Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ura e zotit

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Ura e zotit

Një vajzë 12-vjeçare ra nga një urë dërrasash në Babrru dhe u mbyt. Nuk është ndonjë humbje e madhe dhe kjo vihej re edhe nga vendi që zuri lajmi nëpër gazeta. Humbje po, që është operacioni i gjoksit të këngëtares apo celuliti i artistes. Humbje që meriton faqen e parë, është edhe thyerja e thonjve të dashnores së ministrit, por jo mbytja e një copë gabeleje.

E kini vënë re që edhe gama e aksidenteve të të varfërve ndryshon nga ajo e të pasurve. Të varfrit i zë galeria poshtë dhe ju dalin sytë nga pesha e gurëve; i dredh korrenti kur shkojnë për skrap dhe i gjejnë duke ju dalë tym nga veshët dhe hunda; ju shembet soleta sipër kur nxjerrin tulla; ju plasin ndër duar predhat duke i çmontuar për t’u marrë metalin; i shtyp fadroma që shtyn plehrat në fushën e mbeturinave e të tjera lodra të tjera të këtij kallëpi. Ashtu si zogjtë që i shtyp makina ndërsa përpiqen të marrin ndonjë thërrime të rënë në rrugë.

Ndërsa bijtë e të pasurve, më e shumta vriten në aksident me makinën e shtrenjtë që sapo ju ka blerë babai. Baba i cili pastaj, nuk ndjen ndonjë pendesë pse ka shpenzuar 80 mijë euro për një tekë të fëmijës së llastuar, por harxhon edhe një herë aq për të bërë një varr të shtrenjtë që zë vend sa tre varre bashkë. Në ndonjë rast të rrallë, mund të ndodhë që të dy ta pësojnë nga aksidenti i makinës, por sërish me një dallim të kuptueshëm, djali i biznesmenit është gjithmonë prapa timonit, ndërsa djali i të varfrit është gjithmonë ndën rrota.

Edhe në këtë rast vajza që humbi jetën, Enkelejda e quanin, ishte vajzë fukarenjsh buzëplasur. Madje edhe më keq akoma, fukarenjsh buzëplasur romë. Kishte edhe 6 motra të tjera dhe një vëlla, pra 8 fëmijë. Ka një arsye shumë të thjeshtë pse të varfrit në mesjetë bënin shumë fëmijë. Madje jo vetëm në mesjetë, por edhe në antikitet, edhe në prehistori. Jeta e vështirë, aksidentet, sëmundjet, merrnin një pjesë të tyre dhe, vetëm duke bërë shumë fëmijë, sigurohej mbijetesa e disave. Në Europën e sotme të zhvilluar me standarde e përkujdesje, ky truk gjenetik nuk ka më vend, ndaj vazhdon të mbijetojë vetëm në skutat e saj prehistorike, si Babrruja për shembull. Le pastaj që ishte thjesht një vajzë rome.

Romët, populli shqiptar as i ka dashur e as i do, madje i përbuz. Është mekanizmi i përjetshëm i të varfërve që ndjehen mirë kur gjejnë dikë që mund ta trajtojnë si më të varfër sesa vetë ata dhe në këtë mënyrë të mos ndjehen si fundërrina të shoqërisë. Ne kemi gjetur romët për të luajtur këtë rol dhe ata, me vuajtjen e tyre, na përkëdhelin egon neve, popullit të lashtë dhe krenar. Vitet e fundit ka një mori programesh europiane që po investojnë për t’i nxjerrë këta të mjerë nga pozicioni i fundit të pusit ku i kemi futur ne. Ndër të tjera po përpiqen t’i regjistrojnë, t’i vaksinojnë, t’u hapin shkolla, e kështu me radhë.

Edhe kjo vajza që u mbyt, po kthehej nga një shkollë e tillë, e hapur nga europianët bardhoshë të Brukselit në Babrrunë e nxirosur të Tiranës. Nëse Europa nuk do kish hapur shkollë për romët në Babrru, Enkelejda sot do të ishte gjallë. Dëshmi e njëmiiiiijtë kjo, e faktit që reformat nuk fillohen nga bishti, por nga koka. Duhet të kenë bërë e kuptuar shkollën e Europës ministrat, deputetët dhe zengjinët në radhë të parë, e pastaj i vjen radha vetë mjeranëve të Babrrusë. Përndryshe, edhe gjesti i mirë përfundon keq. Derrat mbeten sërish derra në Tiranë, ndërsa fukarenjtë o mbyten, o thjesht bëhen fukarenj me shkollë.

Pas tragjedisë, doli kryetari i komunës dhe deklaroi se ura ishte pa leje, madje tha se ata e kanë hequr disa herë, por banorët e kanë vënë prapë. Halli i tij ishte se mos hapej ndonjë çështje penale, dhe ndaj donte të lante duart. Ndër absurditetet e Shqipërisë duhej ta dëgjonim edhe këtë. Në një vend ku gjithçka ndërtohet pa leje, në një vend që duhet të ndërtojë ura pa fund se nuk i ka, qenka dikush që prish ura se qenkan pa leje! Deri tani kishim dëgjuar për ura që i bën qeveria dhe i prishin hallexhinjtë për t’u marrë hekurin për skrap, ndërsa kësaj radhe u përmbys edhe ky rregull, urën e paska bërë mileti dhe e prish shteti. Urë e paligjshme – tha kryetari. Jo kryetar, nuk mund të ketë urë të paligjshme, sepse ajo urë ishte e vetmja mundësi lidhjeje me botën për ata njerëz dhe, çdo gjë që ndihmon jetën e njerëzve është e ligjshme. Detyra jote është që nevojën e ligjshme ta bësh edhe të sigurt, por për këtë duhet të jesh njeri, jo kryetar.

Sa herë vdes një fëmijë, të gjithë mbetemi pa fjalë dhe thjesht përpiqemi t’i japim një sens kësaj jete të ndërprerë pikërisht kur duhet të futet në jetë. Por stërhollime të tilla filozofike kanë kuptim vetëm midis ne të bardhëve fatlumë, ndërsa për krijesat e nënshoqërisë ky arsyetim nuk vlen. I kini parë leckamanët e vegjël që lypin nëpër Tiranë? Lozin e qeshin pa kuptuar gjë nga jeta që, në vegjëlinë e tyre u duket e bukur qoftë edhe mes tymit, zhurmave dhe pështymave. Por posaqë lënë fëmijërinë për t’u futur në adoleshencë, buzëqeshja zhduket nga fytyrat e tyre për të mos u kthyer më deri në fund të jetës. Enkelejda e Babrrusë ishte pikërisht në këtë pikë të jetës. Ende luante me shoqet, shkonte në shkollë, por po i vinte mosha kur duhej t’i nënshtrohej jetës së zymtë e të zezë të një gabeleje që mbledh kanaçe, që pjell pa prerë, që e rrahin dhe e pështyjnë, që i bien dhëmbët që 30 vjeç, që rron në baltë mes sëmundjeve në një kasolle teneqeje. Duhet të ketë qenë vërtet vajzë e mirë Enkelejda, që Zoti pati aq mëshirë sa ta marrë pranë vetes pikërisht kur pjesa qeshur e jetës po i mbaronte.

Mos e prishni atë urë, mos ndërhyni në projektet e Zotit. Ministra, deputetë e zengjinë, atyre anëve as kanë kaluar e as do kalojnë ndonjëherë, ndaj ata nuk rrezikojnë të bien e të humbin gëzimet e jetës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama