ishte përpjekur ta përmirësonte jetën e tyre me qëllim që ata të ishin eficientë në punë. E kuptoni apo jo!? Përfundoi në Nuremberg pasi shfrytëzonte punën e robërve të luftës në kushte të vështira!

Tunelet kanë një pronar që ka një licencë në dorë, apo që e ka zënë me zor, kjo nuk bën shumë dallim. Pronari i galerisë (term ky i zhdukur me zhdukjen e njeriut të shpellave, por i ringjallur në Shqipërinë e internetit), zakonisht është një burrë në të 40-at, i fuqishëm, me bark të fryrë dhe qafë të trashë, që nuk e bën kabull të hyjë vetë në tunelin e errët. E ka blerë shtrenjtë liçencën ose i është dashur të bëjë të fortin për të zënë minierën dhe nuk e lë barku të hyjë vetë në tunel, ndaj vë të tjerët, ata të pafuqishmit, të hyjnë, ndërsa ai, bosi, pret jashtë të marrë mineralin me para në dorë. Ai nuk detyron kënd të hyjë aty me zor. Thjesht rri te hyrja dhe paguan fatkeqin që për pak para hyn e rrezikon kokën brënda.

Ky sistem ka edhe një të mirë tjetër. Duke mos i pajtuar punëtorët vetë, pronari nuk mban asnjë përgjegjësi për ç’ka ndodh brenda ferrit të nëntokës. U rrëzua tuneli, u vra njeri, la brënda ndonjë këmbë a dorë, atij s’i intereson. Ky lloj sistemi është shumë më mizor edhe se sistemi i romakëve, të cilët të paktën mbanin përgjegjësi për ç’ndodhte në minierë.

Le të bëjmë një llogari të thjeshtë. Nëse në këto miniera do të punonin skllevër të vërtetë nga ata të lashtësisë, skllavopronarëve modernë do t’u duhej t’i sillnin ata që nga larg, gjë që kushton. Pastaj do të duhej që t’u jepnin edhe të hanin, në mos tre, të paktën dy vakte në ditë. Pa duhej t’u jepnin edhe veshje, se po të sëmureshin, do t’u duhej të harxhonin para për t’i shëruar. Po të qenë skllevër, bosi do të duhej të paguante edhe për ta mbajtur skllavin me bukë, edhe pasi ai të mos punonte dot. Nuk më thoni dot që në pleqëri mund ta flakte në kanal, se po të bënte kështu, gjithë skllevërit e tjerë do t’ia mbathnin sa kishin ende këmbë të forta. Pa pastaj, në rast aksidenti, do t’i duhej që ta mjekonte se, për këtë vërtet nuk të detyrojnë ligjet e Shqipërisë moderne, po të detyronin ligjet e Romës antike. E shikoni sa bela do të ishte, nëse bosët e sotëm të minierave do të përdornin skllevër dhe sa lirë ju del hesapi të fusin atje në pus qytetarë të lirë? E kuptoni pra, se sa pak është t’i krahasojmë këta të mjerët tanë të Bulqizës, me skllevërit e qëmoçëm apo me kampet e përqendrimit?

Para disa ditësh vdiq minatori i radhës në Bulqizë. Më 11 nëntor kishte vdekur një tjetër, ndërsa në 18 tetor dy të tjerë. Stalini thoshte se “të vrasësh një njeri është krim, të vrasësh një milion është statistikë”. I njëjti fenomen është institucionalizuar tashmë me Minierat e Veriut. Kur u vra i pari minator vite të shkuara, vrapuan të gjithë, presidentë, kryeministra, kryetarë partish, kryebashkiakë, e lloj-lloj kryesh të tjerë. Pastaj vdiq i dyti, e pastaj tjetri, e tjetri, e tjetri. Me kohë, pas çdo vdekjeje zuri të pakësohej edhe prezenca e të mëdhenjve, filluan të dërgonin vetëm përfaqësues të tyre, pastaj vetëm telegrame, pastaj ... hiç. Tashmë, shtypja e një minatori nën pirgun e gurëve, është thjesht një njoftim disi i sikletshëm ndërsa dëgjon lajmet, duke ngrënë drekë. Ky është suksesi i politikës së papërgjegjshme të një palo shteti po aq të papërgjegjshëm.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama