Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Arsyeja vjen. T’arsyeshmit shkojnë

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Arsyeja vjen. T’arsyeshmit shkojnë

KREU I. HYRJE

Java e kaluar solli mesazhe shprese nga Brukseli Ashton, Fyle, Sekui, Kukan, Svoboda, shumë entuziastë e pakëz mosbesues. S’ka veç pak javë që politika shqiptare ka futur këmbën, ende jo mendjen, në zonën e normalitetit. Me fare pak gjë kaq shumë efekt. Ata folën. Viti i ardhshëm i takon Shqipërisë. Nëse punohet e prodhohet me shpejtësi, jepet statusi dhe hapen negociatat. Nëse punohet, por duzina e detyrave kërkon kohën e vet, jepet statusi më parë, ndërsa negociatat hapen në mbarim të detyrave. Del qartë pse s’morëm as status, as negociata një vit më parë.

E lëmë të shkuarën. Shohim para. Kuvendi filloi punën me Kodin Zgjedhor, Rregulloren parlamentare, ndërsa po miraton disa kode në pritje për shqyrtim prej muajsh a vitesh. Aty-këtu ndonjë vonesë, mungesë n’apel, vickla parlamentare, më the, të thashë. Të kuptueshme pas marrëzisë dyvjeçare. Seancat plenare ca më të shkurtra. Edhe për buxhetin pale! Fjalimet njësoj. Por pa grushte, sharje me libër shtëpie, demonstrata tek “sheshi i vogël para Kryeministrisë”, brenda në sallën e Kuvendit. As veprim ekstremist. As kundërveprim i këtillë.

KREU II. INTERMEXO FANTAZUESE

Kapiteni mblodhi ekuipazhin. Vendosi organizimin e ri. Riparoi anijen. Forcoi direkët. Velat. Litarët. Topat. Veçanërisht këto. Mbylli vrimat. Me kashtë. S’kish me ç’t’i mbyllte. Gjithçka e harxhoi për pjesët e tjera më të rëndësishme. Anija gati për lundrim. Vrimat me kashtë shumë pranë nivelit të ujit. Anija duhet lehtësuar. Lënë në mol dy-tre oficerë madhorë. Këta ngulnin këmbë se anija s’duhet të niset as pa mbyllur mirë vrimat, as pa qenë të sigurt që kapiteni ka mësuar nga ç’kanë pësuar. S’ua kanë ngenë këtyre. Marrin disa të tjerë. Të urtë. Vend s’zënë, ushqim s’konsumojnë. As nuk lëvrijnë që t’rrezikojnë batimin. Në daç të rrinë, në daç jo. Punë për ta. Anija niset drejt ishullit të pushtuar nga pirati i tmerrshëm. Saliu. Anijet e tij patrullojnë rreptë detin.

KREU III. RIKTHIM NË KUVEND

Në Kuvend po rikthehet arsyeja e munguar. Mundësi të mëdha për sukses. Rregullorja parlamentare, detyrë e lehtë. Modelet nuk mungojnë. Rregullorja e Parlamentit Europian a e vendeve të tjera aty janë. Në disa pika mund të ngecin. P.sh., si do të votohet për dekretet e Presidentit: haptas, apo fshehtas? Po t’i qëndrojnë arsyes gjatë punës kuvendare do gjejnë zgjidhjet e arsyeshme. Po t’ngatërrojnë punën me fantazitë, do ngatërrojnë Kuvendin me Anijen. Kodi Zgjedhor, detyrë edhe më e rëndësishme. Grupi i punës ka në përbërje deputetë dhe ekspertë me përvojë e njohuri. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mbulojnë thuajse çdo çështje të administrimit zgjedhor. Palët i kanë pranuar. S’ka debat thelbësor për to.

Më të shumtat janë shprehje të gatshme për formulim ligjor. Të tjerat kërkojnë pak teknikë normative. Sistemi aktual proporcional rajonal është më i pëlqyeshmi për të dyja partitë e mëdha. Kjo s’do të thotë se s’mund e s’duhet të ketë ndryshime. Por, së paku, s’kanë divergjenca thelbësore. Aq më shumë që do të respektojnë veton reciproke. Ndaj, s’ka tension. Partitë e vogla, pa të drejtë vote, por me të drejtë pjesëmarrjeje vëzhguese e propozuese, do të kërkojnë forcimin e natyrës proporcionale. Diçka mund të lëvizë në këtë drejtim. Nëse po, mirë. Nëse jo, prapë mirë. Çështja është se si do kapërcejnë disa pika të nxehta. Hijet e së shkuarës nxisin frikë. Frika ngacmon shpirtin. Errëson mendjen. Turbullon shikimin drejt së ardhmes. Kryetari foli qartë edhe te Kurban-libri edhe te Programlibri. Të ardhmen e pa përmes së shkuarës.

KREU IV. KUJTIME DHE REFLEKTIME

Saliu m’i vodhi natën zgjedhjet në dymijenëntën. S’më la të bëhesha Kryeministër. Shtatëdhjetëmijë karta identiteti. Përgatitur në bodrumet e ministrisë së tij. Punë e lehtë për Atë. Regjistër elektronik dhe karta dixhitale. Dhjetëmijë demokratë besnikë. Secili me nga shtatë karta në xhep, përveç së tijës. Secili me detyrë të qartë. Shkoi secili, brenda ditës, në shtatë qendra votimi të piketuara, në fshatra e qytete, në atë pjesë të Shqipërisë që s’paguan taksa. Votoi secili shtatë herë. Si? Për dreq, në këto fshatra e qytete, t’njohin pa hyrë që s’je i asaj ane. Duheshin blerë komisionerët opozitarë. Edhe vëzhguesit. Edhe rob’t që rrinë gjithë ditën rrotull qendrës, veçanërisht anëtarët aktivë t’partisë, anëtarë këshillash, kryetarë komunash, kryepleq e të tjerë gjithfarësoj. Sa vota shtesë në një qendër? Jo më shumë se njëzet për qind, se binte n’sy. Nga treqindepesëdhjetë vota ka mesatarisht çdo kuti.

Shtatëdhjetë vota shtesë për qendër. Gjithsej një mijë qendra n’plan për mësymje. Herë tri presje, pesë komisionerë për qendër, baras tre mijë e pesëqind. Shto edhe pesëqind ndërrime të befta, bëjnë katër mijë. Plus dy herë kaq të tjerë në çdo qendër, bëjnë dymbëdhjetë mijë. E bëri ore Saliu! I bleu! Në fakt, këto dreq qendrash kanë shumë më pak se treqind e pesëdhjetë vota krahasuar me mesataren kombëtare. Shtatëdhjetë të manipuluara për qendër janë ca si shumë. Supozojmë tridhjetë e pesë për qendër. Manipulim në dy mijë qendra. Blerje e tetë mijë komisionerëve dhe njëzet mijë të tjerë rrotull. Rrumbullakoje me tridhjetë mijë. Shumë!? E po pastaj?! E bëri ore Saliu! I bleu! Pa qe edhe numërimi i votave në një sallë me dyqind palë sy e veshë. Duheshin blerë edhe këta. Të parët numëruesit socialistë.

Këta nuk janë shumë. Tridhjetë a dyzet gjithsej për sallë, bashkë me ndërrimet e befta. Shtoi këtyre edhe ndo tetëdhjetë të tjerë vëzhgues, militantë e ndonjë duzinë OJF-istë shqiptarë a ndërkombëtarë. Shtrirja e planit, minimumi, në dhjetë a dymbëdhjetë qendra numërimi. Gati, sipas nevojës, me ndërhyrje blic në të tjerat. Pra, blerje e disa qindrave, ja ta zëmë një mijë. Bashkë me ata të qendrave të votimit bëjnë trembëdhjetë mijë minimumi dhe tridhjetenjë mijë maksimumi. E bëri ore Saliu! I bleu! Konspiracion perfekt. Në shkallë të gjerë e pa gjurmë. Unë fola. Kush s’dëgjoi veç të mitë. Krimi u krye. Ne, dëshmitarët e vetëm. Faktet mbeten në kuti. Tha nuk i hap. Nuk i hapi. Ca u dogjën. Ca u ndrynë në arshivë. Errësirë.

Ndaj skema funksionoi perfekt edhe në 2011-n. Në Shqipërinë që s’paguan taksa. E shtriu edhe në Tiranë këtë herë. Këtu paguhen taksa! Apo jo?! Punë dreqi kjo me taksat. I bie që katër njësi bashkiake në Tiranë paguajnë dhe shtatë nuk paguajnë. Më keq në Durrës a Elbasan. Votuesit kur votojnë atë timin për kryetar paguajnë taksa. Kur votojnë të Saliut për këshillin, s’paguajnë taksa. Varja taksave. Ndaj do t’i ul fare. Ide e mirë. Pse? Vetëm Saliu! Mendova se fitova, për një çast, kur pashë votat të hënën, më nëntë maj. Rreth pesëqind vota para atë ditë për pesëdhjetë kuti. Po për katërqind? Njëzet mijë. Njësoj si në 2007-n. M’u duk sikur Saliu s’kish bërë gjë këtë radhë. S’kish blerë. Më pas m’u rrotullua dynjaja. Herë unë e herë ai i Saliut sipër. Një javë rresht. Erdhi e shtuna. Dhjetë vota. Si dhjetë porositë më ngjanë. Ndaj premtova kthesë nëse do ma linte Bashkinë. Ku dëgjon Saliu. M’bëri kurban bashkë me dhjetë votat.

E bëri ore Saliu! E rrëmbeu Tiranën. As unë s’i ndahem. Tashmë që e panë dhe syleshët se si m’i vodhi ditën për diell. Ato të natës edhe këtë herë i pashë vetëm unë. Ca mijëra vota vjedhur natën. Ca dhjetëra vjedhur ditën. Në të vërtetë, gjatë natës, të tijtë i kishin hedhur gabim te kutia tjetër disa vota. Presidenti, me shkollë, gaboi ditën e jo më ata, të shumtit pa shkollë, natën. Meqë s’iu doli hesapi u detyruan të korrigjojnë ditën gabimin e natës. Natën ishte vjedhje. Ditën u bë grabitje. Me dhunë. E bëri ore Saliu! I grabiti. Jua kisha thënë! Më la pa Bashkinë. Unë shkrova librin. Kujtova. Gjeta zgjidhjen. Kontroll elektronik i kartave në çdo qendër votimi. Kontroll elektronik i shenjës së gishtit. Kontroll më i rreptë se në aeroportet amerikane. Numërim elektronik i votave. Pa KQZ. Pa Kolegj. Pa Ristan. Tom. Sashenka. Pa prit njëherë! Ç’i kushton Saliut të prodhojë prapë karta?

Të rregullta po të dojë. Sistemin në dorë e ka. Edhe gishtëza plastike me shenjat e duhura për ushtrinë e tij demokrate mund t’i përgatisë. Ca dhe më lehtë. Manipulon pajisjet elektronike të qendrave dhe ato japin dritën jeshile. S’ka nevojë as t’i blejë komisionerët. Nëse do t’i duhet, i blen. Manipulon edhe pajisjet elektronike të numërimit. Nxjerr me komandë, nga zyra e tij, rezultatin që do. Kollaj fare. Kur e bëri me mjete konvencionale, masivisht e pa gjurmë, pse mos ta bëjë me teknologji digjitale. E bën! E bën ore Saliu! Ka vetëm një zgjidhje. Rruga e vetme. Gjithë strukturat e administrimit zgjedhor t’i kem të miat. As ndërkombëtarëve nuk u besoj. Më lanë të më shqyente Saliu. S’kam dhe kujt t’i ankohem pastaj. As kë të akuzoj. Nëse i kam të miat, s’ka ç’të bëjë më Ai. Apo m’i blen edhe këto?! Le që i grabit kur të dojë. Ndaj po ia lë fatit. Ngado që ta nis numërimin, e treta e vërteta del.

KREU V. EC E JAKË

Ua qaj hallin djemve në Kuvend. Ec e jakë. Arsye dhe mosarsye. Merr copëza ëndrrash për t’i kthyer në copëza ligji. Dërgo copëza ligji për t’ushqyer ëndrrën. Që vazhdon.

KREU VI. T’ARSYESHMIT SHKOJNË BUZËPLASUR

Leka shkoi. Godo shkoi. Në prehrin e të Plotfuqishmit. I mirëpret. Në kuvendim të gjatë. Në përjetësi. Kanë bërë ca prapësi në jetë. Nuk ishin engjëj. Njerëz. Me virtyte e vese. Por arsyeplotë. Për vete dhe të tjerët. Ca më shumë duke u plakur. Folën. Këshilluan. Morën mbrapsht shurdhëri. Shkojnë buzëplasur. Do kenë kohë t’u shërohen buzët me eliksirin e parajsës.

Ca të tjerë presin t’i thërrasë i Plotfuqishmi. Kemi dhe pak kohë t’i dëgjojmë sa janë ende mes nesh. Ne ftillohemi. Ata shkojnë buzëqeshur.
Heshtni!

Lërnani të dëgjojmë arsyen.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama